IDE PËR ZHVILLIMIN STRATEGJIK TË RRETHIT TË KURBINIT- Nga Medi Gazi

IDE PËR ZHVILLIMIN STRATEGJIK TË RRETHIT TË KURBINIT

Kurbini me qendër qytetin e Laçit është një zonë shumë e bukur dhe e pasur natyrore. Zoti është treguar shumë zemërgjerë për gjithshka të mirë që i duhet njeriut për një jetë cilësore. Ka detin, lumenjtë, lagunën, fushën, kodrat, pyjet, malin; është pika nyje e lidhjes me rrugët kombëtare dhe ndërkombëtare; është periferi e kryeqytetit; ka afër portet e Durrësit dhe Shëngjinit etj. Investimet në disa objektiva strategjike dhe menaxhimi më i mirë administerativo qeveritar – local, do të sjellë rritjen e mirëqënies dhe cilësi më të mirë të jetës së banorëve. Disa objektiva strategjike mund të ishin:

I. KRAHINA E KURBINIT- NDERI I KOMBIT.

Për të argumentuar domosdoshmërinë e këtij prioriteti,që lidhet me kontributet, meritat dhe dinjitetin po po i referohemi disa fakteve.

Historia e Kurbinit përbën një nga faqet e lavdishme të historisë së kombit shqiptar, që ende nuk është shkruar plotësisht nga historiografia. Po përmendim disa nga më të rëndësishmet:

1. Gjergj Kastriot Skënderbeu në Kurbin kishte rezidencën e vet, shtabin, ushtrinë, vendkomandën falë edhe perfeksionit natyror të kësaj krahine, det, lumë, fushë, kodër, mal. Këtu Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk është thjesht një mit, legjendë. Ai është një realitet i prekshëm. Çdo gjë flet për të si të thuash është sendërtuar me figurën e tij. Ka shumë toponime si askund tjetër në hapësirën shqiptare psh: Mali i Skënderbeut, Kisha e Skënderbeut, Kalaja e fshehtë e Skënderbeut, Mulliri i Skënderbeut, Gurra e Kroi i Skënderbeut etj., etj,. Në kohën e Skënderbeut kishte dy miniporte, një në grykëderdhjen e lumit Mat që quhej porti i Shufadasë dhe tjetri tek grykëderdhja e lumit Ishëm tek Kepi Rodonit, nga ku bëhej tregëti nëpërmjet detit si dhe lëvizej për në Venedik për takimet e Gjergj Kastriotit me personalitetet Europiane të kohës, të siguruara këto nga kryediplomati i tij i kohës Pal Engjëlli dhe ambasador Gjon Gazulli. Ka patur doganë, kripore etj. Kurbinasit përbënin bërthamën e ushtrisë dhe gardën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Janë zhvilluar shumë beteja në këtë teritor ku më e rëndësishmja dhe me përmasa historike ndërkombëtare ishte beteja e Albulenës (1457). “Kanuni i Skënderbeut” apo i njohur si “Zakoni i Kurbinit” i mbledhur nga Frano Illia, ka mbi 3534 nene.

2. Mbrojti më shumë se kushdo tjetër fenë e parë të shqiptarëve, fenë katolike. Pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Kurbini u vu në qëndër të cunamit e të hakmarrjes së pashembullt osmane. Masakra të mëdha detyruan shumë familje, madje edhe fshatra apo pjesë të tyre të shpërnguleshin në vende të tjera si Durrës, Shkodër, Krujë, Itali dhe sidomos në Kalabri e Siçili. Fshatra të djegura disa herë, lehtësisht të dallueshme nga rrënoja të vendbanimeve të vjetra, ku

pjesë të banorëve të tyre më vonë janë rikthyer dhe kanë rindërtuar duke u spostuar brenda teritorit të tyre. Për gjithë këto djegie e shkatërrime nuk ka askund asnjë memorial kujtese. Këto masakra, të cilat natyrisht kanë qënë më masive dhe më të egra se askund në Shqipëri për shkak të mbështejes së bërë Heroit Kombëtar. Megjithatë kurbinasit rezistuan dhe nuk u mposhtën. Kurbini nuk lidhi ndonjë marëveshje me Portën e Lartë për administrim më vehte sikundër lidhën disa zona të tjera malore të vendit, ndërkohë që zonat e ulta bregdetare dhe qytetet u dorëzuan pothuajse plotësisht. Nuk u dëmtua asnjë kishë; asnjë gur nuk u lëviz dhe asnjë degë e thatë e drurëve dhe pemëve të pronave kishtare nuk u prekën kurrë, por u trajtuan si vende të shenjta të paprekshme, pavarësisht faktit të të kthyerit gati totalisht në fenë myslimane siç është rasti Shullazit (Shillazit) dhe Shemrisë në territoret e të cilave këto kisha nuk u dëmtuan. Përmendim kishën më të famshme shqiptare atë të Shnandojit në Laç. Kisha e Shën Prendes në Gallatë e cila ka qënë qendër e arkipeshkvisë së Durrësit, sikundër më pas qe edhe kisha e Delbnishtit. Pas fitimin të Pavarësisë rezultoi një raport besimi religjioz afërsisht rreth 60 % e më shumë katolikë. U zbatua një mekanizëm në kushtet e nevojës për mbijetesë ku një vëlla bëhej mysliman dhe një vëlla qëndronte katolik për të ndihmuar dhe mbrojtur njëri tjetrin, ndaj njëri prej tyre largohej në një fshat apo krahinë tjetër. Sot të gjitha familjet myslimane e dinë se prej cilit fis katolik e kanë prejardhjen dhe si e tillë vazhdon lidhja fisnore. Është unik rasti ku në disa fshatra si në Shëmri dhe Malbardhë me shumicë muslimane që kanë kishat e hershme në teritorin e sotëm të të tyre , festohet festat e shenjtorëve të tyre. Nga Kurbini kanë dalë figura të shquara ku më i madhi prej tyre, me famë botërore sikundër Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nënë Tereza është

PAPA KLEMENTI XI – GJON FRANÇESK ALBANI ( LAÇI).

Sipas disa studimeve ku veçohet ai i ì Engjëll Sedajt botuar në vitin 1998, theksohet: familja urbinase Albani e ka prejardhjen nga dy emigrantë shqiptarë, Gjergji e Filipi, dy djemtë e Mhill Laçit, dikur luftëtarë nën urdhërat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Aty, me nismën e Altobellit, të birit të Gjergjit, ata ndërruan mbiemrin e babait (Laçi, italisht de’ Lazi) në Albanesi. Në favor të tezës së Sedajt se origjina e kësaj familjeje është nga Laçi i Kurbinit nuk është përmendja thjesht e toponimit Laç, sikurse kanë vërejtur studiuesit e deritashëm, por fakti se në regjistrin kadastral osman të vitit 1467, në Timaret e vilajetit të Dimitri Gjonimës, konkretisht në fshatin Shillaz [Shullaz], del një familjar me emrin Pjeter Laçi. Prej këtej rezulton se origjina e Papa Klementit XI, Gjon Françesk Albani (Laçi) është nga Kurbini. Lidhur me disa pretendime të tjera që origjina e Papa Klementit të XI është nga Kelmendi apo Kosova, nuk paraqitet asnjë provë ku në këto krahina shqiptare në vitet 1400-1500 të kenë banuar familje me mbiemrin Laçi. Në kohën kur Papë për 21 vjet ishte Gjon Françesk Albani (Laçi) dhe njëkohësisht arkipeshkv i Durrësit ishte Pjetër Zymaj, u arrit që më 20 prill 1711 në kuvendin e Shën Pjetrit në Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskanë, hapet Katedra e parë e Gjuhës Shqipe, ndërkohë që në vitin 1703 u mbajt Kuvendi i Arbërit, ku përfaqësues i Kurbinit ishte At Martin Gjonima. Vlerësimi i figurës së Papa Klementit të XI (Gjon Françesk Albani-Laçi) me origjinë nga Laçi i Kurbinit nëpërmjet ngritjes së një busti në qendër të qytetit, por edhe në qendër të kryeqytetit, vendosja e emrit të tij për ndonjë rrugë apo shesh, do të përbënte ndoshta një hap shumë të rëndësishëm që nga ana e Papës së Vatikanit të merrej parasysh kërkesa e Kurbinasve dhe intelektualëve të këtij rrethi për ta shpallur qytetin e Laçit si Qytet të Shenjtë.

3. Gjatë gjithë periudhës së sundimit osman, pas vdekjes së Skënderbeut, Kurbini ka qenë në qëndër të luftës për pavarësi. Mund të nënvizojmë:

§ Për shkak se qeveria osmane nuk donte ti jepte kësaj krahine statusin e vetqeverisjes, konflikti ishte i vazhdueshëm. Në vitin 1570 shpërtheu kryengritja dhe popullsia e Kurbinit, e cila arriti që pas vitit 1600 të dëbonte spahinjtë, krahina fitoi të drejtën e vetëqeverisjes së brendshme në bazë të normave e zakoneve vendase dhe nuk u lejua sundimi i sanxhakbeut. Gjithashtu, krahina, fitoi edhe të drejtën që banorët e saj të mbanin armët kudo që të shkonin.

§ Një nga faqet e lavdishme të historisë së kësaj krahine, është ajo e luftës për Pavarësi Kombëtare në vitet 1900-1912, Kryengritja e Kurbinit (1903-1906), ishte një fillesë e Kryengritjes së Përgjithshme për Pavarësi me në krye Gjin Pjeter Pervizin, i cili pati mbështejen e drejpërdrejtë të mentorëve dom Nikollë Kaçorrit dhe At Shtjefën Gjeçovit, dhe Arqipeshkvit të Durrësit Prend Bardhit, së cilës iu bashkangjitën edhe krahinat fqinje. Dom Nikollë Kaçorri dhe Gjin Pjetri menduan të krijonin « …një besëlidhje ndërkrahinore, ide që u mirëprit edhe nga paria e Kurbinit», Për organizimin e kësaj kryengritje, u mbajtën në fshatin Delbnisht tre kuvende. Kurbini gjithashtu ju bashkangjit kryengritjes së lavdishme të malsorëve në bregun e Matës.

§ Bazuar në studimet e Haxhi Gocit, Hajredin Isufit, Kastriot Markut dhe Zef Pjetrit, rezulton se më 28 nëntor të vitit 1912, teksa plaku patriot Ismail Qemali ngrinte flamurin në Vlorë dhe shpallte pavarësinë e Shqipërisë, në të njëjtën orë të asaj dite, një tjetër patriot shqiptar ngrinte flamurin kombëtar në Milot të Kurbinit, ku ishin mbledhur përfaqësues dhe delegatë nga të gjitha krahinat e veriut të Shqipërisë. Ai ishte Gjin Pjetër Pervizi nga Skuraj i Kurbinit dhe flamuri që ngriti ai në Milot, ishte me porosi të Dom Nikoll Kaçorrit, krahut të djathtë të Ismail Qemalit. Vlerësimi figurës së Gjin Pjeter Pervizit dhe si rrjedhim e kryengritjes së Kurbinit, ndoshta nuk është bërë për arsye sikurse thekson studiuesi Pjetër Hidri se nipi i tij, gjenerali Preng Pervizi, në vitet 1943-1944 në kohën kur u bashkua Shqipëria me Kosovën, ishte Ministër Mbrojtje. Vlerësim duhet natyrisht edhe për figurat e arqipeshkve Pjetër Zymi dhe Prend Bardhi.

4. Për historinë e Kurbinit, kësaj krahine të lavdishme kanë shkruajtur shumë studjues. Mund të permendim At Shtjefën Gjeçovin, Frano Illinë, studjuesit e sotëm kurbinas Kastriot Markun, Vlash Prendin, Imer Hysën, Zef Pjetrin e shume e shumë të tjerë, vendas apo të ardhur. Zona ka historik të pasur me folklor, këngë, epose, balada. Ka shumë histori të përcjellë nëpërmjet gojëdhanave lidhur me faktin që në shumë fshatra të Kurbinit janë kryer masakra nga ushtria otomane. Të gjitha këto janë ende të pavërtetuara dhe të pacertifikuara nga historiografia jonë shkencore zyrtare, pra që nuk mund të merren si plotësisht të sakta. P.sh. banorë autoktonë të

qytetit të Laçit tregojnë për rrënoja banesash të shkatërruara nga osmanët afër varezave në drejtim të kishës së Shën Ndout. Interesante gjithashtu janë thëniet e banorëve të fshatit Shullaz. Sipas tyre është djegur gjithë vendbanimi i vjetër dhe shpërngulur gjithë banorët. Një pjesë e tyre më vonë janë rikthyer dhe ndërtuar banesat brenda teritorit të vet por jo atje ku kanë qene të vjetrat. Po sipas tyre dallohen qartë rënojat, themelet dhe teritori i vjetër. Është e domosdoshme të bashkëpunohet edhe me institutin e arkeologjisë, të nxiten ata për kërkime më të thelluara dhe ose të hidhen poshtë ose të certifikohen. Dhe n.q.s. rezultojnë të vërteta, që është shumë e besueshme, duhet të ngrihet një memorial që të vizitohet nga të gjithë ashtu si gjermanët e sotëm vijnë e vizitojnë memorialin e Borovës sonë martire të Kolonjës.

5. Bashkëjetesa kulturore, krahinore, religjioze. Tre komunitete kryesore të ardhurish dallohen në rrethin e Kurbinit: Komuniteti malsor (Eqrem Çabej: palca e racës shqiptare) me qytetarinë, inteligjencën dhe civilizimin e tyre, komuniteti mirditor me krenarinë e ligjshme të origjinës, zgjuarsinë e lindur dhe prakticitetin e vet si dhe komuniteti i Jugut të Shqipërisë. Të gjitha këto komunitete,duke përfshirë edhe dibranët, matjanët, krutanët, pukjanët etj., kanë një harmoni, traditash, besimesh, të folmesh, kulturash e zakonesh shumë të mirë bashkëjetese dhe integrimi, të lidhur me miqësi e shoqëri dhe kjo kryesisht për meritë sidomos të vendasve pritës, kurbinasve.

Ndërtimi i Muzeut Historik të krahinës si dhe mbrojtja dhe restaurimi i krejt monumenteve të tjera historike, kulturore, natyrore etj është e domosdoshme.

Si përfundim shtetit shqiptar:

Jepini Çezarit çfarë i takon Çezarit,KURBINI-NDER I KOMBIT.

II.VËNIA NË FUNKSION E BREGDETIT TË ZONËS SË KURBINIT, DUKE RIKUPERUAR PLAZHIN E PATOKUT DHE HAPJEN E PLAZHIT TË ADRIATIKUT (GODOLL).

Gabimi teknik i parikuperueshëm duke ndryshuar grykëderdhjen e lumit Mat, solli ndryshimin e gjithë konfiguracionit të bregdetit të Kurbinit. Ish-godinat e plazhit u përmbytën nga uji duke i nxjerrë jashtë funksionit. U krijuan laguna dhe ligatina të reja si dhe u dëmtua bregdeti në një vijë gjatësore prej 7-8 km. Ndërkohë vihet re krijimi i një brezi të ri ranor rreth 1 km nga brezi egzistues, mjaft cilësor dhe premtues. Për funksionalitetin e turizmit bregdetar të zonës së Kurbinit Patok – Adriatik duhet:

1. Ndërtimi i një rruge panoramike dhe funksionale në formë unaze, për qarkullim këmbësorësh dhe biçikletash,dhe mjete të lehta motorike, që të lidhë brezin aktual tokësor ku janë ngritur

restorante kulinarie dhe brezit të ri ranor që po krijohet në mënyrë të natyrshme, në një distancë prej gati 1 km thellësi.

2. Ndërtimi një rruge auto nga Gurëz – Alk – grykederdhja e sotme e lumit Mat, aty ku është krijuar një brez i ri ranor shumë premtues për zhvillimin e turizmit bregdetar.

3. Pjesa më e bukur, perspektivë e zhvillimit të turizmit bregdetar, elitar, është ajo e fshatit Adriatik (Godoll), në veri të Kepit të Rodonit, në një sipërfaqe lineare prej 6 km. Kjo sipërfaqe turistike prej afro 600 ha, ndodhet e kufizuar në jug me lumin Ishëm, në veri me kanalin kullues të ujrave të qytetit Laç, në lindje me fshatin Adriatik dhe perëndim deti Adriatik. Këtu janë të nevojshme këto investime:

Ø Ndërtimi i dy impjanteve të Përpunimit të Ujrave të Ndotura. Njëri për lumin Ishëm që grumbullon gjithë mbeturinat e një pjese të zonës së Tiranës dhe Fushë-Krujës dhe impjanti tjetër për pastrimin e mbeturinave që grumbullohen në kanalin kullues të qytetit Laç.

Ø Ndërtimi i argjinaturave mbrojtëse për lumin Ishëm, Drojë, dhe kanalin kullues të qytetit Laç.

Ø Ndërtimin e një ure mbi atë që quhet lumi fjetur dhe dalja në zonën bregdetare.

Një thirrje për pushtetarët: Kthejini Kurbinit Flladin e Detit dhe Erën e Malit.

III. RIKONSTRUKSIONI,PASTRIMI DHE VENDOSJA NË FUNKSIONIM TË PLOTË E KANALEVE TË VADITJES PËR FUSHËN E TERRITORIT TË KURBINIT.

Zona e Kurbinit është shumë e pasur me ujë, jo thjesht se lidhet me bregun e detit Adriatik, por edhe pse ka shumë ujra të ëmbla. Kufizohet dhe përshkohet nga lumi Mat, Lumi Ishëm, Lumi Drojë, Lumi Hurdhazës, të cilat janë pak a shumë të stabilizuara dhe mbrojtur me argjinatura.

Ka bazenin ujëmbledhës të ujit të pijshëm në Fushë Kuqe dhe Fushë Milot, më të madhin në Ballkan nga ku furnizohen me ujë jo vetëm Laçi por edhe Durrësi deri Rrogozhinë e Kavajë. Sistemi i rrjetit të kanaleve të vaditjes ka qenë krijuar për të ujitur një sipërfaqe toke shumë pjellore prej 10000-11000 ha që ka Kurbini. Duhet vetëm menaxhimi i magjistralit Milot Mamurras që merr ujin nga lumi Mat, hapja dhe rikonstruksion i pjesshëm i kanaleve të dyta dhe të treta. Paralelisht me të zgjidhet edhe statusi juridik i hipotekuar i rrugëve të parcelave bujqësore, që do të shërbejnë edhe për pastrimin e kanaleve, si dhe eleminimi i ndonjë problemi konfliktues të krijuar nga zbatimi i ligjit famëkeq të tokës nr.7501. Ky prioritet duhet të jetë emergjent kryesisht për një arsye tjetër. Në mungesë të menaxhimit të sistemit të ujitjes, fermerët privatë janë të prirur në hapjen e puseve në mënyrë artizanale. Pse hapen puset private? Për faktin se nuk ka ujë të pijshëm 24 orë dhe nuk funksionon sistemi i vaditjes. Por hapja e tyre mund të jetë një sinjal alarmi për dëmtimin e sistemit të ujit të pijshëm nëntokësor, që mund të çojë në prishjen e ekuilibrave të grumbullimit të ujit, mbylljen e kapilarëve të qarkullimit të tij deri në tharjen e plotë të puseve të ujit të pijshëm. Teknikët dhe inxhinierat e rrethit Kurbinit, por edhe ata të rajonit të Durrësit, duhet tu bëjnë të qartë drejtuesve në bazë dhe në qendër, të cilët në shumicën e rasteve janë të kualifikuar e shumta në shkencat sociale, pa asnjë lidhje me teknikën, mjedisin dhe natyrën, që mosmenaxhimi i hapjes së puseve të ujit përbën një rrezik mjedisor. Ka një projekt në proces të ndërtimit të një linje të re të furnizimit me ujë nga Fushë Miloti në Durrës me kapacitet 630 l/sek prurje,

me vlerë 36.7 milion €, që do të trefishojë sasinë e ujit për rajonin e Durrësit duke përfshirë edhe plazhin. Si pasuri kombëtare, natyrisht që regjimi i ujrave menaxhohet nga shteti. Por projektet duhet të jenë komplekse dhe gjithëpërfshirëse. E gjithë zona duhet të trajtohet si zonë e mbrojtur si pasuri me vlerë të lartë kombëtare. Jo vetëm të ndërtohet linja e furnizimit, por edhe të shikohet perspektiva e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së këtij bazeni, nëpërmjet pyllëzimeve, të rrugëve urbane, kanaleve të dyta dhe të treta të kullimit, vaditjes, ndalimi i ndërtimit të puseve artizanale etj.

Duhet pra furnizimi me 24 orë ujë në ditë e qëndrave të banuara të Kurbinit (Projekti për qytetin e Laçit është në proces), si dhe vënia në funksion të plotë e sistemit të vaditjes së tokës bujqësore.

IV. NDËRTIMI I NJË TELEFERIKU: LAÇ-KISHA E SHEN NDOUT-KALA E SEBASTES DHE REHABILITIMI I INFRASTRUKTURËS URBANE INXHINIERIKE.

Është për tu vlerësuar dhe ka një impakt shumë pozitiv, rikonstruksioni i shkollave egzistuese dhe ndërtimi i të rejave, procesi i ndërtimit të depos së re për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për qytetin e Laçit dhe procesi i sistemimit te prroit të qytetit i cili ka shkaktuar shumë dëme dhe fatkeqësi. Por është i domosdoshëm gjithashtu rikonstruksioni i plotë i rrjeteve të brendshme të infrastrukturës inxhinierike si: rrugëve urbane, rrjeti i kanaleve të ujrave të bardha e të zeza, rrjeti elektrik, internet, telefonik si dhe

fillimi i zbatimit të projektit të unazës së madhe të qytetit : Laç – Kisha e Shën Ndout – Selitë – Delbnisht – Shullaz – Laç.

Është e domosdoshme gjithashtu zgjerimi dhe rikonstruksioni i mbikalimit të Patokut, hyrje daljes nga superstrada për në qytetin e Laçit,që praktikisht është ndërtuar në mënyrë skandaloze,bazuar në koeficientin e trafikut të lëvizjes së mjeteve motorrike si dhe gjithë parametrave teknikë të projektimit dhe zbatimit.

Rrethi/Bashkia i/e Kurbinit me qendër qytetin e Laçit është rreth 40 km larg kryeqytetit dhe në kushte normale 30 minuta me makinë. Si shumica e kryeqyteteve europiane, brenda këtij perimetri, jo vetëm për distancën por edhe për vijueshmërinë gjeografike (Fushë Prezë –Fushë Milot), duhet të konsiderohet si zona suburbane apo periferia veriore e Tiranës. Gjithë projektet e zhvillimit perspektiv të kryeqytetit,por edhe të pjesës veriore të Durrësit duhet të përfshijnë rrethin e Kurbinit si pjesë studimore integrale.

Për zhvillimin e turizmit ekologjik dhe religjioz,është domosdoshmeri të ndërtohet një linjë civile Teleferiku: Laç – Kisha e Shën Ndout – Kala e Sebastes. Stacionimi mund të jetë tek stacioni i trenit por në varësi të hapësirës së mundësisë së parkimit të makinave private, nëpërmjet studimit të fizibilitetit dhe projektit të zbatimit mund të jetë si alternativë edhe Kodër Kulla apo hapësira e ish-uzinës së superfosfatit.

Dihet që për çdo vit vijnë gati mbi 1 milion pelegrinë tek kisha më e famshme mbarëshqiptare, Kisha e Shën Ndout Laç. Ndërtimi i linjës së ujit të pijshëm dhe pyllëzimi i hapësirës së kalasë së Sebastes, nëpërmjet linjës së teleferikut, Laç-Kishë-Kala, do të bëntë të mundur shtimin e turistëve, zhvillimin e bizneseve dhe si rrjedhojë rritjen e të ardhurave dhe cilësi më të mirë të jetës së banorëve të kësaj zone të lavdishme dhe të mrekullueshme të denjë për t’u vizituar e shijuar sikurse e meriton.

Ing. MEDI GAZI

Bujqësia e Kurbinit në syrin e specialistit – Nga Ymer Hysa.

Nga Medi Gazi

Kohët e fundit poeti, studiuesi dhe intelektuali Kurbinas, Imer Hysa ka dalë në treg me librin e tij të ri
“ Bujqësia e Kurbinit në syrin e specialistit”. Kjo vepër përmban studime, përshkrime, vlerësime, artikuj, intervista. Në këtë libër me kuptimësi të thellë jo vetëm artistike por në radhë të parë praktike dhe shkencore një vend i veçantë i dedikohet edhe personazheve specialistë , të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e brezave në fushat përkatëse të bujqësisë dhe ambientit.
Gjë e cila përbën edhe një mirënjohje për punën e tyre.Vepra është një realizim me rëndësi e njëkohësisht edhe kompleks e përmbajtësor në thellësinë e botës emocionale. Në të shfletohen midis të tjerave edhe shqetësimet e autorit për dukuritë e përditshme dhe përgjithësisht për realitetin e mjegulluar nëpër të cilin vazhdon të jetojë bujqësia në përgjithësi. Është një koncept i shkrirë në art në brendinë e vet dhe paksa i veçantë ku autori i librit komunikon lirshëm me fjalën . Libri tregon për vigjilencën dhe përkushtimin që ka poeti dhe intelektuali Kurbinas në përcjelljen dhe në vlerësimin e ekonomisë bujqësore të Kurbinit.
Fjala në këtë libër ka një muzikalitet të veçantë, i mbushur edhe me figura të shumta me mesazhe të fuqishme dhe shumëdimensionale për lexuesin. Dhe të gjitha këto tabllo realizohen duke ndërthurur punën dhe njohuritë e veta, idetë si dhe përvojën e specialistëve të shumtë në numer dhe të shquar të fushave përkatëse.

Në këtë përmbledhje fjala artistike ka një ligjërim të pastër në mbarështrimin e ndjeshmërive ideore, të dhënave inxhinierike ambientale dhe shkencore në përgjithësi për pasuritë e kësaj zone të mrekullueshme. Mund të themi se ka një stil të dalluar me një vizion real për jetën me hapësirë shpresash dhe me kalitje vullnetesh të reja për të ecur përpara, në hap me kohën.
Libri ka gjithashtu vlera praktike, referente, lidhur me mundësinë e projekteve nga specialistët e të gjitha fushave, si për agranomët , të fushave sociale, ekonomike, inxhinierët, urbanistët apo planifikuesit e territorit.

Katakombet, jeta në Elbasanin e nëndheshëm

E moshuara Marjeta Lazri, 82 vjeçe, tregon: Ja, këtu në bodrum ishte hyrja për në katakomb. Ai lidhet me katakombin e shtëpisë së Met Haqaqit dhe të mjaft familjeve të tjera

-Sipas At Nikolla Markut, poshtë kishës së Shën Mërisë ndodhet katakombi kryesor me të cilin lidhen katakombet familjare dhe të institucioneve të ndryshme të qytetit

Nga Fatos Salliu

Elbasani është një qytet me rrjedhë të çuditshme në histori. Ai ka diçka të tillë të ngjashme me Romën, Parisin, Odesën… Është një vend me simetri inverse. Pra, me pjesën mbi tokë, dhe kopjen e nëndheshme. Scampa ishte një ndër vendbanimet e hershme në Iliri. Shkëlqimi dhe rënia ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me kështjellën dhe vijën Egnatia.

Mrekullisht gjithçka ndodhet e dokumentuar poshtë themeleve të sotme. Aty gjen ilirët, romakët, bizantinët, gotët, estrogotët, barbarët, vandalët, bullgarët, turqit, sllavët, austriakët, serbët, italianët dhe gjermanët. Për historinë tokësore të Scampës është shkruar e thënë shumë. Koha do të vazhdojë të zbulojë të tjera thesare. Sa më thellë të zhytesh në këtë kumt, kupton sa pak dihet, ende pak. Ka shumë gjasa që “metrotë” që të dërgojnë në skajet befasuese të së panjohurës të jenë katakombet, ose ndryshe, autostradat e dikurshme të saj…

Katakombet janë zakonisht varreza të nëndheshme që përbëhen nga tunele ose galeri ku vendoseshin arkivole. Dhoma të hershme nëntokësore varrimi për të krishterët. Toka e Romës së lashtë ka origjinë vullkanike. Ajo përbëhet nga tri shtresa. Shtresa e lartë që quhet “pozzolano”, një përzierje gëlqerore me të cilën romakët përgatisnin çimenton e tyre të shkëlqyer; tjetra është një shtresë e quajtur “tufa”, e përbërë nga dheu dhe gurë; dhe shtresa më e ulët e përbërë prej guri. Para krishterimit, këto galeri përdoreshin si vende varrimi për të vdekurit. Ato janë të lidhura mes tyre në mënyrë që të mund të futesh në qytetin e krishterë të të vdekurve pa paralajmërim emocionues. Katakombet janë, pra, tërësisht ndërtime të krishtera. Si rregull një shkallë të çon nën sipërfaqe në një thellësi prej 33-49 këmbë ose edhe më shumë; nga kjo pikë ndryshojnë galeritë, të cilat janë 10-13 këmbë në lartësi, dhe rrallë më të gjëra. Galeritë anësore zgjerohen nga jashtë duke formuar pasazhe të tjera të reja. Ky nivel eksplorimi të dërgon në nivele më të ulëta ku ka një rrjetë të dytë të galerive. Ka katakombe që kanë tre ose edhe katër nëndegë si, për shembull, katakombet e Shën Sebastianit. Labirinthi i galerive është i pallogaritshëm. P.sh katakombet e Romës kanë një gjatësi sa, nëse do të ishte një vijë e drejtë, do të përshkonte tej e tej Italinë. Ishte e pamundur për të ndërtuar katakombe në Vatikan sepse toka nuk është e formimit vullkanik, por përbëhet nga depozitimet aluviale. Si pasojë nuk ka katakombe rreth varrit të Shën Pjetrit edhe pse mjaft besimtarë dëshironin të varroseshin pranë tij. Shpesh katakombet nuk kishin asnjë mbrojte e përdhoseshin nga turmat e tërbuara. Barbarët kryen masakër të vërtetë edhe në katakombet dhe varrezat e vjetra të krishtera në Romë. Një numër i katakombet vogla ndodhen larg Romës, p.sh. ato të Shën Aleksandrit në Via Nomentana dhe në Albano (emër me origjinë shqiptare). Të dyja kanë rëndësi për shkak të mbishkrime që mbartin, sidomos ai në Albano për pikturat që zotëron.

Vija Apia (nga Roma në Brindizi) dhe vazhdimi i saj drejt lindjes nga Dyrrahu deri në Lindjen e Largme, Mesapotami, (rruga Egnatia), duket se ndikoi në zhvendosjen e kulturës së ndërtimit të katakombeve edhe në qytete të tjera të perandorisë. Çuditërisht i vetmi qytet ku ato hasen dhe kanë ngjashmëri me katakombet e Romës janë ato të Scampës. Të gjitha gjurmët dhe objektet e gjetura vitet e fundit në Scampë (ose Elbasanin e sotëm) dëshmojnë për ndikim të fuqishëm të kulturës romake në Iliri.

Po përse Elbasani imitoi Romën?

Siç bën të ditur Enciklopedia Kristiane, katakombet në Romë u ndërtuan në një territor vullkanik. Edhe nëntoka e Scampës ka një përbërje të ngjashme. Ndërsa galeritë u ndërtuan me gurë nga Zaranika dhe lumi (Genius) Shkumbini. Lulëzimi i katakombeve arriti kulmin në shekujt e parë pas Krishtit në Romë, dhe është pikërisht kjo periudha që korrespondon me erën romake të ndërtimit të kalasë dhe zhvillimin e Scampës si njësi administrative e perandorisë.

Gërmimet në Real Scampis kanë zbuluar objekte me dekoracione emocionuese të kësaj periudhe. Një kishë e vogël me altar u zbulua brenda mureve rrethuese. Kjo kishë, ndoshta më e vjetra në Iliri, mendohet se shfrytëzohej për rite gëzimi apo hidhërimi nga legjionarët të cilët ishin të vendosur në këtë vend me mision për të ruajtur vijën Egnatia. Më pas ajo u shfrytëzua edhe nga banorët e mansios (kalasë). Gërmimet në kullën lindore të kalasë, e njohur si Kulla e Zindanit, zbuluan tre rozeta që mendohet se i përkasin varreve të familjeve të pasura në Scampë dhe që kanë të njëjtën moshë si dhe rozetat e katakombeve në Romë. Më pas, në sinkron me zhvillimet në kryeqytetin e perandorisë, u ndërtuan bazilikat që shërbyen për ceremonitë e varrimit dhe si varreza për ushtarët dhe popullsinë. E tillë është bazilika në Tepe, në perëndim të qytetit rrënojat e së cilës duken edhe sot dhe që i përket shekullit të IV të erës sonë. Në vitin 518, pas një tërmeti shkatërrues, varrezat u përqendruan përreth katedrales së Shën Pjetrit që u ndërtua në atë kohë në Scampë. Mjaft rëndësi ka ekzistenca e fragmenteve të katakombeve në Real Scampis dhe në pika të ndryshme të lagjes Kala. Epiqendra e tyre është pikërisht territori në kala dhe hyrjet për në brendësi janë ruajtur deri kohët e fundit nga mjaft familje elbasanase të tilla si familjet Shuteriqi, Buda, Marku, Lazri, Popa, Xhuvani, Haqaqi, Paparista etj.

Katakombi i kishës Shën Maria

Më i rëndësishëm prej katakombeve që hasen sot në Scampë është ai në kishën Shën Maria. Sipas At Nikolla Markut, poshtë kishës ndodhet katakombi kryesor me të cilin lidhen katakombet familjare dhe të institucioneve të ndryshme të qytetit. Aq e vërtetë është ekzistenca e katakombeve në këtë vend sa, sipas arkeologëve, poshtë saj ndodhen 600 skelete eshtrash të besimtarëve që u vendosën në këtë vend me rindërtimin e kishës. Hyrja për në katakomb ndodhet pikërisht në vendin më të shenjtë, poshtë fronit ku qëndron Kryepeshkopi, pas altarit. Ndërsa përpara altarit ndodhen ende 4 vrima që shërbejnë si oxhakë ventilimi për katakombet dhe që janë funksionalë edhe për tymrat që krijohen nga djegia e temianit në kishë. Nga hulumtimet e kryera rezulton se brenda kalasë në mjaft shtëpi ndodhen katakombe të periudhës iliro-romake. Në të dy anët e kishës ka katakombe që bashkohen në një pikë në altar. Ky rrjet lidhet mes tyre dhe përfundon në pika të ndryshme si në Kullën e Zindanit aty ku sot ndodhet teatri Scampa, një në godinën e vëllezërve Hajrullaj, një tjetër në dalje në lumin Shkumbin. Por dalja kryesore besohet se është në Kodër Krastë aty ku aktualisht ndodhet një “vend i mirë”. Kësisoj, ndryshe nga katakombet në Romë, ato në Scampë në fakt kishin dy funksione. Së pari; u shfrytëzuan për varre dhe, së dyti; për t’ju fshehur barbarëve. Funksioni i dytë u kushtëzua nga sulmet e shpeshta të vandalëve që shfrytëzonin vijën Egnatia për plaçkitje dhe ekspedita luftarake. Kështu historia e Scampës ka qenë sa e përrallore, aq e përgjakshme dhe shfarosëse.

At Nikolla shprehet me mjaft pasion për katakombet e Elbasanit. Sipas tij, brenda tyre fshihet një pasuri e rrallë arkeologjike, dëshmi e qytetërimit të hershëm në Scampë e Iliri. Por sipas tij katakombet e Elbasanit kanë pasur edhe një mision tjetër me shumë rëndësi. Ato kanë shërbyer si vende për t’u shpëtuar pushtuesve në shekuj. Madje këtë funksion ata e kanë luajtur deri në Luftën e Dytë Botërore. “Nuk është e rastësishme që hyrja ndoshta për në katakombin kryesor në Scampë ndodhet pikërisht në vendin ku ulet Kryepeshkopi. Ky është një vend i shenjtë dhe një armik, sado barbar të jetë, nuk guxon të prishë atë vend. Nga këtu popullsia u fshihej armiqve. Ky katakomb lidhet me një labirinth të gjerë galerish që zënë fill në familje të ndryshme të lagjes Kala. Disa prej tyre përfundojnë në lumin Shkumbin, një tjetër edhe sot e kësaj dite del në Kodër Krastë. Pra në vende jashtë qytetit të mbuluara me pyje, larg syve të armiqve. Parë në këtë këndvështrim katakombet e Elbasanit shërbyen edhe si ndërtime për të siguruar mbijetesën e popullsisë. Pra ato kanë edhe karakter kombëtar dhe historik. Perëndia duhet të na falë këtë mëkat sepse, në fund të fundi, paraardhësit tanë e bënë këtë për të shpëtuar jetë njerëzish. Bënë më të mirën para Zotit ndoshta edhe për të shpëtuar një komb…”.

Sipas at Nikollës katakombet kanë qenë funksionale deri në vitet 1800. Më pas ata janë dëmtuar gjithnjë e më shumë. Por jeta e nëndheshme e Elbasanit mbetet ende e pazbuluar. “Kjo për mua është një nga perlat e antikitetit botëror. Kjo tregon se edhe populli ynë ka kontribute të paçmuara në këtë qytetërim. Deri më tani ne jemi thjesht në majën e zbulimit të historisë së qytetit tonë”. Njeriu i Zotit e sheh me optimizëm të ardhmen. “Nëse do të merret një iniciativë për t’i zbuluar duhet të pranojmë se ka një kosto të madhe financiare. Por, nëse kjo do të ndodhte, unë mendoj se Kalaja e Elbasanit do të merrte vlera monumentale. Akademia e Shkencave dhe Institutet e Monumenteve duhet që t’i kushtojnë rëndësi. Tashmë ka mjaft të dhëna që e vërtetojnë se jeta në Scampë është ndër më të pasurat në gjithë historinë”.

Katakombet, si frigoriferë natyralë

Poshtë në bodrume në mjaft shtëpi në lagjen “Kala” në Elbasan katakombet kanë ekzistuar deri vonë. Madje ato kanë shërbyer si “frigoriferë” natyrorë për ruajtjen e zahireve dhe ushqimeve. Por përgjithësisht ato janë mbyllur pasi ishin burim lagështie, parazitësh apo ngaqë mbanin ere të rëndë. Një prej katakombeve ndodhet në shtëpinë Lazri. E moshuara Marjeta Lazri 82 vjeçe tregon: Ja këtu në bodrum ishte hyrja për në katakomb. Ai lidhet me katakombin e shtëpisë së Met Haqaqit dhe të mjaft familjeve të tjera. Prej andej ky rrjet lidhet me katakombin kryesor dhe del në Krastë. Gjyshja më ka treguar se bashkë me gjyshin kanë tentuar që të futen në thellësi të katakombeve. Kanë zbritur 3-4 m me shkallë. Pastaj janë lidhur me litarë dhe nisën të depërtojnë në thellësi. Aty kanë parë një portë. Kanë tentuar ta hapin por u është fikur feneri. Nuk e shpjegonte pse i ishte fikur. Nga era, nga mungesa e oksigjenit, apo nga ndonjë arsye tjetër. Ata janë tmerruar aty pasi u ndodhën krejt papritur në errësirë disa metra në thellësi të tokës. Por për fat, kanë qenë të lidhur me litarë dhe janë orientuar deri sa janë kthyer tek hyrja. Pas këtij rasti ata nuk kanë guxuar të hyjnë asnjëherë në katakomb. Bestytnitë për krijesa të frikshme dhe gjëra të kësaj natyre janë treguar shpesh nëpër familjet që kishin katakombe.

Luiza Lazri 84 vjeçe tregon se gjatë shekullit të kaluar katakombet janë shfrytëzuar si frigoriferë natyralë. “I kemi përdorur për të konservuar dhe ruajtur ushqimet në gjendje të freskët. I vendosnim që në verë dhe i shfrytëzonim në dimër. I ruanin shumë mirë. Por ma pas dolën frigoriferët dhe e humbën këtë qëllim”. Më tej ajo tregon: “Në kohën e Enverit, kunata ime u interesua dhe u lidh me ata që merren me gërmime arkeologjike. Por ata i thanë se nuk ka fonde për t’i zbuluar. Unë mendoj se është gjë shumë e mirë për Elbasanin dhe turistët, pasi aty ka gjëra antike. Se çfarë është fshehur atje brenda, mbetet enigmë”.

Scampis

E dhëna e parë për Elbasanin e sotëm jepet nga Ptolemeu rreth viteve 150 të erës sonë. Në një nga fragmentet e shkrimeve të tij haset shprehja: Në tokën e Eordëve, Scampis… Në shekullin e III dhe të IV ekzistencën e kësaj qendre të lashtë e japin dy burime. Në itinerarin e Antoninit qyteti përmendet dy herë si Scampis në Tabelën e Peutingerit. Ndërsa në itinerarin e Bordosë qendra citohet si “Mansio Hiscampis”

Dëshmia shkencore për ekzistencës e qytetit në periudhën antike është guri i varrit të legjionarit romak Mark Sabidi. Ky është i vetmi monument epigrafik nga ku mund t’i referohesh jetës në Scampë megjithëse studiues të tjerë shkojnë akoma më herët në shekujt IV dhe III para erës sonë duke e lidhur këtë vendbanim me tregtarët hebrenj të cilët ndërtuan aty bujtina ndërsa udhëtonin drejt perëndimit për arsye tregtie. Madje burime arkeologjike supozojnë faktin se ishte pikërisht udha që përshkonin ata mbi të cilën u ndërtua më pas vija Egnatia. Në fund të shekullit IV emri i qytetit lidhet me legjionin Pseudocomitatenses Scampenses. Në vitin 458 përmendet nga Artemi, peshkopi i Scampës që citohet bashkë me peshkopët e Epirit të Ri. Në vitin 479 Malhu përshkruan kalimin e barbarëve gotë me në krye Teodorikun për në Epirin e Ri dhe lidhur me Scampën citon se “banorët e kishin braktisur me kohë qytetin”.

E dhëna e fundit i përket shekullit VI kur Bizanti ndodhej nën sundimin e perandorit Justinian. Në Sinecdemos Hieroclit, Scampa figuron mes qyteteve të zhvilluara të Epirit. Në listën e Prokopit të Çezaresë Sceminites (Scampa) përshkruhet si një qytet i mbrojtur nga një linjë muresh. Në vitin 519 në dy dorëshkrime përmendet peshkopi Trojus për pritjen e ngrohtë që i rezervuan klerikët e këtij qyteti të deleguarit të Papës, Hormisdas, në katedralen e Shën Pjetrit.

Guri i varrit të legjionarit Mark Sabidi

Mbishkrimi në gurin e varrit të legjionarit i përket shekullit të dytë të erës sonë pikërisht viteve 160. Monumenti epigrafi i deshifruar përmban këtë tekst: Një ushtar romak banues në Scampë, që ka kryer shërbimin ushtarak në Moesi (Bullgari), Siri, Palestinë, që luftoi për 3 vjet kundër Judejve në Jeruzalem që ka kaluar nëpër Daki (Rumani) dhe pas 40 vjetësh shërbim ushtarak është kthyer në Scampë. Pas vdekjes banorët (scampenes) i kanë ngritur këtë gurë varri me emrin e plotë Marc Sabidius Emilia Maximus.

 Via Egnatia

Përmendet për herë të parë në vitin 120 para erës sonë nga Polibi. Më vonë për të shkruajti Straboni i cili informoi se Vija Egnatia kishte dy pikënisje; një nga Durrësi dhe dega tjetër nga Apolonia. I njëjti autor thekson se një pjesë e kësaj vije quhet Rruga e Kandavisë emër që mbanin malet e Polisit të sotëm në Librazhd. Mori këtë emër për nder të perandorit Egantius. Rruga Egnatia është vazhdim i vijës Apia e cila fillonte në Romë, kalonte në Beneventum dhe më pas në Brindizi. Në fillim rruga ka pasur destinacion ushtarak. Në atë kohë Roma kërkonte të nënshtronte Maqedoninë deri sa ajo u kthye në provincë të saj. Më pas rruga Egnatia u bë arteria më e rëndësishme e kohës që lidhte gadishullin Apenin me Evropën, Ballkanin e Jugut, Azinë e Vogël deri në Lindjen e afërme e Mesapotami.

Kalaja e Elbasanit

Sipas dokumentave të kohës kështjella u ndërtua në periudhën e perandorit romak Dioklecian në vitet 284-305 të erës sonë. E njohur si castrum statum ajo ishte qendër e rëndësishme e një legjioni romak i cili kishte për detyrë të ruante vijën Egnatia. Kështjella ka përmasat 308 x 348 m. Një hendek 3 m i thellë qëndronte vazhdimisht i mbushur me ujin e Zaranikës dhe shërbente si pengesa e parë për të depërtuar brenda në kala. Kalaja ka 4 hyrje dhe 26 kulla vrojtimi. Njihen tre periudha ndërtimi: E vonë romake, e hershme bizantine dhe osmane. Muret e periudhës romake ndodhen në të gjithë kështjellën, ngrihen mbi themele dhe kapin lartësinë deri në 5 m. Trashësia e murit 3 m. Lartësia e mureve ka qenë 9 m. Jeta në Scampë ndërpritet në 378 pas dyndjes së barbarëve visigotë dhe më vonë të ostrogotëve në shekullin V. Në vitet 527-565 kështjella u rindërtua nga Perandori Justiniani I. Në vitin 519 Elbasani kthehet në qendër të madhe peshkopale ushtarake me katedrale, kisha e bazilika. Jeta urbane lulëzon në shekujt VII-VIII ku Elbasani bënte pjesë në temën e Durrësit, Epidamnin. Shpesh peshkopët e zhvendosnin qendrën e tyre në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit i cili ishte në rivalitet me Akademinë e Voskopojës. Në shekullin VII qyteti dhe kështjella pëson goditjen e fortë të radhës nga dyndjet e avarosllavëve. Në shekullin IX pushtohet e grabitet sërish nga fiset bullgare. Në mesjetë kalon në ndikimin e feudalëve të mëdhenj të kohës si Topiajt, Muzakajt dhe Arianitët. Pas pushtimit turk kalaja rindërtohet nga Sulltan Mehmeti i II në vitin 1466.

Basorelievet ose rozetat ilire

Tre basorelieve të mrekullueshme ilire janë zbuluara në kullën lindore e quajtur “Kulla e Zindanit” në Kala. Rozetat me figurat e një burri dhe një gruaje mbajnë dy emra ilirë Brigus (figura e burrit) dhe Tata (figura e gruas). Ato mendohet se i përkasin shekullit të parë të erës sonë. Sipas arkeologëve dy figurat tregojnë një nivel të lartë zhvillimi qytetar nisur nga shkalla e punimit të tyre. Rozetat mendohet se i përkasin varrezës në katakombe të një familje të pasur në Scampë.

Amfiteatri Antik

Arkeologët shkojnë më tej në parashikime duke supozuar se brenda në kala ka edhe një amfiteatër të vjetër për të cilin duhen bërë testime dhe gërmime. Në kohën e Romës në kështjellën e Kalasë qëndronin 1500 legjionarë romakë të specializuar për të ruajtur vijën Egnatia. Pas popullimit të lagjes, veç ndeshjeve të natyrës së gladiatorëve, në amfiteatër jepeshin edhe shfaqje dhe zhvilloheshin ceremoni të kohës. Zbulimi i amfiteatrit do të ndryshojë tërësisht konceptimin e lagjes “Kala” në Elbasan.

Për t’u përshëndetur janë disa iniciativa private të gjetjes dhe ruajtjes së vlerave të castrumit të Elbasanit. Këtyre projekteve i shtohen investimet për mozaikun dhe bazilikën në qendër të qytetit. Qëllimi është ngritja e një parku historik në të cilin do të pasqyrohet gjithë historia e lindjes dhe zhvillimit të jetës në Scampë, një prej fortesave dhe qyteteve më të zhvilluara të vijës Egnatia. Katakombet e Scampës janë një pasuri me vlera të jashtëzakonshme që i kalon përmasat kombëtare. Sot, në Romë e Paris ato janë realitet i prekshëm. Për rastin shqiptar ndoshta do të duhen ende shumë mote…

MILOTI, LARG DHE AFËR

Nga: Sokol Kongoli

Pazari i Milotit e ka filluan funksionimin qysh në vitin 1916

Shkolla e parë shqipe në Milot është çelur në vitin 1900, falë përpjekjeve të imzot Prend Bjankit,

Sa herë që udha nga kryeqyteti i drejtohet veriut të vendit, qoftë Shkodres apo Kosovës, atje  ku ajo i afrohet lumit Mat, fillon dhe shfaqet qyteza e vogël e Milotit. Në pamje të parë të ngjan sikur kjo qendër urbane duket e harruar dhe e lënë në fatin e vet, dhe janë  vetëm mjetet e transportit që kalojnë në rrugën  buzë saj dhe që i japin sadopak gjallëri .

Në fakt Miloti dhe zona pranë tij kanë traditën e vet, dhe padyshim që me kohe ai ka qenë thuajse qëndra kryesore e Kurbinit. Qyteza shtrihet në një kryqëzim të rëndësishëm rrugësh automobilistike që lidhin portin e Durrësit me Kosovën, kryeqytetin me Shkodrën dhe Malin e Zi, si dhe me autosdradën e kombit, apo edhe me Burrelin dhe Peshkopinë.  Ai ndodhet vetëm 45 km larg nga kryeqyteti dhe 14 km larg nga plazhi i Patokut. Ky i njohur sidomos për plazhin para viteve 90, kur madje disa të rinj nga kryeqyteti tentonin dhe arrinin edhe me biçikleta. Sot kjo zonë njihet dhe frekuentohet më tepër për restorantet e peshkut.

Dikur në Milot, udhëtaret e shumtë që udhëtonin nga Tirana drejt veriut si në Bajram Curri, Kukës Burrel e Peshkopi, ndaleshin aty për një pushim të shkurtër dhe shijonin kafen e famshme të përgatitur nga Maria, e njohur si “Kafja e Maries“. Ndoshta sekreti dhe shija e asaj  gjendej në mënyrën e përgatijes  duke ngrohur pijen e dashur në rërë të nxehtë. Maria punonte në restorantin e quajtuar “Tek  Plepat“, i cili gjendej midis qytetit dhe urës së Zogut. Ajo është përmendur edhe ndër shkrimet dhe shënimet e atyre pak turistëve të huaj që kalonin në ato kohëra në Shqipëri.  Dikur në Milot ka funksionuar “Fabrika e verës dhe e rakisë “, e cila prodhonte verë të cilësise se I, II dhe III, kjo e fundit gjendej shpesh dhe rëndom në treg. Ajo e cilesisë se II diku në restorantet e  kohës, ndërsa vera e cilesisë se I ishte një luks për kohën dhe nuk gjendej në treg. Madje thuhej se kjo verë shkonte deri në bllokun e udhëheqjes.

Miloti ka qenë qendër lokaliteti, dhe madje Laçi, që sot është qendra kryesore urbane e Kurbinit dikur identifikohej si “Laçi i Milotit “. Kjo me qëllim për ta dalluar prej “Laçit të Vaut të Dejës”. Ai njihet edhe për pazarin e tij ku tregëtohen produkte bujqesore, blektorale dhe artizanale. Ky pazar organizohet për çdo ditë të diele. Ai e ka filluar funksionimin që prej viteve 1916-17, pasi u shpërngul në Milot nga fusha Lime e Skurajve. Miloti është përmendur edhe romanin satirik të shkrimtarit Kole Jakova “Fshati midis ujrave“, botuar në vitin 1979, ku disa prej ngjarjeve të tij zhvillohen edhe në këtë zone si dhe në fshatarat pranë tij. Miloti është një qendër dhe nyje e rëndësishme tranporti. Kështu rrugën automobilistike Milot – Burrel e ka projektuar inxhinier Gjovalin Gajdri, ndërsa ne vitin 1981 përfundoi segmenti i hekurudhes  Laç – Milot – Lezhë . Pas vdekjes së Enver Hoxhës u nis nga Miloti  puna edhe për linjën më të re hekurudhore Milot – Rrëshen – Klos, ku stacioni i Rrëshenit u inagurua ne tetor 1987 . Nga Miloti deri në Rrëshen u ndërtuan 9  ura të mëdha betoni .

Duke u kthyer pas në histori zona e Milotit  ka qenë e banuar që prej kohërave të lashta. Ptolemeu na tregon se kjo zonë banohej prej fiseve ilir të Albanëve. Në periudhat e mëpasme Miloti dhe zona pranë tij u përfshinë në “Principatën e Arbërit”. Ne fund te shekullit XIV Miloti dhe Kurbini u bënë pjesë e principatës së Skurajve. Periudha e qëndresës së Skënderbeut e radhiti Milotin si mbështetës të luftrave të tij . Gjatë histrorisë së tij është i njohur edhe në përpjekjet për liri dhe ruajtien e identitetit tonë kombëtar si dhe për të mësuar gjuhën shqipe. Duke iu referuar kësaj të fundit shkolla e parë shqipe në Milot është çelur në vitin 1900, falë përpjekjeve të imzot Prend Bjankit, arqipeshkëv i Durrësit, i cili ndërtoi qelën e Milotit ku pas shumë përpjekjesh dhe pengesash nga qeveria Otomane arriti të hapte shkollën shqipe. Shkollë e cila vijoi aktivitetin deri ne vitin 1915 kur hynë Austro – Hungarezët . Mësues në këtë shkollë ka qenë Dom Ndue Lleshi . Një ngjarje historike për Milotin është akti i ngritjes së flamurit kombëtar në të njëjtën datë me Vlorën, 28 Nentor 1912. Kjo falë kontributit të shquar patriotik dhe luftarak të Gjin Pjetrit te Kurbinit, ose Gjin Pjetër Pervizit . I lindur në Skuraj, një nga fshatrat më emblematike të Kurbinit dhe i njohur për traditën e tij zakonore Gjin Pjetri ishte i fisit te Ukasanaj të Skurajve, ndërsa e ema i vinte nga Kthella e Epërme e Mirditës . Qe i ri ai shquhet për trimëri dhe veprimtari në interes të atdheut duke u vënë në krye të çetave të Kurbinit . Ka patur lidhje me Imzot Prend Bjankin dhe Dom Nikollë Kaçorrin, po kështu edhe me partiotë të tjerë, shumë prej të cilëve kanë bujtur në shtëpine e tij në Skuraj. Në datë 28 Nëntor 1912, me porosi të Dom Nikollë Kaçorrit dhe në praninë e një populli të madh, mbledhur në qëndër të Milotit, ai sipas të dhënave që ja jep imzot Frano Ilia, mbajti një fjalim elokuent për këtë rast dhe i mbështetur edhe nga 35 vullnetarë të tij i jep flamurin një djali te ri i cili e ngre dhe e lidh atë në degën e nje druri vidhi, që u quajt “ vidhi i Kokes “ ( ky ishte mbiemri i djaloshit që ngriti flamurin). Për fat të keq ky dru nuk egziston më në Milot. Ne kuvendin historik të Vlorës, Miloti dhe Kurbini u përfaqësuan nga Dom Nikollë Kaçorri. Gjin Pjetër Pervizi vdiq ne 1914 dhe u varros me nderime të mëdha në kishën e Shën Vlashit në fshatin e tij, Skuraj. Për këtë rast shkroi  “Hylli i Drites „ organ ky që e përmendi sërish në një numër të tijin në 1937.

Pas luftës së dyte botërore Gjin Pjetri nuk u përmend më dhe u la thuajse në harresë. Shkak për këtë u bë nipi i tij Prenk Pervizi . Vetëm 15 vjeçar ai merr pjesë në krah të ungjit të tij në aktin e gritjes së flamurit kombëtar në Milot. Gjatë viteve 1914-18, ai përfundoi Akademinë Ushtrake të Vjenës. Në vitin 1920 merr pjesë në mbrojtien e kongresit historik të Lushnjes. Prenk Pervizi ishte Zogist dhe përkrahu rikthimin e tij në vitin 1924. Më pas në vitin 1930 shkon për studime të mëtejshme kater vjeçare në shkollën e Shtatmadhorisë në Torino të Italise. Me kthimin në Shqipëri, si një ndër gjeneralët më të zotë ai jep ndihmesën e tij në ngritjen dhe modernizimin e mëtejshëm të ushtrisë shqiptare. Gjate luftes Italo–greke ai nuk lejoi që batalioni “Tomorri” me trupa shqiptare të vihej në pozicion luftimi kundra fqinjëve tanë grekë. Ndërkaq në shtator të vitit 1943 me krijimin e qeverisë së rregjencës nën kryesimin e Ibrahim Biçokut, ai emërohet Komandant i Mbrojties Kombëtare. Pjësmarrja në këtë qeveri si dhe qëndrimi i tij i vendosur anti-komunist do t’i kushtonin pozicionimin si armik ndaj qeverisë së  Enver Hoxhës . Në vitin 1946 ai arratiset, fillimsht në Greqi dhe e mbylli jetën në vitin 1977 në Belgjikë. Familja e tij, nën emrin e lufëts së klasave pati pasoja mjaft të rënda nga rregjimi komunist. Kullat e tyre në Skuraj dhe Laç u dogjën dhe familjarët vuajten pasoja me internime dhe burgime të gjata. Miloti është përmendur edhe për famulline e tij. Ne vitin 1953 Imzot Frano Ilia është emëruar famullitar i Milotit. Në shkurt 1967 ai kremtoi meshën e fundit para mbylljes së institucioenve fetare.  Pasi lirohet prej burgut ne 1986, në shkurt te vitit 1991 kremton meshën e parë pas rihapjes së institucioneve fetare ne Milot . Kjo famulli nuk e ka arkivin e vjetër. Kjo pasi asaj iu konfiskua i gjithë dokumentacioni se bashku me librat, dorëshkrimet, rregjistrat. Një pjesë u bënë pronë e Arkivës së Shtetit dhe një pjesë tjetër humbi.

Nga Miloti ka qenë edhe Andon Deda (Ndoc Deda) njëri prej pesë heronjeve të Vigut, të cilët ranë heroikisht në Buzabardh të Vigut në 21 gusht 1944, duke mos pranuar të dorëzonin armët përballë një rrethimi të pabarabartë . Sot në Milot ngrihet busti i tij.

Miloti i ndodhur në një pozicion mjaft të favorshëm dhe i rrahur nga rrugët duhet të përfitojë sidomos nga shërbimet dhe turizmi. Pranë tij ka një rrjet kishash të cilat mund të promovohen dhe të kthehen në të vizitueshme. Të tilla do te përmendja Kishen e Shna Prendës në Galletë, të Shën Vlashit në Skuraj, të Shën Mëhillit në Malbardh, të Shën Teodorit në Delbnisht së bashku me ndërtesën arkipeshkvnore të tij , kishën e Shëlbuemit në Vilëz të Zhejës etj, pa përmendur këtu kishën e Shna Ndues së Laçit e cila ka pelegrinazhin më të madh fetar që organizohet në gjithë vendin tonë . Janë të rinjtë dashamirës së këtyre zonave të cilët me iniciativen e tyre po shënojnë shtigjet qoftë për ecje ashtu edhe për të arritur në këto monumente. Burime të tjera jane banjat e diellit dhe të ujit në lumin Mat pranë Skurajt , ura e Zogut, e cila këto ditë reshjesh të mëdha po rrezikon degradimin e saj, ndaj kërkon kujdes konkret për t’u ruajtur. Kulinaria e zonës së Skurajt sidomos për cilësinë e mishit të kecit që ofrohet në restorante. Skuraj bën pjesë  edhe në projektin qeveritar të “100 fshtarave“ , mundësi kjo për  për një zhvillim të mundshëm.   Investime për përmirësimin e pazarit të Milotit me qëllim kthimin e tij në një aktivitet tërheqës për vizitorët.

Nga zona e Milotit kanë dalë studiues, publicistë dhe artistë të arteve figurative të njohur edhe  ndërkombëtarisht. Për Milotin jane shkruar prej tyre libra dhe guida të mirëfillta turistike ndaj ky shkrim synon të sjellë dhe t’i rikujtojë lexuesit vetëm disa fakte.

Vlash Prendi, mësuesi i përkushtuar që mësoi 41 breza

Mësuesi nga Kurbini Vlash Prendi mbylli këto ditë karrieren e tij si arsimtar, duke u vlerësuar për kontributin dhe përkushtimin e tij për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të fshatit Skuraj. Këto ditë në shkollen e Skurajve u organizua një ceremoni modeste për të vlerësuar punën e edukatorit dhe arsimitarit Vlash Prendi, i cili doli në pension.

Vlash Prendi ka shërbyer pas 40 viteve punë si mësues e drejtues, mbylli një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij, atë të punës së mësuesit të gjuhë-letërsisë në këtë shkollë. Kolegë, nxënës dhe prindër shprehen falënderimet dhe mirënjohjen e tyre për kontributin dhe misionin e Vlash Prendit për shkollen dhe komunitetin. Vlash Prendi ka lënë gjurmë në arsimin e Kurbinit. Sipas informacionëve të publikuara në faqen zyrtare të Shkollës së Skurajve, mësohet se Prendi është pjesë e listës së nxënësve të klasës I-VIII në historinë e shkollës, në vitin 1973, po ashtu një prej 56 nxënësve më të mirë të shkollës ndër vite, duke u renditur ndër të parët. Vlash Prendi ka punuar pikërisht në vendlindjen e tij, dhe është mësuesi që ka punuar më gjatë në këtë shkollë, plot 40 vjet duke arsimuar dhe edukuar 41 breza nxënësish, gjithsej 510 nxënës. Pas Fatmir Nikshiqit, Ndue Preçit e Gjok Mollës, Vlash Prendi është drejtuesi i katërt i kësaj shkolle, të cilën e drejtoi për 7 vite. Veçohet si ndër mësuesit e dalluar për disiplinë të lartë në punë dhe përpikmëri e cilësi në kryerjen e detyrave apo mbajtjes së dokumentacionit shkollor. Prendi nuk është vetëm mësues, por edhe një ndër intelektualët dhe studiuesit e trevës së Kurbinit. Prendi është marrë edhe me studime në fushën e folklorit, historisë, edukimit etj., ku deri tani ka botuar 12 libra, si dhe me gazetari. Ndërkohë në një anketë të zhvilluar në vitin 2000 ku ishin përzgjedhur 81 mësues, mësuesi nga kurbinas është renditur i katërti. Dashuria për të përçuar dijen tek brezi i ri, krijoi raporte të pandashme të Vlashit me librin. Ai ka një ndër 3 bibliotekat më të pasura në fshatin Skuraj, madje ndër më pasurat edhe në Kurbin, me mbi 5000 tituj librash.

Lindita Kokaj.

Laçi mposht Teutën dhe i rrëmben vendin e dytë, ndaj durrsakëve vendos sërish Mazrekaj

Laçi ia ka dalë të marrë suksesin e dytë radhazi, teksa mposhti në shtëpi Teutën me rezultatin minimal 1-0. Ashtu si ndaj Tiranës në javën e kaluar, edhe këtë herë triumfi për të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro u vendos nga këmbët e Mentor Mazrekaj.

Fantazisti shfrytëzoi më së miri një gabim të mbrojtjes durrsake dhe nuk e pati të vështirë për të mposhtur portierin Stivi Frashëri. Ndërkaq, në fraksionin e dytë, Laçi mund të shënonte edhe golin e sigurisë, por nga pika e bardhë e penalltisë, Kirian Nuabueze u “hipnotizua” nga Frashëri që reagoi mirë duke mbajtur të tijtë në lojë.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, Teuta nuk ia doli të ndryshonte fatet e takimit duke u mposhtur. Pas kësaj ndeshje, Laçi barazon Teutën me 27 pikë në klasifikim, por duke i marrë atyre momentalisht vendin e dytë. /Vipsport.al/

Laçi-Teuta 1-0
Shënues: 35′ Mazrekaj

Formacionet zyrtare:

Laçi: Sherri; Selmani, Ignjatoviç, Obanor; Rapo, Deliu, Lushkja, Musta; Nuabueze, Mazrekaj
Trajner: Shpëtim Duro

Teuta: Frashëri; Todorovski, Hoxha, Arapi, Kuro; Aleksi, Karabeci; E. Vila, Avdyli, Bregu; Krasniqi
Trajner: Edi Martini

Prokuroria hesht!Qeveria hesht!Më se paku, varjani në qafë asaj kompanie këtë urë, ta rindërtojë çikë më çikë, ashtu siç ka qenë.

Nga Mentor Kikia

Nuk ju dhimbset asnjë lloj pasurie e këtij vendi, o të pangopur?

Kjo urë është ndërtuar plot 93 vjet më parë.
Ka parë në jetën e saj dimra e vërshime uji shumë herë më të mëdha se ky i tanishmi, por ka rezistuar. Unë nuk jam ekspert, por nuk ka asnjë dyshim që kjo urë u dëmtua, pra njëra këmbë e saj u zhyt, sepse lumit iu mor zhavorri deri fare pranë urës dhe niveli i shtratit u ul.
Ajo është një urë, është një pronë publike, është një monument kulture që gëzon mbrojtje të veçantë. U bënë disa ditë që ky krim ka ndodhur dhe mediat e kanë prezantuar me radhë. Por prokuroria nuk ka nisur asnjë lloj hetimi. Për vite me radhë, gjatë gjithë vitit, edhe kur shftrytëzimi i lumejve është i ndaluar, dhjetra kamionë të një kompanie ndërtimi gërryenin natë e ditë shtratin e këtij lumi.

Ja ku është mali me inerte, mu në breg të tij(fotoja më poshtë). Në Maj 2020, u vendosën ca gjoba ndaj kompanisë, sepse IKMT zbuloi se këmbëve të Urën së Zogut i kishin dalë themelet. Një fadromë nisi të vendosë inerte përrreth këmbës që sot është shembur,(fotoja më poshtë) ndërsa dhjetra të tjera vazhdonin ta gërryenin lumin edhe pasi u vendosën gjoba. E denoncuan mediat pa reshtur këtë maskaradë mjedisore. I filmuan fadromat dhe kamionët. Por askush nuk e ndaloi.Sot, ja cila është pasoja. Prokuroria hesht!Qeveria hesht!Më se paku, varjani në qafë asaj kompanie këtë urë, ta rindërtojë çikë më çikë, ashtu siç ka qenë.

Laçi ja del te mposhte Tiranën në transfertë. Tirana zhytet në krizë.

Laçi ia doli të mposhte Tiranën dhe të rikthehet te rezultatet pozitive. Pas ndeshjes, për Supersport trajneri Shpëtim Duro ka theksuar se Mazrekaj, autori i golit të sotëm është lojtari më i rëndësishëm i skuadrës. Ndërkohë, shtoi se ai personalisht e sheh Vllazninë 99% kampione.

Me të gjitha skuadrat që kam drejtuar, me Tiranën bilanci ka qenë pozitiv.
Mazrekaj jo vetëm se shënoi por e kam thënë se është më mirë fizikisht se kur drejtoja Partizanin. E keni parë që në çdo ndeshje , nuk ka diskutim që kur ka topin, ekipi lirohet totalisht, është aktualisht lojtari më i rëndishëm i skuadërs tonë, sa i përket Nuabueze, është sot ndeshja e dytë me mua. Nuk është e lehtë të mungojë sulmuesi kryesor. Ishte në dyshim prezenca e tij, por me atë terren shumë të vështirë, jam shumë , shumë i kënaqur me Nuabuezen.

Nuk jam shumë i kënaqur se mëria ime vazhdon pas pikëve të lëna me Apoloninë dhe Skënderbeun, nuk rikuperohet plotëisht, por ishte reagim ndaj një skuadre si Tirana. Nuk e kam diskutuar, por me Apoloninë ishte vendimta arbitri. Me Skënderbeun jemi goditur në një momemnt të vetëm edhe pse luajtëm mirë. E rëndëishsme është që skuadra reagoi, më kënaq loja. Nuk pësuam gol, arritëm të shënojmë, por është e vëertetë që nuk arritëm të mbyllim lojën. Në çdo aksion kemi pasur shumë raste. Në pushim skuadra ishte e bindur që do të shënojë, ashtu ndodhi në pjesën e dytë, përtej aftësive individuale të Mentorit, kemi patur jashtëzakonisht shumë situata para portës së kundërshtarit.

Ato pikë të humbura nuk rikuperohen; Edhe pse jam i lumtur për fitoren ndaj Tiranës ato pikë nuk janë të rikupereushme. Unë e kam marrë skuadrën pranë fundit, patëm situatë pozitive dhe ishim në vend të dytë, por nuk duhej të gabonim. Do të luftojmë deri në fund, them se Vllaznia është e vështirë për t’u rikuperuar. Jo vetëm nga Laçi, as nga partizani, as nga Teuta, se skuadrat nuk kanë stofin të arrijnë. Ndaj unë e shoh Vllazninë 99% kampione.Ky është mendimi im, pyeteni presidentin vetë”, u shpreh Duro.

/VipSport.al/

Familja Qypi e Kurbinit dhe Masakra e Bushneshit

Nga Dalip Greca
( Rrëfim i Bardhok Ndreut )

Sigurimi i dha Zefit helm që të helmonte Mark Pirolin

Por prapë nuk na u ndanë hallet me qeverinë. Hetuan një djalë të Gjergjit, vazhdon Bardhoku rrëfimin e historisë me plot të papritura të familjes Qypi… U akuzua se kishte furnizuar me bukë komitët që donin të rrëzonin komunistët. E kapën e çuan tek Nuri Luçi, e torturuan pastaj e ftuan për bashkëpunim. I kërkojnë që të priste në besë komitët që kishte ushqyer me bukë. Për këtë qëllim i dhanë helm që të helmonte Mark Pirolin. Në të vërtetë, ai i sigurimit, e kishte të vetin Mark Pirolin, por mbi të gjitha kishin besë ideologjinë e komunizmit… E merr helmin dhe nënshkruan një deklaratë, ku shkruhej e bardha mbi të zezë: Nëse për dy javë nuk helmohej ose vritej Mark Piroli, Zefi do të pushkatohej. E porositën që në shtëpi të mos tregonte asgjë, ndryshe e priste plumbi.

Kur erdhi djali në shtëpi u tregoi njerëzve të shtëpisë fill e për pe’ bisedën që kishte pasur me ata të Sigurimit, për kushtet që i kishin vënë ata. Pasi u tregoi fill e për pe’ gjithçka, kërkoi mendim në kuvendin familjar: Ç’të bëj tani? Ç’ka të bëjmë? A të frikemi a të marrohemi?-pyetën më të moçmit. Familja mori vendimin që të mos marrohet, pra të mos priten në besë komitët që qenë ushqyer me bukë. Vendimi qe i formës së prerë: Të arratisemi nga shtëpia, të shkojmë në mal, atje ku sigurimi nuk ngjitet!

Dolën në mal, Bardhoku, Gjergj Nikolla me djalin, Zefin, Marku, djali i axhës tjetër, kushërinjtë e Bardhokut, Ndue e Pal Lala. Pra gjashtë vetë vendosën që t’i kundërviheshin qeverisë duke u ngjitur në mal.

– Si kaloi jeta e malit?, e pyes Bardhokun.

– Me halle të mëdha, strehë kishim qiellin, shtrojë kishim tokën. Zoti e bëri kiamet atë dimër, dëborë e madhe, acar. As bukë nuk kishim. Bazat, ç’kohë vinte, zvogëloheshin. Sigurimi u xhindos. Ne kishim dalë grup i madh dhe për propagandën komuniste ky ishte një dëm i jashtëzakonshëm… Inati i qeverisë u zbraz mbi të pafajshmit; familja u internua sërish në Tepelenë, në kampin e vdekjes. Forcat e sigurimit kërkonin gjurmët e grupit armiqësor që kishte guxuar të sfidonte shtetin. Natë e ditë Forcat e ndjekjes kërkonin nëpër male e ndër shpella, por pa arritur dot tek foleja e çetës me 6 kundërshtarët e regjimit. Ata i ndiqnin këmba-këmbës. Në majë të Malit të Trolles sigurimit nuk i shkonte mendja se njerëz normal do të rrezikonin të jetonin në atë dëborë me shumë shtresa e në atë të ftohtë kallkan.

– Pikërisht atje në majë mali ndërtuam një kasolle dhe për tre muaj sikur u ndjemë rehat, kujton Bardhoku. Por një ditë aty u ngjitën dy të panjohur. Nuk u kuptua të kujt qenë, të Sigurimit apo gjuetarë të rastësishëm, mëdyshet në kujtesën e vet Bardhok Ndreu. Nuk di ç’të them, përsëdytet ai duke u përpjekur të largojë mjegullnajën e kujtesës, pastaj shton: Por i pa roja jonë dhe ata ikën, si duket u trembën për vete. Sidoqoftë, kjo vizitë e papritur na dekonspiroi stanin, të cilit ne i vumë zjarrin dhe e braktisëm rreth marsit të vitit 1950.

– A u ndeshët ndonjë herë me Forcat e Ndjekjes?

– Jo vetëm një herë, shumë. Ja një rast: Sa kemi dalë në një kryqëzim rruge që vinte nga Gjormi, kryqëzim me rrugën tjetër që vinte nga Laçi, u ndodhëm në një situatë të vështirë. Gjergji më nxiti që të dilnim, edhe pse ishte shpejt. U ndodhëm ballë për ballë Forcave të Ndjekjes. Kërciti pushka. Ishte pyll. Ne dredhuam dhe u humbëm sysh, por ata vazhdonin që të shtinin; dukej se luftonin me njeri-tjetrin se ne kishim kaluar me kohë.

Në të vërtetë ne nuk tentonim të vrisnim njeri, donim thjesht që t’i shpëtonim ndjekjes së tyre.

– Një herë tjetër ishim afër Laçit, në Tribnisht, edhe aty krisi pushka e ashpër, por shpëtuam. Ishte natë shtatori i 1950-ës, kujton Bardhoku.

Takimi me Alush Leshanakun

– Ju kujtohet se kur dhe në ç’rrethana u takuat me Alush Lleshanakun?

– Si jo?!, gjallërohet Bardhok Ndreu. Më 25 maj 1950 ka ardhur Alush Lleshanaku. Ne ishim në malet e Kurbinit.

– Alushi ishte i vetëm?

-Jo, ishte Alushi, Gjon Gjinaj, Pashko Suma, Pjetër Gjoci, Ndue Gjergj Lleshi, Luk PërZefi. Jemi takuar në Mal të Bardhë. Alushi kishte qëllim që të priste radion dhe materiale të tjera. Pra kërkohej një vend i përshtatshëm që të bëhej një zbarkim dhe ne duhej ta siguronim. Gjergji thotë se nuk ishte e arsyeshme që zbarkimi të bëhej në Kurbin sepse Tirana ishte jo më shumë se 2 orë larg dhe vinin shpejt përforcime të ushtrisë dhe gjithçka dështonte. Me këtë logjikë edhe Alushi pranoi që të mos bëhej zbarkimi aty. Atëherë u vendos që të bëhej në tjetër vend dhe një pjesë prej nesh duhej t’i shoqëronte mysafirët. Shkova unë, Pal Lala, Zef Gjergji. Kemi ecur drejt Shesh-Ulzës. I kemi ra përreth Kthellës. Kemi zënë vend me gjithë mysafirët. U bë lidhja me radion. Atë ditë që është bërë lidhja me radio, po atë ditë është marrë sinjali nga sigurimi dhe është derdhur ushtria si miza lisi për rreth nesh. Gjithë Rajoni, Mat-Mirditë, zona e Kthellës është futur në darën e sigurimit, i cili i ka bërë tre rrethime zonës. U ndodhëm në një situatë të vështirë; bashkë me të ardhurit ishim 4 pjesëtarë të çetës së Kurbinit dhe tre të Mirditës. Nga 5 maj 1950 deri me 15 qershor 1950 vazhdonim të ishim me Alushin. Sidoqoftë sinjali ynë ishte marrë nga qendra dhe aeroplani erdhi në mbrëmje rreth orës 10.00. Pritej që të hidhej radio e Alushit. Sa u hap parashuta e parë pasi ne kishim ndezë zjarret, ka mbërritur ushtria e sigurimi. Dukej se ata nuk donin të qëllonin natën, prisnin agimin, që t’ia nisnin betejës me sy çelë. E vetmja shpresë jona ishte se forcat e sigurimit ishin të shumta dhe mund të asgjësonin njëri-tjetrin. Sidoqoftë ata e mbajtën rrethimin. Nga ana tjetër ne u vumë në kërkim të materialeve të zbarkuara nga aeroplani. Mbaj mend se kishin parashutuar edhe një grup kosovarësh, thoshin se ishin dërguar nga Xhaferr Deva.

-Ju kujtohen emrat?

– Po. Riza Alia ishte komandant i grupit, ishte prej Prizreni, Beqir Bajgora prej Peje, Ahmet dhe Shaqir Kabashi, dy kushërinj, Destan Berisha, që mund të jetë diku gjallë ende. Shaqiri ka qëndruar në Bufalo. Ishte dhe Hajredin Vuciterna. I kam parasysh si tani sepse kam qëndruar gjatë me ta. Ky grup do të shoqërohej prej Alushit drejt Kosovës. Gjetëm një pjesë të mallit: 6 marshina (tip pushkësh angleze, automatike, me 30 fishekë). Gjetëm bomba italiane, fishekë, ilaçe.

– Po radio që priste Alushi, a u gjet?

– Po, e gjetëm. Radion e Alushit e fshehëm në një masë me misër, (misrin e kishin sjellë fshatarët për ta fshehur nga sytë e qeverisë që të mos u sekuestrohej a të mos u tatohej nga qeveria komuniste).Aty futëm ne dhe parashutën së bashku me radion e Alushit…

Beteja e ashpër e Sheshit të Shtjarthit, vrasja e Ali Rizait

– Morëm materialet dhe përpiqeshim të lëviznim ngadalë nën hundën e forcave të ndjekjes. Ishim jo më larg se 10 m prej ushtrisë, por ishte errësirë, nuk e shihnim njeri-tjetrin. Me gjithë kosovarët 16 vetë. Të gjithë së bashku nuk mund të iknim, atëherë u ndamë në grupe. Nën shoqërimin tonë duhej të ishin mysafirët. Kosovarët nuk orientoheshin fare, nuk e njihnin terrenin. U ndamë në grupe të vogla, ku në secilin grup kishte nga një prej nesh që njihnim vendin. Sa kemi ecur 200 metra, kemi ra në zjarrin e armëve. Nuk e mendonim se i kishim forcat përpara. Ka filluar pushka në tetë të mëngjesit, betohem se nuk e ndjenim nëse ishin krismat tona apo të forcave të ndjekjes. Kemi rrafshuar një mal me fishekë. Aq e madhe u bë masa me gëzhoja sa nuk shihnim dot përpara. Armët tona, vërtetë ishin të pakta numër, por zjarri qe i fuqishëm. Gjon Gjini, propozoi që të lëviznim, sepse ata mund të na kapnin të gjallë. S’kemi ecur më shumë se 100 metra, kur kemi hasur një perde të dendur zjarri, që nuk merrej vesh se nga ç’anë vinte. Nga të gjitha anët krisma automatike. Zjarri ishte i rreptë. Kosovarët luftonin trimërisht, por në zjarr e sipër mbetet kapedani Riza Alija, ai kishte në shpinë radion, me vete kishte dhe 800 napolona flori(më duket se ato iu mbetën komunistëve). E ka pa Zefi dhe ka kërcyer për ta ndihmuar, 20 plumba ka marrë kapota e tij. U vra dhe Pashku. Të vrarët mbetën në fushën e luftës. Një plumb e mori dhe Alushin. U plagos, por nuk qëndroi… Ishte trim djali. Nuk bënim dot hap pa u ndeshë me ushtarët e ndjekjes. Pas 100 metra u plagos Gjon Gjinaj. Dolën dy kushërinjtë e mi, u thërras të ndihmojnë Gjonin. Dy gryka pushkësh më dolën përballë. U tregova më i shpejtë, qëllova para tyre, nuk e di, por më pas më thanë se kisha palosur një duzinë prej tyre…

– Bardhoku është modest, nuk flet për heroizmin e vet, ndërhyn në bisedë Ndrec Gjergji. Bardhoku e tregoi veten sidomos në betejën e Fushë Shtjarthit në Mirditë. Lufta vazhdoi gjatë; Gjon Gjinaj dhe Alush Leshanaku u plagosën; Zef Gjergji mori plagë; kapedani Riza Alija dhe Pashko Suma humbën jetën; një pjesë e shoqëruesve shpërndahen. Bardhoku mbetet me të plagosurit dhe grupin e kosovarëve. Ai tregohet trim, u bën thirrje shokëve:Burra të mos koritemi; të luftojmë deri në fishekun e fundit; të mos lëmë në dorë të komunistëve të plagosurit dhe jabanxhinjtë! Kur e pa se një pjesë e shokëve i qe shpërndarë, ai iu drejtua dy kushërinjve; Pal Lalës dhe Zef Gjergjit: Nuk do të marrohemi, do t’i shpëtojmë të plagosurit! Dhe prinë i pari e çan rrethimin.

Për këtë betejë, Ndue Llesh Gjergji ka pasë ngritë një këngë:Tash po vin’ retë e Kurbinit/ Si rrufeja shkrep prej qiellit/ Bardhok Ndreu dhe ai Ndue Gjergji,/ Ay Pal Marku dhe Zef Gjergji/ Dy shpi të ndershme në Kurbi/ Të përmenduna në histori/ Shpia e Qypit dhe e Gjin Pjetrit/ Qysh në kohën e Gjin Mjetit/ Kanë luftue kundra dauletit/ Vra dhe djeg ushtrinë e Mbretit…

Dalja prej rrethimit, kthimi në Kurbin

Rrëfimi i Bardhok Ndreut ndjek ngjarjen: Më pas i shpëtuam grykave të zjarrit. Etja na thau e na shkrumboi. Pas pak ramë në një përrua dhe shuam etjen, por zjarri vazhdonte nga të dy anët pa ndërprerje. Ne u kishim shpëtuar nga sytë forcave të ndjekjes, por ata qëllonin me tahmina, rrezik ngatërroheshin me zjarrin e njëri-tjetrit. Ishin mijëra gryka zjarri, kishin ardhur përforcime nga rrethet fqinjë dhe nga Tirana. Kemi qëndruar të fshehur aty në përrua nga 8 e mëngjesit deri në 2 pasdite. Më pas kemi ecur vetëm këmba-dorazi, herë -herë zvarriteshim. Nëse do të na zbulonte njeri ashtu siç ecnim ne, jam i bindur se do të na qëronte sa kishim mbetur. Dolëm në një lëndinë, por nga pas dëgjonim zjarrin që s’kishte të pushuar. Siç duket luftonin me sho-shoqin ata të ushtrisë, ne qemë larguar shumë larg prej andej. Duke qenë se pozicioni ynë dominonte mbi ata që luftonin, e kishim fushën e luftës në pëllëmbë të dorës. Shihnim ushtarët që lëviznin të maskuar, pa ditur ata se ne kishim një orë që i qemë larguar përroit dhe fushëbetejës. Kosovarët, që kishin luftuar si luanë, tash dukeshin të lodhur, mezi mbaheshin në këmbë. Pushkët, gati po u binin duarsh. Ne ishim mësuar me jetë mali dhe nuk e ndjenim aq lodhje. Sidoqoftë duhej të vazhdonim, ndryshe mund të binim në sy dhe rrezikonim. M’u ndanë katër shokë.. Ndue Gjergji, që e njihte vendin mirë, Pjetër Gjoci, Luk Perzefi, dhe Prenga nga Kthella. Ndoshta na ndau pushka, ndoshta…. Unë mbeta me dy kushërinjtë e mi, me Pal Lalën dhe me Zef Gjergjin, ndërsa Gjin Gjoni që ishte i plagosur së bashku edhe me Alushin, nuk po e jepnin veten. Nuk e di sa ditë u bënë që ndiqeshim këmba-këmbës nga Forcat e Ndjekjes. Më duket se kishte hyrë qershori. Derisa u err dëgjohej pushka atje poshtë në përrua. Më thotë Gjin Gjoni: Si me ia ba Bardhok?

Unë isha i ri, nuk ndjeja lodhje dhe isha i gatshëm që t’i ndihmoja. Ai më kërkon që t’i përcillja deri në Rrëshen, me u kthye andej nga Kthella, me shku në Mirditë, deri diku në Fushë të Lumit. Kjo ishte e pamundur, ushtria asaj ane ishte miza e lisit.

– Gjon, i thashë, për tërmal, për Zotin nuk mund të përcjell asnjë dekik, se nuk kam njerëz të besës që të mbështetem, nuk kam baza. I thashë se në Rrëshen kam dajat Mëlyshtë, Pal Mëlyshin me vllazën, por unë kam 3 vjet që nuk ua kam parë derën, s’e di, a janë ba komunista, a ç’dreqin janë ba, kështu që nuk kam besim që të çoj andej. Për tëposhtë, (ishim larg prej Kurbinit, 6-7 orë) po qe për Kurbin nuk të lë vetëm, të çoj ku të duash. U vendos që të shkonim andej nga propozova unë. Sapo u err mirë ia nisëm marshimit. U priva. Kemi dalë tek K. Dervenit. Sa kemi dalë atje zbardhi drita. Ishim të lodhur, bukë s’kishim as një kore. Kur u err zbritëm poshtë, në Shkopet. Ramë në lumin Mat. Mbaj mend se si Alushi, filloi të lahej me gjithë rroba. Sa dha ballë drita, për fat na erdhën ca bagëti aty afër. Kapëm një berr dhe e therëm pasi ia paguam bariut. Na duhej ujë. E njihja vendin. Duhej të vazhdonim. U prina. Ishte një shkallë që duhej të ngjiteshim. Jam ndarë me Palin, ai i binte në njërën anë, unë nga ana tjetër dhe kontrollonim kështu të dy anët. Shkallën e kishim në mes. Pali i ka parë rojet nën rrezet e hënës. Ka qit pushkë . U afrua tek unë; i fola: – Pse qite pushkë? Ai ma ktheu: Partizanët, more, ushtarët…!

Alushin, Gjonin dhe pesë kosovarët i kishim lënë pas, ne ishim pararoja. Po lindte dielli. Kur na dolën dhe tre partizan; ne i kishim si në pëllëmbë të dorës, ata nuk na shihnin. I qëlluam; dy i vramë, një u plagos. Vazhduam, iu ngjitëm malit këmba – doras. Dolëm tek Mali Trolles, ku ndanë Mat e Kurbin. Aty gjetëm ujë. Pimë dhe u freskuam. Kishte ardhur nata. Ecëm, arritëm në Skuraj, katundi i Preng Previzit. Dy kushërinjtë aty kishin baza. Ua dhamë emrat e bazave, ku të merrnin bukë dhe ushqim. I Çova në Shën Mëri, kosovarët, Alushin dhe Gjon Gjinajn. Atje ishte një gurrë me ujë të ftohtë, u lanë , u rruan dhe u bënë si njerëz. Një bari, që e njihja kishte nxjerr dhitë në kullotë. Sa më pa thirri i habitur:-Po ti gjallë qenke , o Bardhok?

– Pse, ç’ka ndodhë?-e pyeta.

– U ba nami, he burrë, ka zbarkuar ushtria dhe policia. Ka kris pushka ditë e natë. Ka 7 ditë që ushtria është duke qit pushkë dhe për shtatë ditë ushtarët ushqehen në vijë të luftës. Po si bre paskit shpëtuar, he burra trima që paskit qenë!

Ndërkohë ai preu një dhi, e poqëm. U kthyen dhe kushërinjtë që sollën bukë e furnizime të tjera, dhe u ushqyem. Na duhej të ecnim përmes një zone të mbushur me ushtarë. Kishim lënë takim me shokët tanë të Kurbinit. Qe bërë një muaj që qemë ndarë me shokët tanë, nga 25 maj me 21 qershor. U takuam edhe me shokët që qenë ndarë në mënyrë të papritur në kohën e betejës së Sheshit të Shtjarthit; Ndue Lalën, Preng Lleshin, Ndue Gjergjin, Luk Perzefin.

-Ç’ndodhi me mysafirët që kishit në shoqërim?

– Deri më 19 korrik i mbajtëm aty, në bazën tonë, në Mal të Bardhë.

Kur Alush Lleshanaku hyri në kinemanë e Tiranës

– Ndonjë mbresë nga takimi me Alush Lleshanakun?

– Alushi ishte shok besnik, gojëmbël, edhe me një fëmijë bisedonte sikur të kishte përpara një burrë. Alushi ishte trim mbi trimat, nuk i trembej syri. Për të tregoheshin gjëra të pabesueshme në popull. Ka shumë rrëfenjë për të. Erdhi shpesh herë në Shqipëri. Më tregonte vetë një herë se kishte shkuar prej Urës së Zogut, përmes rrugës së makinës, drejt e në Tiranë. Veshur me shallvare elbasanase, një çantë në shpinë, ku mbante veglat e punës, bishti i një çekiçi dukej jashtë. Jam murator, thoshte, bëj shtëpi nëpër fshatra. Ai ishte aq trim sa ka hyrë edhe në kinema, ne mes të Tiranës, pa u kuptuar nga forcat e sigurimit, të cilët e kërkonin nëpër male e nëpër shpella. Dhe kjo nuk ndodhi një herë e dy, po shumë herë. Automatikun nuk e hiqte nga vetja, e mbante ngjitur pas trupit.

– Ju thatë se edhe Alushi u plagos, ku ia mjekuat plagët, ndërhyn në bisedë Hysen Blloshmi, që ndjek rrëfimin e Bardhokut.

– Aty në mal e mjekuam. Gjergji e mjekonte, Gjoni ia ndërronte plagën.

– Po ilaçet ku i merrnit?, këmbëngul në pyetje Blloshmi.

– Ilaçet i merrnim tek Marka Zefi. Ai ishte ende në punë, punonte infermier në Milot. Është koha kur sigurimi ende nuk i kishte rënë në gjurmë, nuk kishte zbuluar se ai mjekonte komitët që vinin për të rrëzuar qeverinë. Marka Zefi ishte infermier i zoti dhe vazhdonte të punonte për shtetin.

– Kur dhe si u largua Alushi nga ju?, e pyes Bardhokun.

– Me 19 korrik, kam marrë Palin e Zefin dhe e kam përcjellë Alushin deri në kufindarje me Kurbinin; i dhamë me vet një dele të pjekur, 12 kg miell misri, ujë dhe u ndamë në Rubik. Nuk u takuam më dhe nuk dinim se çfarë ndodhi më vonë. Në New York kam takuar Gjon Gjinaj, kam takuar dhe një herë Shaqir Kabashin, Destan Berishën, dhe më tej s’di gjë. Mësova më vonë se Ahmet Kabashin e vranë, Haredini ishte dorëzuar, Beqir Bajgora është vra, edhe Gjon Gjinaj u vra këtu në Amerikë….Ndërsa për Alushin e mësova vonë vdekjen me kurth…

Beteja e Bushneshit dhe rrethimi me tradhti i Nikollë Gjergjit

Çetat antikomuniste ishin rralluar shumë në malet e Shqipërisë. Forcat e Ndjekjes dhe ato të Sigurimit po dilnin fitimtarë të ndihur edhe nga sovjetikët e sidomos agjenti i tyre në Uashington, anglezi Kim Philbi. Shumë prej atyre që vinin nga jashtë binin drejtpërdrejtë në duart e sigurimit shqiptar. Gjergj Nikolla, që pat zgjedhë qëndresën në malet e Kurbinit dhe jo arratisjen jashtë Shqipërisë, vazhdonte të qëndronte e të mos i dorëzonte armët. Ai i pat kapërcyer të gjithë kurthet që i qenë ngritur , por me 5 maj 1952, i tradhtuar, rrethohet në Fushën e Bushneshit në Mamurras. E gjithë çeta e tij e përbërë prej 7 vetash ishte futur në një darë të hekurt rrethimi. Gjergj Nikolla së bashku me Pjetër Lala, Gjon Lok Piroli, Pjetër Marku, Gjok Pali, Gjon Perjaku dhe Bib Brahja, nuk iu përgjigjën thirrjes për t’u dorëzuar. Ata qëndruan trimërisht me besë për të luftuar deri në vdekje. Ka shkruar për aktin trimëror të kësaj çete dhe komandantit të saj, Gjergj Nikoll Ndreu, edhe Mark Dodani, i njohur për librat për sigurimin dhe skenarët e filmave me diversantë, i cili nuk ka mundur ta fsheh aktin trimëror. Çeta rrethohet në mënyrë të trefishtë; tre kordonë forcash të sigurimit dhe të ushtrisë ishin vendosur njëri pas tjetrit. Rrethimi ishte realizuar në një vend të vështirë, terreni ishte fushorë, s’kishte afër as kodra as pyje. Çeta arrin që të luftojë edhe të bëjë disa gropa që t’u fshihej plumbave që binin si breshër. Mitralozat dëgjonin gjithandej. Zëri i Gjergj Nikollës u jepte zemër shokëve. Ai u përcillte kurajë bashkëluftëtarëve me thirrje kundër komunistëve. Tashmë e ka të qartë se ka ardhur akti i fundit i luftës së tij. Kronikani i kohës ka përcjellë çastet e kësaj beteje, kur Gjergj Nikolla thërriste: Poshtë komunizmi! Poshtë Enver Hoxha! Rroftë Shqipëria, poshtë këlyshët e Rusisë! Lufta ndizet e rreptë, përforcimet nga Tirana vazhdojnë të vijnë. Dëmtimet në radhët e ushtrisë, e cila ishte shumë e ngjeshur, sa vinte e shtohej. Mitralozat e rëndë siç dukej qëllonin forcat përballë; vrisnin njeri-tjetrin… Për më shumë se 20 orë lufta mbetet e ndezur. Thonë se luftën e drejtonte përmes telefonit vetë Mehmet Shehu, ish Ministri i Mbrojtjes, i cili po nervozohej me oficerët e vet: Si nuk po arrini të asgjësoni një çetë me 7 vetë?! Ç’qenka ai Gjergj Nikolla?!Ai urdhëron futjen në luftë të aeroplanëve bombardues. Por edhe kjo përpjekje shkoi kot, pasi çeta dhe rrethuesit ishin pranë e pranë. Ishte i pamundur bombardimi. Atëherë u vjen radha tankeve, të cilët gjëmojnë në fushën e betejës. Kur mbërritën tanket, Gjergj Nikolla e pa se çetës i erdhi fundi. Ai jep urdhër për sulmin e përfundimtar, sulmin e vdekjes: Në sulm, për jetë a vdekje! Sulmi qe i fuqishëm, ashtu siç mund të jetë një përpjekje për të sfiduar vdekjen, që kishte zgjatur thonjtë e përgjakur për të rrëmbyer jetët e të shtatëve. Kalohet rrethimi i parë, por në të dytin, plumbat vërshojnë nga të gjitha anët dhe përplasen në gjoksin e komandantit të çetës, Gjergj Nikolla. Thuajse të gjithë ishin plagosur. Pjetër Llesh Lala, i kushëriri, i thotë Gjergjit se nuk do të ndahet nga ai as në vdekje dhe me një plumb vret veten, pa rënë i gjallë në dorën e sigurimit. Pjesëtarët e tjerë të çetës kapen të gjallë. Gjon Lok Piroli varet në litar në Milot, të tjerët dënohen me burgim të përjetshëm.

***

Ja kjo ishte një copëz nga historia e familjes antikomuniste Qypi, e cila u përgjak me komunizmin. Ajo i ka dhënë nacionalizmit djemtë e saj më të mirë, ndërkohë që një pjesë prej tyre u detyruan që të largohen nga Atdheu dhe të emigrojnë në dhera të huaja, një pjesë këtu në SHBA.

Ja pjesëtarët e familjes Qypi, që janë të vrarë nga komunizmi:

1. Gjergj Nikolla, vrarë më 5 maj 1952

2. Prend Gjergji, vrarë më 24 korrik 1948

3. Zef Gjergji, vrarë më 20 qershor 1951

4. Marka Gjoni, vrarë më 20 qershor 1951

5. Kole Gjoni, vrarë më 10 nëntor 1951

6. Jak Mark Lala, vrarë më 10 nëntor 1951

7. Pjetër Llesh Lala, vrarë më 5 maj 1952

8. Mark Preng Ndreca, varrë në tetor 1947

9. Nikollë Ndreu, vdes në moshën 84 vjeç në burgun e Tiranës.

Urën e Zogut po e shkatërron babëzia dhe jo natyra!

Nga Elton Laska

Ura e Zogut një nga asetet e trashëgimisë historike të Kurbinit, e shpallur Monument Kulture, e ndërtuar në vitin 1927 rrezikon shembjen. Mediat fajësojnë për këtë natyrën dhe prurjet e lumit Mat, të cilat përgjatë stinës së dimrit po shkaktojnë përmbytje masive në zonën e Bregut Matës, në Kurbin e Lezhë.Urën mbi lumin Mat që dikur lidhte verilindjen me pjesën tjetër të vendit, nuk e shkatërroi natyra, por babëzia e bosëve të kompanive të ndërtimit që prej 3 dekadash, shfrytëzojnë këtë lum për të nxjerrë inerte për ndërtim. Ajo urë është ndërtuar, projektuar nga një inxhinier italian dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Zbatimi i projektit të Urës së Zogut u bë nga inxhinieri shqiptar, Gjovalin Gjadri, inxhinier që ka projektuar rrugën automobilistike Milot-Burrel, që kalon nga livadhi i Turkut nëpër Mirditë. Ura është ndërtuar brenda një viti dhe është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i jep asaj vlerë muzeore.Tek rrëshqitjet e rrugëve gjatë përmbytjeve si në aksin Lezhe-Ungrej, apo aksin Borsh-Sarandë gjeni edhe përgjigjen për rrënimin e Urës së Zogut.Në mënyrë të paligjshme kompani ndërtimi me lidhje deri në strukturat më të larta qeveritare kanë shfrytëzuar pa kriter shtratin e lumit Mat për të nxjerrë inerte. Zhavorri i lumit është përdorur për ndërtimin e rrugëve nga kompanitë e ndërtimit të lidhura me qeveritë, por zhavorri i lumit nuk është i përshtatshëm për përdorim për ndërtimin rrugësh, pasi në vend të tij duhet të përdoren inerte të gurta (bazalte), më koefiçentin e domosdoshëm të shtypjes e të fërkimit. Inxhinierë, kurator arti, historianë ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe banorë të zonës duhet të bëhen pjesë e një iniciative për të shpëtuar Urën e Zogut, që të japin kontributin dhe ekspertizën e tyre për të shpëtuar këtë pasuri arkitekturore. Ura e Zogut do duhej të ishte një prej atraksioneve turistike në Qarkun Lezhë, ku shqiptarët kanë një mundësi të njohin një pjesë të arkitekturës së viteve 30 në veprat publike. Kjo urë është pjesë e memories së kombit, e përfaqëson një kohë kur orientimi i vendit ishte drejt Perëndimit, strehës natyrale të Shqipërisë. Qeveria duhet të nxjerrë një vendim për ndalimin e kompanive të ndërtimit të shfrytëzojnë lumin Mat për nxjerrje inertesh.SPAK duhet të nisë një hetim lidhur me këto kompani që prej 3 dekadash kanë abuzuar me këtë pasuri publike. Shfrytëzimi i lumit Mat për ndërtimin HEC-esh ka pasur jo pak impakt në degradimin e urës së Matit dhe veprave të tjera publike përgjatë këtij lumi.

/Qendra Rinore Sebastia

Këtë e pëlqejnë %d blogues: