PËR BASHKOHESIT E MI LAÇIANE (Kujtime nga Ymer HYSA )

Pas viteve 70-të Laçi kishte marrë fizionominë e një qyteti modern. Industia e shumtë e kishte shndërruar në një qytet industrial të rëndësishëm, Edhe numri i popullsisë ishte rritur ndjeshëm dhe kishte arritur të ishte qyteti i dytë më i madh në veri pas Shkodrës. Nuk i mungonin as potencialet intelektuale. Kishte specialistë të aftë e të zot në të gjitha fushat, jo vetëm në ato të Industrisë, Bujqësise, Transportit, Ndërtimit etj, por dhe të artit, të kulturës, të sporteve etj. Duke qenë qytet i ri, i krijuar vetëm në fillimet e viteve 60-të e në vazhdim, ishte i populluar me banorë nga mbarë rrethet e Shqipërisë, saqë thuhej se në Laç ka banorë të 27 rretheve, nga 26 rrethe që kishte Shqipëria.. Ky ishte një fakt i pa kontestueshëm, siç ishte fakt i tillë dhe kultura e re e krijuar mes tyre. Banorët tashmë nuk i lidhte vetëm puna, por dhe shoqëritë e reja, miqësitë dhe kushqitë. Ishin ndërlidhur mes tyre saqë aty nga fundi i veteve 90-të qyteti kishte marrë ngjyrën e një qyteti model të harmonisë njerëzore. Ne që lindëm nga mesi i shekullit të njëzetë, pothuajse u rritëm sëbashku me qytetin, duke u bërë frymarrja e tij e ardhshme. Që në adoleshencën e herëshme filluan të spikatnin talentet e reja në fusha të ndryshme, veçanërisht në sport, në art dhe kulturë. Profesorët e fiskulturës, Pjetër Xhuxha, Ndue Tarazhi dhe pak më vonë dhe Taqi Bardhi, Marie Mata dhe Pjeter Zima, falë pasionit të tyre arritën ta bëjnë të njohu Laçin përmes Ekipit Industriali, në Futboll dhe Basketboll për meshkuj dhe femra, duke arritur ta kalojnë deri në kategorinë e parë dhe duke afirmuar sportistë të nivelit të lartë si Ndue Frroku, Ylli Çuka, Agron Mehmeti, Frida Zavalani, Fatbardha Qehaja, Luljeta Çuka në basketboll etj. Po kështu futbollistë si Saba Mici, Ahmet Shafloqi, Alqi Lango, Nikoll Ndoka, Dod Zima, Arben Feshti, Bashkim Curri etj, Falë punës së palodhur të Profesorëve Shahije Billa dhe Rrok Luca spikatën qitësat e shkëlqyer kampionë si Dritan Avdyli, Mimoza Pepa, Kastriot Elezi, Enrik Shtinja, Teuta Elezi, Shqiponja Galanxhi, Halit Cara, Fiqirete Cara, Zaho Vlashi, Zana Gjini, Linda Palushi, Ina Dragovoja, Zenel Dema, Agron Dashi, Thoma Gramo, Fatos Mustafaj, Besnik Mustafaj, Luljeta Bardhi etj. Edhe në sportin e mundjes shkelqyen Deli Lika, Jahe Jahja, Qemal Lika, Hajdar Jahja, Ramazan Sana, Ben Baboçi, Agim Teodori, Artur Bardhi etj. Pallati i Kulturës së qytetit me drejtor intelektualin e shquar Mal Berisha, kurdohere do ishte i mbushur me spektatorë që ndiqnin shfaqje të asambleve apo trupave amatore të ndërmarjeve industriale e bujqesore, që jo vetëm interpretonin për kënaqësitë e banorëve por dhe konkuronin mes tyre. Puna e përkushtuar e Regjizorit Agim Doda, kompozitorëve Ruzhdi Keraj dhe Ylli Kalaja, skenografit Tish Staka, piktorit Ndue Pepa, mesuesit te talentuar te muzikës Kujtim Mullalli, do të zbulonin talente të spikatur në këtë fushë, që nga aktori Luan Maluka, rapsodet Ali Halili, Ndoc Seferi, Pjeter Matusha, vellezerit Enver dhe Saba Ismaili, Kurt dhe Sherife Lika, Gjovalin Gjoka, Halil dhe Dhurata Alijaj, Tereze Gega dhe Gjelina Rrika, instrumentistëve si Seit Lika. Gjergj Pacani, Fran Doda, Isuf Tafili, Luan Seli, Lek Jushi, Sefer Murati në çifteli, Bashkim Aliu dhe Qemal Teluli në fyell që do rrëmbenin duarttrokitjet e bashkqytetarëve, por dhe do të tundnin edhe skenat e Festivaleve Folklorike Kombetare. Mësuesit pasionantë të letërsisë Asllan Bami, Natasha Kacorri dhe Izota Katuçi do të inkurajonin talentet e rinj në letërsi, ku do të spikatnin Ligor Jovani, Kujtim Hoxha, Vlash Prendi, Zef Pjetri, Pilo Zyba, Pashk Loku, Ymer Hysa, Qezar Rica, Dash Kaloçi, Simon Tota, Ded Luca, Durim Taçi, Kastriot Marku, Margarita Stoja etj. Rrethet letrare dhe artistike s’do mungonin. Mbasditet tematiko dëfrimi të rinisë nuk do mungonin asnjëherë veçanërisht te rinia gjimnaziste. Ishin kohë të arta, Kishin filluar të shpërthenin sythet e të lulëzonin talentet e reja, Zërat e këngëtarëve si Tatjana Buzi, Anita Riba, Natasha Buzi, Donika Talo, Erida Ibrahimi, Agim Duro, Reko Omeri, Donika Gjergji, Paulin Treshi etj do të ndiznin atmosferën e sallave të koncerteve. Djemtë e talentuar si Altin Tomaj në fizarmonikë, Skënder Halili në klarinetë, Artur Nuredini në xhez, Xhevdet Teluli në klarinetë, Ardian Skuro, Elton Neziri dhe Sokol Cenolli në organo, Gent Cara në xhez, Edmond Jaho, Fred Mastora, Mond Papadhopuli, Ben Sadiku, Sander Gjoka, kitarista dhe mjaftë të tjerë si Mihallaq Jani, Kujtim Murati, Vasil Tase, Sokol Cenolli, Vasil Tase, Bert Mata, Gust Cara, Lad Cara, Tom Cara, Hamza Nuredini, Avni Zeqo, Ben Zeqo, e shumë të tjerë. Ishin pikërisht këta djem e vajza të talentuar e të pa përtuar që do të mbanin ndezur atmosferën sportive e artistike në Laç. Le të jetë ky shkrim i imi një shenjë respekti dhe mirënjohje për ta në emrin e qytetarëve laçianë, një homazh për ata të ndarë nga jeta e që jetojnë në parajsë, një mirënjohje për të gjithë ata që u larguan nga Laçi në qytete të tjera shqiptare apo emigruan jashtë atdheut. Mbase kontributi i tyre nuk është në ato përmasa që meritojnë medalje, por kurrsesi nuk duhet të lihet në harresë, ata janë djemtë dhe vajzat që Laçin tonë e bënë me emër dhe me nxitën mua si bashkohës të tyre ti kujtoj përmes këtij shkrimi. Zoti i bekoftë laçianët kudo ndodhen.

HISTORIKE/ Laçi kualifikohet në raundin e tretë të Conference League, sfidon gjigantin Europian në turin tjetër

Laçi shkruan historinë dhe së bashku me Teutën janë dy skuadrat e Superligës shqiptare që vijojnë garën në turin e tretë të Conference League.

Kurbinasit barazuan mes shumë emocionesh 0-0 në transfertën rumune ndaj Krajovës dhe falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë kalojnë më tej.

Fati dhe ndërhyrjes shpëtimtare të Alen Sherrit bënë që Laçi të ruante avantazhin, duke kaluar më tej, aty ku e pret Anderlehti i madh.

Kohët e fundit skuadra belge nuk ka qënë ajo e dikurshmja dhe Shpëtim Duro me Laçin e tij shpresojnë ende tek ëndrra europiane.

Laçi “nderon” Kategorinë Superiore, Teuta për TURP, Vllaznia dorëzohen ndaj qipriotëve (REZULTATET)

Mbrëmje relavitisht për tu harruar për ekipet shqiptare në ndeshjet e vajtjes në Conference League.

Me përjashtim të Laçit, që fitoi 1-0 ndaj Universitat Krajovës dhe u afruar me turin e dytë të kompeticionet, Teuta e Vllaznia humbën takimet e tyre të para.

Durrsakët shkaktuan surprizën më të madhe të mbrëmjes, teksa u mposht 2-0 brenda në “Niko Dovana” nga një skuadër modeste si Inter Eskaldes. Andorianët ishin dukshëm inferiorë ndaj ekipit të Edi Martinit, të cilit i duhet të shpik diçka për të bërë mrekullinë në ndeshjen e kthimit në Andorra.

Vllaznia u mposht 1-0 ndaj AEL Limmasol në Qipro pas një goli të shënuar në fundin e pjesës së parë nga Scepovic. Shkodranët do të tentojnë përmbysjen në ndeshjen që do luhet javën e ardhshme në “Loro Borici’.

Lajmi më i mirë i mbrëmjes erdhi nga Laçi, aty ku kurbinasit fituan minimalisht 1-0 ndaj Universitet Krajovës. Goli i Zarubica i mjaftoi bardhezinjve për të marrë një fitore dhe ‘prekin’ me dorë kalimin në turin e tretë të Conference League.

Rezultatet finale:

Teuta – Inter D’ Escaldes 0-2 (Soldevila 37′ 56′)

AEL Limmasol – Vllaznia 1-0 (Scepovic 47′)  

Laçi – Univ. Craiova  1-0 (Zarubica 36′)

Laçi perfekt, kurbinasit kualifikohen pas 120 minutash ndaj Podgoricës

LaçiPodgorica 3-0 (0-1 ndeshja e parë)

Stadiumi “Elbasan Arena”

Laçi: Sherri, Roganovic, Malota, Ignjatovic, Velija, Lushkja, Shehu, Deliu, Zarubica, Guindo, Mazrekaj.

Podgorica: Izevic, Suzuki, Celebic, Dojic, Vukcevic, Jovanovic, Vujovic, Boljevic, Moras, Sentoku, Adrovic.

Gjyqtar: Yaroslav Kozyk

Komenti minutë pas minute:

114′ GOL!!!! Laçi gjen edhe golin e 3-të, Guindo gjuan, portieri Izevic gabon dhe Prenga përfiton duke e dërguar topin në rrjetë.

106′ Starton shtesa e dytë.

105′ Mbyllet shtesa e parë në Elbasan.

92′ GOL!!!! Laçi gjen më fund golin e dytë, aksion i bukur nga kurbinasit me Lushkja që mposht portierin e Podgoricës.

91′ Nis shtesa e parë.

90′ Mbyllet ndeshja, Laç dhe Podgorica shkojnë në shtesë për të përcaktuar fituesin pasi dy ndeshjet janë mbyllur në barazim 1-1

82′ Tjetër rast për Laçin, Guindo ndalet nga Izevic.

67′ Laçi pranë golit të dytë, Deliu gjuan, por topin kalon ngjitur me shtyllën.

60′ GOL!!!! “Thyet” Podgorica, Deliu gjuan saktë brenda zonës dhe dhe e dërgon topin në rrjetë.

58′ Provon Mazrekaj nga goditja e dënimit, topi ndalet në murin mbrojtës.

46′ Nis pjesa e dytë Laçi-Podgorica.

45+2′ Mbyllet pjesa e parë, Laçi dominon, por shtylla dhe portieri i Podgoricës i mohojnë golin.

41′ Izevic i pakalueshëm, portieri 18-vjeçar i Podgoricës ndal sërish Mazrekajn dhe Laçin.

38′ Akison model i Laçit, e pabesueshme ç’humbet Guindo, sulmuesi i vetëm me portierin gjuan jashtë.

31′ I pafat Laçi, Izevic dhe shtylla i mohojnë sërish golin kurbinasve

18′ Kundërsulm i Podgoricës, Sherri bën mrekullinë duke evituar një gol të sigurt.

15′ Sërish pranë golit Laçui, Zarubica gjuan me kokë, por largon sërish portieri.

8′ Aksioni i parë i rrezikshëm i Laçit, Deliu tenton nga distanca, por ndalet nga Izevic.

1′ Starton ndeshja, topi i parë shkelmohet nga Podgorica.

Kurbini, mes mundësisë së zhvillimit të turizmit dhe mbetjeve që hidhen kudo!


Por perveç bukurive qe i kemi dhuratë nga zoti, turisti sapo prek tokën shqiptare përballet gjithandej me mbeturina të hedhura sa andej këtej
… 

Vendi ynë kohët e fundit po frekuentohet shumë nga turistët e huaj qoftë  për bukuritë që paraqesin alpet por dhe pastërtinë dhe kthjelltësine e detit në jug, përfshijme këtu dhe turizmin kulturor i cili është i pranishem thuajse  përgjatë gjithë vitit.
Por perveç bukurive qe i kemi dhuratë nga zoti, turisti sapo prek tokën shqiptare përballet gjithandej me mbeturina të hedhura sa andej këtej.  Cilit do i ka rënë rasti si në veri dhe në jug  ku edhe pse gjithandej ka tabela paralajmeruese “ mos hidhni plehra! “ mu në rrëzë të tabeles gjen një grumbull më mbeturina.
Lind pyetja !?  A vertetë jemi popull kaq pisanjos!?
Edhe krahina e Kurbinit nuk  bën përjashtim, gjithë mbeturinat e kryeqytetit mblidhen dhe grumbullohen në grykëderdhjen e Lumit Ishëm i cili është cilësuar si me i ndoturi në Europë dhe për pasojë duke e bërë plazhin e Gotulles të papërdorshem.
Por jo vetem , mbeturinat i gjen të hedhura gjithandej në qytet dhe fshatra ne brigje rrugësh, kanalesh dhe lumenjsh.

Lumi I Matit shquhet për pastërtinë e tij veçanerisht në Skuraj, në pjesën nga Liqeni i Shkopetit dhe deri ku bashkohet me Lumin Fan, mirpo edhe kjo pjesë po fillon të ndotet qoftë nga bisneset ( jo të gjithë ) qe zhvillojnë  veprimtarinë e tyre përgjatë bregut  dhe që më pas i hedhin mbeturinat në lumë qoftë nga pushuesit ditor të cilët pushojnë në formë pikniku në hijet e rrapave duke i lënë mbeturinat  aty . Perveç ndotjes qe i bëhet lumit dhe më pas detit, hedhja apo lënia e mbeturinave në breg të lumit bëhet shkak edhe dëmton edhe pushuesit e tjerë. Shishe qelqi që mund të thyhen dhe mund të hasen në ujë nga fëmijë por dhe të rritur. Pasojat nuk është e vështirë  të imagjinohen.

Por  plehrat  nuk janë i vetmi problem, shpesh pushues  që ndezin zjarre për zgare  dhe ikin dhe e lënë zjarrin ndezur  janë akoma më të rrezikshem pasi tani në muajt e nxehtë te veres zjarri mund te përhapet më lehtë nga ç’mund të imagjinohet. Rasti më flagrant, më i paimagjinueshem ka ndodhur në Skuraj , tek Kisha e Shën Vlashit aty ku para dy muajsh u inagurua dhe restaurimi i kishes dhe disa  media e paraqiten si vend ideal per zhvillim të turizmit por që realisht pati  efekt negativ. Disa “ turiste” kanë ndezur zjarre për zgarë në disa vende madje dhe fare pranë frashërave gjigande mbi treqind vjeçar të cilët nuk janë vetem pronë e kishes, e fshatit por janë një pasuri kombëtare duke qëne se janë MONUMENT NATYRE.  Zjarri duke perfituar dhe nga temperaturat e larta është përhapur nëpërmjet rrënjeve të cilat kanë shtrirje në një sipërfaqe shumë të madhe të fushës duke rrezikuar seriozisht  trungun. Mos  të ishte ndërhyrja e një banori të zonës i cili është munduar me mjete rrethanore ta kufizoje zjarrin pasojat sot do të ishin shumë të mëdha !
Të vjen keq që puna vullnetare e shumë banorëve të zones për restaurimin e kishës por dhe që ai vend te marrë vleren që meriton po shumëzohet me zero nga disa njerëz të papërgjegjshem. ( Të paktën lind nevoja e vendosjes së disa tabelave ku të ndalohet ndezja e zjarreve si dhe hedhja e mbeturinave )

Secili që i shikon këto pamje besoj që ndjehet keq dhe i turpëruar  ku  një vend që secili mund të gjeje qetësi fizike dhe shpirterore po kthehet në  vendgrumbullime plehrash!

NELSON MANDELA-Mendjet që hakmarren shkatërrojnë një shtet, ndërsa mendjet paqësore ndërtojnë një komb.

“Sapo ishta zgjedhur President. Një ditë, u kërkova bodigardëve të mij të bënim një shëtitje nëpër qytet. Më pas, duke qenë orar dreke, shkuam të hanim në një restorant. U ulëm, dhe pas pak erdhi kamarieri. Në moment u shtanga, sepse në një tavolinë përballë nesh qëndronte ulur një burrë. Ishte vetem dhe priste që ti shërbenin. U thashë rojeve ti kerkonin që të bashkohej me ne, dhe ashtu u bë. Burri u ngrit, mori pjatën dhe u ul aty pranë.Ndërsa hante duart i dridheshin fortë, por ai vazhdonte të hante pa e ngritur kokë fare nga pjata. Kur mbaruam drekën, ai më përshëndeti pa më parë në sy, me siklet, më dha dorën dhe u largua. Unë nuk i thash as një fjalë.Një nga bodigardët tha: “Ai që u ul me ne do jetë shume i sëmure, duart e tij nuk pushuan së dridhuri, bile dhe kur hante.Jo. I thas. Nuk është aspak i sëmurë!Të gjithë u drejtuan nga unë dhe prisnin me çudi arsyen. -Ai burrë ishte kujdestari i burgut kur isha në qeli. Pas torturave që më bënin, lëngoja nga dhimbjet, dhe i kërkoja vetëm pak ujë, por jo vetëm që më bërtiste ai më urinonte në kokë. Në vetmin e natës më rridhnin lotët duke menduar se sa i pamëshirë mund të jetë një njeri.Ai nuk ishte i sëmurë, por i frikësuar, dhe dridhej sepse tashmë që jam President i Afrikës se Jugut mendon se unë do ti bëj atë çka më bëri, por nuk jemi njësoj. Secili zgjedh në jetë: të jetë i Mirë apo i Keq.-Mendjet që hakmarren shkatërrojnë një shtet, ndërsa mendjet paqësore ndërtojnë një komb.-Ndërsa dilja nga dera e burgut, e dija se nëse nuk do të lija atje brenda dhimbjet dhe urrejtjet, sot do të isha ende i burgosur”.

Policia publikon masat për pelegrinazhin në Kishën e Shna Ndout

Një sërë masash janë marrë nga Policia e Lezhës për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout në Laç më datë 12-13 Qershor 2021.

Autoritetet shprehen se duhet bashkëpunimi i qytetarëve që të  respektojnë dhe të ndjekin komunikimet e punonjësve të policisë në lidhje me drejtimet e lëvizjeve apo parkimet e mjeteve.

Masat e marra si më poshtë:

– Nga ora 08:00 datë 12.06.2021– ora 24:00 datë 13.06.2021, do të kufizohen disa segmente rrugore mbi lëvizjen dhe parkimin e mjeteve të cilët janë:
“Nga Kryqëzimi i Gjykatës – Kisha e Shna Ndout ”
“Nga Kryqëzimi i Poliklinikës – Kisha e Shna Ndout”
“Nga Kryqëzimi i Gjimnazit – Kisha e Shna Ndout”
“Nga Pallati 113 – Kisha e Shna Ndout”

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit publik ( autobus/ taxi) të liçensuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore ,mjetet e emergjencave civile , zjarrëfiksja, ambulanca dhe policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, të përdorin akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi, do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë rrugore.

– Nga Kryqëzimi i Gjimnazit deri te Kryqëzimi i Varrezave do jetë rrugë vetëm për këmbësorët.

– Nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të lartë pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.
– Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç. Nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve .

Laçi mund Tiranën, Duro: Jemi në garë për titullin

Një gol nga goditja e këndit i ka dhënë 3-pikët skuadrës së Laçit në kryeqytet, me bardhezinjtë që sfiduan Tiranën në një duel për Europën. Laçi ishte më kërkues, ndërsa Tirana vuajti jo pak edhe mosprezencën që nga fillimi në fushën e lojës të Torasës dhe Kalesë.

Ndërkohë që me këtë 3-pikësh, skuadra kubrinase është në lojë dhe shpreson që të jetë në tre më të mirat pas 180 minutave të fundit të garës…

Shpëtim Duro, trajneri i skuadrës së Laçit, natyrisht që ndihet mireë pas fitores së sotme në Tiranë, ku spias tij, skuadra tregoi personalitet dhe i meritoi 3 pikët. Duro në “gol pas goli” analizon ndeshjen dhe ndër të tjera ka pohuar: “Ishte një ndeshje shumë vendimtare për momentin tonë, se ishte një kundërshtar direkt. Nuk kishim një gjendje të mirë pas barazimit, por sot fituam ndaj një skuadre serioze si Tirana”.

“Na duhej fitorja patjetër sot, se Tirana luante për dy rezultate. Ne na bënte punë një fitore.  Patjetër që ndeshje të tilla janë të planit taktik. Tirana ka në sulm dy lojtarë sulmi jashtëzakonisht të mirë, e qëllimi ishte t’i mbulonim. Por edhe treshen e mesfushës, për mendimin tim Shehu e Deliu i bënë detyrat mirë, Mazrekaj bën diferencën dhe përballoi lojën shumë minuta e kjo ishte positive”.

“Kemi bërë mirë në të gjithë kampionatin, sidomos me skuadrat kryesuese, jemi gjithmonë Superiorë sa u përket pikëve, kemi gabuar me Skënderbeun e Kastriotin. Do të shohim ndeshjen me Teutën, pastaj të shohim të fundit, unë jam i bindur që s’do të ketë surpriza edhe në javën tjetër se Vllaznia është skuadër interesante”.

“E rëndësishme është të jemi të paktën në zonën e Europës. Janë 5 skuadra që mund të fitonin titullin, është një kampionat i çuditshëm. Laçi duhet të fitojë me Teutën, po fituam me të pastaj të shohim edhe kombinacionet e Partizanit me Vllazninë për ndeshjen e fundit”. 

“Puna e titullit kampion është me raste edhe fat, varet nga skuadra. Ka trajnerë që shkojnë në momentin e duhur me skuadra që duhet të fitojnë dhe është më e lehtë, varet çfarë kampionati e konkurrence ka e del kampion dhe i nxjerrin në piedestal. Të dalësh kampion me Laçin nuk është njëlloj si të dalësh me Partizanin, Tiranën a Vllazninë. Kemi bërë punë të madhe por nuk kemi pasur organikën e duhur se na ka munguar sulmuesi i 25 golave, një si Nuabueze, që do të ndihmonte skuadrën jashtëzakonsiht”.

“Partizanit i kanë shënuar të gjithë, kurse ne i kemi me mesfushorë. Ka rikuperime, por nuk e di se si do të jetë situata e Harmon, Gjithë këtë fazë kemi aktivizuar shumë të rinj që i kanë dhënë pamje tjetër skuadrës, është diçka shumë positive”, – tha trajneri i Laçit, Shpëtim Duro pas ndeshjes me Tiranën.

/Vipsport.al/

Ura e Zogut, monument kulture që po rrënohet para syve tanë!

Shumë herë kjo problematikë është trajtuar dhe në disa media lokale dhe kombëtare , janë zhvilluar dhe protesta, janë bëre dhe peticione por asnjë reagim nga ana e institucioneve përgjegjëse. Nuk don shumë koment , është vërtetë e trishtueshme që kjo urë unike në vendin tonë e cila për gati një shekull lidhi gjithë zonën e veriut me pjesën tjetër…

Nga Edmond Brozi

Ura me harqe ose Ura e Zogut siç njihet nga të gjithë që prej dimrit që kaluam ka pësuar dëme serioze.Si pasojë e reshjeve të dimrit që shkoi njëra nga këmbet e saj është zhytur më shumë se një metër duke berë që i gjithë shtrati i urës të pësoje një deformim në kufijte e shembjes .Shkaqet dihen, nuk mund të ja lëmë fajin natyres, shirëra dhe stuhi ka patur edhe më të mëdha prej gati 100 vitesh nga sa bëri kjo urë që është ndërtuar, por është babëzia e marrjes së inerteve për 30 vite duke gërryer të githë shtratin e lumit Mat deri në afërsi të urës duke berë që dhe këmbët e saj të dëmtohen në themele.Kjo urë për kohën në të cilën u ndërtua dhe per teknologjine e perdorur ishte më modernet, jo vetem në shqiperi por dhe ballkan e Europe.

Ajo u ndërtua mbi lumin Mat në Milot, në harkun kohor të një viti nga Kompania Mazorana & Co. e përfaqësuar nga inxhinieri i vet zbatues Z. Erwin Schnitter dhe u inaugurua me 26 maj të vitit 1927. Projekti u realizua nga inxhinieri Gjovalin Gjadri (1899-1974), i cili u diplomua në Vjenë (Austri) në vitet 1912-1917. E ndërtuar me 6 (gjashtë) harqe, secili nga 54 m i gjatë, kjo urë e humbi njërin hark të saj më 20 nëntor 1944, ai u hodh në erë nga forcat gjermane që po tërhiqeshin nga Shqiperia për të ndërprerë komunikimin me forcat çlirimtare shqiptare.

U shpall monument kulture i mbrojtur nga shteti me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në vitin 1999. Por pas një rikonstruksioni që ju bë në ato vite dhe deri më sot askush nuk është kujtuar më për këtë urë. Ajo është lëne në harresë të plotë si nga ana e drejtorisë së përgjithshme të rrugëve (pasi tani nuk është më dhe funksionale për kalimin e mjeteve me ndertimin e rrugës së kombit) ashtu dhe nga ajo e monumenteve.Por si mos të mjaftonte marrja e inerteve nga kompani të cilat dhe në këto momente vazhdojnë aktivitetin e tyre fare pranë urës, edhe hapja e digave të hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit në mënyrë te pakontrolluar ka ndikuar shumë. Një dëm tjeter është bërë dhe nga njerëz të papërgjegjshëm të cilët duke perfituar nga indiferenca e shtetit , me mjete prerëse kanë shkëputur pjesë metalike të urës duke i shitur më pas për skrap.

Disa herë kjo problematikë është trajtuar dhe në disa media lokale dhe kombëtare , janë zhvilluar dhe protesta, janë bëre dhe peticione por asnjë reagim nga ana e institucioneve përgjegjëse. Nuk don shumë koment , është vërtetë e trishtueshme që kjo urë unike në vendin tonë e cila për gati një shekull lidhi gjithë zonën e veriut me pjesën tjetër të Shqipërisë , e cila dhe siç dhe e thamë i shpëtoi ushtrise naziste duke humbur një hark,( thuhet që ushtria gjermane e kishte minuar të gjithë urën por një ushtar italian i strehuar në Milot shkon fshehurazi dhe pret fitilat duke shpëtuar pese harqet e tjerë. Ai diktohet nga gjermanet dhe vritet) në vend që te ishte pjesë e guidave turistike është katandisur në këtë gjendje duke u shkatërruar e tëra. Prokuroria hesht ! Qeveria hesht! Të paktën kostoja e restaurimit të kësaj ure duhet të ju faturohet atyre kompanive që prej 30 vitesh dhe deri më sot vazhdojnë të marrin inerte në shtratin e lumit Mat. Eshtë vërtetë e dhibshme dhe e trishtueshme, duhet një ndërhyrje sa më parë tani në periudhën e veres pasi dhe një dimër tjetër kjo urë në këtë gjendje nuk do ta perballonte dot…

Ura e Zogut e sapondertuar Foto: Friedrich Walisch

Kisha e Shën Vlashit në Kurbin – E braktisur që prej komunizmit, banorët e restaurojnë vetë

Fillesat e kësaj kishe mendohet të jenë rreth shek. XIII-XIV. Me pushtimin e trojeve të Arbërisë nga Perandoria osmane kjo kishë u shkatërrua nga themelet dhe për shumë kohë mbeti gërmadhe. Ndërtesa që është sot në këmbë është rindërtuar në vitin 1859 me fondet personale të Sulltanit…Por në komunizëm, si shumë monumente të kultit u kthye në stallë bagëtish

Nga Edmond Brozi


Kisha e Shën Vlashit në Skuraj, Kurbin tashmë është restauruar prej vetë banorëve të zonës.
Prej gati një viti punë vullnetare, kisha është kthyer në identetit. Për inagurimin e kishes së rindërtuar dhe për të bekuar Altarin e ri ishte i pranishem vetë Arqipeshkvi i Tiranë-Durrës, Shkëlqesia e tij Imz. George Frendo, nderoi me pjesmarrjen dhe Imz. Giovanni Peragine Ipeshkëv i Administraturës Apostolike të Shqiperise së Jugut, më parë famullitar i Milotit si dhe Giovanni Nitti Famullitari aktual.

This image has an empty alt attribute; its file name is 4j1a1766-2.jpg

Kisha në fjalë gjendet në fshatin Skuraj në një lartësi afro 500 m. mbi nivelin e detit në një fushë të rrethuar me gjelbërim ku veçohen frashërat gjigand ku për shkak të madhësisë , lashtësisë dhe bukurisë së tyre janë shpallur monument natyre. Konsulli Austro-Hungarez Teodor Ipen në një udhëtim nepër Kurbin në vitin 1901 e përshkruan këtë vend: ” Fusha e Skurajt është një lëndinë me lule shumëngjyreshe ku tek sa shkel në të është më e bukur se sa një qilim Izmiri ” Kjo bukuri qëndron sot e kësaj dite në këmbë, por për fat të keq, mungon infrastruktura për ta vizituar këtë vend, pasi pamjet që ofrohen janë piktoreske dhe do ishtë një zonë tërheqëse për turistë të huaj dhe vendas nëse do merrte vëmendjen e shtetit.

Këtu ka qenë i vendosur dhe fshati i vjetër i Skurajt.  Kjo zonë mendohet ta ketë marrë emrin nga familja fisnike e Skurajt, e cila ishte ndër familjet më të shquara feudale në periudhën e mesjetës ku zotërimet e saj shtriheshin në gjithë Shqipërinë e mesme madje, deri në Oher. Kjo familje kishte stemën e saj, një ujk ngritur në këmbët e para dhe një zambak me tre fletë. Stema u gjet në Lezhë ( Kodër Marlekaj ), në oborrin e kishës së Zojës Nunciate, në një pllakë të madhe guri nga Teodor Ipen dhe ruhet në Muzeun historik kombëtar, në Tiranë. Me stemen e Skurajt identifikohet dhe bashkia e Kurbinit, ndërkohë që me vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 215, me 14 nëntor 2000 është miratuar dhe përshtatur si stemë e bashkisë së Tiranës sëbashku me kullën e sahatit. Në bazë të saj pra ka stemën e Skurajve, e cila ishte familja që sundonte Tiranën në Mesjetë. Duke iu kthyer kishës së Shën Vlashit ajo shënohet si e vetmja kishë e vjetër në këtë fshat e cila qëndron akoma në këmbë pasi shumë kisha të tjera tashmë janë vetëm në gjendje rrënojash.
Fillesat e kësaj kishe mendohet të jenë rreth shek. XIII-XIV. Me pushtimin e trojeve arbërore nga Perandoria osmane kjo kishë u shkaterrua nga themelet dhe për disa shekuj mbeti gërmadhe.
Ndërtesa që është sot në këmbë është rindërtuar në vitin 1859 me fondet personale te Sulltanit ( asokohe Sulltan Abdulmexhiti I ). Në një dorshkrim të tij që mban datën 31 maj 1859, Arqipeshkvi i Durresit, Imzot Raffael D’Ambrosio shkruan: “Unë Arqipeshkev Raffaeli bekova me shumë madhështi kishën e re të rindërtuar nga themelet me shpenzimet e Sulltanit të madh i cili dha dhjetë mijë piastra”. Pra, duket disi e çuditshme pasi kjo, me sa dimë është e vetmja kishë në Shqipëri e rindërtuar nga perandoria osmane. Kjo si formë dëmshpërblimi e asaj çfarë kishin bërë Sulltanët paraardhës por, dhe e një “armëpushimi ” me banorët vendas të cilët, herë pas here refuzonin pagesat e taksave dhe organizonin kryengritje. Kryengritje që në fakt vazhduan deri në shpalljen e pavarsisë. Me ndalimin e fesë shumë objekte kulti u shkatërruan dhe u fyen në mënyrën më të paimagjinueshme, dhe kjo kishë nuk bëri përjashtim, u bë stallë e qeve të kooperativës. Restaurimi i saj filloi para një viti me nismën e Famullitarit Giovanni Nitti, me kontributin e pushtetit vendor, World Vision etj. të cilët kontribuan në sigurimin e materialeve të ndërtimit. Por, ajo që nuk ka çmim është puna vullnetare e banorëve të zonës të cilët kanë punuar për ditë të tëra duke udhëtuar me orë në këmbë, në një kohë jo të zakontë për shkak të pandemisë së koronavirusit covid 19.
Eshtë rast për t’u marrë shembull se si kur njerëzit bëhen bashkë, falë punës, përkushtimit dhe besimit arrijnë gjëra të paimagjinueshme. Falë veprës së këtyre njerëzve të mirë kjo kishë dhe monument i trashëgimisë sonë kulturore i ardhur deri në ditet tona dhe qe banorët e kësaj zone kanë me të, jo vetem një lidhje shpirtërore por dhe historike do të vazhdojë të jetë e gjallë e të flasë dhe për shumë breza të tjerë…

Këtë e pëlqejnë %d blogues: