Telegrafikisht

IDE PËR ZHVILLIMIN STRATEGJIK TË RRETHIT TË KURBINIT- Nga Medi Gazi

IDE PËR ZHVILLIMIN STRATEGJIK TË RRETHIT TË KURBINIT

Kurbini me qendër qytetin e Laçit është një zonë shumë e bukur dhe e pasur natyrore. Zoti është treguar shumë zemërgjerë për gjithshka të mirë që i duhet njeriut për një jetë cilësore. Ka detin, lumenjtë, lagunën, fushën, kodrat, pyjet, malin; është pika nyje e lidhjes me rrugët kombëtare dhe ndërkombëtare; është periferi e kryeqytetit; ka afër portet e Durrësit dhe Shëngjinit etj. Investimet në disa objektiva strategjike dhe menaxhimi më i mirë administerativo qeveritar – local, do të sjellë rritjen e mirëqënies dhe cilësi më të mirë të jetës së banorëve. Disa objektiva strategjike mund të ishin:

I. KRAHINA E KURBINIT- NDERI I KOMBIT.

Për të argumentuar domosdoshmërinë e këtij prioriteti,që lidhet me kontributet, meritat dhe dinjitetin po po i referohemi disa fakteve.

Historia e Kurbinit përbën një nga faqet e lavdishme të historisë së kombit shqiptar, që ende nuk është shkruar plotësisht nga historiografia. Po përmendim disa nga më të rëndësishmet:

1. Gjergj Kastriot Skënderbeu në Kurbin kishte rezidencën e vet, shtabin, ushtrinë, vendkomandën falë edhe perfeksionit natyror të kësaj krahine, det, lumë, fushë, kodër, mal. Këtu Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk është thjesht një mit, legjendë. Ai është një realitet i prekshëm. Çdo gjë flet për të si të thuash është sendërtuar me figurën e tij. Ka shumë toponime si askund tjetër në hapësirën shqiptare psh: Mali i Skënderbeut, Kisha e Skënderbeut, Kalaja e fshehtë e Skënderbeut, Mulliri i Skënderbeut, Gurra e Kroi i Skënderbeut etj., etj,. Në kohën e Skënderbeut kishte dy miniporte, një në grykëderdhjen e lumit Mat që quhej porti i Shufadasë dhe tjetri tek grykëderdhja e lumit Ishëm tek Kepi Rodonit, nga ku bëhej tregëti nëpërmjet detit si dhe lëvizej për në Venedik për takimet e Gjergj Kastriotit me personalitetet Europiane të kohës, të siguruara këto nga kryediplomati i tij i kohës Pal Engjëlli dhe ambasador Gjon Gazulli. Ka patur doganë, kripore etj. Kurbinasit përbënin bërthamën e ushtrisë dhe gardën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Janë zhvilluar shumë beteja në këtë teritor ku më e rëndësishmja dhe me përmasa historike ndërkombëtare ishte beteja e Albulenës (1457). “Kanuni i Skënderbeut” apo i njohur si “Zakoni i Kurbinit” i mbledhur nga Frano Illia, ka mbi 3534 nene.

2. Mbrojti më shumë se kushdo tjetër fenë e parë të shqiptarëve, fenë katolike. Pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Kurbini u vu në qëndër të cunamit e të hakmarrjes së pashembullt osmane. Masakra të mëdha detyruan shumë familje, madje edhe fshatra apo pjesë të tyre të shpërnguleshin në vende të tjera si Durrës, Shkodër, Krujë, Itali dhe sidomos në Kalabri e Siçili. Fshatra të djegura disa herë, lehtësisht të dallueshme nga rrënoja të vendbanimeve të vjetra, ku

pjesë të banorëve të tyre më vonë janë rikthyer dhe kanë rindërtuar duke u spostuar brenda teritorit të tyre. Për gjithë këto djegie e shkatërrime nuk ka askund asnjë memorial kujtese. Këto masakra, të cilat natyrisht kanë qënë më masive dhe më të egra se askund në Shqipëri për shkak të mbështejes së bërë Heroit Kombëtar. Megjithatë kurbinasit rezistuan dhe nuk u mposhtën. Kurbini nuk lidhi ndonjë marëveshje me Portën e Lartë për administrim më vehte sikundër lidhën disa zona të tjera malore të vendit, ndërkohë që zonat e ulta bregdetare dhe qytetet u dorëzuan pothuajse plotësisht. Nuk u dëmtua asnjë kishë; asnjë gur nuk u lëviz dhe asnjë degë e thatë e drurëve dhe pemëve të pronave kishtare nuk u prekën kurrë, por u trajtuan si vende të shenjta të paprekshme, pavarësisht faktit të të kthyerit gati totalisht në fenë myslimane siç është rasti Shullazit (Shillazit) dhe Shemrisë në territoret e të cilave këto kisha nuk u dëmtuan. Përmendim kishën më të famshme shqiptare atë të Shnandojit në Laç. Kisha e Shën Prendes në Gallatë e cila ka qënë qendër e arkipeshkvisë së Durrësit, sikundër më pas qe edhe kisha e Delbnishtit. Pas fitimin të Pavarësisë rezultoi një raport besimi religjioz afërsisht rreth 60 % e më shumë katolikë. U zbatua një mekanizëm në kushtet e nevojës për mbijetesë ku një vëlla bëhej mysliman dhe një vëlla qëndronte katolik për të ndihmuar dhe mbrojtur njëri tjetrin, ndaj njëri prej tyre largohej në një fshat apo krahinë tjetër. Sot të gjitha familjet myslimane e dinë se prej cilit fis katolik e kanë prejardhjen dhe si e tillë vazhdon lidhja fisnore. Është unik rasti ku në disa fshatra si në Shëmri dhe Malbardhë me shumicë muslimane që kanë kishat e hershme në teritorin e sotëm të të tyre , festohet festat e shenjtorëve të tyre. Nga Kurbini kanë dalë figura të shquara ku më i madhi prej tyre, me famë botërore sikundër Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nënë Tereza është

PAPA KLEMENTI XI – GJON FRANÇESK ALBANI ( LAÇI).

Sipas disa studimeve ku veçohet ai i ì Engjëll Sedajt botuar në vitin 1998, theksohet: familja urbinase Albani e ka prejardhjen nga dy emigrantë shqiptarë, Gjergji e Filipi, dy djemtë e Mhill Laçit, dikur luftëtarë nën urdhërat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Aty, me nismën e Altobellit, të birit të Gjergjit, ata ndërruan mbiemrin e babait (Laçi, italisht de’ Lazi) në Albanesi. Në favor të tezës së Sedajt se origjina e kësaj familjeje është nga Laçi i Kurbinit nuk është përmendja thjesht e toponimit Laç, sikurse kanë vërejtur studiuesit e deritashëm, por fakti se në regjistrin kadastral osman të vitit 1467, në Timaret e vilajetit të Dimitri Gjonimës, konkretisht në fshatin Shillaz [Shullaz], del një familjar me emrin Pjeter Laçi. Prej këtej rezulton se origjina e Papa Klementit XI, Gjon Françesk Albani (Laçi) është nga Kurbini. Lidhur me disa pretendime të tjera që origjina e Papa Klementit të XI është nga Kelmendi apo Kosova, nuk paraqitet asnjë provë ku në këto krahina shqiptare në vitet 1400-1500 të kenë banuar familje me mbiemrin Laçi. Në kohën kur Papë për 21 vjet ishte Gjon Françesk Albani (Laçi) dhe njëkohësisht arkipeshkv i Durrësit ishte Pjetër Zymaj, u arrit që më 20 prill 1711 në kuvendin e Shën Pjetrit në Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskanë, hapet Katedra e parë e Gjuhës Shqipe, ndërkohë që në vitin 1703 u mbajt Kuvendi i Arbërit, ku përfaqësues i Kurbinit ishte At Martin Gjonima. Vlerësimi i figurës së Papa Klementit të XI (Gjon Françesk Albani-Laçi) me origjinë nga Laçi i Kurbinit nëpërmjet ngritjes së një busti në qendër të qytetit, por edhe në qendër të kryeqytetit, vendosja e emrit të tij për ndonjë rrugë apo shesh, do të përbënte ndoshta një hap shumë të rëndësishëm që nga ana e Papës së Vatikanit të merrej parasysh kërkesa e Kurbinasve dhe intelektualëve të këtij rrethi për ta shpallur qytetin e Laçit si Qytet të Shenjtë.

3. Gjatë gjithë periudhës së sundimit osman, pas vdekjes së Skënderbeut, Kurbini ka qenë në qëndër të luftës për pavarësi. Mund të nënvizojmë:

§ Për shkak se qeveria osmane nuk donte ti jepte kësaj krahine statusin e vetqeverisjes, konflikti ishte i vazhdueshëm. Në vitin 1570 shpërtheu kryengritja dhe popullsia e Kurbinit, e cila arriti që pas vitit 1600 të dëbonte spahinjtë, krahina fitoi të drejtën e vetëqeverisjes së brendshme në bazë të normave e zakoneve vendase dhe nuk u lejua sundimi i sanxhakbeut. Gjithashtu, krahina, fitoi edhe të drejtën që banorët e saj të mbanin armët kudo që të shkonin.

§ Një nga faqet e lavdishme të historisë së kësaj krahine, është ajo e luftës për Pavarësi Kombëtare në vitet 1900-1912, Kryengritja e Kurbinit (1903-1906), ishte një fillesë e Kryengritjes së Përgjithshme për Pavarësi me në krye Gjin Pjeter Pervizin, i cili pati mbështejen e drejpërdrejtë të mentorëve dom Nikollë Kaçorrit dhe At Shtjefën Gjeçovit, dhe Arqipeshkvit të Durrësit Prend Bardhit, së cilës iu bashkangjitën edhe krahinat fqinje. Dom Nikollë Kaçorri dhe Gjin Pjetri menduan të krijonin « …një besëlidhje ndërkrahinore, ide që u mirëprit edhe nga paria e Kurbinit», Për organizimin e kësaj kryengritje, u mbajtën në fshatin Delbnisht tre kuvende. Kurbini gjithashtu ju bashkangjit kryengritjes së lavdishme të malsorëve në bregun e Matës.

§ Bazuar në studimet e Haxhi Gocit, Hajredin Isufit, Kastriot Markut dhe Zef Pjetrit, rezulton se më 28 nëntor të vitit 1912, teksa plaku patriot Ismail Qemali ngrinte flamurin në Vlorë dhe shpallte pavarësinë e Shqipërisë, në të njëjtën orë të asaj dite, një tjetër patriot shqiptar ngrinte flamurin kombëtar në Milot të Kurbinit, ku ishin mbledhur përfaqësues dhe delegatë nga të gjitha krahinat e veriut të Shqipërisë. Ai ishte Gjin Pjetër Pervizi nga Skuraj i Kurbinit dhe flamuri që ngriti ai në Milot, ishte me porosi të Dom Nikoll Kaçorrit, krahut të djathtë të Ismail Qemalit. Vlerësimi figurës së Gjin Pjeter Pervizit dhe si rrjedhim e kryengritjes së Kurbinit, ndoshta nuk është bërë për arsye sikurse thekson studiuesi Pjetër Hidri se nipi i tij, gjenerali Preng Pervizi, në vitet 1943-1944 në kohën kur u bashkua Shqipëria me Kosovën, ishte Ministër Mbrojtje. Vlerësim duhet natyrisht edhe për figurat e arqipeshkve Pjetër Zymi dhe Prend Bardhi.

4. Për historinë e Kurbinit, kësaj krahine të lavdishme kanë shkruajtur shumë studjues. Mund të permendim At Shtjefën Gjeçovin, Frano Illinë, studjuesit e sotëm kurbinas Kastriot Markun, Vlash Prendin, Imer Hysën, Zef Pjetrin e shume e shumë të tjerë, vendas apo të ardhur. Zona ka historik të pasur me folklor, këngë, epose, balada. Ka shumë histori të përcjellë nëpërmjet gojëdhanave lidhur me faktin që në shumë fshatra të Kurbinit janë kryer masakra nga ushtria otomane. Të gjitha këto janë ende të pavërtetuara dhe të pacertifikuara nga historiografia jonë shkencore zyrtare, pra që nuk mund të merren si plotësisht të sakta. P.sh. banorë autoktonë të

qytetit të Laçit tregojnë për rrënoja banesash të shkatërruara nga osmanët afër varezave në drejtim të kishës së Shën Ndout. Interesante gjithashtu janë thëniet e banorëve të fshatit Shullaz. Sipas tyre është djegur gjithë vendbanimi i vjetër dhe shpërngulur gjithë banorët. Një pjesë e tyre më vonë janë rikthyer dhe ndërtuar banesat brenda teritorit të vet por jo atje ku kanë qene të vjetrat. Po sipas tyre dallohen qartë rënojat, themelet dhe teritori i vjetër. Është e domosdoshme të bashkëpunohet edhe me institutin e arkeologjisë, të nxiten ata për kërkime më të thelluara dhe ose të hidhen poshtë ose të certifikohen. Dhe n.q.s. rezultojnë të vërteta, që është shumë e besueshme, duhet të ngrihet një memorial që të vizitohet nga të gjithë ashtu si gjermanët e sotëm vijnë e vizitojnë memorialin e Borovës sonë martire të Kolonjës.

5. Bashkëjetesa kulturore, krahinore, religjioze. Tre komunitete kryesore të ardhurish dallohen në rrethin e Kurbinit: Komuniteti malsor (Eqrem Çabej: palca e racës shqiptare) me qytetarinë, inteligjencën dhe civilizimin e tyre, komuniteti mirditor me krenarinë e ligjshme të origjinës, zgjuarsinë e lindur dhe prakticitetin e vet si dhe komuniteti i Jugut të Shqipërisë. Të gjitha këto komunitete,duke përfshirë edhe dibranët, matjanët, krutanët, pukjanët etj., kanë një harmoni, traditash, besimesh, të folmesh, kulturash e zakonesh shumë të mirë bashkëjetese dhe integrimi, të lidhur me miqësi e shoqëri dhe kjo kryesisht për meritë sidomos të vendasve pritës, kurbinasve.

Ndërtimi i Muzeut Historik të krahinës si dhe mbrojtja dhe restaurimi i krejt monumenteve të tjera historike, kulturore, natyrore etj është e domosdoshme.

Si përfundim shtetit shqiptar:

Jepini Çezarit çfarë i takon Çezarit,KURBINI-NDER I KOMBIT.

II.VËNIA NË FUNKSION E BREGDETIT TË ZONËS SË KURBINIT, DUKE RIKUPERUAR PLAZHIN E PATOKUT DHE HAPJEN E PLAZHIT TË ADRIATIKUT (GODOLL).

Gabimi teknik i parikuperueshëm duke ndryshuar grykëderdhjen e lumit Mat, solli ndryshimin e gjithë konfiguracionit të bregdetit të Kurbinit. Ish-godinat e plazhit u përmbytën nga uji duke i nxjerrë jashtë funksionit. U krijuan laguna dhe ligatina të reja si dhe u dëmtua bregdeti në një vijë gjatësore prej 7-8 km. Ndërkohë vihet re krijimi i një brezi të ri ranor rreth 1 km nga brezi egzistues, mjaft cilësor dhe premtues. Për funksionalitetin e turizmit bregdetar të zonës së Kurbinit Patok – Adriatik duhet:

1. Ndërtimi i një rruge panoramike dhe funksionale në formë unaze, për qarkullim këmbësorësh dhe biçikletash,dhe mjete të lehta motorike, që të lidhë brezin aktual tokësor ku janë ngritur

restorante kulinarie dhe brezit të ri ranor që po krijohet në mënyrë të natyrshme, në një distancë prej gati 1 km thellësi.

2. Ndërtimi një rruge auto nga Gurëz – Alk – grykederdhja e sotme e lumit Mat, aty ku është krijuar një brez i ri ranor shumë premtues për zhvillimin e turizmit bregdetar.

3. Pjesa më e bukur, perspektivë e zhvillimit të turizmit bregdetar, elitar, është ajo e fshatit Adriatik (Godoll), në veri të Kepit të Rodonit, në një sipërfaqe lineare prej 6 km. Kjo sipërfaqe turistike prej afro 600 ha, ndodhet e kufizuar në jug me lumin Ishëm, në veri me kanalin kullues të ujrave të qytetit Laç, në lindje me fshatin Adriatik dhe perëndim deti Adriatik. Këtu janë të nevojshme këto investime:

Ø Ndërtimi i dy impjanteve të Përpunimit të Ujrave të Ndotura. Njëri për lumin Ishëm që grumbullon gjithë mbeturinat e një pjese të zonës së Tiranës dhe Fushë-Krujës dhe impjanti tjetër për pastrimin e mbeturinave që grumbullohen në kanalin kullues të qytetit Laç.

Ø Ndërtimi i argjinaturave mbrojtëse për lumin Ishëm, Drojë, dhe kanalin kullues të qytetit Laç.

Ø Ndërtimin e një ure mbi atë që quhet lumi fjetur dhe dalja në zonën bregdetare.

Një thirrje për pushtetarët: Kthejini Kurbinit Flladin e Detit dhe Erën e Malit.

III. RIKONSTRUKSIONI,PASTRIMI DHE VENDOSJA NË FUNKSIONIM TË PLOTË E KANALEVE TË VADITJES PËR FUSHËN E TERRITORIT TË KURBINIT.

Zona e Kurbinit është shumë e pasur me ujë, jo thjesht se lidhet me bregun e detit Adriatik, por edhe pse ka shumë ujra të ëmbla. Kufizohet dhe përshkohet nga lumi Mat, Lumi Ishëm, Lumi Drojë, Lumi Hurdhazës, të cilat janë pak a shumë të stabilizuara dhe mbrojtur me argjinatura.

Ka bazenin ujëmbledhës të ujit të pijshëm në Fushë Kuqe dhe Fushë Milot, më të madhin në Ballkan nga ku furnizohen me ujë jo vetëm Laçi por edhe Durrësi deri Rrogozhinë e Kavajë. Sistemi i rrjetit të kanaleve të vaditjes ka qenë krijuar për të ujitur një sipërfaqe toke shumë pjellore prej 10000-11000 ha që ka Kurbini. Duhet vetëm menaxhimi i magjistralit Milot Mamurras që merr ujin nga lumi Mat, hapja dhe rikonstruksion i pjesshëm i kanaleve të dyta dhe të treta. Paralelisht me të zgjidhet edhe statusi juridik i hipotekuar i rrugëve të parcelave bujqësore, që do të shërbejnë edhe për pastrimin e kanaleve, si dhe eleminimi i ndonjë problemi konfliktues të krijuar nga zbatimi i ligjit famëkeq të tokës nr.7501. Ky prioritet duhet të jetë emergjent kryesisht për një arsye tjetër. Në mungesë të menaxhimit të sistemit të ujitjes, fermerët privatë janë të prirur në hapjen e puseve në mënyrë artizanale. Pse hapen puset private? Për faktin se nuk ka ujë të pijshëm 24 orë dhe nuk funksionon sistemi i vaditjes. Por hapja e tyre mund të jetë një sinjal alarmi për dëmtimin e sistemit të ujit të pijshëm nëntokësor, që mund të çojë në prishjen e ekuilibrave të grumbullimit të ujit, mbylljen e kapilarëve të qarkullimit të tij deri në tharjen e plotë të puseve të ujit të pijshëm. Teknikët dhe inxhinierat e rrethit Kurbinit, por edhe ata të rajonit të Durrësit, duhet tu bëjnë të qartë drejtuesve në bazë dhe në qendër, të cilët në shumicën e rasteve janë të kualifikuar e shumta në shkencat sociale, pa asnjë lidhje me teknikën, mjedisin dhe natyrën, që mosmenaxhimi i hapjes së puseve të ujit përbën një rrezik mjedisor. Ka një projekt në proces të ndërtimit të një linje të re të furnizimit me ujë nga Fushë Miloti në Durrës me kapacitet 630 l/sek prurje,

me vlerë 36.7 milion €, që do të trefishojë sasinë e ujit për rajonin e Durrësit duke përfshirë edhe plazhin. Si pasuri kombëtare, natyrisht që regjimi i ujrave menaxhohet nga shteti. Por projektet duhet të jenë komplekse dhe gjithëpërfshirëse. E gjithë zona duhet të trajtohet si zonë e mbrojtur si pasuri me vlerë të lartë kombëtare. Jo vetëm të ndërtohet linja e furnizimit, por edhe të shikohet perspektiva e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së këtij bazeni, nëpërmjet pyllëzimeve, të rrugëve urbane, kanaleve të dyta dhe të treta të kullimit, vaditjes, ndalimi i ndërtimit të puseve artizanale etj.

Duhet pra furnizimi me 24 orë ujë në ditë e qëndrave të banuara të Kurbinit (Projekti për qytetin e Laçit është në proces), si dhe vënia në funksion të plotë e sistemit të vaditjes së tokës bujqësore.

IV. NDËRTIMI I NJË TELEFERIKU: LAÇ-KISHA E SHEN NDOUT-KALA E SEBASTES DHE REHABILITIMI I INFRASTRUKTURËS URBANE INXHINIERIKE.

Është për tu vlerësuar dhe ka një impakt shumë pozitiv, rikonstruksioni i shkollave egzistuese dhe ndërtimi i të rejave, procesi i ndërtimit të depos së re për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për qytetin e Laçit dhe procesi i sistemimit te prroit të qytetit i cili ka shkaktuar shumë dëme dhe fatkeqësi. Por është i domosdoshëm gjithashtu rikonstruksioni i plotë i rrjeteve të brendshme të infrastrukturës inxhinierike si: rrugëve urbane, rrjeti i kanaleve të ujrave të bardha e të zeza, rrjeti elektrik, internet, telefonik si dhe

fillimi i zbatimit të projektit të unazës së madhe të qytetit : Laç – Kisha e Shën Ndout – Selitë – Delbnisht – Shullaz – Laç.

Është e domosdoshme gjithashtu zgjerimi dhe rikonstruksioni i mbikalimit të Patokut, hyrje daljes nga superstrada për në qytetin e Laçit,që praktikisht është ndërtuar në mënyrë skandaloze,bazuar në koeficientin e trafikut të lëvizjes së mjeteve motorrike si dhe gjithë parametrave teknikë të projektimit dhe zbatimit.

Rrethi/Bashkia i/e Kurbinit me qendër qytetin e Laçit është rreth 40 km larg kryeqytetit dhe në kushte normale 30 minuta me makinë. Si shumica e kryeqyteteve europiane, brenda këtij perimetri, jo vetëm për distancën por edhe për vijueshmërinë gjeografike (Fushë Prezë –Fushë Milot), duhet të konsiderohet si zona suburbane apo periferia veriore e Tiranës. Gjithë projektet e zhvillimit perspektiv të kryeqytetit,por edhe të pjesës veriore të Durrësit duhet të përfshijnë rrethin e Kurbinit si pjesë studimore integrale.

Për zhvillimin e turizmit ekologjik dhe religjioz,është domosdoshmeri të ndërtohet një linjë civile Teleferiku: Laç – Kisha e Shën Ndout – Kala e Sebastes. Stacionimi mund të jetë tek stacioni i trenit por në varësi të hapësirës së mundësisë së parkimit të makinave private, nëpërmjet studimit të fizibilitetit dhe projektit të zbatimit mund të jetë si alternativë edhe Kodër Kulla apo hapësira e ish-uzinës së superfosfatit.

Dihet që për çdo vit vijnë gati mbi 1 milion pelegrinë tek kisha më e famshme mbarëshqiptare, Kisha e Shën Ndout Laç. Ndërtimi i linjës së ujit të pijshëm dhe pyllëzimi i hapësirës së kalasë së Sebastes, nëpërmjet linjës së teleferikut, Laç-Kishë-Kala, do të bëntë të mundur shtimin e turistëve, zhvillimin e bizneseve dhe si rrjedhojë rritjen e të ardhurave dhe cilësi më të mirë të jetës së banorëve të kësaj zone të lavdishme dhe të mrekullueshme të denjë për t’u vizituar e shijuar sikurse e meriton.

Ing. MEDI GAZI

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: