Telegrafikisht

Familja Qypi e Kurbinit dhe Masakra e Bushneshit

Nga Dalip Greca
( Rrëfim i Bardhok Ndreut )

Sigurimi i dha Zefit helm që të helmonte Mark Pirolin

Por prapë nuk na u ndanë hallet me qeverinë. Hetuan një djalë të Gjergjit, vazhdon Bardhoku rrëfimin e historisë me plot të papritura të familjes Qypi… U akuzua se kishte furnizuar me bukë komitët që donin të rrëzonin komunistët. E kapën e çuan tek Nuri Luçi, e torturuan pastaj e ftuan për bashkëpunim. I kërkojnë që të priste në besë komitët që kishte ushqyer me bukë. Për këtë qëllim i dhanë helm që të helmonte Mark Pirolin. Në të vërtetë, ai i sigurimit, e kishte të vetin Mark Pirolin, por mbi të gjitha kishin besë ideologjinë e komunizmit… E merr helmin dhe nënshkruan një deklaratë, ku shkruhej e bardha mbi të zezë: Nëse për dy javë nuk helmohej ose vritej Mark Piroli, Zefi do të pushkatohej. E porositën që në shtëpi të mos tregonte asgjë, ndryshe e priste plumbi.

Kur erdhi djali në shtëpi u tregoi njerëzve të shtëpisë fill e për pe’ bisedën që kishte pasur me ata të Sigurimit, për kushtet që i kishin vënë ata. Pasi u tregoi fill e për pe’ gjithçka, kërkoi mendim në kuvendin familjar: Ç’të bëj tani? Ç’ka të bëjmë? A të frikemi a të marrohemi?-pyetën më të moçmit. Familja mori vendimin që të mos marrohet, pra të mos priten në besë komitët që qenë ushqyer me bukë. Vendimi qe i formës së prerë: Të arratisemi nga shtëpia, të shkojmë në mal, atje ku sigurimi nuk ngjitet!

Dolën në mal, Bardhoku, Gjergj Nikolla me djalin, Zefin, Marku, djali i axhës tjetër, kushërinjtë e Bardhokut, Ndue e Pal Lala. Pra gjashtë vetë vendosën që t’i kundërviheshin qeverisë duke u ngjitur në mal.

– Si kaloi jeta e malit?, e pyes Bardhokun.

– Me halle të mëdha, strehë kishim qiellin, shtrojë kishim tokën. Zoti e bëri kiamet atë dimër, dëborë e madhe, acar. As bukë nuk kishim. Bazat, ç’kohë vinte, zvogëloheshin. Sigurimi u xhindos. Ne kishim dalë grup i madh dhe për propagandën komuniste ky ishte një dëm i jashtëzakonshëm… Inati i qeverisë u zbraz mbi të pafajshmit; familja u internua sërish në Tepelenë, në kampin e vdekjes. Forcat e sigurimit kërkonin gjurmët e grupit armiqësor që kishte guxuar të sfidonte shtetin. Natë e ditë Forcat e ndjekjes kërkonin nëpër male e ndër shpella, por pa arritur dot tek foleja e çetës me 6 kundërshtarët e regjimit. Ata i ndiqnin këmba-këmbës. Në majë të Malit të Trolles sigurimit nuk i shkonte mendja se njerëz normal do të rrezikonin të jetonin në atë dëborë me shumë shtresa e në atë të ftohtë kallkan.

– Pikërisht atje në majë mali ndërtuam një kasolle dhe për tre muaj sikur u ndjemë rehat, kujton Bardhoku. Por një ditë aty u ngjitën dy të panjohur. Nuk u kuptua të kujt qenë, të Sigurimit apo gjuetarë të rastësishëm, mëdyshet në kujtesën e vet Bardhok Ndreu. Nuk di ç’të them, përsëdytet ai duke u përpjekur të largojë mjegullnajën e kujtesës, pastaj shton: Por i pa roja jonë dhe ata ikën, si duket u trembën për vete. Sidoqoftë, kjo vizitë e papritur na dekonspiroi stanin, të cilit ne i vumë zjarrin dhe e braktisëm rreth marsit të vitit 1950.

– A u ndeshët ndonjë herë me Forcat e Ndjekjes?

– Jo vetëm një herë, shumë. Ja një rast: Sa kemi dalë në një kryqëzim rruge që vinte nga Gjormi, kryqëzim me rrugën tjetër që vinte nga Laçi, u ndodhëm në një situatë të vështirë. Gjergji më nxiti që të dilnim, edhe pse ishte shpejt. U ndodhëm ballë për ballë Forcave të Ndjekjes. Kërciti pushka. Ishte pyll. Ne dredhuam dhe u humbëm sysh, por ata vazhdonin që të shtinin; dukej se luftonin me njeri-tjetrin se ne kishim kaluar me kohë.

Në të vërtetë ne nuk tentonim të vrisnim njeri, donim thjesht që t’i shpëtonim ndjekjes së tyre.

– Një herë tjetër ishim afër Laçit, në Tribnisht, edhe aty krisi pushka e ashpër, por shpëtuam. Ishte natë shtatori i 1950-ës, kujton Bardhoku.

Takimi me Alush Leshanakun

– Ju kujtohet se kur dhe në ç’rrethana u takuat me Alush Lleshanakun?

– Si jo?!, gjallërohet Bardhok Ndreu. Më 25 maj 1950 ka ardhur Alush Lleshanaku. Ne ishim në malet e Kurbinit.

– Alushi ishte i vetëm?

-Jo, ishte Alushi, Gjon Gjinaj, Pashko Suma, Pjetër Gjoci, Ndue Gjergj Lleshi, Luk PërZefi. Jemi takuar në Mal të Bardhë. Alushi kishte qëllim që të priste radion dhe materiale të tjera. Pra kërkohej një vend i përshtatshëm që të bëhej një zbarkim dhe ne duhej ta siguronim. Gjergji thotë se nuk ishte e arsyeshme që zbarkimi të bëhej në Kurbin sepse Tirana ishte jo më shumë se 2 orë larg dhe vinin shpejt përforcime të ushtrisë dhe gjithçka dështonte. Me këtë logjikë edhe Alushi pranoi që të mos bëhej zbarkimi aty. Atëherë u vendos që të bëhej në tjetër vend dhe një pjesë prej nesh duhej t’i shoqëronte mysafirët. Shkova unë, Pal Lala, Zef Gjergji. Kemi ecur drejt Shesh-Ulzës. I kemi ra përreth Kthellës. Kemi zënë vend me gjithë mysafirët. U bë lidhja me radion. Atë ditë që është bërë lidhja me radio, po atë ditë është marrë sinjali nga sigurimi dhe është derdhur ushtria si miza lisi për rreth nesh. Gjithë Rajoni, Mat-Mirditë, zona e Kthellës është futur në darën e sigurimit, i cili i ka bërë tre rrethime zonës. U ndodhëm në një situatë të vështirë; bashkë me të ardhurit ishim 4 pjesëtarë të çetës së Kurbinit dhe tre të Mirditës. Nga 5 maj 1950 deri me 15 qershor 1950 vazhdonim të ishim me Alushin. Sidoqoftë sinjali ynë ishte marrë nga qendra dhe aeroplani erdhi në mbrëmje rreth orës 10.00. Pritej që të hidhej radio e Alushit. Sa u hap parashuta e parë pasi ne kishim ndezë zjarret, ka mbërritur ushtria e sigurimi. Dukej se ata nuk donin të qëllonin natën, prisnin agimin, që t’ia nisnin betejës me sy çelë. E vetmja shpresë jona ishte se forcat e sigurimit ishin të shumta dhe mund të asgjësonin njëri-tjetrin. Sidoqoftë ata e mbajtën rrethimin. Nga ana tjetër ne u vumë në kërkim të materialeve të zbarkuara nga aeroplani. Mbaj mend se kishin parashutuar edhe një grup kosovarësh, thoshin se ishin dërguar nga Xhaferr Deva.

-Ju kujtohen emrat?

– Po. Riza Alia ishte komandant i grupit, ishte prej Prizreni, Beqir Bajgora prej Peje, Ahmet dhe Shaqir Kabashi, dy kushërinj, Destan Berisha, që mund të jetë diku gjallë ende. Shaqiri ka qëndruar në Bufalo. Ishte dhe Hajredin Vuciterna. I kam parasysh si tani sepse kam qëndruar gjatë me ta. Ky grup do të shoqërohej prej Alushit drejt Kosovës. Gjetëm një pjesë të mallit: 6 marshina (tip pushkësh angleze, automatike, me 30 fishekë). Gjetëm bomba italiane, fishekë, ilaçe.

– Po radio që priste Alushi, a u gjet?

– Po, e gjetëm. Radion e Alushit e fshehëm në një masë me misër, (misrin e kishin sjellë fshatarët për ta fshehur nga sytë e qeverisë që të mos u sekuestrohej a të mos u tatohej nga qeveria komuniste).Aty futëm ne dhe parashutën së bashku me radion e Alushit…

Beteja e ashpër e Sheshit të Shtjarthit, vrasja e Ali Rizait

– Morëm materialet dhe përpiqeshim të lëviznim ngadalë nën hundën e forcave të ndjekjes. Ishim jo më larg se 10 m prej ushtrisë, por ishte errësirë, nuk e shihnim njeri-tjetrin. Me gjithë kosovarët 16 vetë. Të gjithë së bashku nuk mund të iknim, atëherë u ndamë në grupe. Nën shoqërimin tonë duhej të ishin mysafirët. Kosovarët nuk orientoheshin fare, nuk e njihnin terrenin. U ndamë në grupe të vogla, ku në secilin grup kishte nga një prej nesh që njihnim vendin. Sa kemi ecur 200 metra, kemi ra në zjarrin e armëve. Nuk e mendonim se i kishim forcat përpara. Ka filluar pushka në tetë të mëngjesit, betohem se nuk e ndjenim nëse ishin krismat tona apo të forcave të ndjekjes. Kemi rrafshuar një mal me fishekë. Aq e madhe u bë masa me gëzhoja sa nuk shihnim dot përpara. Armët tona, vërtetë ishin të pakta numër, por zjarri qe i fuqishëm. Gjon Gjini, propozoi që të lëviznim, sepse ata mund të na kapnin të gjallë. S’kemi ecur më shumë se 100 metra, kur kemi hasur një perde të dendur zjarri, që nuk merrej vesh se nga ç’anë vinte. Nga të gjitha anët krisma automatike. Zjarri ishte i rreptë. Kosovarët luftonin trimërisht, por në zjarr e sipër mbetet kapedani Riza Alija, ai kishte në shpinë radion, me vete kishte dhe 800 napolona flori(më duket se ato iu mbetën komunistëve). E ka pa Zefi dhe ka kërcyer për ta ndihmuar, 20 plumba ka marrë kapota e tij. U vra dhe Pashku. Të vrarët mbetën në fushën e luftës. Një plumb e mori dhe Alushin. U plagos, por nuk qëndroi… Ishte trim djali. Nuk bënim dot hap pa u ndeshë me ushtarët e ndjekjes. Pas 100 metra u plagos Gjon Gjinaj. Dolën dy kushërinjtë e mi, u thërras të ndihmojnë Gjonin. Dy gryka pushkësh më dolën përballë. U tregova më i shpejtë, qëllova para tyre, nuk e di, por më pas më thanë se kisha palosur një duzinë prej tyre…

– Bardhoku është modest, nuk flet për heroizmin e vet, ndërhyn në bisedë Ndrec Gjergji. Bardhoku e tregoi veten sidomos në betejën e Fushë Shtjarthit në Mirditë. Lufta vazhdoi gjatë; Gjon Gjinaj dhe Alush Leshanaku u plagosën; Zef Gjergji mori plagë; kapedani Riza Alija dhe Pashko Suma humbën jetën; një pjesë e shoqëruesve shpërndahen. Bardhoku mbetet me të plagosurit dhe grupin e kosovarëve. Ai tregohet trim, u bën thirrje shokëve:Burra të mos koritemi; të luftojmë deri në fishekun e fundit; të mos lëmë në dorë të komunistëve të plagosurit dhe jabanxhinjtë! Kur e pa se një pjesë e shokëve i qe shpërndarë, ai iu drejtua dy kushërinjve; Pal Lalës dhe Zef Gjergjit: Nuk do të marrohemi, do t’i shpëtojmë të plagosurit! Dhe prinë i pari e çan rrethimin.

Për këtë betejë, Ndue Llesh Gjergji ka pasë ngritë një këngë:Tash po vin’ retë e Kurbinit/ Si rrufeja shkrep prej qiellit/ Bardhok Ndreu dhe ai Ndue Gjergji,/ Ay Pal Marku dhe Zef Gjergji/ Dy shpi të ndershme në Kurbi/ Të përmenduna në histori/ Shpia e Qypit dhe e Gjin Pjetrit/ Qysh në kohën e Gjin Mjetit/ Kanë luftue kundra dauletit/ Vra dhe djeg ushtrinë e Mbretit…

Dalja prej rrethimit, kthimi në Kurbin

Rrëfimi i Bardhok Ndreut ndjek ngjarjen: Më pas i shpëtuam grykave të zjarrit. Etja na thau e na shkrumboi. Pas pak ramë në një përrua dhe shuam etjen, por zjarri vazhdonte nga të dy anët pa ndërprerje. Ne u kishim shpëtuar nga sytë forcave të ndjekjes, por ata qëllonin me tahmina, rrezik ngatërroheshin me zjarrin e njëri-tjetrit. Ishin mijëra gryka zjarri, kishin ardhur përforcime nga rrethet fqinjë dhe nga Tirana. Kemi qëndruar të fshehur aty në përrua nga 8 e mëngjesit deri në 2 pasdite. Më pas kemi ecur vetëm këmba-dorazi, herë -herë zvarriteshim. Nëse do të na zbulonte njeri ashtu siç ecnim ne, jam i bindur se do të na qëronte sa kishim mbetur. Dolëm në një lëndinë, por nga pas dëgjonim zjarrin që s’kishte të pushuar. Siç duket luftonin me sho-shoqin ata të ushtrisë, ne qemë larguar shumë larg prej andej. Duke qenë se pozicioni ynë dominonte mbi ata që luftonin, e kishim fushën e luftës në pëllëmbë të dorës. Shihnim ushtarët që lëviznin të maskuar, pa ditur ata se ne kishim një orë që i qemë larguar përroit dhe fushëbetejës. Kosovarët, që kishin luftuar si luanë, tash dukeshin të lodhur, mezi mbaheshin në këmbë. Pushkët, gati po u binin duarsh. Ne ishim mësuar me jetë mali dhe nuk e ndjenim aq lodhje. Sidoqoftë duhej të vazhdonim, ndryshe mund të binim në sy dhe rrezikonim. M’u ndanë katër shokë.. Ndue Gjergji, që e njihte vendin mirë, Pjetër Gjoci, Luk Perzefi, dhe Prenga nga Kthella. Ndoshta na ndau pushka, ndoshta…. Unë mbeta me dy kushërinjtë e mi, me Pal Lalën dhe me Zef Gjergjin, ndërsa Gjin Gjoni që ishte i plagosur së bashku edhe me Alushin, nuk po e jepnin veten. Nuk e di sa ditë u bënë që ndiqeshim këmba-këmbës nga Forcat e Ndjekjes. Më duket se kishte hyrë qershori. Derisa u err dëgjohej pushka atje poshtë në përrua. Më thotë Gjin Gjoni: Si me ia ba Bardhok?

Unë isha i ri, nuk ndjeja lodhje dhe isha i gatshëm që t’i ndihmoja. Ai më kërkon që t’i përcillja deri në Rrëshen, me u kthye andej nga Kthella, me shku në Mirditë, deri diku në Fushë të Lumit. Kjo ishte e pamundur, ushtria asaj ane ishte miza e lisit.

– Gjon, i thashë, për tërmal, për Zotin nuk mund të përcjell asnjë dekik, se nuk kam njerëz të besës që të mbështetem, nuk kam baza. I thashë se në Rrëshen kam dajat Mëlyshtë, Pal Mëlyshin me vllazën, por unë kam 3 vjet që nuk ua kam parë derën, s’e di, a janë ba komunista, a ç’dreqin janë ba, kështu që nuk kam besim që të çoj andej. Për tëposhtë, (ishim larg prej Kurbinit, 6-7 orë) po qe për Kurbin nuk të lë vetëm, të çoj ku të duash. U vendos që të shkonim andej nga propozova unë. Sapo u err mirë ia nisëm marshimit. U priva. Kemi dalë tek K. Dervenit. Sa kemi dalë atje zbardhi drita. Ishim të lodhur, bukë s’kishim as një kore. Kur u err zbritëm poshtë, në Shkopet. Ramë në lumin Mat. Mbaj mend se si Alushi, filloi të lahej me gjithë rroba. Sa dha ballë drita, për fat na erdhën ca bagëti aty afër. Kapëm një berr dhe e therëm pasi ia paguam bariut. Na duhej ujë. E njihja vendin. Duhej të vazhdonim. U prina. Ishte një shkallë që duhej të ngjiteshim. Jam ndarë me Palin, ai i binte në njërën anë, unë nga ana tjetër dhe kontrollonim kështu të dy anët. Shkallën e kishim në mes. Pali i ka parë rojet nën rrezet e hënës. Ka qit pushkë . U afrua tek unë; i fola: – Pse qite pushkë? Ai ma ktheu: Partizanët, more, ushtarët…!

Alushin, Gjonin dhe pesë kosovarët i kishim lënë pas, ne ishim pararoja. Po lindte dielli. Kur na dolën dhe tre partizan; ne i kishim si në pëllëmbë të dorës, ata nuk na shihnin. I qëlluam; dy i vramë, një u plagos. Vazhduam, iu ngjitëm malit këmba – doras. Dolëm tek Mali Trolles, ku ndanë Mat e Kurbin. Aty gjetëm ujë. Pimë dhe u freskuam. Kishte ardhur nata. Ecëm, arritëm në Skuraj, katundi i Preng Previzit. Dy kushërinjtë aty kishin baza. Ua dhamë emrat e bazave, ku të merrnin bukë dhe ushqim. I Çova në Shën Mëri, kosovarët, Alushin dhe Gjon Gjinajn. Atje ishte një gurrë me ujë të ftohtë, u lanë , u rruan dhe u bënë si njerëz. Një bari, që e njihja kishte nxjerr dhitë në kullotë. Sa më pa thirri i habitur:-Po ti gjallë qenke , o Bardhok?

– Pse, ç’ka ndodhë?-e pyeta.

– U ba nami, he burrë, ka zbarkuar ushtria dhe policia. Ka kris pushka ditë e natë. Ka 7 ditë që ushtria është duke qit pushkë dhe për shtatë ditë ushtarët ushqehen në vijë të luftës. Po si bre paskit shpëtuar, he burra trima që paskit qenë!

Ndërkohë ai preu një dhi, e poqëm. U kthyen dhe kushërinjtë që sollën bukë e furnizime të tjera, dhe u ushqyem. Na duhej të ecnim përmes një zone të mbushur me ushtarë. Kishim lënë takim me shokët tanë të Kurbinit. Qe bërë një muaj që qemë ndarë me shokët tanë, nga 25 maj me 21 qershor. U takuam edhe me shokët që qenë ndarë në mënyrë të papritur në kohën e betejës së Sheshit të Shtjarthit; Ndue Lalën, Preng Lleshin, Ndue Gjergjin, Luk Perzefin.

-Ç’ndodhi me mysafirët që kishit në shoqërim?

– Deri më 19 korrik i mbajtëm aty, në bazën tonë, në Mal të Bardhë.

Kur Alush Lleshanaku hyri në kinemanë e Tiranës

– Ndonjë mbresë nga takimi me Alush Lleshanakun?

– Alushi ishte shok besnik, gojëmbël, edhe me një fëmijë bisedonte sikur të kishte përpara një burrë. Alushi ishte trim mbi trimat, nuk i trembej syri. Për të tregoheshin gjëra të pabesueshme në popull. Ka shumë rrëfenjë për të. Erdhi shpesh herë në Shqipëri. Më tregonte vetë një herë se kishte shkuar prej Urës së Zogut, përmes rrugës së makinës, drejt e në Tiranë. Veshur me shallvare elbasanase, një çantë në shpinë, ku mbante veglat e punës, bishti i një çekiçi dukej jashtë. Jam murator, thoshte, bëj shtëpi nëpër fshatra. Ai ishte aq trim sa ka hyrë edhe në kinema, ne mes të Tiranës, pa u kuptuar nga forcat e sigurimit, të cilët e kërkonin nëpër male e nëpër shpella. Dhe kjo nuk ndodhi një herë e dy, po shumë herë. Automatikun nuk e hiqte nga vetja, e mbante ngjitur pas trupit.

– Ju thatë se edhe Alushi u plagos, ku ia mjekuat plagët, ndërhyn në bisedë Hysen Blloshmi, që ndjek rrëfimin e Bardhokut.

– Aty në mal e mjekuam. Gjergji e mjekonte, Gjoni ia ndërronte plagën.

– Po ilaçet ku i merrnit?, këmbëngul në pyetje Blloshmi.

– Ilaçet i merrnim tek Marka Zefi. Ai ishte ende në punë, punonte infermier në Milot. Është koha kur sigurimi ende nuk i kishte rënë në gjurmë, nuk kishte zbuluar se ai mjekonte komitët që vinin për të rrëzuar qeverinë. Marka Zefi ishte infermier i zoti dhe vazhdonte të punonte për shtetin.

– Kur dhe si u largua Alushi nga ju?, e pyes Bardhokun.

– Me 19 korrik, kam marrë Palin e Zefin dhe e kam përcjellë Alushin deri në kufindarje me Kurbinin; i dhamë me vet një dele të pjekur, 12 kg miell misri, ujë dhe u ndamë në Rubik. Nuk u takuam më dhe nuk dinim se çfarë ndodhi më vonë. Në New York kam takuar Gjon Gjinaj, kam takuar dhe një herë Shaqir Kabashin, Destan Berishën, dhe më tej s’di gjë. Mësova më vonë se Ahmet Kabashin e vranë, Haredini ishte dorëzuar, Beqir Bajgora është vra, edhe Gjon Gjinaj u vra këtu në Amerikë….Ndërsa për Alushin e mësova vonë vdekjen me kurth…

Beteja e Bushneshit dhe rrethimi me tradhti i Nikollë Gjergjit

Çetat antikomuniste ishin rralluar shumë në malet e Shqipërisë. Forcat e Ndjekjes dhe ato të Sigurimit po dilnin fitimtarë të ndihur edhe nga sovjetikët e sidomos agjenti i tyre në Uashington, anglezi Kim Philbi. Shumë prej atyre që vinin nga jashtë binin drejtpërdrejtë në duart e sigurimit shqiptar. Gjergj Nikolla, që pat zgjedhë qëndresën në malet e Kurbinit dhe jo arratisjen jashtë Shqipërisë, vazhdonte të qëndronte e të mos i dorëzonte armët. Ai i pat kapërcyer të gjithë kurthet që i qenë ngritur , por me 5 maj 1952, i tradhtuar, rrethohet në Fushën e Bushneshit në Mamurras. E gjithë çeta e tij e përbërë prej 7 vetash ishte futur në një darë të hekurt rrethimi. Gjergj Nikolla së bashku me Pjetër Lala, Gjon Lok Piroli, Pjetër Marku, Gjok Pali, Gjon Perjaku dhe Bib Brahja, nuk iu përgjigjën thirrjes për t’u dorëzuar. Ata qëndruan trimërisht me besë për të luftuar deri në vdekje. Ka shkruar për aktin trimëror të kësaj çete dhe komandantit të saj, Gjergj Nikoll Ndreu, edhe Mark Dodani, i njohur për librat për sigurimin dhe skenarët e filmave me diversantë, i cili nuk ka mundur ta fsheh aktin trimëror. Çeta rrethohet në mënyrë të trefishtë; tre kordonë forcash të sigurimit dhe të ushtrisë ishin vendosur njëri pas tjetrit. Rrethimi ishte realizuar në një vend të vështirë, terreni ishte fushorë, s’kishte afër as kodra as pyje. Çeta arrin që të luftojë edhe të bëjë disa gropa që t’u fshihej plumbave që binin si breshër. Mitralozat dëgjonin gjithandej. Zëri i Gjergj Nikollës u jepte zemër shokëve. Ai u përcillte kurajë bashkëluftëtarëve me thirrje kundër komunistëve. Tashmë e ka të qartë se ka ardhur akti i fundit i luftës së tij. Kronikani i kohës ka përcjellë çastet e kësaj beteje, kur Gjergj Nikolla thërriste: Poshtë komunizmi! Poshtë Enver Hoxha! Rroftë Shqipëria, poshtë këlyshët e Rusisë! Lufta ndizet e rreptë, përforcimet nga Tirana vazhdojnë të vijnë. Dëmtimet në radhët e ushtrisë, e cila ishte shumë e ngjeshur, sa vinte e shtohej. Mitralozat e rëndë siç dukej qëllonin forcat përballë; vrisnin njeri-tjetrin… Për më shumë se 20 orë lufta mbetet e ndezur. Thonë se luftën e drejtonte përmes telefonit vetë Mehmet Shehu, ish Ministri i Mbrojtjes, i cili po nervozohej me oficerët e vet: Si nuk po arrini të asgjësoni një çetë me 7 vetë?! Ç’qenka ai Gjergj Nikolla?!Ai urdhëron futjen në luftë të aeroplanëve bombardues. Por edhe kjo përpjekje shkoi kot, pasi çeta dhe rrethuesit ishin pranë e pranë. Ishte i pamundur bombardimi. Atëherë u vjen radha tankeve, të cilët gjëmojnë në fushën e betejës. Kur mbërritën tanket, Gjergj Nikolla e pa se çetës i erdhi fundi. Ai jep urdhër për sulmin e përfundimtar, sulmin e vdekjes: Në sulm, për jetë a vdekje! Sulmi qe i fuqishëm, ashtu siç mund të jetë një përpjekje për të sfiduar vdekjen, që kishte zgjatur thonjtë e përgjakur për të rrëmbyer jetët e të shtatëve. Kalohet rrethimi i parë, por në të dytin, plumbat vërshojnë nga të gjitha anët dhe përplasen në gjoksin e komandantit të çetës, Gjergj Nikolla. Thuajse të gjithë ishin plagosur. Pjetër Llesh Lala, i kushëriri, i thotë Gjergjit se nuk do të ndahet nga ai as në vdekje dhe me një plumb vret veten, pa rënë i gjallë në dorën e sigurimit. Pjesëtarët e tjerë të çetës kapen të gjallë. Gjon Lok Piroli varet në litar në Milot, të tjerët dënohen me burgim të përjetshëm.

***

Ja kjo ishte një copëz nga historia e familjes antikomuniste Qypi, e cila u përgjak me komunizmin. Ajo i ka dhënë nacionalizmit djemtë e saj më të mirë, ndërkohë që një pjesë prej tyre u detyruan që të largohen nga Atdheu dhe të emigrojnë në dhera të huaja, një pjesë këtu në SHBA.

Ja pjesëtarët e familjes Qypi, që janë të vrarë nga komunizmi:

1. Gjergj Nikolla, vrarë më 5 maj 1952

2. Prend Gjergji, vrarë më 24 korrik 1948

3. Zef Gjergji, vrarë më 20 qershor 1951

4. Marka Gjoni, vrarë më 20 qershor 1951

5. Kole Gjoni, vrarë më 10 nëntor 1951

6. Jak Mark Lala, vrarë më 10 nëntor 1951

7. Pjetër Llesh Lala, vrarë më 5 maj 1952

8. Mark Preng Ndreca, varrë në tetor 1947

9. Nikollë Ndreu, vdes në moshën 84 vjeç në burgun e Tiranës.

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: