Laçi humb 0-1 në shtëpi. Tiranën e nderon supergoli i Bathës

Klevis Hima drejtoi Laçin në takimin e sotëm ndaj Tiranës për shkak të mungesës së Stavri Nicës, i cili ka probleme shëndetësore. Bardhezinjtë u mposhtën 0-1 nga bardheblutë, humbje që ka sjellë mërzi te kurbinasit. Zv trajneri i Laçit foli shkurt pas ndeshjes në emisionin “Gol pas goli” për Supersport. “Kemi mërzitje shumë pas kësaj ndeshje, sot nuk kishim fat. E kishim për ta fituar ndeshjen, por nuk ishte fati me ne. Shtohet mërzia ta humbësh ndeshjen për një goditje në portë.”
“Pauza e bojkotit na solli shumë problematika. Po të vazhdonte kampionati direkt do të ishim shumë më mirë, por na dëmtoi shumë pauza.”
“Pakult trajneri i ri i Laçit? Unë bëj punën time, jam zv trajner te Laçi, kjo është pjesë që i përket drejtuesve“, deklaron Hima pas ndeshjes me Tiranën.”
Nderkohe Nevil Dede ia ka dalë sot të marrë fitoren e parë në krye të Tiranës. Këtë e ka bërë në një fushë mjaft të vështirë siç është ajo e Laçit dhe në fakt ndeshja për kampionët në fuqi rezultoi shumë e fortë. Tirana rrezikoi në pjesën e parë të shkonte në disavantazh teksa iu akordua një penallti në disfavor. Megjithatë, portieri Visar Bekaj hipnotizoi sulmuesin Kirian Nuabueze duke e ndalur dhe dërguar sferën në goditje këndi.
Nuk kaluan shumë minuta dhe bardheblutë gjetën golin. Ishte një perlë e Idriz Bathës nga një goditje në hyrje të zonës duke e dërguar sferën në trekëndësh, teksa nuk kishte shans për portierin Sherri megjithë zgjatjen e tij.
Kështu u mbyll e para, ndërsa në fraksionin e dytë, loja ishte e përqëndruar te dyluftimet, teksa Tirana ruante rezultatin dhe Laçi që kërkonte barazimin. Por, Tirana rezistoi deri në fund, falë edhe ndërhyrjeve të Bekaj e mori tre pikë shumë të rëndëishme. Pas këtij suksesi, Tirana ngjitet në kuotën e nëntë pikëve, ndërsa Laçi mbetet me shtatë pikë.
Lini një Përgjigje