Telegrafikisht

Kurbini- Historia e panjohur që nga mesjeta deri në ditët tona, me doket, zakonet, traditat dhe harmoninë ndërfetare të popullsisë heterogjene të tij.

Nga Ymer Hysa

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Kush është Kurbini, sa e njohin njerëzit këtë krahinë, ç’vlera historike dhe etno-kulturore përcjell ai, a është Kurbini thjeshtë ish-vend industrial siç mbahet mend nga oxhaqet e lartë të uzinave e kombinateve, apo një vend i thjeshtë bujqësor, një vend i begatë ku natyra nuk ka kursuer asgjë nga shpirti i saj për ti dhënë kësaj treve detë, fushë e mal, kodër e lumë, ullinj e gështenjë, toka pjellore si vetëm këtu, duke e shndërruar në një vënd të begatë për jetesë?

Objektet dhe gjetjet arkeologjike në Kurbin

Krahina e Kurbinit me qendrat e saj të banimit është shumë e herëshme, mendohet disa shekuj para Erës së Re. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike në Kalanë e Sebastes që i përket kohës romake rreth vitit 167 para Krishtit. Gjithashtu në fshatrat Kuqna, Gjorëm (Gjonëm) etj., janë gjetur mbishkrime romake si dhe enë prej balte, rruaza, tokëza bronzi, enë bronzi etj., që mendohet se janë mjaft të lashta. Popullsia e kurbinit i përket fisit Albanë.

Kurbini ka disa objektet historike si: Kalaja e Sebastes, Kalaja e fshehtë e Skënderbeut në Daul-Lugapaq, Kalaja e Pervizit, Mullini Fall në Gallatë, që ende ekziston që nga koha e Skënderbeut. Qendra e Kurbinit ne mesjete ishte Sebastja dhe princerit ishin Gjonimajt.

Princi Gjonimaj, nga fshati Gjonëm dhe vëndet e shënjta

Kjo krahinë i përkiste Arbërisë, dhe shtetit të Arbërit mesjetar. Në vitin 1208, spikat familja e Gjonimajve, si principate me princerit e saj, ku me i shquari ishte Dhimitër Gjonima nga fshati Gjonëm i Kurbinit, me qendër në Sebaste, i cili kishte 400 ushtarë dhe 200 kalorës, si dhe zotëronte fshatrat e Kurbinit dhe tokat prej Diolkesë deri në Durrës. Pas Vdekjes së Princit Dhimitër Gjonema me 1409, vilajetin e tij e morën në zotërim fillimisht Topiasit dhe vetëm pak vite më vonë Kastriotët.

Kurbini ka fatin e madh të jetë një vend i shenjtë. Ka kishën e Shën Ndojt, Kishën e Shën Prendës, Selinë Ipeshkvore ku u hap shkolla shqipe në vitin 1632, kishën e Shën Mrisë si qendër Ipeshkëvnore të Krujës, kishën e Shën Teodorit në Delbnisht. Nga Kurbini është dhe Papa Klementi i XI dhe kleriku i shquar, firmëtari i Kuvendit Kishtar të Arbrit të vitit 1703, Frat Martin Gjonema (Gjonmi)

Nga rrjedh emri Kurbin?

Emri Kurbin (si fshat) përmendet në regjistrat kadastralë osmanë për herë të parë në vitin 1431 Corbin, më 1457 Corbino, dhe më 1467 Kurbin. Për emrin Kurbin duket më i besueshëm identifikimi që jep Teodor Ipen-I, ku thekson: ”Jo larg prej Kruje, në fshatin Korbin, ku është kisha e Shën Prendës së ndërtuar me gurë…”. Mendohet se ky fshat ndodhej midis Gallatës e Skurajt.

Mbi etimologjinë e emrit Kurbin ka gojëdhëna: “Kur bini”, ose “kur do të bindet”, etj, të cilat duhet të kenë mbështetje shkencore gjuhësore. Studiuesi David Luka me origjinë nga Shkodra që ka punuar dhe jetuar gjatë në rrethin e Krujës, mendon se emri Kurbin rrjedh nga bashkimi i fjalës ilire Karpe (shkëmb) me sufiksin ilir-in, Karpin, Kërp-in e më vonë Kurbin.

Organizimi administrative në fshatra i Kurbinit ndër shekuj

Në organizimin e vjetër administrativ Kurbini kishte 16 fshatra. Skuraj, Nuajë, Vinjollë, Milot, Malbardhë, Gjonëm, Zhejë, Laç, Shullaz, Daulë, Mafsheq, Shëmri, Brret, Gallatë, Shkretë, Delbnisht-Selite.

Me kalimin e viteve disa fshatra kanë ardhur duke u pakësuar nga popullsia e për rrjedhojë i janë bashkangjitur qendës së tyre apo fshtrave fqinjë sikurse ka ndodhur me Daulën, Logapaçin, Logorecin, Prodanin e Shkjezin, që sot ruhen si lagje të fshatit Selitë, Si dhe janë shtuar fshatra të tjerë.

Dikur Ferrë-Skuraj dhe Shkopeti shkonin së bashku me Skurajn si një fshat i vetëm. Mamurrasi megjithëse ka bërë pjesë në Kurbin, nuk është përfshirë në bajrakun e kësaj krahine.

Në organizimin administrative të qeverisë së kohës të vitit 1921, Kurbini ishte komunë e nënprefeturës së Krujës në prefekturën e Durrësit. Qendra e komunës së Kurbinit në atë kohë ishte Miloti, e cila kishte Postën e Xhandarmërisë, Zyrën e Gjendjes civile, Zyrën Postare dhe administratën.

Në vitin 1945 krahina e Kurbinit edhe pse prej shumë shekujsh ka qenë njësi administrative më vete, në periudhën 1945-‘90 u nda në dy lokalitete (Miloti dhe Mamurrasi) të cilat ishin në varësi të rrethit të Krujës.

Fshatrat që i kaluan Matit dhe krijimi i fshatrave të rinj

Në këto vite fshatrat si Nuaja, Shkreta, Mafsheqi i kaluan Krujës, Ferrë-Shkopeti e Shkopeti i kaluan rrethit të Matit. Gjithashtu në vitin 1956 u krijuan dy fshatra të rinj (Sanxhaku në jug të Laçit ne tokat e Gjormit dhe Lagja “Drita” në veri të Mamurrasit ne tokat e Zhejes), në të cilët u vendosën banorët e ardhur nga Bushkashi, tokat e të cilëve u përmbytën nga ndërtimi i hidrocentralit të Shkopetit dhe të Ulzës.

Në vitin 1957 u ngrit fshati Adriatik si qendër banimi për të internuarit. Gjithashtu u krijuan edhe dy fshatra njëri “Katundi i Ri” në hyrje të Mamurrasit dhe tjetri “Dukagjin” në perëndim të Bushneshit nga zhvendosja e banorëve nga malësia e Dukagjinit të Shkodrës, të cilët punuan për shpyllzimin, hapjen e tokave kënetore dhe hapjen e kanaleve.

Pas vitit 1992, Ferrë-Shkopeti dhe Shkopeti u rikthyen nën juridiksionin administrativ të rrethit Kurbin dhe përkatësisht në komunën e Milotit. Ndersa fshatrat Nuoje, Mafsheq, Shkretë, dhe Brret i kaluan rrethit të Krujës.

Para viteve ’90, popullsia e Laçit (qëndra e sotme e Kurbinit), ishte e dyta në veri pas Shkodrës, ndërsa aktualisht popullsia në rrethin e Kurbinit arrin në 74.000 banorë. Ajo është një popullsi heterogjene, e krijuar kryesisht pas fillimviteve ’60, kur filluan ndërtimet e objekteve dhe veprave të mëdha industriale, si: Uzina e Superfosfatit që më pas u shëndrrua në Kombinatin Kimiko-Metalurgjik, Kombinati i Përpunim Drurit, Parku Automobilistik i Transportit të Mallrave, (parku më i madh i automjeteve në Shqipëri) Ndërmarrja e Ndërtimeve Industriale, (më e madhja në Shqipëri, ku si drejtor kanë shërbyer edhe ish-kandidatë të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së), Ndërmarrja e Ndërtim Hekurudhave, Ndërmarrja e Montimeve Industriale, Ndërmarrja e Ndërtim dhe Mirmbajtjes së Linjave të Tensionit të Lartë, e shumë e sshumë ndërmarrje dhe fabrikave të tjera, duke përfshirë dhe kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore.

Shtrirja gjeografike, popullsia heterogjene dhe harmonia fetare

Zona autoktone kurbinase shtrihet kryesisht në malësinë e rrethit nga fshati Skuraj, Miloti, Gallata, Vinjolli, Daula, Selita, Mali i Bardhe, Delnishti, Shullazi, Laçi, Gjormi, Zheja etj, ndërkohë qyteti Laç, një pjesë e zonës fushore si Fushë-Kuqe, Gurëz, Gorre, Patok, Adriatik që janë banuar me banorë të ardhur gjatë shekujve XIX dhe XX.

Kjo është sa i përket njohjes së përbërjes së popullsisë dhe fshatrave, por ajo që duam të trajtojmë në këtë shkrim, është uniteti mes popullsisë heterogjene të kulturës së besimit, të prejardhjes etj. Nuk besoj të ketë vënd tjetër të dytë si Kurbini, ku do gjesh një popullsi kaq heterogjene dhe kaq harmonike.

Këtu ka fshatra tërsisht të besimit mysliman, si Vinjolli, Gjormi, Shëmria, tërsisht të besimit katolik, si: Zheja, Skuraj, Gallata etj., ka fshatra të përzier të të dy besimeve fetare, pothuajse shumica e tyre. Ka fshatra me xhami, me kishë, me kishë e xhami, me xhami e me teqe, ka fshatra tërësisht myslimanë që nuk kanë xhami por kishë, siç është Shëmria. Ka fise me emra myslimanë dhe me mbiemra katolikë, ka martesa pa kufizim mes dy besimeve, ka banorë të ardhur nga mbarë trojet shqiptare etj. Banorët autoktone e dijnë të gjithë origjinën e tyre nga kanë ardhur dhe pothuajse e gjithë popullsia ka origjinë të krishterë. Nuk ka fis mysliman në Kurbin që nuk ka ekuivalentin e tij të besimit katolik.

Kur themi që në Kurbin harmonia është ruajtur dhe ruhet në shkallën superiore, kam parasysh mardhënjet e krijuara ndër breza. Nuk ka festë fetare të asnjë besimi që të mos jetë bërë e përbashkët në Kurbin. Familjet e krishtera mbanin enë të veçanta gatimi për miqtë myslimanë, pothuajse të gjithë familjet ishin lidhur mes tyre me kumbari e byrazera. Asnjëherë nuk ka patur konflikte për shkak të besimit dhe kurrë paragjykime për fejesa e martesa mes dy besimeve.

Banorët e ardhur, në unitet me vëndasit

Ndonëse e vogël si trevë dhe jo me popullsi të madhe, vetëm në sajë të këtij uniteti ka mundur t’i bëj ballë luftrave dhe përpjekjeve të vazhdueshme në histori. Nuk janë të pakta betejat e kryera kundër turqve, serbëve, italianëve e gjermanëve, ku kurbinasit kanë luftuar krah për krah edhe pse kanë qenë në hasmëri. Bajraku i kurbinit me pleq të mëndshëm ndër më fisnikët e më të drejtët, ka arrritur ta sjellë deri në ditët tona të pastër e me emër këtë trevë. Kuvendet e vazhdueshme ndër shekuj, për problemet e konfliktet që lindnin janë zgjidhur më së miri nga pleqte e urtë kurbinas. Ata me mençuri kanë ditur të lidhin besen mes tyre, për ti dalë për zot kësaj treve e mbarë atdheut. Ka qenë pikërisht ky unitet dhe kjo harmoni që ka bërë që kryengritja e parë antiosmane për shpalljen e pavarësisë të niste në Kurbin dhe të kurorëzohej deri me ngritjen e flamurit në Milot.

Eshtë pikërisht harmonia pa paragjykime, ku njerëzit janë të barabartë para zotit, ku miqësia e besa ishte në plan të parë, ku bujaria si ka munguar kurrë kësaj treve që do të bënte që për 100 vite me rradhë në këtë trevë të vinin e të stabilizoheshin banorë nga mbarë trojet shqiptare. Përmendim këtu familjet kosovare të ardhura në kohën e Mbretërisë që u stabilizuan në Mamurras, familjet malësore të ardhura nga Malësia e Shkodrës dhe e Dukagjinit që u stabilizuan në Gurëz, Gorre, Fushë Kuqe, apo familjet e ardhura nga Jugu i Shqipërisë në periudhën e komunizmit, familje që u stabilizuan në qytete si Laçi dhe Mamurrasi.

Duket qartë se Kurbini duke qenë një trevë autoktone, me zakone e tradita kulturore, duke patur ndër shekuj popullsi heterogjene, ka shërbyer në një farë mënyre dhe si një trevë qytetarie, duke ruajtur gjithçka pozitive dhe përfituar gjithçka të mirë nga të ardhurit.

Është ky bashkëpunim dhe bashkërendim, kjo miqësi e solidaritet, kjo harmoni që bën që edhe sot në periudhën e demokracisë, të vijnë e të stabilizohen këtu banorë nga rrethet e Veriut, kryesisht mirditorë, pukjanë, dibranë e matjanë, etj., dhe të ketë mes tyre një harmoni kaq solide.

Janë këto fakte historike që e lartësojnë Kurbinin dhe i japin autoritetin e një “pasaportë” të harmonisë fetare e shoqërore para shqiptarëve dhe gjithë botës, si asnjë trevë tjetër në Shqiperi. /kurbini.info

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: