Reklama
Telegrafikisht

Revolta e Qafë Barit,Në krye të torurave komandanti Edmond Caja

Përmes një informacioni të mbledhur prej dëshmitarëve okularë, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK), ndërton jo vetëm ngjarjen e revoltës së Qafë Barit në vitin 1984, por edhe rolin e komandantit të kampit-burg në atë periudhë, Edmond Caja.

Punonjësi i këtij instituti, Kastriot Dervishi, ndërton kronologjinë e ngjarjeve. Ndërkaq, ka ende shumë dëshmitarë okularë, të cilët kanë rrëfyer nëpër libra dhe vazhdojnë të dëshmojnë për atë ngjarje dhe të tjera raste dhune të ushtruara ndaj të dënuarve. Një ndër to është edhe vrasja e të dënuarit Sandër Sokoli. Më poshtë, informacioni i mbledhur nga ISKPK.

REVOLTA

“Më 22.5.1984, ora 7:30, të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën. Komanda urdhëroi kthimin e tyre në galeri për të realizuar normën e punës. Të dënuarit, Sokol Sokoli dhe Sokol Progri, porositën të dënuarit të mos shkonin në punë. Policët, Islam Doga dhe Fiqri Çakalli, thërrasin të dënuarit që do shkonin në punë në zyrat e Këshillit të Riedukimit. Këta i thanë dy të dënuarve që duhet të plotësonin normën ose duhej të shkonin në birucë, të izoloheshin. I dënuari Tom Ndoja ua merr nga duart policëve Ndue Pishën dhe e largon. Policën orvaten ta marrin, por me Tomën bashkohen edhe Sokol Sokoli dhe Sokol Progri dhe u kundërvihen policëve me gurë e tulla që kishin ndër duar. Në këto kushte, ndërhyn një togë e përbërë prej 6 policësh me në krye komandantin e Togës Edmond Caja, por këta thyhen nga një grup të dëbuarish, ku bënin pjesë: Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka, Kostandin Gjordeni. Komandanti i Togës së Policisë, Edmond Caja, urdhëroi rreshtimin e të dënuarve në mencë. Komandanti i Repartit ndodhej me shërbim në Rrëshen. U njoftua kryetari i DPB, Edmond Çifligu. Nisi apeli emër për emër. Ata që kundërshtonin, kërcënoheshin se do futeshin në birucë. Kostandin Gjordeni refuzoi të dalë nga menca.

qafe bari 2qafe bari 1

Po kështu refuzoi edhe Sokol Sokoli, i cili bashkë me grupin e tij çau rrethimin e policëve. Rreth 20-24 të dënuar, duke pasur në duar materiale të marra nga një godinë që po ndërtohej, qëndruan te sheshi mbi fjetore, duke përbërë një skuadër përballë forcave të regjimit. Pas kësaj, të burgosurit hyjnë në mencë sërish, pikërisht në kohën kur vijnë komandanti i repartit dhe kryetari i DPB. Thirrën emrat e të dënuarve për të dalë jashtë. I pari ishte Kostandin Gjordeni. Në raportin zyrtar pretendohet se i dënuari ka goditur murin me kokë, e pas këtij veprimi ka filluar përleshja midis të dënuarve e policëve, ndërsa në të vërtetë ai është goditur. Policët kanë marrë Gjordenin për ta çuar në izolim, por të dënuarit, nisur nga solidariteti ndaj njëri-tjetrit, i kanë sulmuar me çdo mjet. Pas daljes nga menca, të dënuarit kanë sulmuar policët me mjetet që kishin, duke iu afruar derës kryesore. Në këtë çast, kryetari i Degës së Punë të Brendshme Pukë urdhëroi të qëllohej. Këtu plagoset Gjordeni. Në kamp erdhën zëvendësministri i Punëve të Brendshme (nuk specifikohet qartë në është Agron Tafa apo Zylyftar Ramiz Mahmutaj) dhe drejtori i Drejtorisë Zbatim-Vendime Penale Kasem Kaçi. Pas dorëzimit, është përdorur dhuna në mënyrë masive”.

 

ISH-KOMANDANTI I BURGUT TE QAFE-BARIT, EDMOND CAJA
ISH-KOMANDANTI I BURGUT TE QAFE-BARIT, EDMOND CAJA

PAS SHTYPJES SË REVOLTËS

Në dosjen e revoltës së Qafë Barit, thuhet: “Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…”

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 i Kodit Penal.

I pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova, duke e qëlluar në bark. Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…

PUSHKATIMET

Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën nr.888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën nr.888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën…

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja:

Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha:

“Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”. I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”

Në fund firmat.

MASAKRA E SYVE

Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim të Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

ROLI I EDMOND CAJËS NË TERRORIN E USHTRUAR NË BURGUN E QAFË BARIT

Të gjithë dëshmitarët e mbijetuar nga burgu famëkeq politik i Qafë Barit (1982-1990) e paraqesin komandantin e Togës së Policisë së këtij burgu, Edmond Caja, si një dhunues sadist, që rrihte, torturonte, gjymtonte e dënonte ish-të burgosurit e pambrojtur. Ai s’i përmbahej aspak ligjit, sepse rrahja dhe terrori atë e argëtonin. Pas shtypjes së revoltës së të burgosurve me 22- 23 maj 1984, karriera e këtij polici sadist erdhi duke u ngritur.

DËSHMITË OKULARE PËR EDMOND CAJËN

Janë të shumtë, me dhjetëra, dëshmitarët okularë që rrëfejnë torturat e pashembullta mizore të komandantit të Togës së Policisë, Edmond Caja, në “Repartit 311”, ndryshe, kamp-burgu i minierës së Qafë Barit, Pukë. Të gjithë dëshmojnë realet e dhunës, rrahjet dhe gjymtimet.

Hysen Haxhia, ish-i burgosur i këtij kamp-burgu është i gatshëm të dëshmojë për terrorin policor gjatë revoltës dhe për episodin, se si gjatë shtypjes së revoltës, komandanti i Togës së Policisë së Burgut të Qafë Barit, Edmond Caja, torturoi për vdekjen të burgosurin Sandër Sokoli, të cilit i theu shtyllën kurrizore, duke e lënë të vdekur.

Bedri Blloshmi, ish-i burgosur politik i Burgut të Qafë Barit, është i gatshëm të dëshmojë me hollësi ditën e revoltës së të burgosurve, terrorin e ushtruar mbi ta, ardhjen e forcave speciale nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Blloshmi rrëfen angazhimin direkt në tortura dhe gjymtime të komandantit të Togës së Policisë së Burgut, Edmond Caja, torturat dhe gjymtimet që bëri ai. Blloshmi në disa dëshmi, madje edhe “youTube”, thotë se i gjithë skenari i tmerrit qe vepër e Edmod Cajës. Ai vetë hyri në kamp dhe mori 14 të burgosurit e parë, i torturoi me policët e tij, duke u thyer duar e këmbë, pastaj i hodhën në një kamion (Zis) për t’i dërguar në DPB të Pukës. Gjithashtu, Blloshmi pohon se është dëshmitar okular se si të burgosurit Sandër Sokoli ia thyen shtyllën kurrizore në tortura dhe se në dokumentet që ai ka konsultuar, nuk del si i vdekur apo i masakruar.

Visar Zhiti, shkrimtar e poet, ish-i burgosur politik i këtij kampi, një ndër dëshmitarët kyç të jetës së rëndë të ish-të burgosurve nën terrorin e Ppolicisë së Edmond Cajës në Burgun e Qafë Barit. Libri i tij memuaristik “Ferri i çarë”, jep një panoramë të hollësishme, ndër to edhe të ditës së Revoltës më 22.5.1984.

Zhiti dëshmon: “Pasi kishte lexuar me gjithë gëzimin monstruoz listën e vdekjes dhe burgosjes, për ata fatkeqë që gjendshin aty pa bërë asnjë faj, xhelati Edmond Caja kishte lëshuar edhe ulërimën kërcënuese për të tjerët: A ka ndonjë trim tjetër që do matet me ne? Pas pak ditësh, në qershor të vitit 1984, dy të rinjtë e dënuar me pushkatim, do të ekzekutoheshin përmes gjymtimeve monstruoze të panjohura e të padëgjuara në gjithë përvojën monstruoze të xhelatëve e diktatorëve të regjimeve totalitare nëpër botë. Sipas dëshmisë së tij, Sokol Sokolit e Tom Ndojës, pasi u pushkatuan, ua nxorën edhe sytë për t’i për dorur gjoja për kërkim shkencor.

Konstandin Gjordeni: – ish-i burgosur politik i burgut të Qafë Barit. Një dëshmitar i rëndësishëm okular, i cili u qëllua me plumb gjatë revoltës. Para katër viteve, Kostandin Gjordeni ka nxjerrë nga shpatulla e tij plumbin e marrë në burgun e Qafë Barit nga policët e Edmond Cajës.

Ja një ekstrakt nga dëshmia e Gjordenit: “Isha në grupin e të burgosurve që po protestonim për të mbrojtur shokun tonë, që e kishin torturuar se nuk kishte plotësuar normën. Në atë kohë, shefi i Policisë së Burgut, Edmond Caja dha urdhër që policët të qëllonin. ‘Zjarr mbi armiqtë’ ishte parulla e tij dhe kaq mjaftoi që policët të lëshojnë breshërinë mbi ne. Mua më drejtoi pistoletën njëri prej policëve, e kishte emrin Asllan Kurti. Ma drejtoi armën për të më vrarë në lule të ballit, por zoti deshi që të më kapë në shpatull dhe u plagosa. Isha i ri në atë kohë, 24 vjeç. Ishte në burg me një doktor, ne i thoshim Drago, por s’ia mbaj mend mirë emrin. Më mjekoi me ato mjete rrethanore që kishte, sepse as që bëhej fjalë që të vinte një mjek që të më shpëtonte, sepse ky polici më qëlloi për të më vrarë dhe jo për të më plagosur.

Në atë kohë, kur policët morën kontrollin mbi ne të burgosurit, mbaj mend që një të burgosur, Sandër Sokolin, e morën e torturuan, e këputën në mes, e palosën dhe i këputën shtyllën kurrizore. Në krye të torturave ishin shefi i Policisë së Burgut, Edmond Caja dhe drejtori i burgut, Ludovik Cali… Ata gjuanin me majat e hekurta të çizmeve mbi ne të burgosurit e plagosur. Ky plumb që kam në dorë është plumbi që mora në Qafë Bari në revoltën e majit të vitit 1984. Plumbin e kam hequr me operacion disa vite pasi u lirova nga burgu. E ruaj si relike”.

DËSHMITARË TË TJERË OKULARË TË MASAKRAVE TË EDMOND CAJËS

Janë me dhjetëra dëshmitarë okularë të mbijetuar, që kanë dëshmitë e tyre rreth ngjarjeve tragjike të Burgut të Qafë Barit. Dëshmitë e tyre përputhen për terrorin policor të ushtruar në datat 22-23 maj 1984 dhe në këtë masakër policore mbi të burgosurit e pambrojtur spikat gjithnjë egërsia e pashembullt e komandantit të Togës së Policisë, Edmond Cajës, e cili merr pjesë aktive personalisht në torturimin dhe gjymtimin e të burgosurve.

Karriera e Edmond Cajës
Admond Ali Caja – Lindi më 1960, Gusmar, Tepelenë.
1974-1978 – Mbaron gjimnazin “Qemal Stafa”, Tiranë.
1978-1979 – Stazhier në Fabrikën e Bukës, Tiranë.
1979-1982 – Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të
Brendshme (MPB), profili – polic.
20.7.1982 – 16. 6. 1985 – Komandant i Togës së Policisë në Repartin 311, Qafë Bari, Pukë.
16.6. 1985-1.8.1089 – Komandant i Repartit-Burg 311, Qafë-Bari, Pukë.
1.8.1989 – 16.8.1990 – Oficer i parë Drejtimi në Drejtorinë e Zbatimit të Vendimeve Penale.
16.8.1990 – 16.5.1992 – Drejtor i Drejtorisë së Zbatimit të Vendimeve Penale (më 1991 kjo Drejtori ndryshon emër dhe bëhet Drejtoria e Administratës së Burgjeve të Shqipërisë).
16.5. 1992 – 5.7.2992 – Në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik.
5.7. 1992 – Del në Rezervë me Reformën dhe merr rrogën edhe për 1 vit.
1993 – Emigron dhe merr azil politik në RF të Gjermanisë

Reklama

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: