Advertisements
Telegrafikisht

Mid’hat Frashëri, edukimi i shqiptarëve nëpërmjet publicistikës së tij

 

43763739_2275170232510717_7193732683615174656_n.jpgNjëri nga kontributet më të spikatura të Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo) (1880-1949), ishte edukimi i shqiptarëve nëpërmjet publicistikës së tij, sidomos përmes faqeve të revistës së themeluar prej tij “Diturija” dhe jo vetëm. Po përcjell disa nga postulate e mendimit të tij.
1. “Nderi dhe madhëria e çdo shqiptari varetë nga nderi dhe madhërija e Shqipërisë. Është një llogari e lajthitshme ajo që të përbuzësh shokun me shpresë që të lartësosh vetëhenë tënde. Statujën e një njeriu të math nuk e shtien brenda në një gropë, pa e ngrenë në një piedestal të lartë, mbi një themel të shëndoshë. Në doni, pra, jini të nderuar dhe të mëdhenj, bëni më parë Shqipërinë dhe kombin shqiptar të jenë të veneruar e të naltësuar.”
2. “Kemi detyrë jo vetëm të matim dhe të vëzhgojmë Shqipërinë tonë, po dhe ta mprojmë prej rrezikëvet që e rrethojnë, ta bëjmë të përparuar e të ndriçuar. Dhe nuk munt të punojmë për kombin dhe vendin tonë, po që nuk patmë një dashuri për çdo cep të Shqipërisë, një dhembshuri për çdo njeri të kombit tonë. Duhet të zgjuajmë kultin e patriotizmës, adhurimin e Shqipërisë. Bota e sotme s’na jep ndonjë shëmbëll të kulti dhe adhurimi për truallin e gjyshërvet. Po, në këqyrshim historinë e afërme të Rilindjes së tyre, do të shohim se kjo rilindje është bërë vetëm pasi ka zënë populli që të ndjejë në zemër të tij një dashuri të sosur për çdo send që i përket atdheut dhe kombit.”
3. “Zotërinj, nuk jam as për Shqipërinë e madhe dhe as për Shqipërinë e vogël. Jam për Shqipërinë Etnike në të cilën sot banojnë tërësisht shqiptarë apo shumicë shqiptarësh e që kanë shprehur vullnetin të bashkohen në një komb të vetëm, të ndarë padrejtësisht, në një atdhe e shtet kombëtar.”
4. “E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallëkuarë qoftë ajo orë që solli këmbën e aziatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi neve si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mëndjen dhe vetëdijën tonë, një kohë errësire që ment ndryshoi në çdo ndjenjë njerëzije, çdo cilësi njeriu të ndershëm.”
5. “Shqipëtari, duke mos qënë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe indipendencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjëdhin nga një jetë indipendente.”
6. “Çdo njeri ka një tru të veçantë. Prej trurit vjen mendimi dhe logjika, fytyra besnike dhe harmonike e veglës që mendohet dhe që ndjen. Pas arkitekturës konstitucionale të trurit është dhe karakteri i njeriut, stili i tij në të shkruar, manifestimi i të jashtërave të mendimit, d.m.th prirja e tij për artet grafike dhe plastike, muzikën etj. Mbase një ditë, do të vijë, që duke parë veprat e një njeriu, të një piktori, një punë arkitekture, një shkrim etj., do të mundim të bëjmë diagramën besnike të encefalit të tij.”
7. “Kur humbet ideali, besimi te fati, kur venitet qëllimi dhe zhduket qoku, atëherë trupi bëhet si kufomë, i ka ikur shpirti, rrëzohet si thesi që i është derdhur mielli. Historia na rrëfen një tok shembëlla.”
8. “Njerëzit e një kombi janë solidarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time.”
9. “Të gjitha fatkeqësitë vijnë kur njeriu kërkon të rrojë pa fituar, të fitojë pa punuar, të punojë pa u lodhur.”
10. “Meqënëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb.”
11. “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat sapo të kenë përfunduar betejën e fundit mes tyre.”
12. “Ëmbëlsi e bisedimit është një sforcim që bën njeriu të rrëfejë kthjelltë dhe me elegancë idenë e tij; në përpjekjet që bëjmë të kuptojmë mendimet e tjetrit, të hyjmë në shpirt të tij dhe të identifikohemi me të. Pak njerëz dinë dhe ndjejnë shijen e bisedimit, për të cilin duhet më parë të jemi tolerantë, pa këmbëngulje, të matur dhe pa inat.”
13. “Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës ti themi ‘e bardhë’ dhe të zezës ti themi ‘e zezë’.”
14. “Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë.”
15. “Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenëve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut.”
16. LIBRARIA LUMO SKËNDO. “Në doni libra, në ju pëlqen këndimi, në kini dëshirë për dijë, me një fjalë n’ është se mëndja juaj ka nevojë për ushqim. DREJTOHUNI në librarinë Lumo Skëndo, ku do të gjeni një sasi të madhe veprash në çdo gjuhë: Letrature, diturije tekste shkollore…Porositë plotësohen me kujdes dhe shpejtësi të madhe.Jo po në qoftë se nuk kini nevojë për ushqim të mendjes atëhere shkoni në … kafene!”
17. Mid’hat Frashëri i la trashëgimi shtetit shqiptar të gjithë pasurinë e tij të tundshme dhe të patundshme dhe ideoi ndërtimin e një Instituti Albanologjik, e cili do të merrej me studime të historisë sonë. “Nuk di ku do të vendoset Instituti, po, nëqoftëse goditet pakëz jashtë qytetit, do të donja varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjër, duke hyrë nga porta e rrugës. Mbi këtë varr dua një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjallimin e tij”. (Pika 17 marre nga: Mid’hat Frashëri. Pjesë nga Testamenti i 4 prillit 1929).

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: