Laçi do të presë në shtëpi skuadrën norvegjeze të Moldes, ku do të synojë kalimin për në turin e tretë të Ligës së Europës. Takimi i parë në transfertë, është mbyllur me fitoren e Moldes me rezultatin e pastër 3-0, por kurbinasit kanë treguar se dinë të befasojnë. Skuadra e fundit që u befasua nga bardhezinjtë, ishte pikërisht Anorthosis nga Qipro.
Laçi do ta ketë të vështirë që në shtëpi të shënojë 3 gola ndaj një kundërshtari si Molde por futbolli ka treguar se gjithmonë i ka qejf surprizat dhe ndoshta nesër do të jetë surpriza e radhës.
Sa i përket formacionit që do të hedhë në fushë, tekniku Besnik Prenga duket se nuk do të bëjë ndryshime nga ndeshja e fundit që u luajt në Norvegji. Me 5 mbrojtës dhe katër mesfushorë, Laçi do të synojë që të mbrohet mirë dhe me anë të kundërsulmeve, të arrijë të shënojë. Si fillim, Laçi e ka të rëndësishme mos të pësojë gol.
Në mbrojtje pritet të henë Sefgjinaj, Hoxhallari, Radas, Gjoni dhe njëri mes Fangajt dhe Shtubinës, ku ky i fundit është më i avantazhuar. Mesfusha nuk do të ketë ndryshime, me Uzunin, Lushkjan, Jonuzin dhe Ellerin, ndërkohë që në sulm, do të jetë Kendes. Kendes mund të ketë edhe ndihmën e Uzunit i cili e ka të lehtë që nga mesfusha të dalë në sulm për të tentuar portën kundërshtare. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/
Formacioni i mundshëm: Selmani; Shtubina, Gjoni, Radas, Hoxhallari, Sefgjinaj; Uzuni, Lushkja, Jonuzi, Eller; Kendes
Trajner. Besnik Prenga