Advertisements
Telegrafikisht

Birra e diktaturës

Nga Edison Ypi
Birra e diktaturës nuk kishte lidhje me shuarjen e etjes. Ishte sapun për fytin, tretëse yndyrash, dhjamrash, sgrasator i marrinave gastronomike që shqiptari hidhte në stomak.
Nuk mund të pije birrë sa të doje. Sepse birrë s’kishte. Por edhe sepse ngjallje dyshime; Ku i gjen paret ky që pi gjithato birra ?!
Ndonjë birrë më të rrallë e pinin vetëm banorët e qyteteve. Një birrë kushtonte sa një ditë pune në kooperativë. Fshatar duke pirë birrë ishte po aq e mundur sa dhe diversant në mes të ditës në Sheshin Skënderbej.
Të pinin birrë femrat në klubet e pista plot pijanecë dhe spiunë, nuk bëhej fjalë.
Birra për gurrmazin dhe stomakun ishte si Kanoçja për sytë dhe mendjen; Arratisje në një bote iluzore, pa mbledhje kolektivi, tejkalime plani, parada militare, arrestime, purga, pëshpërima për pushkatime.
Birra ishte një “Pelë Troje” futur tinëzisht prej borgjezisë ndërkombëtare për të përçarë rradhët e klasës puntore, e cila, duke pirë birrë harronte revolucionin proletar mbarëbotëror.
Për birrën shqiptarët dinin se bëhej prej uji dhe elbi, asgjë tjetër.
Prej të rrallëve që arrinin ta “çanin ferrën” vinin habere se “jashtë shtetit” birrën e pinin më së shumti gjermanët. Birrë pinin edhe monarkofashistët grekë të cilëve pas pak do tu derdhnim plumb në gojë. Gjithato birra me shishe dhe kanoçe që shiheshin nëpër reklama dhe filma, pinte edhe qeflia Italia. Në Çeki dhe Poloni uji kishte dalë jashtë përdorimit prej kohësh. Atje birrën ta sillnin me rubinetë në shtëpi.
Efektet afrodiziake të birrës i shprehte më së miri pohimi; Filania i ka këmbët si shishe birre.
Me anë miqsh e stërmiqsh që i gjente ku ishin e ku s’ishin, dhëndërri siguronte dasëm me birrë dhe akull me bollëk. Dhëndërrit nuk duhej me ja prish. Një herë martohet burri.
Më e bukur se nusja, më interesante se dhëndërri, më shpërthyese se ahengu, birra ishte mbretëresha e dasmave. Nuk do kënaqemi kushedi se sa në dasmën e filanit, thoshin, se ai një cop gomar është, ama do pimë birrë sa do shqepemi.
Në ditën kur “birrë kishte”, nëpër gurrmazët e shqiptarëve gurgullonte birra që shplante zgjyrat dhe yndyrat nga buzët te zorrët. Thartirat e neveritshme që vinin pasditeve nga stomaku e përpjetë, s’ishin problem. Gjatë ditëve kur “birrë s’kishte”, birra harrohej.
Shqiptari duke gjerbur birrë ishte një spektakël më magjepsës se Aleksandër Mosiu me në dorë kafkën e Hamletit. Duke kthyer birrën, shqiptarit i kërciste gurrmazi glluk-glluk si lavaman i bllokuar, pasuar nga një gromësimë e zgjatur si ofshamë Ferri.
Birra shërbente edhe si monedhë apo mjet këmbimi në natyrë. Pyetja; Me sa birra do më qerasësh për nderin që të bëra ? ishte më se e zakonshme.
Kur rrallëherë për arsye që askush nuk i merrte vesh birra çfaqej me bollëk, thuhej për filanin apo fistekun; Pasi piu pa lujt venit dy arka birrë, doli bëri një shurrë kali plot me shkumë dhe dredha nga oborri në përrua.
Shkulja e tapës metalike me dhëmbë, nuk çudiste askend. Me dhëmbë thërrmonin dhe hanin qelqet. Si dhe pse ndodhte kjo, një Zot e di.
Pështymat, cikrrat, qurret, gëlbazat, derdhjet, pjerdhjet, rrjedhjet, vjelljet, që shqiptarëve u dilnin nga të gjitha brimat e trupit për shkak të kequshqyerjes, ishin një spektakël makabër përtej çdo aftësie përshkruese me tekst, penel, daltë, pentagram. Duke shplarë heraherës gurrmazin nga këto tmerre me birrë skadente, shqiptarët mbijetuan me dhjetra vite. Deri kur erdhi birra. Por iku etja.

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: