Advertisements
Telegrafikisht

HISTORIKU I SHENJTORËVE TË KRISHTERË, VEÇORITË DALLUESE TË BESIMIT KATOLIK NË SHQIPËRI

wonderful

Robert Elsie (1950-2017)

Kjo përmbledhje të dhënash përqendrohet në zhvillimin historik të kulteve të shenjtëve të krishterë që ishin nderuar në Shqipëri, dhe përbën njëkohësisht një përpjekje për të hedhur dritë mbi disa veçori të besimit të krishterë aty.

Kur merremi me krishtërimin dhe historinë e tij të gjatë në Shqipëri, është e domosdoshme që nga fillimi të bëjmë dallimin midis krishterimit në trojet shqiptare dhe krishtërimit mes shqiptarëve si popull. Shqipëria ka qenë, në fakt, një nga vendet e Evropës që u has më hershëm me krishtërimin dhe ka një histori të gjatë me këtë besim fetar.

Dimë se përgjatë bregut ilir ka patur ngulime relativisht të hershme të krishterësh. I pari që predikoi ungjillin në Shqipëri mund të ketë qenë vetë Shën Pali i cili shprehet, “Nga Jeruzalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit” (Romakëve 15:19). Edhe apostulli Ndre (Andrea) besohet se ka predikuar në Epir. Një numër i papërcaktuar të krishterësh ka jetuar në portin e Durrësit në vitin 58 e.r., dhe aty nga shek.IV-V, krishtërimi kishte lënë gjurmë të dallueshme anembanë vendit.

Peshkopët e krishterë nga Dardania dhe Maqedonia Salutare, d.m.th ofiqarët e lartë nga Shqipëria lindore dhe Kosova e sotme, dihet se kanë marrë pjesë në Këshillin e parë Eumenik që u mblodh në Nikea në vitin 325 të erës së re nga Perandori Konstandin (sundoi në 307-337 e.r.) qëllimi i të cilit mes të tjerash ishte të pengonte ngritjen e Arianizmit brenda perandorisë. Gjithashtu, pesë a gjashtë peshkopë nga Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër morën pjesë në Këshillin e Sardikës në vitet 343-344 e.r.).

Gjysmë shekulli më vonë, në 395, Shqipëria Ilire e ndieu çarjen fillestare midis Perandorisë Romake të Lindjes dhe asaj të Perëndimit, pasi gjendej që në krye të herës në kufirin kulturor dhe politik mes Lindjes Bizantine dhe Perëndimit Italian. Ajo mori dhe përfitoi nga të dyja kulturat, por njëkohësisht e pësoi keqas në shekuj nga konfliktet mes dy gjysmave të perandorisë. Hë për hë, pak të dhëna kemi mbi Kishën e Krishterë të hershme në Shqipëri ngaqë strukturat kishtare u fshinë me pushtimin dhe ngulimet sllave të Shqipërisë aty nga viti 600. Fjala angleze për Mesjetën e hershme “Dark Ages” (Kohë të Errëta), e përshkuan më së miri errësirën e plotë të Shqipërsië së asaj kohe.

Historia e shenjtëve në Shqipëri fillon me një numër martirësh të hershëm të krishterë të cilët vepronin brenda vendit apo që kishin ndonjë farë lidhjeje me të. Këta shenjtë, sidoqoftë, nuk ishin shqiptarë në kuptimin etnik të fjalës. I pari i tyre ishte Shën Asti (Astius), peshkop i Durrësit në kohën e Perandorit Trajan (sundoi 98-117 e.r.). Gjatë kësaj kohe, shumë të krishterë u arratisën në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes në Itali. Midis tyre gjendeshin edhe shtatë martirë të shenjtë: Peregrini, Lukiani, Pompei, Hezikiasi, Papiasi, Saturnini dhe Germani, të cilët, me të mbërritur u arrestuan, u hodhën në zinxhirë dhe më pas u mbytën në Detin Adriatik.

Vetë Asti u arrestua nga guvernatori romak i Durrësit, Agrikola, rreth vitit 98 e.r. dhe u torturua për vdekje, siç duket ngaqë nuk pranoi të adhuronte Perëndinë Dionis. Dita e festës së tij është 9 korriku. Ende më pak e njohur është legjenda e Shën Florit (Florus) dhe Laurit (Laurus) nga Konstandinopoja. Flori punonte si gurgdhendës në Iliri dhe e torturuan bashkë me shokun e tij Laurin si dhe me punëtorët e vet Prokulin (Proculus) dhe Maksimin (Maximus) ngaqë kishin ndihmuar në ndërtimin e një kishe të krishterë. Ai u hodh në pus dhe vdiq dikur nga shek.II. Disa autorë e lidhin Florin dhe Laurin me ngulimet e lashta të Ulpianës, në jug të Prishtinës. Dita e festës së tyre është 18 gushti. Shën Lefteri (Eleutherius) ishte me prejardhje nga Roma dhe u bë peshkop i Mesinës dhe i Ilirisë kur ende s’kishte mbushur njëzet vjeç. Duket se ka jetuar në Vlorë.

Nuk dimë shumë mbi të përveç faktit që u thirr në Romë rreth viteve 117-120 dhe që u martirizua bashkë me të ëmën, Shën Anthin (Anthia) dhe njëmbëdhjetë shokë gjatë një fushate përndjekjeje anti-të krishterë gjatë sundimit të Perandorit Adrian (117-138 e.r.). Dita e festës së tij është 18 prilli. Shën Therini (Therinus) i ngulimit të lashtë të Butrintit në jug të Shqipërisë së sotme, u ther bashkë me një numër martirësh të tjerë gjatë sundimit të Perandorit Decio (Decius, 249-250) në shekullin e tretë. Dita e festës së tij është 23 prilli, e njëjtë me atë të Shën Gjergjit. Së fundmi, Shën Donati (Donat), edhe ai nga Butrinti, i cili jetoi gjatë sundimit të Perandorit Theodhos (Theodosius, 379-394).

Sipas Sozomenit, historian grek i shek.V, Donati ka qenë Peshkop i Evoresë ose Eurias, që ndoshta mund të identifikohet me qytetin e Paramithisë në Çamëri. Atij i vishen shumë mrekulli. Ka therur dragoin, ka pastruar një pus të helmatisur, ka shpëtuar të bijën e perandorit nga djalli dhe ka ngjallur të vdekurit. Vdiq në vitin 387. Eshtrat ia shpërngulën në Kasiopi, Korfuz, në vitin 602 për t’ia shpëtuar nga pushtimet e barbarëve. Kjo solli si pasojë një çështje jurisdiksioni mbi të drejtën e ruajtjes të relikeve të shenjta, mosmarrëveshje që u zgjidh nga Papa Gregori i Madh (590-604). Kulti i Donatit u përhap shumë gjatë mesjetës. Dita e përkujtimit të tij është 30 prilli.

Historia e hershme e krishtërimit nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë për historinë kulturore të vetë popullit shqiptar, sidomos ngaqë shqiptarët nuk kanë lënë gjurmë të besueshme gjatë kësaj periudhe dhe as gjatë pesë shekujve që pasojnë. Ka patur një numër ngulimesh të krishterësh përgjatë bregdetit shqiptar, në Durrës, Apolloni, Butrint dhe Vlorë, por këta kanë qenë pak të lidhur, në mos aspak, me popullsinë vendase që jetonte në male. Këto ngulime qenë dhe mbetën, deri para pushtimit turk, koloni të banuara nga italianë, grekë, venedikas, dalmatë, sllavë, çifutë dhe armenë, por, me sa duket, zor se aty ka patur edhe shqiptarë. Barinjtë shqiptarë që bjeshkonin me bagëtinë e tyre padyshim e ndienin veten më të sigurtë brenda maleve të veta.

Siç e vërejtëm edhe më lart, është e nevojshme të bëhet dallimi midis krishtërimit në Shqipëri dhe Krishtërmit mes shqiptarësh, ashtu siç duhet bërë dallimi midis historisë së Shqipërisë dhe historisë së shqiptarëve. Megjithë mirëkuptimin e duhur për aspiratat e nacionalizmit shqiptar, duhet thënë se përpjekjet e disa studiuesve shqiptarë për të interpretuar se gjithçka i përket shekujve të kaluar ka patur një kombësi shqiptare, është vetëm në të keqen e shkencës shqiptare. Në shtypin shqiptar janë shfaqur emra figurash historike që kanë qenë “padyshim shqiptarë” ose të paktën “ndoshta shqiptarë”. Këta renditen nga Aleksandri i Madh deri te Ataturku. Të thuash për Shën Astin, Shën Donatin apo Shën Therinin, ose edhe më keq, të flasësh për Shën Jeromin, i lindur në Stridonë të Sllovenisë së sotme, ose për Shën Martinin e Tursit, i lindur në Sabari (Szombathely) të Hungarisë, se kanë qenë shqiptarë, do të thotë të flasësh kuturu.

Siç duket, nuk ka patur ndonjë shenjt shqiptar, në kuptimin e pastër etnik të fjalës dhe kjo është e kuptueshme meqë si krishtërimi ashtu edhe islami ishin, si të thuash, mallra të importuara. Me mbërritjen e këtyre feve të mëdha erdhën edhe shenjtët. Edhe këta të importuar nga jashtë. Fiset shqiptare u konvertuan me kalimin e kohës, megjithëse, me sa duket, shumë cipërisht. Afshi fetar nuk u përhap kurrë mes tyre. Padyshim, murgjit dhe misionarët italianë sollën me vete kultet e shenjtëve që tradicionalisht adhuroheshin nga urdhrat e tyre, p.sh. shenjtët françeskanë për murgjit françeskanë, e të tjerë.

Megjithatë, është e qartë se besimtarët, domethënë shqiptarët e konvertuar, do të parapëlqenin disa nga shenjtët dhe, me kalimin e kohës, do të bënin zgjedhjet e tyre. Përnjëmend, ka një numër shenjtësh të krishterë që janë adhuruar në mënyrë të veçantë nga shqiptarët ndër shekuj, figura që aq mirë përputheshin me kllapat e besimit popullor në vend, saqë përfunduan të konsideroheshin vendase. Pikërisht në këtë moment, historia e shenjtëve në Shqipëri merr një rëndësi të veçantë për shqiptarët si popull. Pse disa shenjtë u adhuruan nga shqiptarët ndërsa të tjerë u lanë në harresë? Përgjigjen përfundimtare kësaj pyetjeje do të mund t’ia japin një ditë historianët e kishës dhe etnologët. Tani për tani, mjafton të vërejmë cilët shenjtë adhuruan në veçanti shqiptarët.

Le t’i kthehemi dhjetëvjeçarëve të parë të shek.XVII, periudha mu para së cilës, për arsye lehtësisht të kuptueshme, shqiptarët u konvertuan në numër të madh në fenë islame. Në monografinë e tij “Geografia Ecclesiastica dell’Albania”, botuar në 1934, studiuesi jezuit dhe albanologu i madh Fulvio Cordignano (1887-1951) renditi në një listë rreth 275 kisha katolike që ekzistonin në Shqipëri midis dhjetëvjeçarëve të fundit të shek.XVI dhe mesi i shek.XVII. Këto kisha ishin emërtuar sipas një sëre shenjtësh të krishterë, mbi dyzet në tërësi, por po ta vërejmë më me kujdes listën, shohim se mëse gjysma e kishave të asaj periudhe mbante emrat e vetëm katër shenjtëve: Shën Mëria (Santa Maria Vergine), Shën Kolli (San Nicola), Shënepremte (Santa Veneranda) dhe Shën Gjergji (San Giorgio).

Kulti i Virgjëreshës së Bekuar u ngrit në Evropën Perëndimore gjatë Mesjetës së lartë kur u bë e ndjeshme nevoja për të vënë një kundërpalë femërore, të themi një perëndeshë, kundruall perëndisë tradicionalisht mashkullore të kishës së krishterë. Nga 275 kisha katolike të renditura nga Cordignano, 42 i kushtoheshin Shën Mërisë, më shumë se cilitdo shenjti tjetër. Kishte kisha historike katolike në Ulqin (sot në Mal të Zi), Shurdhah (Shkodër), Dejë (Shkodër) dhe Drisht (Shkodër) që ishte capitulum ecclesie S. Marie de Drivasto e shënuar në 1353, Naraç (Shkodër), Hajmel (Shkodër), Renc (Lezhë), Fishtë (Lezhë), Troshan (Lezhë), Kalivaç (Lezhë), Lezhë, Mërtur (Pukë), Surroj (Kukës), Shpërdhazë (Mirditë), Malaj (Mirditë), Ndërshenë (Mirditë), Ndërfanë (Mirditë), Lurë (Dibër), Çidhnë (Dibër), Gur i Bardhë (Mat), Sebasta (Laç), Shën Mëri (Laç), Kurcaj (Krujë), Kepi i Rodonit (Durrës) shënuar në 1418, Brar (Tiranë) që prej shek.XII, Skuterrë (Tiranë), Pëllumbas (Tiranë), Buçimas (Tiranë), Linzë (Tiranë), dhe Bishqem (Peqin).

Kishte gjithashtu mjaft kisha dhe manastirë ortodoksë përkushtuar Virgjëreshës së Bekuar midis të cilëve ata në: Berat që nga viti 1797, Peshtan (Berat) Elbasan që nga viti 1833, Ardenicë (Lushnje), Apolloni (Pojan, Fier), që nga fillimi i shek.XIII, Dhërmi (Vlorë) nga shek.XIII-XIV, Dhivër (Sarandë) e vitit 1604, Peca (Sarandë) e vitit 1770, Piqeras (Sarandë) e vitit 1672, Nivicë-Bubar (Sarandë) e shekullit XVII, Malçan (Sarandë) aty nga viti 1600, Marmiro pranë Orikumit (Vlorë) që nga fillimi i shek.X, Kameno në verilindje të Delvinës, Zvërnec (Vlorë) nga shekujt XIII-XVIV, Goranxi (Gjirokastër) aty nga viti 1600, Vllaho Goranxi (Gjirokastër) që nga viti 1622, Koshovicë (Gjirokastër) që nga viti 1669, Saraqinishtë (Gjirokastër) që nga viti 1634, Nivan (Gjirokastër) që nga viti 1702, Konicka (Gjirokastër) që nga viti 1789, Dhuvjan (Gjirokastër) Llongo (Gjirokastër), Treneshishta (Gjirokastër), Vanistër (Gjirokastër), Peshkëpi (Gjirokastër) që nga fillimi i shekullit të dhjetë, Zervat (Gjirokastër) e hapur që nga fillimi i shek.X, Labovë e Kryqit (Gjirokastër) që nga fundi i shek.X, Skora (Gjirokastër) që nga viti 1773, Sopik (Gjirokastër) që nga viti 1770, Leusa (Përmet) që nga viti 1812, Kosinë (Përmet) nga shek.XII-XIV, Seranjperat (Përmet)nga shek.XVII, Leskovik (Ersekë), Barmash (Ersekë) që nga viti 1616, Postenan (Ersekë) që nga shek.XVII-XVIII, Lashovë (Ersekë) që nga shek.XVIII, Voskopojë (Korçë) nga viti 1712, Vithkuq (Korçë) nga shek.XVII-XVIII, Maligrad në Liqenin e Prespës që nga viti 1345, Pogradec, Niçë (Pogradec) që nga shek.XVIII, dhe në Lin (Pogradec).

Shën Mëria adhurohej sidomos gjatë shtegtimeve në ditën e përkujtimit të saj, 15 gushti, Dita e Ngritjes në Qiell, e njohur në Shqipëri si Shën Mëria e Gushtit. Për ortodoksët kjo ditë festohet si Fjetja e Shën Mërisë, dikur e shënuar më 27 gusht sipas kalendarit bizantin, por tani më 15 gusht sipas kalendarit latin. Shtegtime në nderim të Shën Mërisë përfshinin e dhe ngjitjen në male të larta, mbeturinë e kulteve të hershme të para-krishtera: në malin e Tomorrit, në malin e Gjalicës pranë Kukësit, në malin e Shën Lleshit pranë Krujës, në malin e Kundrevicës të Kurveleshit, në malin Pashtrik në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) e përshkruan festimin në malin e fundit në 1681 si vijon:

“E kalojnë aty gjithë natën, me daulle, bilbila, duke kërcyer e kënduar. Pas mesnate fillojnë një procesion të përzier muslimanët, serbët dhe grekët me qirinj të ndezur dylli, me gjatësi të ndryshme sipas moshës së personit që i mban në dorë. I sillen rrotull majës së malit më të lartë për tre orë me këmbët zbathur (disa nga muslimanët që prijnë janë kalëruar.)”

Në Shqipërinë qendrore, gratë shterpë udhëtonin për në plazhet e Kavajës dhe të Durrësit për t’u larë në ujërat e detit. Ky zakon, me të cilin gratë shpresonin të mbeteshin shtatzëna, u ndoq në heshtje e pa bujë edhe gjatë diktaturës komuniste. Në Seltë, në zonën e Shpatit të Shqipërisë qendrore, gjatë kësaj dite flijohej një lopë.

Në fshatin e Bibajt të Rekës së Epërme (Maqedoni), shqiptarët ortodoksë festonin në 4 dhjetor Shën Mërinë e Dimrit. Edhe shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë e shënojnë këtë festë, e njohur edhe me emrin Festa e Paraqitjes së Shën Mërisë në Tempull, duke e festuar më 21 nëntor sipas kalendarit latin. Sipas traditës, gjatë kësaj feste ndizeshin qirinj dhe piqej bukë e cila, pasi bekohej nga prifti, hahej.

Po në Rekën e Epërme, në fshatin e Sencës kryhej festa e Shën Mërisë së Vogël, (rumanisht Sfanta Maria Mica, vllahçe St/Marie N’ic) e cila përkujton lindjen e Shën Mërisë më 21 shtator sipas kalendarit bizantin dhe tani më përgjithësisht më 8 shtator sipas kalendarit latin. Kjo ditë njihet edhe si Dita e Bletëve, meqë përkon me periudhën e vitit kur kryhet shitblerja e bletëve. Fisi i Grudajve dhe qyteti i Shkodrës e festonin ditën e Shën Mërisë më 8 shtator, ndërsa banorët e Vuklit dhe të Nikçës e nderonin Virgjëreshën më 24 maj.

Shën Mëria përnderohej në veçanti brenda kishës katolike të Shqipërisë si Zoja e Shkodrës (La Madonna di Scutari) ose Zoja e Bekueme, e njohur edhe si Zoja e Kshillit të Mirë (La Madonna del Buon Consiglio). Festa e Zojës së Shkodrës shënohej nga të gjithë fiset katolike të veriut. Këshilli i katërt i peshkopëve shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës Pajtore të Shqipërisë. Zoja e Shkodrës ka edhe një legjendë të vetën:

Zoja (Madonna) gjendej në fillim në një kishë të vogël të Shkodrës së vjetër në këmbë të malit të Rozafës, ku katolikët e Shkodrës e përnderonin portretin e saj në një pikturë me bojë vaji. Në 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën në rrethim dhe kërcënonin të çshenjtëronin kishën, piktura u shkëput për mrekulli nga muri, u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik për në Itali. E ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjorgji dhe De Sclavisi. Portreti në pikturë i Zojës erdhi e u preh në qytetin e Genazzano-s pranë Romës, ku u ngrit një kishë në nder të saj, Kisha e Zojës së Kshillit të Mirë (La Chiesa della Madonna del Buon Consiglio)

Që prej asaj kohe, vendi i shenjtë i Genazzano-s ka qenë pikë shtegtimi për katolikët shqiptarë. Rreth vitit 1700, përnderimi i Zojës së Genazzano-s u përhap edhe mes arbëreshëve të Kalabrisë, në veçanti në San Benedetto Ullano, falë klerikut Stefano Rodota. Kisha e tanishme e Genazzano-s u ndërtua në fillim të shek.XX dhe shtegtarët e vizitojnë duke ecur zbathur, sidomos gjatë ditës përkujtimore të Zojës së Kshillit të Mirë që është 26 prilli.

Edhe Kisha e Zojës në Shkodër ka qenë gjithmonë shumë e përnderuar nga katolikët shqiptarë të veriut. Në prill 1946, një vit pas marrjes së pushtetit nga komunistët, mbi dymijë vetë morën pjesë në shtegtimin tek ajo. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë, kisha u mbyll dhe u shndërrua në sallë vallëzimi dhe në vitin 1967, gjatë fushatës komuniste kundër fesë, kisha u rrafshua përtokë.

Botuar për herë të parë në gjuhën angleze në “Balkanistica – University of Missisipi” (2000).

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: