Bashkimi Europian duket i vendosur për të ndërtuar kampe refugjatësh, në një tentativë për të shmangur fluksin e madh të emigrantëve nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika e Jugut.
Ajo që mbetet për t’u diskutuar në takimin e ardhshëm të krerëve të shteteve të BE-së në 28 dhe 29 qershor në Bruksel, është se ku do të ndërtohen këto kampe.
Sipas mediave në Perëndim, mundësitë janë dy; në Shqipëri ose në Tunizi.
Tunizia është shprehur entuziaste për ndërtimin e këtyre kampeve, me fonde të konsiderueshme nga BE-ja. Por disa liderë mbeten skeptikë nëse Tunizia është vendi i duhur.
Shqipëria është alternativa e dytë, dhe tashmë nuk përbën sekret. E ka përmendur më parë Kryeministri ultranacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, Sekretari belg i Migracionit, Theo Francken dhe kryeministri i Austrisë Sebastian Kurz.
Kryeministri Edi Rama e ka të vështirë ta kundërshtojë nëse BE- vendos për ndërtimin e kampeve të refugjatëve në vendin tonë. Rama ka mohuar të ketë patur një propozim të tillë, por nuk ka deklaruar se si do të përgjigjet nëse vjen një propozim i tillë.
Këtë e ka përjashtuar Komisioneri Evropian për Imigracionin, Dimitris Avramopoulos, i cili tha të martën se vendet e Ballkanit nuk do të jenë në listën e destinacioneve të mundshme.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk propozon të ndajë më shumë burime financiare për forcimin e kufirit si në vendet e Ballkanit që shihen si rruga kryesore e kalimit të refugjatëve drejt vendeve të BE-së por edhe për rojet bregdetare të Libisë, një prej vendeve afrikano-veriore nga ku nisen një pjesë e madhe e refugjatëve.
Lini një Përgjigje