Advertisements
Telegrafikisht

Beteja e librit shkencor me ‘ shkrimin mitologjik’

IMG_8405

Në foto: Aurel Plasari

Është e vërtetë që shkasin caktimi i kësaj Dite Botërore të Librit e ka marrë nga përkimi më 23 prill i një numri datëlindjesh dhe datë vdekjesh shkrimtarësh me emra të mëdhenj në letërsinë botërore, – nga Miguel de Cervantes, William Shakespeare, Garcilaso de la Vega deri te Halldór Maurice Druon, Vladimir Nabokov etj., – por është po aq e vërtetë që tanimë kjo Ditë është shndërruar në homazh botëror ndaj librit dhe autorëve të tij në përgjithësi.

Duke ju falenderuar që më keni ftuar për të shprehur “disa mendime” në festimin e kësaj Dite këtu në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, jam i vetëdijshëm që në një mjedis si ky na takon të kuvendojmë veçan për librin shkencor, për marrëdhëniet tona me të, për marrëdhëniet e lexuesit me të, por edhe për marrëdhëniet me të të të rinjve. Edhe brenda fushës së librit shkencor besoj që do të kuptohem se përse kam zgjedhur të përqendrohem te libri i dijeve humanitare, të cilat duke grupuar histori, gjuhësi, antropologji etj. studiojnë kulturën e një shoqërie njerëzore a të një populli. Sepse këto të fundit përbëjnë pa dyshim dijet për të cilat punojnë dhe kontribuojnë më së shumti si Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ashtu edhe Qendra e Studimeve Albanologjike, edhe nëse i gjykojmë nga botimet e tyre përkatëse. Pesha që u jepet botimeve të tilla është e vetëkuptueshme përderisa bëhet fjalë për dijet më drejtpërsëdrejti të lidhura me interesat e një kombi, nga njëra anë, por edhe me politikat shtetërore, nga një tjetër anë. Më fjalë të tjera, janë fushë e dijeve që, sidomos me botimet e tyre, do të duhej të kishin edhe ndikimin më të ndjeshëm në realitetin shoqëror në të cilin jetojmë dhe punojmë.

Sa tituj botimesh të tilla realizojnë në vit dy strukturat kryesore akademike të këtyre dijeve në vendin tonë, përkatësisht Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike? Më pak njëra, më shumë tjetra, simbas specifikave që i njohim, të dyja së bashku sillen mesatarisht rreth një pesëmbëdhjetëshe titujsh në vit. Ja ta bëjmë një njëzetëshe titujsh. Po shtojmë edhe një numër revistash shkencore, që quhen periodike, ndonëse botohen në mënyrë më pak pariodike. Afërmendsh numrin e titujve mund ta lakmonim më të madh, edhe duke mbajtur në sy faktin që prurjet në këtë fushë përfaqësohen jo vetëm nga botimet e këtyre dy strukturave, por edhe nga struktura të tjera: universitare, institucionale, editoriale private etj. Gjithsesi, edhe me lakminë për “më shumë”, në një shoqëri të re demokatike më fort se çështja e sasisë një festë e Librit të shtyn ta vësh mendjen në punë për të bërë një llogari për ndikimin e librit shkencor në jetën bashkëhohore.

Pyetja “A lexohen këto botime?” do të ishte e pavend dhe as që mund të bëhet. Por më duket e përligjur tjetra pyetje: Sa lexohen këto botime dhe prej kujt lexohen? Treguesit e tregut të librit, nga njëra anë, dhe ato të bibliotekave publike, nga tjetra, nuk mund të quhen kënaqëse. E dini edhe ju, sikurse e di edhe vetë, që tregu i librit në Shqipëri vijon në përgjithësi të jetë problematik në shumë hallka të tij dhe, edhe më gjerë se tregu, rezulton me plot probleme sistemi i qarkullimit të librit. Gjithsesi për diskutimin e problematikave të tilla duhet gjetur vend tjetër. Për ç’i përket librit shkencor, për të cilin po shpreh këto disa mendime, mund të përsëris që, së paku treguesit e qarkullimit të tij, pra përkatësisht edhe të leximit, nuk janë ato që do të dëshiroheshin në një shoqëri si jona.

Me përvojën vetjake tanimë 40- vjeçare të punës me librin, së pari si lexues profesioni, mandej edhe si autor dhe si përkthyes, si editor në botime periodike, si punonjës drejtimi në sistemin kombëtar bibliotekar dhe, më në fund, edhe si mësimdhënës – quajini ju lutem përvoja modeste – mundem të vlerësoj që libri shkencor i fushës së qenësishme të dijeve humanitare qarkullon dhe lexohet: 1) më pak a më shumë mes kolegësh, 2) paksa ndër masteruesit dhe diçka më shumë ndër doktoruesit, 3) më pak mes lexuesit masiv për nga përpjesëtimi aritmetik me numrin e madh të këtij lexuesi. Nuk është ndonjë “dukuri origjinale” e shoqërisë shqiptare; mirëpo është dukuri që na intereson dhe nuk mund të mos na bëjë të mendohemi për të.

Qysh në kohën e vet një ballkanas mendjendritur si Nikolla Jorga e formulonte shqetësimin e këtij qarkullimi të ngushtë duke qortuar traditën e shkrimit, të qarkullimit dhe më në fund të ndikimit të teksteve të dijeve humanitare si një perandori mandarinësh, – nga ata të aristokracisë së vjetër kineze, – që mbyllen brenda murit të vet të madh, që përdorin një “zhargon esnafesh”, siç e emërtonte ai në kuptimin e gjuhës së receptueshme vetëm prej kolegësh, dhe njëherësh të izoluar nga lexuesi masiv ashtu të mbyllur te kulla studimore. Në atë mënyrë një “perandori mandarinësh”, në cilëndo shoqëri qoftë ajo, vendos mes vetes dhe botës rrethuese shkretëtirën e preokupimeve pa lidhje me nevojat, shqetësimet, aspiratat e botës në mjedis të së cilës jeton dhe punon. Më këtë dijetari i madh dhe, pa dyshim, ndër prodhimtarët më të pjellorë të dijeve humanitare, synonte t’u kujtonte kolegëve të vet domosdonë që librat e dijeve humanitare të shkruhen për njerëzit, për shoqërinë në të cilën jetohet, dhe jo thjesht për buletine, revista dhe për ata që ai i emërtoi “kolegë të esnafit”. Që nga koha e Jorgës e këndej zhvillimi i qytetërimit europian vetëm sa e ka mbështetur këtë tezë të tij duke vërtetuar që, të lavruara në këtë mënyrë, dijet humanitare funksionojnë si faktor progresi për çdo shoqëri.

Por mendoj se qarkullimi i munguar i librit të kësaj fushe dhe, përkatësisht, edhe receptimi i kufizuar i tij kanë të bëjnë edhe me vetë specifikën e fushës në fjalë, veçan të dijeve si histori, antropologji, gjuhësi etj. Në një shoqëri demokratike, d. m. th. të hapur e të lirë, dije të tilla provokohen rëndom prej atyre që i quaj “tekste mitologjike”. Termi “provokim”, nga folja latine “provocare”, na kujton që do të thotë me thirrë dikë që të dalë jashtë, të zbresë në shesh ose në përfytyrimin e moçëm shqiptar: “me thirrë dikênd n’bejleg”. Që të dalin jashtë në një log të betejës, për këtë provokohen dijet humanitare prej miteve sociale ose politike të maskuara si gjuhësi, histori, antropologji etj. Dhe në shoqëritë demokratike çmontimi i miteve të tilla bën pjesë në detyrat e specialistëve të dijeve përkatëse, pavarësisht simpative sociale dhe sidomos politike të vetë specialistëve.

Ndërkaq beteja për çmontimin e “teksteve mitologjike” karakterizohet shpesh nga një situatë kundërthënëse, që më shumë ndihet dhe më pak thuhet: një betejë e tillë mund t’u bjerë ndesh prirjeve të theksuara nacionaliste në cilëndo shoqëri, jo vetëm në tonën. Është ajo situatë që në traditën shkencore europiane përshkruhet nga paradigma e Ernest Renanit në esenë

edhe harresa historike, madje edhe shpërfillja e të vërtetave historike, mund të përbëjnë faktorë të qenësishëm ( esencialë) në konstituimin e një kombi. Këtë e thoshte Renani, në mes të Francës, dhe specialistët e dinë se ç’betejë më se njëqindvjeçare i është dashur të zhvillojë historiografisë franceze për të vendosur tezat e reja të interpretimit të Revolucionit Francez.

Po zgjedh nga realiteti ynë një shembull pak të njohur, i cili meriton të njihej më shumë: libri i paradokohshëm i profesorit arbëresh të letërsisë shqipe Mateo Mandalà me titull Është një libër që “u tregon vendin” pothuajse të gjitha miteve me origjinë abëreshe me të cilat është përkundur ndër shekuj shoqëria arbëreshe, veçan në shekujt XVIII e XIX, për të veshur me fisnikëri dhe tituj fisnikërie një popullsi në hjekë e sipër mbërritur në bregun italian prej shekullit XV për të kërkuar “fat”: popullsi e ngjashme gati në gjithçka me tërë ato popullsi që rrahin udhët e mërgimit e që për vete më sjellin në mend fjalët e Dantes për aromën e kripur të “bukës së tjetrit” kur ikanakut i rëndet edhe të zbriturit e të ngjiturit e “shkallëve të botës”. Në mjedisin ku libri u botua jo vetëm është pritur me befasim, por edhe është shoqëruar me shqetësime, ndonjë herë edhe me qortime. Edhe vetë fillova ta lexoja me një shqetësim të ngjashëm, por u detyrova ta dorëzoja shqetësimin: libri përbën një tekst tejmase të qartë, të shkruar me një logjikë që s’të fal, me një aparat metodik bashkëkohor, duke shtënë në punë metodat historiografike, semiologjike, filologjike, me një fjalë një epistemologji të tërë, që e bën të pagoditshëm nga cilado anë që mund të doje ta sulmoje.

Vetë titulli nuk është veçse pjesa e parë e motto- s latine që e plotë tigëllon:

Shqip po e them: “Bota ka qejft që të gënjehet, pra le të gënjehet”. Nëse ajo na ka ardhur nga satiristi i erotikës latine Petroni apo jo, kjo nuk ngre peshë. Peshën e ngre një fakt më i rëndësishëm: libri në fjalë ngjan më fort me një vepër teorike që historinë e miteve të origjinës arbëreshe e ka përdorur si shkas për të dhënë një shembull shkencor të çmontimit të “teksteve mitologjike” si fenomenologji. Është një shembull i cili na rikujton që gjuhëtarë, historianë, antropologë etj. – po vijoj duke përmendur dijet me ndikim më të drejtpërdrejtë nga kjo fushë – e kanë detyrë t’i çmontojnë mitologji të tilla, përvçse në qofshin në shërbim jo të dijeve, por të ideologjive. Ky kontribut i domosdoshëm, që nga një vështrim mund të cilësohet si “negativ” – në kuptimin “mohues” – ushtron efektet e veta në zhvillimin e shoqërisë së kohës kur studiuesi jeton dhe punon. Që politikanët mund të mos i falenderojnë historianët, gjuhëtarët, antropologët etj., të cilët përmbushin detyra të tilla, kjo po njihet. Por kemi të drejtë të kujtojmë që dijetarët francezë, gjermanë, britanikë etj., të cilët janë po aq të devotshëm sa çdokush tjetër ndaj lirive franceze, gjermane, britanike etj., një qëndrim i tillë i politikanëve nuk i pengon të kritikojnë mitologjitë prej të cilave “provokohen”.

Roli publik më i rëndësishëm i historianëve, gjuhëtarëve, antropologëve etj., posaçërisht në shtetet e konsituuara rishtas mbas Luftës së Parë Botërore, ose edhe mbas së Dytës, rezulton kështu kontributi në betejën ndaj “shkrimit mitologjik” edhe në situatën kur beteja në fjalë mund të ngjajë sikur përbën për “nacionalizmat”, dhe për të gjitha idelogjitë e tjera të identitetit kolektiv, “një rrezik”. Ne vetë jetojmë dhe përjetojmë një situatë joshëse: kur konfiliktet ndërkombëtare varen prej debateve gjuhësore, historike, antropologjike etj., dhe kjo vërehet më së miri në rajonin tonë. Situata të tilla mundësojnë të dallosh edhe më lehtë se sa të kufizuara janë funksionet e historianit, të gjuhëtarit, të antropologut etj. për çmontimin e “teksteve mitologjike”. Ndoshta ngaqë fuqia e tyre shkencore është, siç e cilësonte Popper- i, “negative”. Sepse ka qenë Karl Popperi i cili ka pasë vënë re që shqyrtimi i falsifikimeve mund ta bëjë një teori të pambrojtshme, por ai nuk përbën në vetvete një teori. Çfarë do të thotë që ti mund ta çmontosh një mit vetëm në masën në të cilën ai mbështetet në premisa false që mund të dëshmohen si të tilla. Ndërsa është në natyrën e miteve gjuhësore, historike, antropologjike etj., veçan atyre me veshtje “nacionaliste”, që vetëm disa prej përbërësve të tyre mund të çkreditohen në këtë mënyrë.

Për të marrë një shembull po nga kolegu ynë Mandalà, po kujtoj reagimet që shkaktoi në rrjetet sociale – ndër mjetet e qarkullimit masiv të “teksteve mitologjike” – njëri nga pohimet e tij ngulmuese në një konferencë ndërkombëtare të organizuar një vit më parë a dy në Gjirokastër nga universiteti “Eqerem Çabej” në bashkëpunim me Universitetet e Palermos dhe të Kalabrisë. Njërën nga të ashtuquajturat dëshmi të entogjenezës shqiptare ai e cilësoi qartë si “Miti Pellazg” duke argumentuar edhe se si ai mit u përftua në fillim në mjedisin arbëresh për t’u shdërruar mandej në njërin nga mitet më të rëndesishme që përdori kultura e Rilindjes. ( Është fjala për Rlindjen Kombëtare Shqiptare, jo për një tjetër.) Reagimet, të cilat autori i përballoi edhe në një intervistë të plotësuar me argumente, të bëjnë të kuptosh që në betejën për mundjen e miteve njerëzit e shkencës mund të rezultojnë të pafuqishëm para atyre që kanë zgjedhur t’u besojnë miteve historike, gjuhësore, antropologjike etj.

Një shembull tjetër? Ndonëse i shndërruar tanimë, prej më shumë se një dymbëdhjetëvjetëshi në përrallë, i ashtuquajturi zbulim i një dorëshkrimi të të ashtuquajturit Teodor Shkodranit i të ashtuquajturit vit 1210 vijon të joshë lexues në rrjetet sociale më fort se shkrimet që e kanë çmontuar një herë e mirë atë përrallë. Jo vetëm kaq, por ashtu si në prozën fiksionale “me sirtarë” – një morfologji të saj na e ka shtjelluar Aleksander Proppi, – përralla e atij “zbulimi” ka frymëzuar “zbulime” të…

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: