Ekipi i Vllaznisë ka arritur të fitojë ndaj Kukësit me rezultatin 2-1, në një takim mjaft delikat për shkodranët.
Duke parë edhe fitoren e Laçit ndaj Kamzës, tashmë shpresat e Vllaznisë për mbijetesë tashmë janë rritur më tepër. Në një intervistë për “RTSH Sport”, trajneri i shkodranëve, Kraja është shprehur se besimi është shtuar pas triumfit ndaj Kukësit, ndërsa tashmë kërkon një lojë të pastër të Partizanit ndaj Kamzës.
“Për fat të mirë fitoi dhe Laci ndaj Kamzës dhe tashmë kemi një shpresë. Futbollistët e kishin mendjen te Kamza, edhe pse e biseduam këtë çështje shumë herë përpara nisjes së takimi. Ndoshta kishin edhe të drejtë, pasi një fitore e Kamzës do të zhvlerësonte ndeshjen tonë. Besimi përpara kësaj ndeshje ishte i paktë.
Kishim një shpresë që tashmë është rritur, duke parë rezultatet e ndeshjes së sotme. Skënderbeun do e gjejmë të pamotivuar në ndeshjen e radhës, pasi kundërshtari do e ketë vëmendjen te finalja e Kupës. Partizani ashtu si luajti kundër nesh, duhet të luajë edhe ndaj Kamzës, duke bërë një lojë të pastër”, ka thënë Kraja. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/