Advertisements
Telegrafikisht

Një listë për gratë e fisnikërisë arbërore

33-c1200x600

Nga: Eleni Laperi

Si sot 567 vjet më parë Skënderbeu u martua me vajzën e Gjergj Arianit Komnenit, Andronika.  Andronika është një prej grave të shquara të mesjetës shqiptare, është një prej zonjave të listës, që nisa të hartoj ca muaj më parë.

“Lista është origjina e kulturës. Është pjesë e historisë së artit dhe të letërsisë”, shkruante Umbreto Eco. “Në fillim mendonim se një listë ishte diçka primitive dhe tipike e kulturave shumë të herëshme, të cilat nuk kishin një koncept të qartë mbi universin, ndaj kufizoheshin në renditjen e karakteristikave, që ata mundnin  të emërtonin. Por lista është shenjë e një shoqërie shumë të përparuar dhe të kultivuar, pasi një listë na lejon të ngremë pyetje për përkufizimet themelore.”

Kam nisur një përpjekje për të bërë një listë të grave të shquara të viseve arbërore të periudhës para-osmane, një listë të veshjeve të tyre, të shtëpive dhe orendive të shtëpive të tyre, të ushqimeve të tryezave të tyre, të lidhjeve të familjeve të tyre me familjet e mëdha të Bizantit, të Ballkanit dhe të Evropës. Ato kanë qënë pjesë e historisë, e kulturës dhe e artit tonë, edhe pse nuk e dimë, edhe kur nuk i njohim. “Ngaqë nuk duam të vdesim përgjithënjë ne bëjmë një listë, një renditje e gjërave që dimë. Pasi kur vdes kultura, kur vdes arti i një vendi, i një kombi, vdes edhe ai vend, vdes edhe ai komb.”

Udha e kësaj liste nisi kur vendosa të shpie nipin tim të parë të shohë Beratin, vendlindjen e babait tim, qytetin që e kam në zemër dhe në gjak. Që të isha e përgatitur për pyetjet e nipit, nisa të kërkoj të dhëna për qytetin dhe banorët e tij, duke nisur që nga fillesa e jetës së tij. Mësova se në Muzeun Etnografik të Beratit janë dy çekanë prej guri, të zbuluar pranë mureve të kështjellës bashkë me disa mbetje prej bakri dhe bronzi, që i përkasin fillimit të periudhës së bronzit, rreth dymijë vjet para erës sonë. Por ato presin ngritjen e një muzeu arkeologjik, që të ekspozohen. Ndërsa të dhëna mbi mënyrën e jetesës së fisnikëve shqiptarë në Mesjetë, para ardhjes së osmanëve, nuk gjeta.

Në shkollë nuk na mësuar asgjë mbi kulturën dhe artin e asaj periudhe, e kohës së arbërorëve, e koha para pushtimit osman. As librat e historisë, as muzetë etnografikë apo historikë të Shqipërisë nuk të kënaqin me përgjigjet për këto tema.

Ne nuk kemi patur shembuj të mënyrave të jetesës së arbërve për të ndjekur. Kemi patur vetëm shembuj heronjsh luftëtarë, shembuj të mënyrave të vdekjes së tyre. Kemi mësuar në shkollë për luftrat, për betejat, kemi mësuar sa të mëdha ishin ushtritë, me kë përballeshin arbërit, cilët ishin prijësit, sa ishte numri i luftëtarëve të vrarë. Po nuk dimë asgjë si jetonin këta prijës apo luftëtarë, cilat ishin gratë e tyre, si visheshin, çfarë shtronin në tryeza për të ngrënë, si i kishin të ndërtuara banesat, si i mobilonin, çfarë të mira i sollën familjeve lidhjet e martesave që ata zgjodhën për vajzat e tyre.

Na kanë përgatitur për të nderuar luftën dhe vdekjen, jo për të nderuar jetën dhe punën.

Iu ktheva librave, të vjetër e të rinj, të autorëve shqiptarë e të huaj për të plotësuar atë që nuk na e dha shkolla. E nisa me leximin e ‘Kujtimeve’ të Gjon Muzakës. Me Marin Barletin. Pastaj me librin e Pëllumb Xhufit ‘Nga Paleologët te Muzakajt’, me ‘Aleksiada’-n e Anna Komnena-s, me ‘Historia e qytetërimit shqiptar’ të Kristo Frashërit, me studime, shënime e dokumente të historianëve, etnologëve e udhëtarëve. Nisa të kërkoj cila ishte kultura e arbërve/albanezëve të shekujve të X-XV, lidhjet e tyre me Bizantin dhe Romën, me Evropën dhe Ballkanin dhe ndikimet, që patën mbi kulturën e tyre shkëmbimet me Venedikun, me Raguzën, mbretërinë e Napolit dhe e Siçilisë, me  Kostandinopojën. Ndoshta mangësitë e thella që izolimi i rreptë krijoi në edukimin tonë i kanë shtyrë aq shumë shqiptarë t’i kthehen historisë.

Fisnikët arbër të atyre kohëve kishin lidhje e krushqi jo vetëm me fisnikët fqinjë ballkanas, po edhe me fqinjët përtej detit, deri me familjen e mbretërve francezë dhe  të perandorëve të Kostandinopojës. Po gjëja më e bukur për mua ishte zbulimi i disa historive mahnitëse, që nisën nga lidhjet me anë të martesave të vajzave arbërore me familjet më të shquara të Evropës e të Ballkanit dhe i disa portreteve, vepra arti të mrekullueshme.  Janë histori të vajzave e grave të  familjeve fisnike arbërore, të cilat nuk ishin vetëm vajza të prindërve të tyre, nuk ishin vetëm bashkëshorte të burrave të tyre. Ato ishin pjesa e rëndësishme e lidhjeve midis familjeve, që jo vetëm siguronin pasardhësit e fisit, po krijonin aleanca e prona të reja, e forconin të vjetrat në dobi të familjeve të tyre. Patjetër ishin edhe të edukuara mirë, pasi ishin të destinuara të bëheshin bashkëshorte e nëna të fisnikëve jo vetëm arbër, po edhe të huaj, do prisnin e do përcillnin princa e ambasadorë në vatrat e tyre.

Kur rendit emra të familjeve fisnike arbërore, si: Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Shpatat, Zenebishët, Kastriotët, Dukagjinët, Zgurajt, Balshët, etj., në të njëjtën kohë rendit edhe karakteristikat e historisë sonë të shkruar deri tani, nga të cilat kupton se ajo shfaqet si një histori e burrave, një histori e  forcës dhe e armëve. Po me shumë pak histori të ‘mendjes’, histori të kulturës, histori të artit, nga të cilat do të njihnim më mirë paraardhësit tanë dhe do të mund të gjykonim më drejt mbi arbërit.

Fisnikëria evropiane ka lënë gjurmë në zhvillimin e kulturës dhe mënyrën e jetesës të popujve të vendeve të tyre. Në Ceret, në një fshat me 15 000 banorë në jug të Francës, e zonja e bujtinës sillej si një ‘madame’ e dikurshme e kështjellave të luginës së Luarës. Ajo ishte gjithnjë e stolisur, e buzëqeshur e lozanjare dhe përdorte një fjalor plot me shprehje e fjalë mirësjelljeje ndaj bujtësve të saj. Perandorë, mbretër e princa të botës, kuzhinierët e tyre, ndër shekuj kanë lënë emrin në stilet e arkitekturës e të mobilimit të pallateve, në modën e veshjeve e të krehjeve, në mënyrën se si i përpunonin e përgatitnin ushqëimet.

Ne kemi vetëm legjenda, që himnizojnë trimërinë, forcën e krahut të princave tanë. Prej veprave të historianëve mëson se deri tani historia jonë e shkruar pas  luftës së Dytë Botërore është e përqëndruar në jetën dhe veprat e popullsisë, e cila jetonte jashtë fortesave të qyteteve e kalave, në jetën e popullsisë së fshatit, duke lënë në harresë jetën qytetare arbërore. Robert Elsie thoshte se gjuha shqipe është shkruar vonë, pasi popullsia në përgjithësi ishte fshatare dhe nuk e përdorte gjuhën e shkruar. Historianët e shpjegojnë këtë me faktin se ajo pjesë e popullsisë  jetonte jashtë çdo lidhjeje me pushtetet, jashtë mureve të  kështjellave, në tokat që rrethonin qytetet, pasi vetëm ashtu u shpëtonin taksave. Ata e flisnin gjuhën shqipe po nuk kishin nevojë të përdornin shkrimit, pasi nuk kishin asnjë lidhje me administratën e mbretërve e të perandorëve.

Regjimi totalitar, i cili u vetëquajt ‘diktaturë e proletarëve’, nxiti përbuzjen ndaj klasës së fisnikëve, duke ndikuar në krijimin e asaj kulture jetese që kemi edhe sot. U formulua një histori, e cila e fshiu nga kujtesa kulturën e pjesës së kultivuar të popullsisë arbërore, të familjeve fisnike, që jetonin si gjithë fisnikët e Evropës e të Bizantit. Kulturën para-osmane nuk e gjen as në filmat e tablotë historike të periudhës së diktaturës kushtuar atyre kohëve. Edhe në veprat e artit zotërit e feudeve apo prijësat ushtarakë, zakonisht në skena betejash, janë pikturuar të veshur si fshatarët, me jelekë e me fustanella, ose me tirqe. Ndërkohë që fisnikët arbër ishin krerë të fiseve, ishin luftëtarë, po ishin edhe tregtarë, edhe diplomatë. Ata visheshin si fisnikët evropianë apo romanë / bizantinë. Për këtë bindesh kur sheh gravurat e autorëve të huaj dhe veprat e ikonografëve tanë, dëshmi pamore të asaj periudhe.(Si pasojë sot te ne elita, klasa që duhej të ishte burim i një kulture të sofistikuar, është lumpen borgjezia.)

Ikonografi David Selenicasi në muret e kishës së shën Kollit të Voskopojës na ka lënë portretet e ktitorëve të kishave të Voskopojës e të Oparit, me stoli arkondi të kohës, me veshje deri në fund të këmbëve, shtrënguar me brez dhe mbi të një qyrk të madh luksoz prej gëzofi, me kapë prej cohe e pëlhure të kuqe dhe me këpucë të sheshta. Ndërsa Karl Topia në ikonën e kishës së shën Gjon Vladimirit në figurën djathtas, është paraqitur i veshur me veshje bizantine, edhe pse mëngët e veshjes janë të hedhur prapa, si në veshjet tradicionale vendase.

Prej Gjon Muzakës dimë se burrat e kohës së tij i mbanin flokët e gjatë të derdhur mbi shpatulla, e para tyre i mbanin edhe të thurrura gërshet. Theodor Muzaka, paraardhës i Gjon Muzakës  mbante edhe mbiemrin Kishetisi, fjalë që vinte nga ‘kishet’, ‘gërshet’. Në një gravurë Skënderbeu paraqitet me mjekër të gjatë e kokën e qethur. Një nga gratë që sjell mirën, në një detaj nga skena “Mos më prek” e David Selenicasit, në Shënkoll të Voskopojës, i mban të lëshuara mbi gjoks flokët e dredhura me ngjyrë të çelur gjysmë të mbuluara nga shamija, që më kujtuan portretet e grave në pikturat e rilindjes italiane, të cilat flokët e gjatë i mbledhin prapa, po lëshojnë nga një tufë mbi veshë. Ashtu si bëjnë gratë e Kelmendit apo zadrimoret edhe sot. Fan Noli shkruante se Skënderbeu vishej si fshatarët e krahinës së tij edhe kur shkonte në Itali. Po një dëshmi të tillë pamore nuk e gjejmë në asnjë prej portreteve në piktura apo gravura të artistëve evropianë të asaj kohe.

Disa historianët shkruajnë se fisnikët, që jetonin në qytete, e mbanin veten për venecianë, për shtetas të mbretërisë së Napolit, për romanë/bizantinë, e kështu me rradhë, pra flisnin e shkruanin gjuhën e latinëve, të frankëve apo të administratës bizantine. Sepse qytetet ishin nën zotërimin e Venecias, të Bizantit, apo të mbretërve latinë, frankë etj.

E kemi lënë gjatë në harresë jetën e fisnikëve arbër, ndaj historianët ballkanas na quajnë të prapambetur, të pagdhendur, të egër e banorë të maleve. Sipas tyre kulturën dhe qytetërimin arbërit e mësuan prej pushtuesve, kur u ulën nga malet e hynë në qytetet e ndërtuara prej tyre. Natyrisht ata harrojnë se asgjë nuk nis nga hiçi. Edhe helenët mësuan nga kultura e egjiptianëve, të cilët mësuan prej babilonasve; pastaj Roma mësoi nga helenët dhe e shpuri atë kulturë deri në Skoci e në viset e tjera të popujve ‘barabarë’ të Evropës veriore. Prandaj ka dalë edhe shprehja latinë ‘Sic transit gloria mundi’.

Duke lexuar e duke mbledhur të dhëna në vepra të ndryshme, për të gjetur si ka kaluar lavdia e botës nëpër tokat arbërore, mëson se feudalët arbër merrnin e jepnin me familjet fisnike të Evropës e të Bizantint jo vetëm vajza e djem, po edhe mënyrën e jetesës. Në Arbëri / Albani banesat e njerëzve të thjeshtë ishin të vogla, të ngushta, të paajrosura mirë, të pasuvatuara, pa tavan, me dyshenë me dhè të ngjeshur, ku edhe ndizej zjarri. Shtëpitë e tyre nuk kishin oxhak dhe njerëzit jetonin bashkë me bagëtinë, si të varfërit kudo në Evropë. Masat e gjera të popullsisë në qytet apo në fshat, përdornin enët prej qeramike, të thjeshta apo të glazuruara brenda dhe jashtë, herë-herë edhe të zbukuruara.

Ndërsa banesat e fisnikëve ishin të mëdha, të ndërtuara me materiale të zgjedhura e të përdorura me mjeshtëri, të pajisura me mobilje  luksoze. Mobiljet e tyre ishin prej druri të stolisura me gdhëndje mjeshtërore; muret e banesave të tyre ishin të bardha, të lyera me gëlqere dhe të pikturuara. Po nuk e dimë në ishin piktorë vendas ata që i zbukuronin me afreska këto banesa të fisnikëve, apo ishin të sjellë prej vendeve të tjera. Ndoshta ishin ikonografë, të cilët pajtoheshin për të stolisur jo vetëm kishat, që ndërtonin fisnikët për shenjtorët e tyre mbrojtës, por edhe banesat e fisnikëve.

Nuk kam gjetur pamje të ndonjë banese të fisnikëve mesjetarë arbër, që të ketë arritur deri në ditët tona, kështu që nuk mund të them se si kanë qenë këto afreska, që i zbukuronin. Po nuk kemi asnjë të dhënë se si ishin zbukuruar, dhe cfarë paraqitej në ato afreska, ishin thjeshtë pejzazhe, zbukurime floreale, apo ishin skena historike e mitologjike, si ato që zbukuronin pallatet e fisnikëve latinë e bizantinë. Këtë ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë.

Ka vetëm disa autorë të cilët shkruajnë se shtretërit në shtëpitë e tyre ishin me dyshekë e jastëkë me pupla dhe serviset e tryezave të tyre ishin të argjendta. Gjon Muzaka përshkruan poltronën, të cilën Andrea Muzaka, paraardhësi i tij, e pati marrë dhuratë rreth vitit 1372 prej despotit të Kostandinopojës. Poltrona kishte shpinore të stolisur me figurën e shqiponjës dykrenore bizantine, të formuar me perla.Fisnikët ngritën me shpenzimet e tyre kështjella monumentale dhe kisha, bukuria e ikonave dhe afreskave të tyre, disa prej të cilave kanë arritur deri në ditët tona, dëshmojnë jo vetëm për pasurinë e porositësve, po edhe për mënyrën e sofistikuar të jetesës së tyre. P. Xhufi përmend igumenin Danail të manastirit të Pentarhontit në Perondi të Beratit, i cili tregon se perdet prej mëndafshti të portës së këtij manastiri të ngritur nga Muzakët ishin dhuratë prej Balshajve. E përderisa ata dhuronin perde mëndafshti për një manastir, nuk ka pse të mos mendojmë se edhe perdet e banesave të tyre do ishin prej mëndafshti.

Dëshmitë për pamjen e banesave të fisnikëve, me fasada prej guri të latuar, me dru të gdhendur, me mure të lyera me qëlqere, të dhënat për dhomat e zbukuruara me afreske, të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ndriçuara me qirinj dylli të vendosur në shandanë argjendi të zbukuruar me gdhendje artistike, për shtretërit, arkat e fronat prej druri të gdhendur, për dyshekët e jastëkët me pulpla e për perdet prej cohash të vyera, i gjejmë në kujtimet e Gjon Muzakës, po gjejmë të dhëna, ndoshta të idealizuara, edhe në skenat e paraqitura prej piktorëve ikonografë vendas. Ikonat janë një thesar për ne, që duam të dimë më shumë për të parët tanë.

Në ikonat e trashëguara nga dy shkollat e ikonografisë arbërore të themeluara nga artistë vendas, ajo e Beratit dhe ajo e Korçës, si i klasifikon Theofan Popa, ne gjejmë atë që evropianët e kanë në tablotë e artistëve të tyre: gjejmë tiparet të banesave, tipare karakteristike të portreteve të  arbërve dhe dëshmi të veshjeve qytetare arbërore.

Shumica e të dhënave pamore për jetën e fisnikëve tanë i gjejmë në gravura e piktura të artistëve evropianë. Them evropianë, pasi dimë se kishte ikonografë arbër, kishte edhe një akademi në Voskopojë, sipas Theofan Popës, po nuk dimë asgjë për autorë arbër, që përdornin teknikat e gravurës e në kanë realizuar me to portrete e kompozime nga jeta në Arbëri. Portreti i Skënderbeut, i cili mbahet si më i afërti me pamjen e vërtetë të tij, gjendet

në galerinë Ufici në Firence dhe është vepër e piktorit Cristofano dell’Altissimo, kopje e origjinalit të koleksionit prej 484 portretesh të njerëzve të shquar të epokës së Paolo Giovio. Në atë portret Skënderbeu paraqitet i veshur si Cosimo de’ Medici (1389-1464), i pari i dinastisë së Mediçëve, i pikturuar nga piktori Jacopo da Pontormo (1494-1557). Ai  paraqitet me një kapelë të kuqe, nën të cilën ka një skufje të bardhë dhe me një gëzof që zbukuron mantonë po të kuqe, ngjyrë e veshjeve të mbretërve e perandorëve. Në gravurën, e përdorur nga Marin Barleti për botimin e vitit 1510 të librit të tij “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Skënderbeu paraqitet me po atë model kapeleje e mantoje, po të zbukuruara me motive floreale.

 Në një gravurë gjermane të vitit 1533 e titull ‘Ëndrra e Vojsavës’, e shohim të paraqitur mëmën e Skënderbeut në shtratin e saj. Artisti gjerman e ka përfytyruar nënën e heroit ashtu si ai shihte se visheshin e flinin gratë fisnike gjermane, po shumë gjasa ka të jetë afërsisht e tillë e vërteta. Sepse edhe Fan Nolit na thotë se Vojsava, nëna e Skënderbeut, rrinte ulur pranë zjarrit në një poltronë të stilit venecian. Pra banesa e Vojsavës kishte mobilje si ato të pallateve të fisnikërisë evropiane. Në një tjetër gravurë paraqitet Skënderbeu në shtratin e tij në çastet e fundit të jetës. Nuk ka pse të mos mendojmë se dikush e ka parë si jetonte Skënderbeu e ka shkruar për të e në ato shënime janë mbështetur artistët evropianë, që kanë realizuar portretet e kompozimet e tyre.

Në bibliotekën e kështjellës Arolsen, në Hesse të Gjermanisë, ruhen gravura  që paraqesin pejzazhe, kompozime e portete të famshmë. Atje gjenden edhe portretet e realizuara nga grafisti Johann Theodor de Bry të Andronika Arianiti Kastriotit, të Tanush Topias, të Moisi Golemit, të Hamza Kasrtriotit, të Skënderbeut, të betejave që ai ka udhëhequr. Në të gjitha gravurat e bibliotekës së kështjellës Arolsen fisnikët mejsetarë arbër paraqiten të veshur si fisnikët e Evropës Perëndimore e të Bizantit.

Duke parë ikona arbërore, apo tablo e gravura, që paraqesin gratë e shoqërisë së lartë bizantine e evropiane, u mundova të rindërtoj veshjen dhe mënyrën e krehjes së grave të  familjeve fisnike arbërore. Arbërit i kemi gjykuar e i kemi përfytyruar, si në filma edhe në kompozimet historike, të veshura me veshje tradicionale, që na kanë mbritur deri sot. Po kur lexon se udhëtonin e shkonin për të dëfryer apo të zgjidhnin cohat për veshjet e tyre jashtë vendit apo në qytetet – porte, ku tregtarë prej Venedikut, Raguzës e Bizantit sillnin mallra të ndryshme, nuk e ke të vështirë të pranosh se edhe ato visheshin e kriheshin si fisniket e vendeve fqinjë.

Arbëria ishte në mes të Perandorisë së Lindjes e asaj të Perëndimit. Moda, ndoshta me pak vonesë, po patjetër arrinte deri në familjet e fisnikëve arbër. Cohat për veshjet e tyre e të familjes së tyre, ishin tekstile të mëndafshta, të leshta apo gëzofe të vyera. Ishin edhe tekstili i quajtur ‘fustan’, me të cilin bënin këmishët apo fustanellën. Patjetër përdoreshin edhe copa prej lini e mëndafshti, të endura në vend. Në se do krahasojmë veshjen e gruas së qytetit Berat me veshjen e një gruaje arbëreshe të Piana degli Albanesi dhe me veshjen e Domenica Tornabuoni, një fisnike e periudhës së  Rilindjes italiane, të paraqitur në pikturën e Ghirlandaios, do thoja se ngjashmëria është e madhe. Një tjetër shembull është te ikonat e David Selenicasit, i cili e paraqet gruan mirëprurëse me flokë me ngjyrë të çelur e të dredhura, të derdhura mbi shpinë, që na kujtojnë portretet e grave në pikturat e rilindasve italianë.

Një ndikim të madh në fatin e Arbërisë padyshim pati një rrugë, rruga Egnatia apo rruga Mbretërore, e cila niste nga Durrësi e i binte vendit mespërmes. Ajo rrugë jo vetëm lehtësoi  shkëmbimet midis banorëve të feudeve, që renditeshin përgjatë saj. Ajo ishte edhe shkaku, edhe drejtimi nga vinin e iknin ushtritë e pushtuesve, që kërkonin toka të reja, të begata. Etleva Lala shkruan se Karli Anzhu e kishte mbretërinë e Albanisë si pikëkalimi të kryqëzatave. P. Xhufi shkruan se rreth 32 fuqi ushtarake kanë kaluar nëpër Albaninë e asaj kohe.

 Kryqëzatat kalonin nëpër Arbëri, sepse nëpërmjet rrugës Egnatia shkonin në Jeruzalem. Të gjithë donin të bëheshin zotër të asaj rruge. E ndërtuan romakët në shekullin e dytë rrugën që niste nga Dyrrachium i Ilirisë, ndiqte rrjedhën e lumit Genusus /Shkumbinit, kalonte malet Candaviae /Jablanica dhe nga liqeni i Ohrit shkelte në Maqedoni, Greqi e arrinte në qytetin e Bizantit / Kostandinopojë. Kush nuk e donte rrugën e shtruar me kalldrëm, të gjatë 1120 metra e gjashtë metra të gjerë? Nëpër të kalonin edhe ata, që ndonjëherë as nuk arrinin në Jeruzalem, as nuk ktheheshin në shtëpitë e tyre, po mbeteshin në Arbëri. Ndoshta midis tyre ishin edhe ata që, sipas legjendës, sollën Zojën e Shkodrës prej Jeruzalemi, ose e pikturuan në kishën rrëzë kalasë së Shkodrës. Nëpër të vinin në Arbëri edhe ndryshimet në mënyrën e jetesës.
Familja që ka lënë më shumë gjurmë, të cilat i gjejmë edhe sot, është ajo e Gjergj Arianit Komnenit, djali i zotit të Vlorës dhe Kaninës, Komnen Arianit Komnenit, i cili thuhet se rridhte në linjë femërore nga familja perandorake bizantine e Komnenëve. Komnen Arianiti u martua me vajzën e Nikollë Zaharia Sakatit, zoti i Budvës e baron i Senias. Bija e tij u martua me Pal Dukagjinin, po nuk dimë gjë tjetër për të. Gjergj Arianiti u martua me Maria Muzakën, vajzën e Andrea Muzakës, një prej familjeve të mëdha të Arbërisë. Sipas Skënder Anamalit familja e Muzakajve e kishte origjinën nga Opari i Korçës. Zotërimet e tyre u shtrinë nga Kosturi deri në Myzeqe.
Gjergj Arianiti dhe Maria Muzaka patën tetë vajza. Pas vdekjes së Marias, Gjergji u martua me Petrina Franconen, vajzë e guvernatorit të Leçes, që atëherë bënte pjesë në mbretërinë e Siçilisë, me të cilën pati dy vajza e një djalë. Falë lidhjeve, që familja e tij pati nga martesat e vajzave me familje të shquara të viseve evropiane, të atyre viseve që e kishin bërë zakon t’i shkruanin historitë e tyre, që porositnin artistë për të bërë portretet e tyre dhe arkivonin ato dokumente, ne sot dimë më shumë për Gjergj Arianit Komnenin e familjen e tij.
Andronika, ose Donika, vajza e madhe e Gjergj Arianitit dhe e Maria Muzakës, u martua me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Donika u lind në Kaninë më 1428. Në 21 prill të vitit 1451 ajo u martua me Gjergj Kastriotin. Dasma u bë në Manastirin ortodoks të Ardenicës. Pas vdekjes së Gjergjit, Donika dhe djali i tyre, Gjoni II, e lanë Arbërinë e u vendosën në tokën, që mbreti i Napolit i dhuroi Gjonit, bashkë me titullin ‘konti i Spoletos’ dhe më pas ‘dukë i San Pietro in Galatina’. Gjoni u martua me Jerina Paleologinën, që thonë se ishte vajza e tretë e Lazar Brankoviçit të Serbisë dhe e Helenës, vajzë e despotit të Moresë.

Për motrat e Skënderbeut: Gjela, e martuar me Stresio Balsha; Angelina, e martuar me Vlad Muzakë Topian;  Vlaika, e martuar me Gjin Muzakë Topian dhe Mamica; e martuar me Karl  Muzakë Topian, kaq dimë. Ndërsa Mara Kastrioti, motra e madhe e Skënderbeut u martua me Stefan Crnojeviçin, zot i Zetës dhe pati tre djem; Stefan Crnojevici ishte nga ana e tij, djali i Gjuragj Gjurasheviç Crnojeviçit dhe i vajzës së fisnikut arbër Koja Zaharia. Falë këtyre krushqive Stefani Crnojeviçi bashkë me tre djemtë e tij ishte në Lezhë në 2 mars të vitit 1444, ditën e formimit të Lidhjes së Lezhës, krahë Skënderbeut bashkë me fisnikë të tjerë arbër. Djali i Stefanit dhe Marës, Ivani, u martua me vajzën e dytë të Gjergj Arianitit, me Vojsavën.

Kirana, vajza e tretë e Gjergj Arianitit, u martua me Nikollë Pal Dukagjinin dhe patën një djalë, Progon Dukagjini.

Helena, vajza e katërt, u martua me Gjergj Dukagjinin, djalë edhe ai i Pal Dukagjinit. Edhe Despina, vajza e pestë, u martua me Tanush Dukagjinin. Po vetëm kaq munda të gjej për to.

Komita Arianiti, vajza e shtatë e Gjergj Arianitit, u martua me Goiko Balshën, zoti i Misies. Vajza e tyre Maria, u martua me kontin e Muros dhe pati dy vajza: Beatriçja, që u martua me princin Ferdinand Orsino, dukë i Gravinos, dhe Isabela, që u martua me Luigjin e Gjesualdos, konti i Koncës. Nuk kam gjetur dot portrete të tyre, po pallatet ku kanë jetuar janë ende në Itali.

Vajza e fundit, Katerina Arianiti, u martua me kapitenin stradiot me origjinë greke i natyralizuar italian, Nikolla Bokali. Vajza e tyre Maria Bokali, u martua më 1519 me komandantin ushtarak arbër të ushtrisë veneciane, stradiotin e famshëm Merkur Bua Shpata. Thuhet se Merkuri ishte djalë nga familja Bua dhe familja Arianiti. Babai i tij ishte stradioti Theodor Bua. Për sprovat e tij si luftëtar Merkuri mori titullin kont i Aquino-s dhe i Roccasecca-s. Maria Bokali vdiq më 1524, duke lënë vetëm një djalë, Flavion. Nuk kam gjetur ndonjë portret të Marias, po është një portret i bukur i Merkur Bua Shpatës, i pikturuar nga Lorenzo Lotto.

Djali i Gjergj Arianitit dhe Pietrina Frankones, Kostantini, me aktivitetin e tij ka hyrë në historinë e Italisë si një fisnik i njohur për bëmat e tij nga Venecia, në Romë, Firence e deri në Zvicër. Ai u quajt edhe kont i Monteferratos, pasi pas vdekjes së mbesës së tij, Maria  Brankoviç, u bë regjent i djalit të saj, markezit Gulielmi IX i Monferratos.

Fati e deshi që lidhjet më të rëndësishme me familjet e mëdha evropiane të periudhës së Rilindjes t’i kishte Angjelina, vajza e gjashtë e Gjergj Arianitit, e cila u martua me Stefan

Brankoviçin, djali i despotit serb dhe Irena Kantakuzenit. Irena qe motra e Helenës – perandoreshë e Trebizondit, motra e gruas së mbretit Xhorxhi III i Gjeorgjisë dhe kushërirë e dy perandorëve të fundit të Bizantit, Gjon VIII Paleologu dhe Kostantin XI Paleologu.Angjelina pati një jetë të vështirë prej martireje, e përndjekur prej osmanëve bashkë me të shoqin. Pas vdekjes së Stefanit, Angjelina iu kushtua jetës prej murgeshe. Sot ajo vajzë arbërore nderohet si shenjtore e kishës serbe, e quajtur Shën Angjelina, ose Nënë Angjelina.

Angjelina dhe Stefani patën  pesë fëmijë. Maria Brankoviç, vajza e tyre, u martua me Bonifacin III, markezi i Monferratos. Djali i saj, pra nipi i Angjelinës dhe stërnipi i Gjergj Arianitit, i quajtur Gulielmi IX i Monferratos, ishte ende i vogël, kur më 1494 vdiq Bonifaci, babai i tij. Ai pati të ëmën si regjente dhe në 1495, kur i vdiq edhe e ëma, regjenca deri në vitin 1499 kaloi në duart e dajës së tij, Kostantin Komnen-Arianiti.

Gulielmi IX u martua me dukeshën Anne d’Alençon, e bija e Margaritës, princeshë e Lorenës. Ana ishte motra e Sharlit IV, dukë i Alençon dhe kunat i mbretit të Francës, Fransua I.Historia tregon se dasma e Gulielmit dhe Anës u bë në kështjellën në Blua, një ndër treqind kështjellat e ndërtuara përgjatë luginës së lumit Luarë në Francë. Ajo kështjellë ishte rezidenca e

zgjedhur nga mbreti Luigj XII për të kaluar dimrin. Ishte vendi i shumë takimeve diplomatike, vendi ku ishte martuar Cezar Borxhia, ku ishte organizuar pritja e mbretit Filip të Austrisë, ku ishte celebruar fejesa e Margaritës së Angulemës me dukën Sharl d’Alençon, vendi ku kishte ndenjur Makiaveli, e ku kishin zënë fill apo ku kishin përfunduar shumë histori mbretërish.

Gulielmi IX dhe Ana patën tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë. Vajzën e tyre të madhe, Marian, e fejuan që kur ishte 8 vjeç me Federikun II Gonzaga, i biri i Françeskut II, dukë i Mantovës, dhe i Isabella d’Este-s. Nëna e tij, Isabella d’Este, ishte një figurë e shquar e kulturës dhe politikës së Rilindjes Italiane, e përjetësuarnë portrete të piktorëve të mëdhenj të asaj periudhe, si Leonardo da Vinçi, Tizian, Rubens e mjaft të tjerë. Ajo ishte edhe krijuesja e mënyrës së krehjes së flokëve, si e shohim në pikturën e Ticianit, mënyrë që u përhap nëpër oborret e Evropës. Nga piktori Macrino d’Alba kemi edhe portretin e Gulielmit IX të Monferratit (tempera, 15.04 x 19.08 cm. Crea, Santuario dell’Assunta e Tesoro del Santuario) dhe të Anna d’Alençon (rreth 1503; tempera, 19 x 15 cm; Santuario “Madonna di Crea”, Serralunga di Crea.)

Me anë të fejesës me Marian, Federiku i Gonzagës shpresonte të bëhej edhe markez i Monferratit, pasi djali i vetëm i Gulielmit IX të Monferratit, i quajtur Bonifaci edhe ai, ishte gjithnjë i sëmurë e dukej jetëshkurtër. Po trashëgimtari e mori veten dhe Federiku e anulloi fejesën, me pretkstin se Maria 8-vjeçare kishte bërë plan që të vriste të dashurën e tij, Isabella Boschetti. Po një ditë Bonifaci vdiq në një aksident, dhe Federiku u kthye përsëri nga Maria, tashmë 20 vjeçare. Fatkeqësisht Maria vdiq vetëm një vit pas martesës.

Që të mos humbiste rastin për t’u bërë edhe zot i Monferratit, Federiku II i Gonzagës u martua me motrën e vogël të Marias, me Margaritën, stërmbesë e Angjelinës së Gjergj Arianitit. Falë kësaj martese ne sot mund të shohim jo vetëm portretin e Federik Gonzagës (portret i Ticianit, i cili ndodhet në muzeu e Prados në Madrid të Spanjës), apo portretet e prindërve të tij Francesku II dhe Isabella d’Este. Giuglio Romano, piktori dhe arkitekti i oborrit të Gonzagave dhe nxënës i Rafaelit, na ka lënë edhe portretin e Margaritës. Portreti sot ndodhet në koleksionin e familjes mbretërore të Britanisë së madhe.

Kjo është një pjesë e listës sime, e cila do më ndihmojë të njoh një pjesë të historisë së kulturës sonë, të shpërndaj pak ato errësira të mëdha heshtjeje e harrese, që pengojnë të gjykosh drejt për historinë e artit e të kulturës. Kur mëson këto lëvizje marramendëse të kufijve të zotërimeve, për shkak të listës së  gjatë dhe të ngatërruar të krushqive, të trashëgimtarëve, kur sheh emrat e pinjollëve të familjeve, që ndrruan besimin, me dashje apo të shtrënguar me forcë, nuk mund të mos mendosh se sa e kotë është të grindesh për prejardhjen e Vojsavës, të Gjon Kastriotit e kështu me rradhë. Të gjitha ato lëvizje të atëherëshme të popullsisë ballkanase, të gjitha ato lidhje midis familjeve, kanë lënë pas gjurmë, të cilat sot mund t’i gjejmë në gjakun, gjuhën, kulturën, besimin, veshjet, ushqimin e zakonet e popujve tanë.

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: