Advertisements
Telegrafikisht

THEODOR IPPEN, ALBANOLOGU I KONTRIBUTEVE TË VLERËTA, MIK I SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËVE

Në thellësitë e viteve, Shqipërisë nuk i kanë munguar miq dhe dashamirës të huaj, si politikanë, që kanë dhënë një kontribut të vyer, përkrahje të madhe për çështjen tonë kombëtare, në lëmin e arsimit, për përgatitjen e kuadrove në degë të ndryshme të zhvillimit. Një ndër këto është edhe z. Teodor Ippen, konsulli i përgjithshëm i Austrisë në Shkodër.

Teodor Ippen është lindur më 29 dhjetor 1861. Pasi mbaroi studimet në Akademinë Orientale, filloi nga puna më 1844 së pari në konsullatën austriake në Shkodër, ku ndenji tre vite. Pastaj shërbeu si komisar civil në Plevlje dhe si konsull në Konstandinopojë (Stamboll) dhe në Jeruzalem derisa erdhi përsëri në Shkodër me detyrën si Konsull i përgjithshëm i Austrisë. Këtë detyrë e ushtroi 7 vjet rresht, po me këtë detyrë qe dërguar në Amsterdam (Holandë) vetëm për një vit. Më 1905 u emërua anëtar i komisionit ndërkombëtar të financave në Athinë dhe më 1909 si këshilltar i Ambasadorit austriak në Londër. Më vonë mbajti detyra të ndryshme, si shef seksioni, si i dërguar me misione të ndryshme të veçanta dhe për disa kohë si zëvendës i Ministrit të Punëve të Jashtme.

Kur ishte në Shkodër si konsull i përgjithshëm, tregoi interesim të madh për gjuhën tonë, të cilën e zotëronte shumë mirë dhe bëri vëzhgime të thella në historinë e Shqipërisë, sidomos të mesjetës duke botuar një sërë librash dhe artikujsh mbi këtë temë. Mbi kishat e vjetra dhe rrënojat e kishave shkroi veprën “Alte Kirchen und Kirchenruinen in Albanien” (Mbi kishat dhe rrënojat e kishave në Shqipëri) – Wien 1900 – 1901. Bashkautor i Thalloczy, një tjetër historian gjerman, me veprën “Illyrisch – albanische Forschungen – Munik” 1916, (Gjurmime iliro – shqiptare).

  1. T. Ippen shquhet dhe si arkeolog (Numizmatik). Krahas detyrës së tij si konsull, si anëtar i Shoqërisë Numizmatike të Vjenës merrej me kërkimin dhe studimin e monedhave dhe konkretisht me ato që gjendeshin në rrethin e Shkodrës (Illyricum) siç del nga kumtesa e mbajtur nga Dr. Gius Scholan në mbledhjen e zakonshme të Shoqërisë Numizmatike mbajtur në Vjenë më 19 dhjetor 1900. Konsulli i përgjithshëm i Austrisë në Shkodër, anëtari ynë i nderuar ka sjellë me vehte një sasi monedhash dh eka kërkuar për t’ia paraqitur shoqërisë së nderuar. Ato qenë gjetur në fshatin Rrenc, afër Shkodrës dhe kështjellës “Rozafat”, dhe përcaktimi i tyre jep se i përkasin Shkodrës sepse të gjitha tipet janë të shtypura këtu. Më jepet rasti i dëshiruar për t’ia praqitur për t’i parë asamblesë së nderuar këto monedha mjaft të rralla për të cilat numizmatikët nuk e trajtojnë. Kjo është edhe më e rëndësishmja se ato që jepen ndër libra për shumë monedha, nga u shumë lehtë u japin shkas gabimeve, kurse në këtë rast u shmangen atyre, sepse i sheh vetë. Disa copa janë të një interesi të veçantë, sepse parqesin një emër të ri, një larmi të re, këto i përkasin monedhave ilire në shekujt IV – III p. Kr., banuar nga ilirët. Lajmin e gjetjes së monedhave në Shkodër e gjejnë tek Ekhel Dokt. Nr. V, VII, II, ku paraqitet si dëshmi një monedhë nga Shkodra, në VII, IV, fq. 167, paraqitet një monedhë e Ballaeusit, etj.

Me zell të madh dhe përkushtim ndihmoi për zhvillimin e arsimit dhe të arsimimit në shkolla si dhe të letërsisë dhe të gjuhës amtare, jo vetëm duke botuar shumë libra shkollorë, por duke dërguar në institucione të larta gjermane dhe austriake me bursa të qeverisë austriake. Ndaj tij studentët shqiptarë kanë shprehu mirënjohjen e tyre të thellë.

Kështu i shkruante djalërisë shqiptare, përmes revistës “Djalëria”, organ i shoqërisë së studentëve shqiptarë në Vjenë:

Asht nji nder kujtimet ma të gëzueshme të jetës s’ime, qi kjeshë dishmitar i zgjimit të ndjenjës kombëtare në Shqipni e i punës me gjuhën kombëtare e me literaturën, si edhe qi mujta në vitin 1913 me marrë pjesë në këtë punë, ashtu qi Aeropagu i Europës i dha Shqipnisë së pamvarëshme edhe pse kufij jo të drejtë si i përkitshin asaj, por prapë kufij, mbrenda të cilëvet mujte me jetue. Journalistët e shkrimtarët europjanë bijnë shpesh në gabim të pashijshëm me folë mbi Shqipni në nji mënyrë sikur t’i banojshin ato vende vetum cuba e barij të padijtun! Por kjo asht farë e shtremtë, tue lanë mas syshë klerin katholik e qytetet katholike në veri, kje nji numur shumë i madh shqiptarësh shumë të xanun qi i shërbyene shtetit turk si oficjerë e nënpunës, ashtu kjene edhe në koloninë shqiptare t’Egyptit e Rumenies njerz me dije e mësim të madh.

Si mik i vjetër i Shqipnies qi jam në duel për ma tëmadhen kënaqësi të marr vesht, se në Vjenë e ndër tjera kryeqytete shumë djelmoça shqiptarë, ma e shumta e tyre bursistë të qeveries, janë dhanë mas mësimit të degave të ndryshme të dituniës. Mbrenda ma pak se dhet vjetëvet ka me pasë prandaj Shqipnia në dispozitë të vetën nji numur të madh mjekësh, ingenierësh, kemistësh, specialistësh bujqsijet e pyjesh të kombsies së vet. Dija asht fuqi! Ky bataljon poinierësh të dituniës ka me kenë i zoti me e ngrehë Shqipnin pa pasë nevojë aspak për të hujt, në shkallën e qytetnimit e të kulturës europjane e me i gatue popullit shqiptar nji vend mes popujve më të përparuem. Dija e atdhedashnia kanë me dijtë me i gjetë ata mjete, per me mujtë at pengim ma të madh, si ndalon zhvillimin shqiptar, mungesën e kapitalit.

Th. Ippen

Delegat i jashtëzakonshëm i Austrisë e ministër fuqiplotë n.P.

Zoti Th. Ippen

Shërbimin më të madh ia ka bërë çështjes sonë kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës më 1913, ku mori pjesë si këshilltar i ambasadorit austriak. Propozimet e tija të përgatitura në bazë studimesh të thella mbi gjendjen etnike dhe gjuhësore të Ballkanit për të caktuar kufinjtë e shtetit të ri shqiptar. Ata propozime qenë themeli mbi të cilët ato që na deshën të mirën mundën të na shpëtonin të paktën një pjesë të madhe të trashëgimit tokësor të prindërve tanë. Propozimet e z. Ippen edhe pse nuk u pranuan të tërë dhe që ne shqiptarët lipset t’i vjatojmë ato vende dhe qytete me vlerë të kombit tonë. Kjo s’do ndryshojë mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj z. Ippen për atë që ka bërë që edhe kufinjtë e sotëm të Shqipërisë, mbështetur mbi propozimet e tija, pushtojnë të paktën thelbin e trashëgimit tonë kombëtar.

 

Nga: Paulin Kamsi

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: