Tensione mes policisë dhe protestuesve vetëm pak minuta pas bllokimit të kryqëzimit të Milotit, ora 09:45 e paradites së sotme. Policia bëri thirrje të shpërndahen duke u kujtuar se bllokimi i rrugës dhe pjesmarrja në tubimin e paligjshëm është vepër penale.
Me megafon, policia iu drejtua protestuesve: “Lejoni lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të automjeteve. Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime të paligjshme, pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit përbën vepër penale. Duhet të shpërndaheni sepse tubimi është i paligjshëm. Në të kundërt mbështetësit e ligjit do të veprojnë me procedimin penal”.
Pas këtij paralajmërimi u kundërpërgjigj deputeti demokrat.
Bardh Spahia: Mos provokoni.
Polici: Largohuni nga rruga, ruani qetësinë.
Bardh Spahia: Mos provokoni!
Kërkesa është kundërshtuar dhe nga pjesëmarrësit në protestë.
Qytetarët: Do na arrestoni natën, ku i keni trafikantët e drogës? Ata shikoni.
Drejtuesi i protestës në këtë aks, Flamur Noka e ka konsideruar kërkesën provokim
Flamur Noka: Çdo futje në turmë e policëve është provokim. Qytetarët janë në të drejtën e tyre për të protestuar, qeveria ka shkelur me dy këmbët ligjin. Në momentin që qeveria u hyp në shpinë qytetarëve, u lind e drejta të reagojnë dhe të mos i binden. Nuk është qeveri e qytetarëve por banditëve. Nuk ndalemi në këtë rrugë
Pas dy orë protestash dhe në këtë aks është ndërprerë protesta, ndërsa nuk u shënuan incidente. Por nuk munguan djegiet e gomave./ Ora news