Erozioni po bën kërdinë në disa banesa në lagjen Mal Milot, ndërsa banorët janë të shqetësuar nga kjo situatë. Reshjet e këtij sezoni dimëror, duket se kanë sjellë mjaft probleme në disa familje në kodrën e qytetit të Milotit, përbri përroit aty ku dhe pritat malore janë shkatërruar prej disa vitesh.

Janë me dhjetëra familje që kanë kërkuar ndihmën e institucioneve, nga rreziku i kanoset nga rrëshqitjet e tokës. Disa familja kanë mundur të largohen, ngaqë shkarja e tokës është afruar pranë banesave, ndërsa të tjera familje e kanë të pamundur të strehohen diku gjetkë.

Fenomeni i erozionit në këtë zonë është shfaqur që prej vitit 2016-të, e kjo ka ardhur si pasojë e dëmtimit të pritave malore. Pas verifikimeve në terren ekspertet e kanë vlerësuar situatën si tejet alarmante, por rreziku është injoruar nga institucionet përgjegjëse, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë për të parandaluar rrëshqitjet e tokës në këtë zonë.
Situata konsiderohet mjaft e rëndë teksa rrëshqitjet e tokës janë prezente në çdo moment, në disa banesa janë shfaqur dëmtime, sakaq banorët kërkojnë  ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve.

Sipas banorëve disa inxhinierë nga vendorët kanë bërë verifikimet e bonusit të tokës, gjë që kanë dhënë vlerësimet se kjo zonë duket se ka probleme serioze për banesat duke rrezikuar dhe jetën e këtyre banorëve.