Advertisements
Telegrafikisht

Vera shqiptare, industria që qëndron mbi “paterica”!

 

shesh-i-zi1

Një traditë mijëravjeçare, sa edhe e vonshme. Kështu do të përkufizohej kurba e industrisë së verës në Shqipëri, e cila në pjesën më të madhe të rrugëtimit ka qëndruar në nivel familjar, e ndërsa duket se “zëri” i disa markave të pakta “Made in Albania” po dëgjohet më shumë, jo vetëm në vend, por edhe jashtë kufijve. Një industri i pandihmuar nga politikat shtetërore, e mbytur nga importi, në  lëndë të parë dhe produkt final, e detyruar të funksionojë në një treg me probleme të mëdha dhe informal, por që duket se po e gjen rrugën drejt një zhvillimi të ngadaltë, por të sigurt. Megjithatë në një vend si Shqipëria, me 300 ditë diell, me një pozitë të jashtëzakonshme gjeografike, me njerëz punëtorë dhe toka pjellore…është shumë pak.

Tregu 15 milionë euro

E gjithë industria e verës përfshirë prodhimin vendas dhe importin vlerësohet të ketë një volum tregtar prej rreth 2 miliardë lekë ose rreth 15 milionë euro, ku pjesën më të madhe e zë prodhimi i huaj. Shifrat e sakta të prodhimit të verës mungojnë, por  prodhuesit vlerësojnë që në total të qarkullojnë në treg rreth 500 mijë shishe verë të llojeve të ndryshme. “Përsa i përket komplet volumit tregtar të kësaj industrie si prodhimi vendas dhe importi, arrin tek rreth 2 miliardë lekë, këto janë të dhëna të INSTAT. Ndërsa sa i takon vetëm prodhimit shqiptar, nuk është se kemi një database të saktë kështu që mbetet për t’u studiuar”, thekson Rigers Kaçori. Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe importuesit.

“Përsa i përket shifrave të parave që qarkullojnë në këtë industri ne nuk kemi shifra të sakta në vlerë, por importi për vitin 2017 ka qenë mbi 3.2 milionë litra ndërsa prodhimi i vendit mbi 2 milionë litra”, thekson Ludovik Engjelli, administrator i “Toscana Wine”.

Mbështetur mbi këtë vlerësim, mund të thuhet se prodhimi vendas zë afërsisht 40% të tregut, megjithatë vlerësimet mes sipërmarrësve të sektorit janë të ndryshme.

“Mendoj që ecuria e industrisë së verës vitet e fundit është shumë pozitive sepse është rritur konsumi i prodhimit shqiptar dhe importi ka humbur disi terren dhe ky është një lajm i mire për të gjithë prodhuesit . Momentalisht që flasim jemi pothuajse 30% prodhim vendas dhe 70% import, pra po vijmë duke marrë terren me prodhimin shqiptar. Mos harrojmë se para pak vitesh ishte 10 % prodhim vendas dhe 90% import. Viti që lamë pas ishte një vit pozitiv si në nivel sasior, si në nivel cilësie, pra, futet tek vitet e mira”, shprehet Rigers Kaçorri, enolog dhe përfaqësues i kantinës “Arbëri” Mirditë.

Raporti 70 për qind import dhe 30 për qind prodhim vendas, konsiderohet një lajm i mirë për prodhuesit shqiptar të verës. Megjithëse shifra e importit, që duket se mbizotëron tregun është shumë e lartë në raport me mundësitë dhe potencialet që Shqipëria ka për të pasur një industri të zhvilluar të prodhimit dhe konsumit të verës. Ky raport i vendosur para disa vitesh ka qëndruar në të njëjtat shifra edhe gjatë vitit 2017, duke bërë që prodhimi vendas të jetë i avashtë në fitimin e terrenit ndaj markave të huaja. Përpos kësaj, viti që lamë pas konsiderohet si një vit i mirë nga prodhuesit sa i përket cilësisë, por edhe sasisë. Sipas prodhuesve dhe të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në të gjithë Shqipërinë janë rreth 100 kantina serioze, ndërsa vetëm rreth 10 prej tyre kanë prodhim sasior më të lartë dhe në normat e prodhimit të standardeve që kërkon kjo industri. Si një vit të mbarë e cilëson edhe përfaqësuesi i kantinës “Kokomani” në Durrës.

“Viti 2017 në vreshtari dhe prodhimin e verës për nga cilësia, mund të themi që ishte ndër vitet më të mira, kjo sepse reshjet e pakta dhe ditëve me diell ndikuan në cilësinë e lartë të rrushit”,thekson Blerim Kokomani. Sipas tij, në tërësi vitet e fundit shumë prodhues vere në Shqipëri kanë rritur cilësinë dhe standardet, falë dhe rikthimit të emigrantëve që kanë punuar ne vendet e BE kryesisht në Itali ku kanë sjellë dhe eksperienca të reja dhe ide te reja në inovacionin e verës.

Importi, gjithnjë në rritje

Ndërsa ana tjetër e medaljes vijon të jetë vera importit e cila ka një pozicion stabël në treg dhe një klientelë po ashtu të qëndrueshme, me kërkesë në rritje dhe të pacenueshme nga prodhimi vendas. Verërat e importit janë të pozicionuara shumë mirë në tregun shqiptar, qoftë në atë të supermarketeve po ashtu dhe në bare dhe restorante” shprehet Ludovik Engjëlli, administrator i “Toscana Wine”. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, sa i përket importeve, vihet re blerja nga jashtë në masë të madhe e verës prej rrushit të freskët, tregues që ka pësuar rritje gjatë vitit që lamë pas në krahasim me vitin paraardhës. Sipas të dhënave vihet re se gjatë vitit 2017 është importuar rreth 4900 tonë verë, nga 4100 tonë që ishte importuar gjatë 2016-ës. E përkthyer në vlerë monetare gjatë 2017-ës është importuar verë në vlerën e 1.4 miliardë lekëve, 27% më shumë krahasuar me vitin 2016.

Ndërsa sa i përket eksportit, në tabelën zyrtare të të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, evidentohet vetëm eksporti i verës spumante, zë i cili gjatë vitit 2017 është regjistruar me rritje krahasuar me vitin paraardhës. Kështu nga 7.7 tonë që janë eksportuar në 2016, vitin që lamë pas janë eksportuar 13.6 tonë. E përkthyer në vlerë, nga 8.4 milionë lekë për vitin 2016, eksporti në vitin 2017 ka arritur në afro 21 milionë lekë.

Informaliteti i lartë në treg

Tregu i verës është ndoshta ndër më informalët nga të gjitha industrisë e tjera. Kjo për shkak se është një treg relativisht i ri në standarde dhe që hapësirat për abuzime janë të mëdha. Kjo pasi edhe konsumatorët në mungesë të dijeve, nuk janë shumë kërkues. Çdokujt i ka ndodhur që të shkojë në një restorant dhe të porosisë verë të hapur, pa e ditur origjinën e saj dhe ndoshta dhe pa u kuriozuar se çfarë vere është, çfarë marke apo ku është prodhuar.

“Ka shumë prodhues informalë, ku vlen të përmenden shumë sipërmarrës restorantesh të cilët prodhojnë vetë raki dhe verë në kushte shtëpiake”, bën me dije Kokomani. Sipas prodhuesve informaliteti  në këtë sektor shtrihet që në gjenezë. “Nuk ka informalitet vetëm në prodhim dhe shitje, por edhe në futjen e lëndës së parë të rrushit dhe lëngut nga fqinjët, si rrush tavoline dhe në fund përpunohet si rrush për verë. Dhe ky është informaliteti më i madh, jo prodhimi i disa litrave verë nga një njeri që ka një vresht të vogël dhe prodhon për nevojat e veta”, thekson Kaçorri.  Sipas tij, ashtu sikurse po ndërmerren kontrolle në sektorë të tjerë, edhe ky sektor duhet të jetë objekt kontrollesh të imtësishme në terren nga autoritetet përkatëse për shkak të problematikës së theksuar që trashëgon.

“Hilet” e kantinave me lëndë të parë importi

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2016 sipërfaqja e mbjellë me vreshta në Shqipëri regjistrohej në 10.438 hektarë. Ndërsa aktualisht, sipas të dhënave të përditësuara, sipërfaqja ka arritur në 10.600 hektarë vreshta, me një rritje modeste prej 162 hektarësh sipërfaqja e mbjellë. Gjatë vitit 2017 është prodhuar në total 206 mijë tonë rrush, nga 205 mijë tonë të prodhuar gjatë 2015-ës, sigurisht jo i gjithi i destinuar për prodhim vere, pasi një pjesë shkon për konsum dhe një pjesë tjetër për prodhim rakie.

Nga viti në vit, disa kantina po investojnë në këtë drejtim, që lëndën e parë ta prodhojnë vetë, duke garantuar kështu edhe cilësinë e produktit final, por ka edhe kantina të tjera që për shkak të kostove të larta, zgjedhin rrugën më të shkurtër përmes blerjes së rrushit nga jashtë, kryesisht nga Maqedonia, që shitet edhe me çmim më të ulët. Kjo i vë kantinat në konkurrencë të pandershme sa i përket kostove të prodhimit, por edhe çmimit të shitjes, ku normalisht produkti final me lëndën e parë të importuar, do të jetë edhe më i lirë. Këtë fakt e evidentojnë edhe prodhuesit kryesor, të cilët përdorin vreshtat e tyre për të prodhuar verën. Përsa i përket kantinave që prodhojnë verë me rrush të importuar, di që ka goxha raste të tilla, sidomos kantinat që shesin me çmime më të ulëta në treg, sepse një kantinë që prodhon rrush dhe verë në Shqipëri nuk mund të shesë një shishe verë 0.75ml  300 ose 400 lekë, pasi me realitetin e sotëm të kostove që kemi, vetëm kostot e ambalazhimit arrijnë gati 280 -350 lekë, pra kosto minimale, pa akcizë,  pa taksa dhe pa llogaritur koston e verës që është në shishe”, thekson Rigers Kaçorri, përfaqësues i kantinës “Arbëri”. Sipas të dhënave nga prodhuesit, një shishe verë mesatare dhe mbimesatare llogaritet që të ketë një kosto minimale nga 300-500 lekë për shishe.

Çmimet e shitjes

Konsumatorët shqiptarë nuk shquhen për njohës të mirë të verërave, madje duhet thënë se të rrallë janë ata që i njohin, kjo edhe për shkak të mungesës së kulturës në shijimin e këtij produkti. Sipas prodhuesve, edhe në rastet kur u duhet të zgjedhin një shishe vere në market, më së shumti nisen nga çmimi, apo nëse është verë italiane apo franceze, duke paragjykuar në një pjesë të mirë të rasteve produktet shqiptare. Këtë fakt, importuesit e vendosin menjëherë në favorin e tyre.Personalisht përsa i përket çmimeve mendoj që importi ka çmime jo shumë reale në treg dhe këtë gjë importuesit e shfrytëzojnë më së miri me faktin që konsumatori nuk është shumë i informuar për këto produkte. Sa i përket çmimeve të verërave shqiptare them që janë në normalen e duhur të shitjes”, shprehet Rigers Kaçori, përfaqësues i kantinës “Arbëri”. Ndërsa importuesit nuk mendojnë kështu. Sipas administratorit të “Toscana Wine”, Ludovik Engjelli,  verërat e importit vazhdojnë të kenë një epërsi ndaj prodhimit vendas pasi kanë disa specifika të cilat i bëjnë shumë konkurruese kryesisht në raportin çmim-cilësi. “Në tregun shqiptar operojnë kantinat më të mira nga Italia, Franca, Spanja dhe rajoni”, thekson z. Engjelli.

Konkurrenca e markave të huaja dhe konsumi


Markat e huaja ofrojnë shumë. Ofrojnë emër, ofrojnë cilësi, ofrojnë çmim sipas xhepit të konsumatorëve dhe duke pasur një shumëllojshmëri oferte e kanë më të thjeshtë të jenë më konkurrente në treg dhe më të preferueshme nga konsumatorët.

“Importi është më konkurrues pasi shumë kantina të mëdha komerciale operojnë në treg me çmime shumë të lira. Këto janë kantina nga Kosova , Maqedonia ose jugu i Italisë. Prodhimi vendas vazhdon të ketë vështirësi në konkurrencë, pasi kantinat e vendit janë të vogla dhe nuk kanë hyrë ne zinxhirin industrial të prodhimit”, shprehet Ludovik Engjelli, administrator i “Toscana Wine”. Ekzistenca në treg e markave të njohura të huaja dhe që janë të mirëmarketuara, dhe që vijojnë të marketohen në tregun shqiptar duke paguar buxhete të mira në periudha të ndryshme, bën që prodhimi vendas të lihet nën hije dhe herë-herë të ketë edhe mungesë besimi sa i përket cilësisë së produktit, edhe pse prodhuesit e mëdhenj dalin garant për cilësi maksimale. Megjithatë, përpos kësaj, konsumi në Shqipëri vijon të jetë i ulët dhe nuk ka ndryshim të mentalitetit apo kulturës në këtë drejtim.  “Konsumi vazhdon të jetë në nivele të ulëta në vendin tonë. Ka një rritje, çdo vit pothuajse 10%, por ne vazhdojmë të jemi në vendet e fundit të konsumit të verës në Europë”, shprehet z. Engjelli.  Konsumi për individ, llogaritet mesatarisht rreth 1.4 litra apo rreth dy shishe në vit.

Vështirësia për të arritur tregjet e huaja

Prodhimi shqiptar i verës e ka të vështirë të jetë konkurrues në tregun vendas, dhe shumë më të vështirë edhe jashtë kufijve. Megjithatë shenjat e para janë pozitive, dhe marka të verërave shqiptare gjenden në rajon, në disa vende të Bashkimit Europian, por edhe më gjerë në SHBA. Vështirësitë për këtë janë të shumta dhe mungesa e marketimit, buxheti i lartë që kërkohet në këtë drejtim, apo mungesa e një ndihme në këtë drejtim nga instancat shtetërore e bën edhe më të vështirë. Ajo që vihet re është interesi që ka jashtë për produktet shqiptare. “Janë shume pak kantina që eksportojnë në dijeninë time, por me informacionet që unë marr jashtë, kur jemi ne panaire ndërkombëtare ose degustime ndërkombëtare, shoh një interes të lartë për verërat shqiptare”, thekson Kaçori. Sipas tij, aksesi i vështirë në tregjet e huaja edhe rregullat strikte që ato kanë, e bëjnë eksportin mision paksa të vështirë.  Sipas përfaqësuesit të kantinës “Arbëri”, “vendet që janë lider në Amerikë për të shitur produktin verë, plus pastaj çdo shtet i Bashkimit Europian ka rregulla strikte për produktet e alkoolit dhe standardin e tyre, gjë që prodhuesit shqiptarë po bëjnë më të mirën që të rriten në cilësi nga viti në vit dhe eksporti do rritet me kalimin e viteve kur ky treg të jetë konsoliduar”.

Qeveria në mbështetje të varieteteve autoktone

Vitet e fundit, përmes skemave kombëtare qeveria i ka dhënë prioritet edhe vreshtarisë, kryesisht kultivimit të varieteteve autoktone shqiptare. Ka kantina që kanë përfituar mbështetje, si dhe fermerë të vegjël që kanë përfituar subvencion të fidanëve të mbjellë, gjë që është reflektuar edhe në shtimin progresiv dhe pse në nivele të ulëta, të sipërfaqeve të mbjella. Kjo gjë vlerësohet edhe nga prodhuesit, megjithatë sërish ka nevojë për më shumë.  “Ka punë për t’u bërë duke filluar me ligjin që duhet ta rishikojmë, por hapja e re e dy programeve për këtë sektor ku futet edhe agroturizmi është një lajm shumë i mirë. Pra, janë dy mundësi si AZHBR që është pjesë e Ministrisë Bujqësisë dhe fondet e IPARD nga Bashkimi Europian, është një lajm shumë i mirë për të gjithë prodhuesit që të bëjnë investimet e duhura në çdo repart”, shprehet Kaçorri. Prodhuesit theksojnë se më së shumti kjo mbështetje është ndjerë vitet e fundit. “Tre vitet fundit në skemat e mbështetjes financiare janë përfshirë edhe kantinat, ku prioritet u jepet me tepër sipërfaqeve të mbjella me varietete autoktone shqiptare”, thekson Blerin Kokomani, përfaqësues i kantinës “Kokomani”.

Që në momentin që kemi të bëjmë me një sektor të dominuar nga importi, duket qartë masa e problematikës. Industria e verës është një sektor i pakonsoliduar dhe i brishtë, dhe prodhuesit kërkojnë dorën e politikave të qeverisë për të ecur përpara në të njëjtën linjë dhe për një qëllim final pozitiv. Përfaqësuesi i Kantinës “Arbri”, Rigers Kaçorri liston disa prej tyre. “Ligji i verës dhe pijeve alkolike duhet rishikuar bashkë me grupet e interesit; duhet zonimi i varieteteve; analizimi dhe ADN-ja e këtyre varieteteve që të gjithë prodhuesit dhe vreshtarët të dinë çfarë po mbjellin; rishikimi i ligjit të akcizës për prodhuesit shqiptarë; rishikimi i ligjit të importit për rrushin, po ashtu edhe për importuesit”, shprehet ai. Të njëjtin shqetësim ndan edhe përfaqësuesi i kantinës “Kokomani”.

“Përsa i përket vështirësive vlen të theksohet se ligji aktual i prodhimit të verës është skandaloz dhe diskriminues ku favorizon importin e verërave nga jashtë, mjafton të shikosh statistikat, kjo si pasojë e administrimit të kantinave nga Dogana dhe jo Ministria e Bujqësisë, një rast i paprecedentë. Mjafton të shikosh vendet e rajonit si Mali i Zi, Maqedonia etj, ku falë politikave lehtësuese për prodhimin vendas janë shumë herë më lartë se ne. Duke qenë se jemi një vend me klimë mesdhetare dhe me trend në rritje në konsumin e verës duhet lobuar shumë ku shteti shqiptar të ndihmojë dhe të përkrahë prodhimet vendase”, thekson Blerim Kokomani. Nga ana tjetër prodhuesit pranojnë se vëmendja e qeverisë këto vitet e fundit është me e madhe dhe se prodhuesit kanë besim që do të kenë bashkëpunimin e qeverisë  dhe do të arrihet që të bëhet një punë akoma më e mirë në vitet e ardhshme për prodhimin e një vere autoktone shqiptare.  Ndërsa nën optikën e importuesve, subvencionet e dhëna nga qeveria janë modeste.

“Përsa i përket subvencioneve të vëna në dispozicion nga qeveria për prodhimin vendas , mendoj se ato janë simbolike , dhe nuk kanë dhënë efektin e duhur në prodhimin vendas, prandaj kjo industri përballet me një konkurrencë të ashpër nga Italia, Kosova dhe Maqedonia të cilat kanë politika më të mira përsa i përket subvencionit nga shteti”, shprehet z. Engjelli. Ndërkohë që edhe importuesit, mendojnë se ka vend për përmirësime të mëdha në këtë sektor për të dyja palët. “Problemet kanë  të bëjnë me hartimin e një legjislacioni të drejtë ku konkurrenca të mos pengohet dhe të kërkohet më shumë zbatimi i ligjit nga abuzuesit me markat ose me verërat industriale”, thekson z. Engjelli.

Rreth 10600 ha vreshta në prodhim

Pas viteve 1980, në Shqipëri si pasojë e politikave të gabuara agrare, dhe e ngushtimit të oborrit personal, gjendja e vreshtarisë keqësohet, numri i pjergullave ulet, vreshtat e prodhimit sa vijnë e degradohen, ndërsa për cilësinë, as që bëhet fjalë. Nga analizat e kohëve të fundit, vendi ynë në fund të viteve ’90, megjithëse statistikisht regjistronte 20 mijë ha vreshta shfrytëzonte efektivisht vetëm 10 mijë ha. Pas viteve 1990 ndryshimet ekonomiko-shoqërore në Shqipëri u shoqëruan me veprime të thella shkatërruese në vreshtari, duke regjistruar nga mesi i këtyre viteve jo më shumë se 5 mijë ha vreshta nga të cilat vetëm 4 mijë në prodhim (1996). Vitet e fundit vihen re tendenca në drejtim të shtimit të sipërfaqeve të mbjella me vreshta të reja mesatare 1 dynym për çdo fermë) si dhe e shërbimeve dhe përkujdesjeve në vreshtat ekzistuese, duke bërë që vitin që lamë pas të arrihet në një sipërfaqe vreshtarie në 10.600 hektarë.

Shqipëria ndahet në katër zona të kultivimit të hardhisë:  Zonat fushore bregdetare deri 300 m ( Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Lushnje, Fier, Vlorë, Delvinë ); Zonat kodrinore 300 – 600 m ( Elbasan, Krujë, Gramsh, Berat, Përmet, Librazhd, Mirditë); Zonat nënmalore 600- 900 m ( Pogradec, Korçë, Leskovik, Peshkopi); Zonat malore 800 – 1000 m. Toka në përgjithësi është argjilore – silicore e thellë, e pasur me ekspozim të ndryshëm ndaj diellit. Disa nga kultivarët autoktonë për prodhimin e verës janë: Shesh i Bardhë; Debinë e Bardhë; Pules; Shesh i Zi; Kallmet; Vlosh; Serinë; Debinë e Zezë; Manakuq; Cerrujë, etj.

Financimi i vreshtarisë

Skema Kombëtare e Financimit të Fermerëve për vitin 2018  prej 20 milionë eurosh si dhe programi IPARD me një fond prej 94 milionë eurosh parashikojnë mbështetje të lartë të vreshtarisë dhe investimeve të mëdha në këtë sektor. Sa i përket skemave kombëtare, 1/3 e fondeve janë parashikuar të shkojnë në këtë drejtim. Konkretisht është parashikuar:

  • Mbjellje vreshti, me kultivarë për rrush tavoline, në vlerën- 300 mijë lekë/ha
  • Vreshta me kultivarë autoktonë për përpunim, në vlerën 350 mijë lekë/ha;
  • 200 mijë lekë/hektarë për vaditjen me pika, për një vresht me rrush industrial apo tavoline;
  • Magazinat, pikat e grumbullimit, pikat frigoriferike, agropërpunimi deri në 20 milionë nga Skema Kombëtare dhe deri në 2 milionë euro nga IPARD.

    /Elisabeta Dosku/SCAN Magazine

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: