Advertisements
Telegrafikisht

Si i grabitën komunistët bibliotekat e tre Firmëtarëve të Pavarësisë Nosi, Frashëri, Kruja

nosifrasherikruja1.png

Të panumërta format e dhunës që diktatura komuniste përdorte ndaj shqiptarëve. Vrasje, burgosje, internime… dhe një izolim e varfëri totale për të gjithë. Një ndër këto forma ishte edhe grabitja: sekuestrime pasurie, tokash, shtëpish, por edhe librash. Me instalimin e diktaturës së proletariatit, qeveritarët nxituan të grabisnin ç’të mundnin, sidomos atyre që u konsideruan “tradhtarë” apo “armiq lufte”, edhe pse jo me një vendim gjykate.

Dy nga bibliotekat më të famshme që u sekuestruan pas çlirimit ishte ajo e Mustafa Krujës dhe Mid’hat Frashërit. I pari historian e gjuhëtar, kryeministër i Shqipërisë gjatë pushtimit fashist, ndërsa tjetri shkrimtar, publicist, përkthyes, kreu i Ballit Kombëtar, por mbi të gjitha një bibliofil i rrallë. Rreth 40 mijë libra iu sekuestruan dhe sot janë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare.

Të dy ishin firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë në 1912. Këtyre dy firmëtarëve u bashkohet edhe Lef Nosi, atij gjithashtu iu sekuestruan libra, edhe pse ai ende nuk ishte arrestuar. Në nr.2 të “Almanak”, një botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndër të tjera është përfshirë edhe një kërkim i Çelo Hoxhës mbi sekuestrimin e bibliotekave të këtyre tre firmëtarëve të Pavarësisë.

Si u ngritën komisionet, kush e firmosi urdhrin dhe kujt iu dorëzuan çelësat e bibliotekave të Krujës, Frashrit e Nosit. Hoxha sjell dokumente të Arkivit Qendror të Shtetit (Ministria e Propagandës, D. 126).

HISTORIA E GRABITJES SË BIBLIOTEKAVE SË TRE FIRMËTARËVE TË PAVARËSISË 
Një nga krimet e regjimit komunist është grabitja e bibliotekave të personave privatë, mes të cilëve bënin pjesë bibliotekat e disa prej njerëzve më të shquar të historisë së Shqipërisë. Deri tani kemi zbuluar vetëm një pjesë të procesit të grabitjes së bibliotekës së tre firmëtarëve të Pavarësisë: Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja dhe Lef Nosi. Ministria e Propagandës i njoftoi Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, më 21 shkurt 1945, se po krijohej një komision për sekuestrimin e librave të tre firmëtarëve të Pavarësisë, prandaj kjo ministri duhej të dërgonte një përfaqësues në atë komision. Në kokë, dokumenti mban siglën e drejtorisë së artit në Ministrinë e Propagandës, në fund është firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Shefqet Musaraj. Dokumenti mban numrin 332.

“Drejtoria e Bibliotekës Kombëtare do të tërheqë librat e bibliotekës së sekuestruar të Lumo Skëndos, Mustafa Krujës dhe ca libra të Lef Nosit të depozituara në Bankën e Shtetit. Për këtë lutemi që nga ky dikaster të caktohet një i deleguar me cilësi si anëtar i komisionit, i cili formohet pranë M. së Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, për tërheqjen e librave të tradhtarëve në fjalë”, thuhet në dokument. Në vend të Sejfulla Malëshovës ka firmosur Shefqet Musaraj, i cili ka lënë dhe një shënim me dorë: “Për njoftim Bibliotekës, Shefqet Musaraj, d.v”.

Ministria e Financave ktheu përgjigje menjëherë, me shkresën 675. Të nesërmen, 22 shkurt 1945, ajo i shkroi Ministrisë së Propagandës: “Në gjegje të shkresës T’uej n.332 d. 21 II.1945, ju njoftojmë se kjo ministri cakton shoqen Senka Kushi si e deleguar për të marrë pjesë si anëtare e komisionit, i cili formohet pranë asaj ministrie për tërheqjen e bibliotekës së Lumo Skëndos, të Mustafa Krujës dhe të ca librave të Lef Nosit. Na njoftoni datën e caktuar për mbledhjen e komisionit për t’ia komunikuar shoqes në fjalë”. Ministri i Financave, Ramadan Çitaku, e kishte firmosur vetë dokumentin me pseudonimin si bandit: Baca. Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Monol Konomi, dukej më e ngadaltë. Dhe kishte arsye: ajo ministri kishte barrën të shpikte gjithë krimet e mundshme për të akuzuar gjashtë personat e planifikuar për t’u gjykuar në Gjyqin Special, i cili do të fillonte rreth një javë pas njoftimit të Ministrisë së Propagandës.

Më 16 mars 1945, Ministria e Propagandës i nisi shkresën e dytë kësaj ministrie, me nr. 332/2. Në këtë shkresë ajo e kujtonte Ministrinë e Drejtësisë për procesin e sekuestrimit të librave të tre firmëtarëve të Pavarësisë, për krijimin e komisionit dhe për një person që ajo ministri duhet ta dërgonte si anëtar të këtij komisioni.

Me shkresën 332/3, Ministria e Propagandës i kërkoi komandës ushtarake të qarkut Tiranë (Shqipëria në këtë kohë ishte ushtarakisht e kontrolluar), që të lejonte Ferit Agalliun të merrte pjesë në komisionin për tërheqjen e librave të sekuestruar. Ferit Agalliun ministria e kërkoi normalisht, sepse sipas dokumentit, ai ishte person që kishte dijeni për librat, “sidomos për sa u përket librave të Mid’hat Frashërit”. Ferit Agalliu nuk shfaqet më në dokumente.

Tani që Gjyqi Special ishte futur në rrugën që ai e donte dhe, siç tregon Ministria e Propagandës, ministri i Drejtësisë kishte kohë të merrej dhe me gjëra të tjera. Letrës së dytë të Ministrisë së Propagandës, Ministria e Drejtësisë i ktheu përgjigje brenda së njëjtës ditë dhe me firmën e vetë ministrit Manol Konomi. Shkresa e datës 16 mars 1945, me Nr. 207/5, kishte këtë përmbajtje: “Ju njoftohet se me cilësi si anëtar komisioni për tërheqjen e librave të bibliotekës së sekuestruese Mid’hat Frashërit, Mustafa Krujës dhe ca libra të Lef Nosit, të depozituara në Bankën e Shtetit, kjo ministri delegon Vangjel Meksin, i cili u lajmërue për sa më sipër”.

Librat e Mid’hat Frashërit ruheshin nda Divizioni i Mbrojtjes Popullore, struktura ushtarake që pak më vonë mori emrin Sigurimi i Shtetit. Më 19 mars 1945, Ministria e Propagandës i dërgoi një shkresë këtij divizioni në lidhje me këtë problem. Shkresa autorizonte Aleks Budën që të merrte çelësat e librarisë së Lumos Skëndo, libraria e njohur në Tiranë, e themeluar nga Mid’hat Frashëri. “Autorizohet shoku Aleks Buda të marrë në dorëzim çelësat e librarisë së tradhtarit Mid’hat Frashëri, mbasi këto libra do të çohen në Bibliotekën Kombëtare”, thuhej në shkresën 332/6.

Aleks Buda, një nga zyrtarët e shumtë që ndiqnin një kurs të gjuhës serbe atëkohë, mbante postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Më 3 prill 1945, Ministria e Propagandës i nisi Spiro Moisiut, shef i shtatmadhorisë së forcave të armatosura shqiptare (ushtria partizane), me përmbajtjen e komisionit për tërheqjen e librave dhe këtë lutje: “Lutemi që komisioni të lartpërmendur t’i dorëzohen librat e tradhtarit t’arratisur, Mustafa Krujës”. Arsyeja përse kjo letër i dërgohej Spiro Moisiut, nuk kishte të bënte me detyrën e tij, por me banesën.

Kur zbriti nga malet në Tiranë, Spiro Moisiu, si shumë drejtues të tjerë të ushtrisë partizane, zaptuan shtëpitë e atyre që i quanin reaksionare. Spiro Moisiu zuri shtëpinë e Mustafa Krujës dhe librat ndodheshin ende në banesë. Zaptimi i kësaj banese ishte një nga ato krimet në listën e gjatë të krimeve të luftës të kryera ose që kishte dijeni Spiro Moisiu. Familjarët e Mustafa Krujës, siç rrëfen në kujtimet e tij Eugen Merlika Kruja banonin në shtëpi me qira, kurse në shtëpinë e tyre jetonte Spiro Moisiu. “Ballafaqimi i ndërgjegjshëm me jetën u bë nëpërmjet arrestimeve të babit e të xhaxhait. Mbeta vetëm me gjyshen dhe me nënën time të re, asokohe 26 vjeçe. Banonim në Tiranën e Re, në një shtëpi me qira, sepse shtëpia jonë ishte e zënë nga Spiro Moisiu… Ende sot nuk më jepet e drejta të banoj në të”, shkruan nipi i Mustafa Krujës, në librin e tij “Përsiatje”.

Me po të njëjtën shkresë u vendos në dijeni dhe komisioni që do të shkonte në shtëpinë e Mustafa Krujës. Komisioni përbëhej nga Aleks Buda, përfaqësues i Ministrisë së Propagandës, Nedret Hoxha, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë dhe Senka Kushi, përfaqësuese e Ministrisë së Financave. Më 13 prill, Ministria e Propagandës, me shkresën 332/10, njoftoi këshillin Nacionalçlirimtar të Tiranës me përbërjen e komisionit për tërheqjen e librave të Mid’hat Frashërit, që ishte i njëjti komision. Veç pjesëmarrësve në ngjarje, askush nuk e kishte mendjen te një nga grabitjet më të mëdha të shekullit, sepse atë ditë jepej vendimi i Gjyqit Special.

Ajo që në dokumente quhet sekuestrim, ishte një grabitje e pastër. Në asnjë dokument nuk përmendet vendimi i gjyqit për sekuestrimin e librave të tre firmëtarëve të Pavarësisë. Lef Nosi, i cili u gjykua një vit më vonë, nuk ishte arrestuar ende. Në Gjyqin Special, kur prokurori iu referua Mustafa Krujës, si kriminel lufte, Kola Tromara i tha: “Për Mustafa Krujën deri sa s’ka ndonjë vendim gjykate, s’mund të them se ka qenë tradhtar”. Për Mid’hat Frashërin dhe Mustafa Krujën nuk pati kurrë një vendim gjykate që i shpallte, qoftë dhe në mungesë, si kriminelë lufte. /Panorama/

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: