Advertisements
Telegrafikisht

DËSHMIA E IPESHKVIT TË LEZHËS, IMZOT LUIGJ BUMÇI PËR NDËRHYRJEN E PAPËS BENEDIKTI XV PËR MBROJTJEN TERRITORIALE TË KUFIJVE TË SHQIPËRISË

Luigj-Bumçi.jpg

Në mbrojtjen territoriale të kufijve të Shqipërisë, para Fuqive të Mëdha, dalë fitimtare nga Lufta I Botërore, një kontribut të rëndësishëm pati dhënë edhe Papa Benedikti XV, pavarësisht se historiografia e sotme shqiptare e konsideron të pasuksesshëm. Por, harron se pikërisht pas ndërhyrjes së Atit të Shenjtë, presidenti amerikan Wilson mbështeti përpjekjet e delegacionit shqiptar të kryesuar nga ipeshkvi i Lezhës, imzot Luigj Bumçi, për të shpëtuar territoret, që synoheshin nga fqinjët, në veçanti, Korçën e Gjirokastrën. Vërtet, ministrat e jashtëm italian e grek ishin marrë vesh që ato t’i kalonin Greqisë, sipas marrëveshjes së famshme Titoni-Venizellos.

Vetë imzot Bumçi në vitin 1934, dëshmon kontributin e Papës Benedikti XV për mbrojtjen e tokave shqiptare, në revistën e françeskanëve “Hylli i Dritës”. Ja si e sqaron punën ai, duke iu përgjigjur ftesës së drejtorit të “Hyllit të Dritës”:

Fort i Nderti Át

Ma falni, Ju lutem, pse vonova me i pergjegjë letres s’Uej, me të cillen më lypshi si pat rrjedhë puna se pështoj Korça e Gjinokastra nga akordi Tittoni-Venizelos – akord i cilli ja lëshonte Greqísë te dyja provinçet shqyptare të siperpermendme.

Qe si ndolli puna:

Qyshë në Qershuer të vjetës 1919 kjeçë zgiedhë Kryetár i Dergatës s’Onë në Paris. Me 9 Tetuer t’asajë vjete fletorja “il Giornale d’Italia” lajmon çiltas se “mas akordit Tittoni –Venizelos dy Provinçiet Shqyptare, Korça e Gjinokastra do t’i epen Greqís”. Dergata e jonë at herë me të shpejtë i paraqiti Konferencës së Pagjës nji protestë kundra ktí akordi. Me 9 Nanduer 1919 po ajo Gazetë boton prep ato fjalë, d.m.th. mas akordit Tittoni-Venizelos Korça e Gjinokastra do t’i dorxohen Greqís. At kohë Dergata e jonë më ngarkoj me u pa me Z. Tittoni-n qi ndollej në Paris mas hikjes së Z. Orlando-s e Sonnino-s, qi ishte Kryetár i Dergatës italiane. Edhè une u takova me tê, por gjâ konkrete prej bisedimit nuk mujta me xjerrë.

Në mbledhje qi Dergata mbajti n’e nesre, ja diftova gjith misvet bisedimin me Z. Tittoni-n. Prep me 9 Dhetuer 1919 fletorja “il Giornale d’Italia” e persritë po ato fjalë mbi Korçen e Gjinokastren. N’at kohë Z. Tittoni nuk gjindej në Parisë, e vendin e tí e kishte xânë Z. Scialoja. Shkova edhè te ky, por pa kurrfarë rezultati. Ishte, per sá mbajë mênd, 21 -22 Dhetuer 1919 kurse në mbledhje qi patme, të gjith misat e

Dergatës, e nder ta ma i nxeti e ma i pari, e ndieri Z. Myfid Libohova, m’u lutne t’a bâjshe nji sakrific per atdhen t’onë e t’u nisëshe për Rome, ku të bâjshe çë mos per me pase audjencë prej Shêjtnís së tij Papës Benedikt XV. Atí të Ja parashtrojshe gjendjen e rrezikshme të dy provinçeve t’ona, Atí t’i lypshe ndimë qi Shêjtnija e Tí t’i pështonte. Ju pergjegja shokve n’at mbledhje se lutja n’at punë nuk kishte vênd, se çashtja e Shqypënís ishte çashtja e të gjithve bashkë e e secillit nder né: prá kjè se Dergata e shef të nevojshme qi une si Kryetari i sajë t’a bâj udhtimin per Romë, ket udhtim e kam me detyrë. Kështu u vêndue qi unë bashkë me Z. Mehdi Frasherin t’u nisëshim per Romë.

Me 26 të Dhetorit u nisme e me 28 mërrime në kryeqytetin e Italís. S’kaluen trí kater dit xora audjencën e u gjeta perpara Shêjtnís së Tij Papës Benedikti i XV. Bisedimi nuk kjè i gjatë, kjè i shkurtë mjeft, por edhè pse i shkurtë kje i mjeftueshem per qellimin t’onë. Si ja diftova pse kishe marrë udhtimin per Romë, e pse u gjindëshe perpara Shêjtnís së Tij, kuvêndin e mbylla me kto fjalë: “tesh pra, Shêjtní, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan çue ktu perpara Shêjtnís s’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqn t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos”.

Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e me tha: Po shka të bâj per Ju? Me Italí s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrëdhanjet janë këput – shka të bâj? Mora guxim e i pergjegja: A m’epni lejen me folë, Shêjtní? Fol, fol me tha, shka të kesh me thanë thueje. Un kishe me thanë, Shêjtní, se bota s’ká metë vetun në Italí e në Francë; – ká në botë edhe Anglí, Shtete te Bashkueme t’Amerikës. Bani buzën në gaz, e me i’herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglís, masnesri me atê

të Shteteve të Bashkueme; e po t’ap fjalen se me te dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me bâ shka të mundem per me Ju ndihmue. Zoti ká m’e bâ mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e atý kû s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kênë.

Une at herë qi kishe bâ gati nji memorandum per me ja lânë, tuj e nxjerrë prei xhepit e tuj e mbajtë në dorë: Shêjtnija e Juej i thaçë, ká punët e botës marë, e prandej a kam lêjen me Ju lanë ket memorandum qi mos t’a harroni çashtjen t’onë? Po, po, lêne ktu pse nuk kam m’e harrue. U çova e i rashë ne të dy giûjt. Ju fala nderës sá mujta, e si mora bekimin, at herë dola krejt i kënaqun e shkova tuj mêndue me vedi: A thue po na shkon kot ky udhtim qi prej Paris-it bâme deri ktu? Gjith kjo shpresë qi fjalët e Shêjtnís së Tij më njallne në zemër, a mundet me më rrêjtë? Jo, jo s’mundet me kênë kurr. Sa dola prej Vatikanit u poqa me Z.Mehdi Frasherin të cillit ja diftova fjalët qi më tha Benedikti XV, edhè ky Zotní met faret i kënaqun tuj shpresue se me nderhymje të Papës Korça e Gjinokastra kishin pështue. Me gjith kto shpresa të mira në zemër, kthyeme në Paris ku me padurim po na pritëshin shokët.

Kur u mblodhme ne zyren e Dergatës, i parashtrova shkurtazi nji ekspozé të misjonit t’onë në Romë, e kur në fund u diftova bisedimin e Shêjtnís së Tij, e si na dha fjalen se do t’u mundote per çashtjen t’onë, per të cillen kishte çfaqë qyshë në fillim nji interesim të madh, fjalët e mbrame të Shêjtit Át Papë i priten në kambë me brohorí të madhe e me duertrokitje britne të gjith nji zâni: Rroftë Papa! Korça e Gjirokastra kan pështue: e pështuene pernjimend.

Kjo âsht rrjedhja e vertetë. Kjo âsht nji faqe e historís s’onë.

Kallmet 30 Mars 1934

† LUIGJ BUMÇI

Radio Vatikani

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: