Advertisements
Telegrafikisht

Fjalimi i rrallë i një prej të parëve intelektual që komunizmi dënoi me vdekje

 

At-Anton-Harapi-para-gjyqit-ushtarak_Tirane-me-1946-696x407

Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’i a çoj në vend dishirin : due t’a thom fjalën t’ême. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi ? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa për fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak !

1- Ja, pra, se nji punë e parë u bâ : mbas sa muejësh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot – mirë a keq- kemi nji Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeveri, kemi nji auktoritet shqiptar. Këtë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mij mrrijtën me thanë : Shka i u desht Pater Antonit me i a hy kësaj pune ? Këtyne due t’i u përgjegjem, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vehten, por për të ndritun mendimin t’em dhe të tyne.

Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendojë se unë e mora këtë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja që më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po : manija e Shqipnis, po, qe ajo që më vuni dilemën : a me anarkista për të bâ gjak, ase me hjekun dore prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të bâj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh : a të baj nji marrí tue e pranue këtë zyrë, ase të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendova mâ mirë të bâj nji marri : ase – sikurse thonë ata shqiptarë që duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem.

2- Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár : pse nuk mujta t’a shoh Shqipnin n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né shqiptarët anarkija âsht nji turp dhe nji delikt : po, turp âsht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonin shqiptare, pa qenë të zotët t’i a gjejmë fijen lamshit; delikt âsht në këtë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjâs dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll ! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.

3- Maní … E po, si kujton Pater Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnin ?! … Jo, zotni ! Asnjeni nesh, që kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëhere, pra ? … Shqipnin do t’a shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon : të përpiqemi me të gjitha fuqit për t’a pakësue mjerimin dhe shëmtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjen të kjartë se jemi njerëz nevoje, d.m.th. se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në këtë shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura, por, po mujtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen, dhe po mujtëm të vejmë nji gur sado të vogël për konsolidimin e çashtjes shqiptare, do të jemi të lumtun.

4- Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni t’a baj këtë hap : Qaje, Zot, të keqen – thashë me vehte – si mos me u gjetun në Shqipni burra të zotët, që të marrin përgjegjsi publike dhe të flijojnë vehten për kolektivitetin ?! Mospranimi i bashkëpunimit në këtë rasë – me e shikue hollë – për mue do të kishte qenë nji spekulacion : unë, i grishun botnisht të jap kontributin t’em për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, mâ parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin t’em personal, se sa me rrezigue vehten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija !

5- Edhe komunistavet due t’u a tham nji fjalë , por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata shqiptarë, të cilët vërtet e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashmâ të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipni. Kjo âsht vërtetë, e kjo don me thânë se gadi të gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes pa dijtë shka bâjnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë për Shqipni, e vetëm për Shqipni. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombtare – sikurse i kam ndigjue unë dhe vetë tue dishmue organizatorët komunista — mue më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rryme shqiptare : Pse, vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina dhe jo atdheu ? Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qëllim, nuk i lânë vend dyshimit. More, me kobure në gjoks nuk bâhet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit. Gjithëmonë tue rrenue, nuk ndërtohet.

Porse, mbas gjase, komunizmi sot ndër ne e ka lânë m’anash doktrinën dhe don të justifikohet me veprën politike atdhetare. Kjo për mue âsht nji kontrast. Nuk due të bjerri kohë tue polemizue me komuista, vetëm po thom se këtu në Shqipni palla në thes nuk hyn. Nuk kemi si t’andrrojmë me ngrehë republikën e Platonit, kurse jemi ende në gjendjen primitive; nuk kemi sot si të kapërcejmë n’internacionalizëm kurse ende nuk e kemi formue si duhet ndërgjegjen kombtare. E pse atyne u âsht mbushë mendja se luftën e fitojnë udhëheqësit e së tretës internacjonale, nuk âsht kjo nji arsye, që na qysh tash t’i a nxjerrim sytë shoqishoqit dhe të krijojmë hekatomba shqiptare.

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: