Advertisements
Telegrafikisht

Cilën përmendore duhet të shembim sot

Cilën përmendore duhet të shembim sot

Bedri Islami

27 vite më parë, pas grevës së studentëve dhe një marrëveshje të pashkruar popullore kundër regjimit të vjetër, në Tiranë, e më pas edhe në rrethe, u hodhën ose u shembën përmendoret, statujat dhe bustet e Enver Hoxhës.

Sinjali ishte dhënë më herët. Me 13 dhjetor 1990, në Shkodër, do të hidhej busti i Enver Hoxhës nga studentët dhe ata që u bashkuan me to, pas një demonstrate, të cilën as sot e kësaj dite nuk dihet kush e filloi dhe pse përfundoi në atë mënyrë.

Sidoqoftë bustet, përmendoret dhe Statujat u hodhën. Vendi, sipas dëshmive të mëhershme, shkoi në buzën e një përplasjeje civile, e cila, megjithëse e kishte fillesën në Tropojë, ku zuri fill ajo që më pas do të quhej “Vullnetarët e Enverit”, u shtri më shumë në jugun e vendit, për të heshtur disa javë më pas, si të gjithë krijesat që lindin nga zemërimi i paarsyeshëm.

Piedestalet politike mbetën bosh më 21 shkurt. Të egërsuar, pa e ditur as vetë për çfarë, filluan të hidhen poshtë edhe bustet e herojve të luftës nacionalçlirimtare, e kur nuk doli mllefi i kohës, ia nisën edhe me disa figura të vjetra kombëtare, që ishin në lartësi të tjera, mes tyre edhe të Fan Nolit dhe Migjenit. Në vend të tyre u ngritën përmendore dhe statuja të tjera, shumë nga të cilat nuk do të ishin ngritur dhe nuk janë ngritur në asnjë vend të botës perëndimore, me një rendje të çuditshme për të rehabilituar bashkëpunëtorët e fashizmit e të nazizmit.

“Ajo furtunë kaloi”, thotë në një poezi të tij Sergej Esenini për një kohë tjetër, por diçka e ngjashme ndodhi edhe tek ne. Çuditërisht, edhe pas saj, koha e mendjes nuk po vjen.

Në 27 vite jetë plurale politike u ngrit një kult tjetër, po aq i dëmshëm sa edhe kulti i liderit të pakontestueshëm. Ai u ngrit marramendshëm shpejt, në shumicën e tij nga njerëz që kishin qenë adhurues të kultit të Enverit dhe që, në nënvetëdijen e tyre, kishin pasur ëndrrën e ripërtëritjes së kultit në një kohë tjetër. Viti 1992 bëri gjithçka ishte e mundur për të ngritur kultin e berishizmit, si një kult demokracie dhe prosperiteti, duke shkuar edhe më përtej, si kulti i njeriut që do të realizonte bashkimin kombëtar, kur në fakt ai ishte, në të gjitha, e kundërta e prapshtë e pritjes së ndryshimit. Kulti i berishizmit është ende i pranishëm, në një përmasë të ndjeshme, brenda Shqup-it politik, i përzjerë me një servilizëm klasik ballkanas, si kult ndaj të parit të fisit; përmes tij dhe familjes së tij rrotullohet e gjithë bota e demokratikasve, zgjidhen militantët, shefat dhe nënshefat; përmes një cingërime të tij ngjiten shkallët e karierës politike dhe, disa vite më parë, mund të bëheshe i pasur ose të shkoje në humnerë.

Megjithatë, ai , edhe pse nuk e kishte pritur, mbeti një kult lokal, që po i bien pendët edhe tek shqiptarët jashtë atdheut dhe që ecjen e tij politike, të përzjerë me komunizëm ekstrem, sllavizëm gllabërues, pushtet epshmbajtës politik, tendecë nënshtruese greke dhe shitje të interesave kombëtare, do të mbesin vetëm pak hapa, si një nostalgji të asaj që dikush kishte ëndërruar.

Pra, ky është një kult në të shembur e sipër dhe në një kohë jo të largët, kur vetëm demokratikasit të mbushen në mend, ata vetë do e shembin edhe më shpejt e më thellë se sa opozitarët e tij.

Shoqëria duhet të shembë dhe të ulë përfundimisht nga piedestalet kultin e njeriut të paprekshëm.

I krijuar pas vitit 1992, si një adhurim për liderët me pardesy, disa nga të cilët ishin siluruar aty nga sigurimi i shtetit, kulti i të paprekshmit mori një përmasë të jashtëzakonshme nën sundimin e parë presidencial të Berishës.

Kjo epidemi politike, që u ul deri në shkallët disi më të ulta të pushtetit, krijoi koracatën shtetërore të mbrojtjes së krimit dhe vendosjen e një matësi të ri në përballjen me ligjin.

Të paprekshmit, shumica e të cilëve ishin njerëz të politikës , që më pas pranuan në këtë çadër kulti edhe oligarkë financiarë që u takonin atyre, u bënë dhe vazhdojnë të jenë në Shqipëri një kategori e çuditshme, që veten e ndjen mbi ligjin, që nuk pyet as për shtet e as për pushtet, e cila, edhe kur gjërat janë krejtësisht të qarta, mbjell turbullimin dhe sjell përtalljen me jetët e të tjerëve.

Le të kthehemi tek një rast i harruar nga drejtësia : rasti i deputetit Xhindi, i vrarë në hyrjen e shtëpisë së tij, pikërisht në kohën kur ministër i brendshëm ishte Bujar Nishani, që më pas u bë, ashtu si u bë, edhe president.

Xhindi u vra pikërisht nga të paprekshmit. Bujar Nishani atëbotë deklaroi se vrasësit dihen dhe pas pak ditëve do të arrestohen. Pastaj u hodh mjegulla se pas vrasjes qëndrojnë motive të tjera. Të paprekshmit, që kishin projektuar një vrasje politike, dolën mbi shtetin, mbi deklaratat e ish-ministrit të brendshëm dhe mbi vetë ligjin. E njëjta histori edhe me vrasjen e gjyqtarit Konomi, e zëvendësshefit të Shërbimit Informativ Kombëtar në Durrës, që të paprekshimit e paraqitën fillimisht si vetëvrasje. Të paprekshmit ndërtuan një fabrikë vrastare në Gërdec, por askush nuk guxoi të merrte mundimin që, të paktën, të pyeteshin. Organizuan vrasjen e Kosta Trebickës në një vend të paditur dhe e risollën ku deshën, dhe askush nuk u trondit. Vodhën miliona, qindra milionë euro në Rrugën e Kombit dhe u përtallën furishëm me të gjithë, duke hedhur në portën e prokurorisë e më pas të gjykatës, një fletushkë mjekësore. E shkëputën nga duart e prokurorisë një aventurier politik si Fazlliqi, mikun e shtëpisë së Berishës, dhe më pas organizuan një gjyq farsë, ku zonja Hajdari do të ishte njeriu që vendoste. Ajo, në kaq vite, të paktën një gjë e di mirë: nuk mund të dalësh kundër të paprekshmëve. E di, sepse shembullin e ka ndjerë mbi kurrizin e saj dhe, njeriu që e kishte linçuar burrin e saj, që e kishte nëpërkëmbur e që në fund e nxorri në pritë, as nuk dëshmoi për një ngjarje që e kishte ditur para se të ndodhte. Vranë me 21 janar gjakftohtë dhe të zhgënjyer që nuk kishin vrarë më shumë, dhe desh sajuan teorinë e vrasjes brenda llojit politik, e askush, as sot e kësaj dite, të paktën për hir të gjakut, nuk mori guximin që të bënte, të paktën një pyetje: përse mashtrove në daljet publike të natës së 21 janarit? Në gjyqin kundër asaj pjese të gardës që kishte qëlluar në 21 janar dhuna e të paprekshmëve mori një furi që nuk ishte njohur deri më atëherë e nuk besoj se do të njihet më pas: gardistë që brohorisnin për eprorët e tyre, që kërcënonin prokurorë e gjyqtarë, që e ndjenin veten zot të gjithçkaje dhe që, në një formë aspak të zbutur po bënin atë që u kishin urdhëruar, një puç kundër sistemit të drejtësisë, që edhe ashtu ishte i asfiksuar.

Të paprekshmit nga një shfaqje e rëndomtë, u bënë një fenomen dhe tani janë një forcë konkrete. Nëse nuk dëbohen nga kulti i tyre, nuk është bërë asgjë.

Kaq shumë u krijua imazhi i njeriut të paprekshëm të politikës , sa që, pas vitit 1997, publikisht, dy ish kryeministra socialistë, Pandeli Majko dhe Bashkim Fino, i mburreshin Berishës , se “unë të kam shpëtuar pa u futur në burg”, sikur drejtësia ishte malli i babait të tyre dhe pronë vetjake mbi mjetet e prodhimit.

Të paprekshmit janë të shumtë. Është një kupolë që qëndron mbi fatin e shtetit. Që e kanë kapur atë dhe po e linçojnë , edhe sot e kësaj dite.

Për të ruajtur të paprekshmit është synuar disa herë, synohet edhe tash të krijohen edhe forca paramilitare, nën shembullin e korpusit serb në Kosovë apo në Bosnje. Natyrisht , jo kaq larg, por të rrezikshme në një shtet që nuk është në luftë dhe që aspiron një vend në Bashkimin Europian. Komiteti i Veriut i dikurshëm në vitin 1997 dhe Korpusi “Azem Hajdari” i tashëm, janë vazhdime të njëri- tjetrit, ashtu si janë zgjatime të njëjta bandat e metingashëve në 14 shtator, të armatosur dhe selia e PD-së një vatër lufte, me gardistët që pas 21 janarit qëndruan disa ditë nëpër bodrumet e kryeministrisë.

Të paprekshmit janë të dyanshëm. Asnjëri prej tyre nuk është dënuar deri tani. Asnjëri nuk ka rënë nga kali, por edhe kur ka rënë përkohësisht, i është ngjitur pas një kali tjetër.

Zbritja e tyre nga piedestali ku ata kanë ngritur veten dhe ku shteti i lejon të qëndrojë duhej bërë me kohë, por edhe tani, do të ishte një kohë e duhur.

Ky është, sipas mendimit tim, e domosdoshmja e kohës së tashme: shembja e mitit të të paprekshmëve!

Kjo është edhe përmendorja që duhet shembur, duke filluar që nga 22 shkurti!

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: