Advertisements
Telegrafikisht

Kujdesi që duhet të tregojnë personat që jetojnë me një veshkë

testet

Pranvera Kola 

Veshkat janë organe esenciale për mbijetesën tonë. Ato kryejnë funksione të rëndësishme që na mbajnë të shëndetshëm,por edhe të gjallë. Veshkat filtrojnë mbeturinat dhe ujin e tepërt nga gjaku për të balancuar përbërjen e tij. Ato ruajnë nivele të qëndrueshme të elektroliteve, si natrium, kalcium dhe fosfat, kontrollojnë presionin e gjakut dhe prodhojnë hormone që janë të nevojshme për të mbajtur kockat dhe gjakun të shëndetshëm.

Çdo veshkë përmban rreth një milion tuba të vegjël të quajtura nefrone, që filtrojnë mbeturina dhe lëngje shtesë nga gjaku duke e nxjerrë jashtë nga trupi në formën e urinës. Zakonisht njerëzit lindin me dy veshka dhe puna është e ndarë midis të dyjave. Por, mund të jetohet edhe më një veshkë. Mjekja Ilda Xhelili, tregon se çfarë kujdesi duhet të ndjekin sa i takon regjimit ushqimor dhe parandalimit të shumë sëmundjeve personat që jetojnë me një veshkë.

Cilat janë rastet në të cilat një person duhet të jetojë me një veshkë?

Janë disa raste në të cilat persona të caktuara jetojnë me një veshkë. Konkretisht, ndër arsyet kryesore që një person mund të ketë një veshkë janë: “Personi mund të lindë me një veshkë, pra defekt i lindjes, mund të lindë me dy veshka, por vetëm njëra funksionon (dysplasia renale)”.

Gjithashtu, disa persona mund ta kenë hequr veshkën në rrugë kirurgjikale për arsye të kancerit, ose sëmundjeve të tjera. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po zgjedhin të dhurojnë një veshkë tek një anëtar i familjes, ose një mik, i cili ka probleme sa i takon funksionimit të veshkës. Në përgjithësi njerëzit me një veshkë mund të kenë një jetë plotësisht normale, megjithatë disa probleme mund të lindin në një afat të gjatë kohor dhe që kërkojnë monitorim dhe trajtim specifik.

Cilat janë problemet që mund të shfaqen tek personat që jetojnë me një veskë?

Një ndër shqetësimet është hipertensioni, i cili ka risk më të lartë tek njerëzit me në veshkë pasi e vetmja veshkë bën punë dyfishe. Presioni normal i gjakut është rreth 120/80 dhe një presion mbi 140/90 duhet monitoruar. Njerëzit me një veshkë duhet të mbajnë një presion gjaku më të ulët se 130/80, sepse presioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë veshkën. Këta persona duhet që të jenë vazhdimisht në kontakt të ngushtë me mjekun për monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore.

Proteinuria është tjetër rrezik. Një tejkalim i normës së proteinave në urine është tregues i dëmtimit të veshkave dhe njerëzit me një veshkë shpesh e kanë mbi nivelin mesatar nivelin e proteinave në gjakun e tyre. Po ashtu, këta njerëz mund të kenë shpesh të reduktuar edhe shkallën e filtrimit glomerular, e cila tregon se sa mirë i filtron veshka mbeturinat dhe ujin e tepërt. Këta komponentë duhen mbajtur nën kontroll periodik. Por e theksoj se shumica e njerëzve me një veshkë kanë pak, ose aspak probleme. Duke monitoruar rregullisht funksionimin e veshkës, çdo gjë mbahet në kontroll.

Po për personat që e kanë hequr veshkën për arsye shëndetësore çfarë mund të themi?

Kujdes të veçantë duhet të tregojnë ata që e kanë hequr veshkën për arsye shëndetësore (sëmundje të ndryshme). Ata duhet të jenë në kontrollin periodik të mjekut dhe të marrin mjekimet përkatëse. Kur kemi vetëm një veshkë, ajo bëhet më e madhe dhe merr rëndësi rezultati i punës që mund të jetë më i sforcuar, por është edhe më e ndjeshme ndaj lëndimit.

Prandaj duhen eliminuar goditjet dhe marrja me sporte të tilla, si: boksi, mundja, hokej, futbolli dhe artet marciale. Duhet të jetë e qartë se humbja e veshkës tjetër është e rrezikshme për jetën. Pa veshka nuk është e mundur jetesa, vetëm nëpërmjet dializës.

Çfarë duhet pasur kujdes me ushqyerjen kur jemi me një veshkë?

Së pari duhet mbajtur nën kontroll marrja e kripës (natriumit) sepse niveli i lartë i saj tërheq ujin në gjak dhe inde duke rritur kështu presionin e gjakut. Presioni i lartë i gjakut dëmton veshkën dhe shton punën e saj për të filtruar më shumë natrium dhe për ta nxjerrë atë me urinën.

Pra shumë kripë në dietën e përditshme e mbingarkon punën e veshkës. Kujdes duhet treguar me ushqimet e konservuara sepse ato kanë përmbajtje të lartë të kripës. Gjithmonë duhen lexuar etiketat e të dhënave ushqyese dhe duhet të zgjedhim emërtime të tilla, si: “natrium i ulët”, “natrium shumë i ulët”, dhe “pak sodium” në paketë. Prandaj është më mirë në këto raste të përdoren ushqime të freskëta dhe duhet të konsumohen sa më pak ushqime të paketuara, ose të përpunuara.

Konkretisht, çfarë duhet të konsumohet?

Proteinat janë një burim i rëndësishëm i kalorive që marrim çdo ditë (20-35 për qind e kalorive të përgjithshme ditore), por ato janë më të tolerueshme kur kanë origjinë bimore, si për shembull fasulet, por edhe proteinat e lehta që vijnë nga mishi i shpendëve, peshqit (omega 3), e bardha e vezëve, arrat.

Proteinat që vijnë nga mishi i kuq e rëndojnë punën e veshkave prandaj duhen përdorur sa më pak. Rreth 45-65 për qind e kalorazhit ditor vjen nga karbohidratet, zgjedhje të shëndetshme të karbohidrateve vijnë nga frutat dhe perimet e freskëta, si edhe drithërat. Pjesa tjetër e kalorive (rreth 20 për qind) vijnë nga yndyrat ku më të shëndetshme rekomandohen peshku, arrat, avokado dhe vaji i ullirit.

Po në lidhje me konsumimin e lëngjeve çfarë duhet të kemi parasysh?

Njerëzit që janë me një veshkë nuk kanë nevojë për lëngje shtesë, por duhet të qëndrojnë të hidratuar. Në përgjithësi janë të nevojshme 6 deri në 8 gota ujë në ditë, por megjithatë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj specialist, pasi çdo gjë varet nga kushtet individuale të situatës shëndetësore të veshkës suaj.

Me mjekun tuaj duhet të konsultoheni për një dietë të ekuilibruar, e cila është e larmishme dhe e përshtatshme për situatën individuale shëndetësore dhe për nivelin individual të aktivitetit fizik. Një dietë e ekuilibruar përfshin fruta dhe perime të freskëta, bulmete me përqindje të ulet yndyre, fara, arra dhe vajra të shëndetshëm. Ndërsa, marrja e yndyrave, kripës dhe ëmbëlsirave duhet të jetë e kufizuar.

p.k/dita

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: