Advertisements
Telegrafikisht

LEKË DUKAGJINI, CILI ISHTE NJERIU I KANUNIT? NGA NJË DASMË E PËRGJAKUR DERI TE PASUES BESNIK I SKËNDERBEUT

besa-imami-and-akaki-khorava-in-uppror-i-bergen-1954-large-picture-696x532Nga Fatos Baxhaku

Njeriu i Lekës

Duhet të ketë qenë një barrë e rëndë. Eshtë barrë e rëndë të mbledhësh fjollën e hollë të fakteve që kanë mbetur nga një njeri i kthyer tashmë në një legjendë. Hollësi të mbetura në pergamenë të vjetër, shënime nga regjistrat e kishave, dobësi autorësh të shquar, fakte dhe legjenda, të gjitha Tonin Çobani i ka mbledhur me durim derisa na ka përshfaqur drejt e në sytë tanë imazhin e njeriut që ka mbi 500 vjet që, edhe sot e kësaj dite, bën ligjin në gjysmën e Shqipërisë, më në fund ka dal një libër që rreket të na thotë ne, të tjerëve, se cili është njeriu i famshëm i Kanunit. (Tonin Çobani, Lekë Dukagjini, princi i përfolur, Lisitan, Toena, Tiranë 2003, 190 faqe, 1.000 lekë). Nga ky libër janë marrë edhe ilustrimet e shkrimit të sotëm. Duhet të ketë qenë një barrë e rëndë, porse duhet të ketë qenë edhe një pasion i vjetër i Çobanit, përndryshe nuk ka se si të shpjegohet fakti që simpatia e autorit për njeriun e mjegullës, për këtë princ të përfolur më shumë në kohë moderne, është fare e dukshme, aq e dukshme saqë të duket sikur autori e ka marrë fort për zemër mbrojtjen e tij, ndryshe nga të gjith autorët e tjerë, të cilët në qendër të vëmendjes kishin Skënderbeun, heroin tonë kombëtar, porse një figurë sigurisht shumë e diskutueshme, sikurse ishin gjërat asokohe, të rrethuara ndër tymnajat e mesjetës arbënore. Cili ishte Lekë Dukagjini, cilat ishin lidhjet e tij me prijësat shqiptar më të fuqishëm, përse hera-herës mjegulla e tij u shndërrua në akull dhe më pas… përse pikërisht ndër troje të tija lindi monumenti ligjor më i vjetër i shqiptarëve, Kanuni? Nëse kemi durimin e duhur, atëherë do të kemi edhe përgjigjet e duhura. Tonin Çobani, shkrimtar e gazetar, tashmë i njohur, është munduar të na fusë në qerthullin e ndërlikuar të Lekës dhe historisë së tij. Nëse kemi durim ta lexojmë, atëherë do të gjejmë plot e plot shpjegime që kanë të bëjnë me jetën tonë të përditshme. Historia nganjëherë bën edhe mirë. Paaftësia e të sotmes për t’i bërë ballë trashëgimisë së vyer, është një nga mungesat, me të cilat përballet shoqëria jonë e sotme. f.b.

Për herë të parë Lekë Dukagjini, djali i Pal Dukagjinit, shfaqet në dokumentet e kohës me rastin e asaj që quhet “Beteja e Muzakins”, në 1445.
Një vit pasi kishte arritur të mblidhte princërit shqiptarë në Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vendosi të konsolidojë pushtetin e tij në Shqipërinë e Mesme, duke martuar të motrën, Mamicën, me Muzakë Topinë, zot i kalasë së Petrelës dhe i një territori të gjerë në Shqipërinë e Mesme, që vinte që nga Durrësi deri në afërsi të Krrabës së sotme.

Dukagjinët ishin zotër të Shqipërisë verilindore. Thuhet se qyteti i tyre, tani i zhdukur, me emrin Ulpiana, ishte një ndër më të zhvilluarit në Shqipërinë mesjetare. I ati, Pal Dukagjini, kishte nënshkruar Besëlidhjen e Lezhës të 1444 dhe ishte rreshtuar me trupat e tij në krah të Skënderbeut. Pal Dukagjini dhe i vëllai, Nikollë Dukagjini, kishin vënë në dispozicion të Besëlidhjes 5 mijë trupa, nga 15 mijë që ishte ushtria e arbërorëve në atë kohë. Trupat e dukagjinëve kishin marrë pjesë edhe në betejën e Torviollit, që në atë kohë ishte komanduar nga Topiajt. Leka kishte edhe një vëlla, Palin. Legjenda thotë se e pat verbuar në mënyrë që të mos e kishte rival në zotërimin e fronit të Dukagjinëve. Kishte dhe dy motra, Rozën e bukur, për të cilën ende këndon eposi sllav dhe Marien, e martuar më vonë me Gjon Muzakën e Beratit. Vetë Leka ishte nga nëna nip i Arianit Komnenit, Gjorg Golemit, pra kushëri i parë me Donika Kastriotin.

Një dasmë e përgjakur
Një përgjakje e rëndë ndodhi në dasmën e Mamicës, që Noli dhe Barleti thonë se është bërë diku në Muzakinë, që i përgjigjet krahinës së sotme, diku mes Krujës dhe Durrësit. Këtu ishte i ftuar edhe Lekë Zaharia, zot i Danjës (Dejës së sotme) dhe i Shasit. Në dasmë ishte e ftuar gjithashtu edhe Jerina e Lekë Dushmanit, një tjetër feudal nga Zadrima. Jerina ishte e njohur në të gjitha malësitë për bukurinë e saj të rrallë. Të dy Lekët i kërkuan babait të Jerinës, Lekë Dushmanit, dorën për martesë. Thuhet se Jerina përballë të dyve nuk hezitoi të zgjidhte Lekë Zaharinë e urtë përballë të egrit dhe të fortit Lekë Dukagjini. Këtij të fundit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të rrëmbente armët për të vënë në vend nderin e humbur. Dueli mes dy Lekëve përballë Jerinës degjeneroi në një masakër të vërtetë. Noli e cilëson me termat “beteja homerike e Muzakinës”. 105 të vrarë dhe afër 200 të plagosur shënon Fan Noli në historinë e tij të Skënderbeut. Në dyluftim, Lekë Dukagjini mbeti i plagosur nga Lekë Zaharia. Dy njerëzit që ndërhynë për të ndarë sherrin e madh, që të dy njerëz të afërt të Skënderbeut, Vrana Konti dhe Vladan Gjurica – ky i fundit nip i Skënderbeut – mbetën të plagosur, i pari në krah dhe i dyti në kokë.

Në ato momente të përgjakura, Skënderbeu shëtiste me çiftin e porsamartuar dhe, kur i mbërriti lajmi i betejës, vrapoi me një frymë të zbuste gjakrat. Lekë Dukagjini, që ndërkohë ishte plagosur rëndë prej Lekë Zaharisë, u tërhoq. Jerina u martua me Lekë Zaharinë dhe të dyja palët u tërhoqën në heshtje, duke dhënë fjalën se kjo punë nuk mbyllej me kaq.

Leka vetë
Në 1446, Pal Dukagjini plak vdiq, duke lënë në dorë të Lekës zotërime të gjera, mbase më të gjera se ato të vetë Skënderbeut. Lekë Dukagjini, me karakterin e tij të rrëmbyer, duhej marrë kështu në konsideratë. Aq më shumë që me martesën e Skënderbeut me vajzën e hallës së Lekës, Donikën, të dyja familjet u lidhën edhe me krushqi. Legjenda thotë se Skënderbeu e thirri Lekën për të ndarë kufijtë, diku në territoret e Mirditës, zotërimi i së cilës ishte i diskutueshëm mes të dyve. Që të dy duhet të zinin be që toka ku shkelnin ishte e Lekës. Leka zuri e zuri be gjatë gjithë kohës që toka e Mirditës, ku ata po shkelnin, ishte tokë e tija. Në fakt, ai i kishte mbushur opingat e tij me dhe nga shtëpia e vet dhe, kështu që beja para Zotit nuk ishte e “rrejshme”. Kështu qëlloi që Mirdita të mbetej në dorë të Lekës. Të paktën kështu rrëfen legjenda.

Dokumentet thonë se Leka në çdo rast nuk kishte zor të tregonte pakënaqësinë e tij ndaj Skënderbeut dhe njerëzve të tij të afërt, Hamzait, Gjergj Stres Balshës që ishte gjysmëmalazez dhe Moisi Golemit. Që të tre kishin histori të ndryshme nga ky njeri i rritur maleve në një kala të rrethuar nga mjegulla e misterit, sikurse është Ulpiana.

Leka duhet të ketë qenë një inatçi i pandreqshëm. Kur Skënderbeu u martua me Donikën, më 1451, ai nuk mori pjesë në dasmë, duke i mbajtur mend Skënderbeut qëndrimin që ai mbajti në dasmën e Mamicës.

Teodora
Pasi u shuajt përkohësisht sherri për Jerinën e Dushmanit, Lekë Dukagjini martohet me Teodorën, motrën më të vogël të Gjon Muzakës së Beratit, njëkohësisht edhe motra e Serafinës, gruaja e parë e Muzakë Topisë, më pas kunat i Skënderbeut. Për Teodorën dihen vetëm pak gjëra. Dihet vetëm se nga martesa mes të dyve nuk lindën fëmijë, kështu që dera e Dukagjinëve u shuajt pas Lekës. Shënimet që Gjon Muzaka ka lënë në kujtimet e tij, janë fare të pakta, duke e shtuar edhe më enigmën që mbështjell tashmë jo vetëm Lekën, por edhe lidhjen e tij me Muzakajt e Beratit.

Vrasja e rivalit në dashuri
Lekë Zaharia u vra në pusi bashkë me Bozhidarin, nipin e Stefan Çrnojeviçit të Malit të Zi. Disa thonë se u vra thjesht në pusi, por ka të tjerë që këmbëngulin se u vra diku në Ishullin e Lezhës, ndërsa ishte ftuar nga vetë Lekë Dukagjini për të gjuajtur derra të egër. Sido që të jetë shumica – me të cilët Çobani nuk është dakord – nuk dyshon se vrasësi i vërtetë është Lekë Dukagjini, i cili nuk ia fali dot çnderimin që iu bë në dasmën e Mamicës.

Vrasja, përveç se tronditi krejt prijësit shqiptarë, i ngatërroi fort keq punët edhe me Venedikun. Skënderbeu dhe Lekë Zaharia kishin bërë një marrëveshje mes miqsh, sipas së cilës në rast se njëri prej të dyve do të vritej, atëherë menjëherë pronat e tij i kalonin tjetrit. Danja, (Vau i sotëm i Dejës), ishte një zotërim fort i rëndësishëm fare afër Shkodrës, e cila ishte në duart e Venedikut. Në kalanë e vjetër mbeti vetëm Bora, e ëma e moshuar e Lekë Zaharisë. Skënderbeu dërgoi me ngut në zotërimet, që tashmë i përkisnin atij, dy njerëz të afërt, Vrana Kontin dhe Hamza Kastriotin. Porse Danja ishte marrë me kohë nga venedikasit, kështu ndodhi që Skënderbeu hyri në konflikt të hapur me Republikën e San Markos. Ngatërresa me një aleat të vjetër do të kishte kështu një shkak më shumë për t’u kujtuar e për të prishur punë.

Atentat kundër Skënderbeut
Në 1451, ose në 1452, diku në pyjet e dendura të Krrabës, në një shpellë, mbase në shpellën që sot quhet e Pëllumbasit, u vranë katër ushtarë turq dhe dy udhërrëfyesit e tyre shqiptarë. Të gjithë ishin të dyshuar se donin të vrisnin Skënderbeun, të paktën kështu thonë librat e vjetër. Në këto anë, që ishin pronë e kunatit të tij, Muzak Topisë, Skënderbeu shkonte shpesh, sa për të parë ushtrinë, aq edhe për të ushtruar gjuetinë, hobin e tij të preferuar.

Të gjithë, asokohe, fajësuan Lekë Dukagjinin, njeriun që jetonte ende në malet e tij, të rrethuara nga mjegulla. Skënderbeu mblodhi sakaq njerëzit e tij që t’i binte malësorëve të Lekës. Nuk dëgjoi as thirrjet që i bënin të tjerët për të mos nisur luftën hakmarrëse. Lufta mes të dyve u shmang vetëm sepse u përhap lajmi që osmanllinjtë ishin në portat e Krujës. Skënderbeu iu kthye luftës i emëruar kryeshpatar i luftës së shenjtë kundër Islamit. Leka mbeti në malet e tij, por inati i egër do të kërkonte kohë të kalonte.

Jashtë Kishës, ose…
Në 1458, Leka e arriti më në fund ëndrrën e tij të vjetër. Ai shtiu në dorë Danjën dhe Shatin, dy kala të viktimës së tij, Lekë Zaharia. E gjitha ndodhi ndërsa Skënderbeu vazhdonte të mbronte Krujën e rrethuar. Në 1459, një dekret i veçantë i Papës, pasi përmendte komplotet e vazhdueshme të Lekës kundër Skënderbeut e kërcënonte atë me shkishërim, mallkimi më i madh që mund t’i bëhej një të krishteri.

Në fakt, Skënderbeu, i konsumuar nga lufta me turqit, nuk hyri asnjëherë në konflikt të hapur me Lekën. Të dyja palët e ruanin njëri-tjetrin nga larg. Derisa në 1463, Leka u kthye në aleat të Skënderbeut.

Leka edhe në këngët sllave
Vuk Karaxhiç mblodhi eposin sllav në fillimin e shekullit të 19. Mes këngëve që ai ka mbledhur është edhe historia e Rozës, motrës së Lekës, i cili në eposin sllav njihet si “Leka Kapidan”. Eposi sllav rrëfen se si tre nga heronjtë serbë, Kraleviç Marko, Milosh Obiliç dhe Rela, i shkojnë Lekës në kështjellë për t’i kërkuar dorën e Rozës, e famshme për bukurinë e saj. Bashkë me tre heronjtë serbë ishin edhe 74 fisnikë sllavë, të gjithë kandidatë për t’u martuar me Rozën e bukur. Eposi e mbyll kështu versionin e tij tragjik. I zhgënjyer nga mospranimi i Rozës, Kraljeviç Marko e zë befas motrën e Lekës në një nga korridoret e errëta të kështjellë, i pret një krah dhe i nxjerr një sy. Roza nuk përmendet më që prej asaj kohe.

“Embetha”
“Embetha” është një shprehje e njohur që e kemi trashëguar nga shqipja e vjetër prej Marin Barletit. Don të thotë “mbi ta”, pra mbi turqit. Sipas Barletit, pas 1463, Leka, i pajtuar me Skënderbeun, që kishte nisur të plakej, u bë një nga udhëheqësit kryesorë të luftës. Eshtë Leka ai që komandon ushtritë e Lidhjes sa kohë që Skënderbeu ishte në Romë. Eshtë po Leka që i bën ballë ushtrive të Ballaban Pashës, një shqiptar jeniçer i famshëm.

Në 1467, pas vrasjes së Ballaban Pashës, ushtria osmane kërkoi mëshirë dhe leje për t’u larguar pa u dëmtuar. Sëknderbeu nisi të luhatej drejt faljes. Zemërimi i ushtarëve arbënorë, që kërkonin hakmarrje, kishte arritur kulmin. Pikërisht në mbledhjen e prijësve, Leka duket se ka thënë fjalën e famshme “Embetha”. Turqit e mbetur u shfarosën në çast.

Pas vdekjes së Skënderbeut, Leka ishte komandanti i trupave veneto-shqiptare deri në rënien e Kalasë së Shkodrës më 1479.

Një kështjellë e harruar
Jetoi vetm dy vjet pas rënies së Shkodrës dhe u tërhoq bashkë me Teodorën në malet e tij. Hamendjet deri më tani nuk kanë çuar asgjëkundi, porse më i bazuar mbetet mendimi se diku, mbi Iballën e Pukës, ka qenë strehimi i fundit i Lekës, njeriut që guxoi të kundërshtonte Skënderbeun dhe vetë Papën, njeriu që edhe pse kanë kaluar mbi 500 vjet vazhdon të bëjë ligjin në gjysmën e Shqipërisë. Kryeneç, i drejtë, tinzar, trim, i fortë fizikisht, i aftë për aleanca, por edhe i hidhur në hatërmbetjet e tij, i zgjuar dhe logjik, por edhe i aftë që të bënte marrëzira… A nuk është kjo skena që shohim përditë ndër rrugët tona? Ja përse na duhet historia e njeriut të Kanunit. Edhe aq pak sa dimë, falë punës së Çobanit dhe të të tjerëve, mjafton për të na kujtuar se në kohë të ndryshme njerëzit janë ndryshe. Aventurat e qëmotshme, sado heroike që të na duken, duhen trajtuar thjesht si aventura të prijësve tanë mesjetarë, që kishin një mijë e një halle mbase edhe më të ndërlikuara se këto të sotmet. Përpjekjet për të ngritur heronj të rinj janë njësoj si përpjekjet për të zhdukur heronjt e vjetër.

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: