Advertisements
Telegrafikisht

DOM FRANO ILLIA, SI U DËNUA ME 25 VJET BURG DHE SI U MBYT NË LUMIN DRIN QERRJA QË MBANTE ARKIVAT E SHQIPËRISË

Dashnor Kaloçi

Illyricum_Sacrum_auctore_Danielo_FarlatoPapa Klementi XI u muer vesht me Jezuitët e Venedikut e këta dërguen në Romë Atë Filip Riceputtin i cili mori në dorzim nga Papa shqiptar materialin historik të tij, planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve, e me ndihmën financiare me përballue shpenzimet e duhuna për atë punë. At Filip Riceputti mbi një barkë të Vendikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut tue u ndalue në të gjitha qëndrat ku kishte landë për punën e vet e nga këto qëndra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qëndrat e mbrëndëshme të vëndit prej kah i dërgohej landa e duhun në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin e Tivarit. Prej Tivarit u dërguen lajmëtarë në të gjithë qëndrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjegjën tue i dërgue secila ndihmën e vet historike shkruajsit të ardhëshëm të kishave ilire. Një qerre me qe e ngarkueme me dorshkrime, libra e objekte historike, mbasi kapërceu të gjitha vështirësitë e baltrave të Zadrimës, u mbyt në ujë tue kalue Drinin e hupi e gjithë ngarkesa e caktueme për At Riceputt-in”.

Kështu shkruhet në volumin e shtatë të veprës madhore “Illyricum Sacrum” të autorit italian, At Daniele Farlatti, e cila ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit e përkthye nga Dom Frano Illia, që në vitin 1963 kur ai shërbente si famullitar në qytezën e vogël të Milotit. Po çfarë është kjo vepër dhe si trajtohet aty historia e lashtë e Shqipërisë që nga koha e ilirëve e në vazhdim? Sa kohë iu deshën Dom Frano Illias që ta përkthente atë vepër madhore dhe përse nuk u botua ajo në vitin 1966 kur ai e dorëzoi për botim pranë Institutit të Kulturës Popullore? Përse u arrestua Dom Frano, ato ditë që ai paraqiti kërkesën për botim, në të cilën shkruante se ishte gati të përkthente edhe volumin e tetë të atij libri, ku flitej për historinë e Tivarit e Kosovës të cilat ai i cilësonte si pjesë të Shqipërisë. Përse edhe pas letrës që ai i drejtoi Ramiz Alisë në vitin 1986, pasi doli nga burgu, nuk iu kthye vepra e tij për të cilën kishte punuar për shtatë vjet me rradhë?

Çfarë është “Illyricum Sacrum”
Në kerkesën që Dom Frano Illia i bëri Institutit të Kulturës Popullore për botimin e librit që kishte përkthyer, iu paraqiti edhe një përmbledhje të shkurtër në një faqe e gjysëm të daktilografuar, në mënyrë që t’i sqaronte redaktorët që do të merreshin se çfarë ishte ajo vepër dhe çfarë trajtohej aty në lidhje me historinë e Shqipërisë. Në atë letër sqaruese shkruhet: ” Vepra “ILLYRICUM SACRUM” (ILIRIJA KISHTARE ose Historia Kishtare e Ilirisë) përbahet prej tetë volumesh me ….38 x 26. Volumi i VII rreshton historinë kishtare t’Ilirisë bregdetare, kurse volumi i VIII atë të krahinës së Kosovës. Volumi i VII, në 638 faqe, rreshton historinë kishtare dhe lidhun me atë çivile të Metropolive të Djoklesë, Tivarit, Shkodrës, Durrësit e të Sirmit dhe sufrangave ase të dioçezave që mvaren prej tyne. Prej kësi volumi deri tash kemi përkthye pjesët që i përkasin mbrendisë së kufijve të sodshëm të Shqipnisë, d.m.th. sa i përket Shkodrës dhe Durrësit dhe sufrangave të tyne (vazhdoj përkthimin e pjesëve të tjera) Shkodra kishte këto dioçeza: 1. Drishtin, 2. Pultin e Madh, 3. Pultin e Vogël, 4. Dejën, 5. Sarden e 6. Sapën. Durrsi kishte këto dioçezë sufragane: 1. Lezhën, 2. Arbëninë, 3. Krujën, 4 Bendën, 5. Priskën, 6. Shtejefnin, 7. Kanovjen, 8. Skampën, (Elbasanin) 9. Lestronin, 10. Bulidën, 11. Amancien, 12. Apoloninë (Pojanin) 13. Vëlonën, 14. Pulkerjopullin (Beratin) 15. dhe Akroçerauninë. Në këtë volum të VII përshkruhet gjanë e giatë themelimi i qyteteve dhe i dioçezave, tue gërshetue historinë kishtare atë çivile t’atyne vëndeve. Shfrytëzohen mirë dokumente, historjanët dhe gjeografët e ndryshëm të vjetër e të rinj t’atyne kohve. Landa ndahet në djeçezë dhe në rajone kishtare. Secila Seli Arqipeshkvnore apo Ipeshkvnore zakonisht gjindet ndër qytetet nga të cilat edhe merr emnin. Në fillim të çdo Arkiodioçjezi apo Dioçjezi përshkruhet themelimi i qytetit dhe djeçezit, mandej vjen rreshtimi i jëtëshkrimit të secilit Prelat. Giatë jetëshkrimit të tyne rreshtohen faktet e historisë kishtare e çivile në rend kronologjik. Ky volum përfshin landën historike deri në fillimet e shek. XVIII, kur edhe botohet në vitin 1817. Vepra “Ilyrricum Sacrum” asht rreshtue në giuhët latine klasike. Për plotësimin e këtij kuadri historik me randësi të madhe të vëndit tonë, nevojiten edhe pjesë të tjera të këtij volumi ashtu edhe volumi VIII. Po të kërkohet, jemi gadi të vazhdojmë këtë punë të mundshme, me shpresë se do të jetë një kontribut i mirë për njohjen e historisë së vëndit tonë të dashtun nga brezat e rijë të popullit tonë. Vazhdon mandej …(nuk kuptohet fjala) prelat, dhe giatë këtij rreshtimi përshkruhen punët ndaluan giatë sundimit të tyne kishtar e çivil në mënyrë kronologjike. Ky volum vjen tue përshkrue deri në fund të shekullit të XVII e diçka në fillimet e shekullit të XVIII. Vepra asht rreshtue krejt në giuhën latinishte e madje klasike. Edhe pjesët e tjera që i përkasin Djoklesë e Tivarit kishte qenë mirë të njifen prandaj të përkthehen në giuhën tonë mbasi kanë lidhje të vazhdueshme me krahinat tona. Për plotësimin e këtij kuadri historik të vëndit, do të ishte me vënd edhe përkthimi i blenit VIII. Po të kërkohet kishim me kenë gadi të vazhdojmë kryemjen e përkthimit të bl. VII dhe të VIII-it. Paraqitëm këtë pasqyrë sintetike përtë pasë një ide mbi përmbajtjen e kësaj vepre. Milot 19. VIII.1963. D. Frano Illiaj (firma) (AQSH. F. 1069. D. 40 Fq1)

Humja e arkivave të Shqipërisë
Një nga pjesët më interesante të librit “Illyricum Sacrum”, është ajo ku flitet për interesimin që tregoi Papa Klementi që ishte me origjinë shqiptare, për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë, gjë e cila nuk u bë plotësisht sepse një pjesëemadhe e atyre arkivave, humbën teksa qerrja që transportonte ato për në Vendeik, u mbyt teksa ishte duke kaluar Lumin e Drinit në pjesën e Zadrimës. Lidhur me këtë, në faqen 221-222 shkruhe: “Papa Klementi Xi, Gian Francesco Albani, ngta Urbino me prejardhje shqiptare, kur ishte prift i ri filloi të mbledhë landë për historinë kishtare ilire. I penguem nga detyrët kishtare që shkuen tue ia shtue naltimin e tij deri në selin papnore u detyre të ndërpresë punimet e veta historike. Në fillim të pontifikatit të vet, mblodhi Konçilin e parë të Arbënit nën kryesinë e arqipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, e dha urdhën që aktet e Konçilit të përktheheshin shqip e ti shifte në gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbetë vetëm si kujtim. Në atë kohë qendra e kishëve ilire ishte Raguza ku baheshin kinçilat kishtare të Iliris. Mbasi patën qenë mbytë në det ipeshkvijt shqiptarë tue këthye nga mbledhja, Klementi XI vendosi që mbledhjet ndër djoçezane shqiptare andej e tutje të baheshin në tokën Shqiptare. Qëndra e parë e kishëve ilire ka qenë Akuileja, mandej Grado-i, e mbasi selia patriakale ilire u bart në Vendik, për arsye praktike u caktue Raguza si qëndër mbasi ishte ma e përshtatëshme edhe gjeografikisht. Mbasi selia patriakale e ilirëve u bart në Vendik, e atje ishin grumbullue gjatë shekujve dokumenta, libra, monumenta edhe për Ilirinë, e mbasi Vendiku kishte edhe Institute e njerëz të përshtashëm për historografi, Papa Klementi i XI u muer vesht me Jezuitët e Venedkikut e këta dërguen në Romë at Filip Riceputtin i cili mori në dorzim nga Papa shqiptar materialin historik të tij, planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve, e me ndihmën financiare me përballue shpenzimet e duhuna për atë punë. At Filip Riceputti mbi një barkë të Vendikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut tue u ndalue në të gjitha qëndrat ku kishte landë për punën e vet e nga këto qëndra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qëndrat e mbrëndëshme të vëndit prej kah i dërgohej landa e duhun në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin e Tivarit. Prej Tivarit u dërguen lajmëtarë në të gjithë qëndrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjegjën tue i dërgue secila ndihmën e vet historike shkruajsit të ardhëshëm të kishave ilire. Një qerre me qe e ngarkueme me dorshkrime, libra e objekte historike, mbasi kapërceu të gjitha vështirësitë e baltrave të Zadrimës, u mbyt në ujë tue kalue Drinin e hupi e gjithë ngarkesa e caktueme për At Riceputt-in. Riceputti e ndau të gjithë landën e historisë kishtare ilire në katër pjesë me nëndamjet e renditjet përkatëse simbas skemës që kishte përpilue. Klementi i XI vdiq. At Riceputti me zell e kujdes përfundoi të katër pjesët e historisë kishtare ilire e kur i pat gati për shtyp, mbaruen ditët e jetës së tij e vdiq. Jezuitët, si ekanë zakon kur vdes çdo antar i shoqënisë së tyne që ka duersh çdo punë të randësishme, ngarkuen që të kujedesei për shtypin e dorëshkrimeve të Riceputtit njeriun e tyre ma të aftë për historografi At Daniel Farlatin. Ky mbasi studioi të gjithë veprën e Riceputt-it u raportoi eprorëve të vet se historinë kishtare e shkrueme nga At Filip Receputti, ishte pune me kritere historike të vjetërueme. Mbasi u studiue mirë çështja e rezultoi si kishte raportue At Daniel Farlati, eprorët ngarkuen këtë të niste punën përsëri si mbas kritereve historiologjike moderne të kohës. At Daniel Farlati shkroi, shtypi e botoi katër vëllime e parë të veprës Illyrici Sacri e ndërroi jetë. (AQSH F.1069 D.40 fq.221)

Dom Frano Illia i kërkon librin Ramiz Alisë

papa_gjon_pali_frano_ilia_rrok_mirditaShokut Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitet Qëndror të PPSH Tiranë. Unë i nëshkruemi Frano Illia, ju drejtohem për sa vijon: Si bashkëpunëtor i jashtëm i sektorit të të Etnografisë, sot Instituti i Kulturës Popullore, kam mbledhur, përpunuar dhe kodifikuar sipas kritereve juridike “Kanunin e Skënderbeut”, Kanuni i Shqipërisë Qëndrore: Dibër, Mat, Krujë etj, mbi 700 faqe të daktilografuara format mestar. Në vjeshtën e vitit 1967 punimi i nalpërmëndun iu parashtrua Komisionit të Sektorit t’ Etnografisë me të ftuar juristë të jashtëm si Emid Tadeskini e Vangjel Meksi . Ky komision pasi bëri vërejtjet dhe sugjerimet e veta dha mendimin që punimi duhej të botohej. Ndërsa ishim tue zbatue vërjetjet dhe sugjerimet, jam arrestue dhe punimi i papërfundue kje depozitue për tu ruajtur në Arkiv të sektorit. Me dekret të posaçëm nr. 7029. Datë 9.IV.1986 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.P.S.SH. mu fal dënimi i mbetun. Me 21.IV.1986 ju drejtova Institutit të Kulturës Popullore që të më kthente punimin për ta përfundue e për ta përmirësue. Me 28.V.1986 ju drejtova kryeministrit shokut Adil Çarçani i cili më 26.IX.1986 mu përgjigj se letrën time ia kishte dërguar Ministrisë së Arsimit e Kulturës për kopetencë e përgjigjie. Më 6 mars 1968, më takuen dy përgjegjësit e Institutit, njëri ndër ta Abaz Dojaka me të cilin njifesha që në sektor kur punojsha atje. Ata gojarisht mu përgjigjën: 1) të asht njoft dhe të njifet autorësia. 2) Punimi nuk asht pague. 3) Punimi asht depozitue në arkiv të Institutit të Kulturës Popullore për tu ruajtur. 4) Do të jepet për ti dhanë shikimin e fundit kur të caktohet për botim nga Akademia. Mbas insistimit tim që punimi të më dorzohej tashti për ta përfundue e përsosë me që edhe në moshë 70-vjeçare, edhe me një koleksion sëmundjesh më thanë: “do mendojmë”. Që atëhere edhe sot megjithëse ja kam kërkuar edhe ndonjëherë tjetër, asnjë përgjigjie as negative dhe as pozitive. Mbasi trokita kot në të gjitha dyert e mundëshme, nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju drejtohem ju, autoritet ma i naltë, tue kërkue punimin tim, si kërkon prindi fëmijën e vet. Kam besim shoku Ramiz, që lutjen time, që mua më duket krejt e arsyeshme dhe e ligjëshme ta merrni ju parasysh dhe me këtë besim nënshkruem me shumë nderime”. Frano Illia. Shkodrë 9.VI.1987.

Çfarë më kërkoi dom Frano Illia në vitin 1991

Afro 11 vjet më parë, aty nga vjeshta e vitit 1991, pata rastin të takohesha për herë të parë dhe të njihesha nga afër me me Dom Frano Illian, ish famullitarin e Delbnishtit, Laçit e Milotit, i cili disa vjet më vonë, në 25 prillin e vitit 1994, u shugurua në postin e lartë të Ipeshkvit të Shkodrës, nga vetë papa Gjon Pali i Dytë, gjatë vizitës që Ati i Shenjtë bëri në Shqipëri. Pas lejimit të ushtrimit të besimeve fetare në vitin 1990-të, Dom Frano Illia ishte larguar nga qyteti i Shkodrës ku ishte vendosur pas daljes nga burgu në 1986-ën, dhe kishte ardhur në qytetin e Laçit ku banonte në familjen e mikut të tij, Filip Markut. Për t’u takuar me Dom Frano Illian, më kishte sugjeruar miku im nga Miloti, Simon Koka, i cili e njihte atë familjarisht dhe e kishte pasur mik shtëpia gjatë kohës që ai kishte shërbyer në Kishën e Milotit. Ndonëse e mbaja mënd shumë mirë mbylljen e Kishës së Laçit në vitin 1967, pasi na kishin çuar aty në mënyrë të organizuar me shkollën për të asistuar në “ceremoninë” e prishjes së saj, Dom Franon nuk e mbaja mënd pasi ai në atë kohë shërbente në Kishën e Milotit. Dom Franoja më priti shumë mirë dhe ndërsa unë i tregova qëllimin e asaj vizite, duke i thënë se kisha dëshirë që të shkruaja diçka rreth jetës së tij dhe sidomos për vuajtjet që kishte kaluar gjatë 20 vjetëve të burgut, ai u vrejt dhe m’u përgjigj:”Po çka duhen kto gjana tash, ato kan kalue”. Duke e parë se ishte e kotë që të insistoja më në kërkesën time, e kalova bisedën duke e pyetur Dom Franon, lidhur me punën e tij të gjatë studimore në kërkimet e hulumtimet e folklorit dhe etnografisë të zonës së Kurbinit, për të cilën më kishte treguar Dr.Mehdi Guni, një nga miqtë e afërt të tij në vitet ’60-të. Pas asaj, Dom Frano sikur u çel në fytyrë dhe më tregoi për dy veprat e tij: “Kanunin e Skënderbeut” dhe “Illyricum Sacrum”, të cilat ai kishte shkruar në fillimin e viteve ’60-të, para se të arrestohej e të dënohej me burg. Vepra “Kanuni i Skënderbeut”, të cilën ai e kishte mbledhur në bajrakun e Kurbinit, i kishte kushtuar rreth 30-vjet punë kërkimore e shkencore, ndërsa “Illyricum Sacrum”, (vëllimi i shtatë) e At Daniel Farlatt-it, që ishte një përkthim nga latinishtja, i kishte kushtura plot shtatë vjet punë. Pas përfundimit të dy këto vepra voluminoze, ai i kishte dorëzuar në Institutin e Folklorit, ku punonte si bashkëpunëtor i jashtëm prej vitesh dhe ndërsa priste përgjigjie për botimin e tyre, ai ishte arrestuar dhe dënuar me 25 vjet burg politik i akuzuar si agjent i Vatkianit. Pas lirimit nga burgu në vitin 1986, Dom Franoja kishte shkuar në Institutin e Kulturës Popullore dhe i kishte kërkuar ato dy vepra për t’i ripunuar, por nuk ia kishin dhënë duke i nxjerrë arsye nga më të ndryshmet. Pasi nuk kishte lënë derë pa trokitur për dy veprat e tij, ai i kishte dërguar një letër Kryeministrit Adil Çarçani dhe një tjetër Presidentit Ramiz Alia, por përsëri nuk ia kishin dhënë ato. Ndërsa më tregonte për odisenë e gjatë të kërkimeve të dy librave të tij, ai më tha: “Zotni, a ke mundësi që të më bajsh një njoftim në gazetë për ato dy libra, pale e din kush se ku nodhen, e po m’i bjen”. Kështu u ndava me Dom Franon i cili pak kohë më vonë, mundi që t’i gjente vetë dy veprat e tij që ndodheshin në Arkivin Qëndror të Shtetit. Ndërsa “Kanunin e Skënderbeut”, ai arriti që ta botonte në vitin 1994, pas ndihëm që i dhanë disa kolegë të tij në Itali, veprën tjetër “Illyricum Sacrum”, nuk arriti që ta botonte dot, pasi u sëmur dhe ndërroi jetë në vitin 1996. (D.K)

 

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: