Advertisements
Telegrafikisht

Një rrëfim i “pathënë” për Kurbinin

Nga  Kastriot Marku

Të shkruash për vendlindjen tënde nuk është e lehtë, ngaqë për t’ia mbërritur kësaj ashtu si duhet, duhet që së pari të shkarkosh çdo nostalgji a emocion personal lidhur me të, edhe pse kjo jo gjithnjë është e mundur, sepse jo gjithkush i reziston mundimshëm këtij tundimi.“Shqipëria tjetër”_ të fshehtat e jashtëzakonshme të Laçit   Top Channel Albania   News   Lajme 242 Unë jam lindur dhe rritur në Kurbin duke u përkundur aty me historinë, legjendat, përrallat, këngët, vajet, vallet, ritualet e motomotit, me kostumet popullore, prodhimet dhe gatimet vendase të krahinës, anipse të gjitha këto gjallonin nën një anonimat me synim qartësisht rrafshues dhe unifikues me krahinat ngjitur. Kështu vepronte regjimi komunist në emër të krijimit të “njeriut të ri” pa identitet vendas, ngaqë larmia dhe shumësia nuk i shkonin përshtat ideologjisë.

Kur isha i vogël, teksa hyja në “kullë” në dhomën e miqve, më binte rasti shpesh të dëgjoja bisedat e pleqve mentarë me mustaqe e flokë të thinjur me qeleshe të bardhë të ulur këmbëkryq pranë oxhakut, teksa u shkëlqente brezi ngjeshur trupit, dhe tek përmendin rast pas rasti sintagmat “paria e Kurbinit” “shtëpitë e para të Kurbinit” “zakoni i Kurbini”, “n’Kurbì”, “Kurbisë” etj., të cilat i dëgjoja tek nyjëtoheshin vetëm aty, sepse përtej asaj dhome nuk i dëgjoja më, sepse në librat e historisë nuk e takoje më këtë emër, si emër krahine territoriale dhe administrative. Të flisje për të e për këto gjëra dukej dhe konsiderohej pak a shumë një tabu e cila merrej përnjëherësh prej tjetrit si një mentalitet i vjetëruar në të cilin vegjetonin “zakone prapanike” dhe “reaksionare”, prej të cilave duhej të distancoheshe menjëherë dhe më e pakta duhej të mbaje “qëndrim kritik”, sepse ato paraqisnin rrezik për “shoqërinë socialiste”, e cila duhej “t’i luftonte ato me zjarr dhe me hekur”.

Kur pyesja të moshuarit për përkufizimin gjeografik të krahinës ata nuk ngurronin të më tregonin ashtu me thjeshtësinë e tyre sfiduese se Kurbini “fillo prej lumit Mat e shko deri n’prrue t’Droes”. Kurbini ishte shmangur qëllimisht prej regjimit të mëhershëm, për qëllime unifikuese, duke u mundur kështu të përhumbte një krahinë të mëvetësishme me tipare të përcaktuara lashtësore e cila kishte krijuar ndër shekuj një entitet dhe identitet të qartë e të dallueshëm. Mbi të gjitha Kurbini paraqitej një krahinë thellësisht “reaksionare” e mbushur me “banda kriminelësh dhe të arratisurish”, me “armiq të partisë e të pushtetit popullor”, prej së cilës regjimi kishte jo pak frikë, ndaj të vetmen mënyrë për t’a nënshtruar në një farë mënyre gjeti duke e copëtuar dhe duke ia harruar emrin.

Përkundrejt këtij anashkalimi dhe shmangieje të qëllimshme nga pikëpamja referenciale zyrtare, përkundrejt këtij poshtërimi politik, Kurbini vijonte të mbijetonte, vijonte të gjallonte në substancën e vet kulturore me të gjithë elementët e tij identifikues në doket, zakonet, traditat, etrnografinë, folkorin etj, si pjesë e moslëshimit të konstitucionit të tij shpirtëror që frymoi paprerë. Në festivalin Folklorik të Gjirokastrës (1988), kënga “Gjall a dek nusen t’ma bini”, një nga këngët perla muzikore të krahinës së Kurbinit, përcolli përmes vargjeve: “Veç nje besë t’ma mbajë Kurbini/Gjallë a dek nusen t’ma bini!, të gjithë koloritin muzikor burimor të krahinës, përmes  një bashkëpunimi të shkëlqyer të bardëve të shquar të folkut vinjollas, ndërtuar mbi një sfond historik të një ngjarjeje të vërtetë, në trajtën e një balade sa tragjike aq edhe heroike, e cila përcolli jo vetëm ndjeshmëri, tragjizëm dhe emocion, por mbi të gjitha virtytet e trimërisë bazuar mbi nderin, moralin dhe dinjitetin e kurbinasit dhe veçanërisht femrës së kësaj krahine. Kjo këngë u bë simbol i krahinës, e cila përgjatë periudhës fundore të regjimit komunist ringjalli dhe risolli në rivështrimin e saj kulturor një lloj identifikimi në kushtet e asaj kohe.

Shkrimet dhe studimet e ndryshme të kryera për krahinën e Kurbinit nisin përafërsisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ato mund të ndahen në katër periudha kryesore. Periudha e parë përfshin gjithë shekullin XIX deri me krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912; periudha e dytë nga viti 1913 deri në vitin 1944, kur edhe përfundon Lufta e Dytë Botërore ; periudha e tretë nis nga viti 1945 deri dhe përfundon në vitin 1990 me rënien e regjimit komunist dhe periudha e katërt nis nga viti 1991 për të vijuar deri sot, pra në vitin 2015. Secila prej periudhave të sipërshënuara do të duhej të trajtohej përmes një vështrimi kronologjik dhe tematiko-tipologjik, gjë që nuk është vendi ta bëjmë këtu, por do të duhet të ndaleshim shkurtimisht në periudhën fundore, ku shkrimet dhe studimet janë më të shumta, qoftë edhe me monografi të posaçme.

Të dhënat thuajse të para dhe mjaft të rëndësishme rreth historisë së krahinës së Kurbinit i kemi kryesisht nga udhëpërshkruesit dhe njëkohësisht studiues të huaj si: Johan Georg von Hahn (1863), Karl Steinmetz (1904-1908), Theodor Ippen (1900-1908), P. Lovro Mihaçeviq O.FM. (1911), Hugo Adolf Bernatzik (1929) Erik von Luchëald (1936), At Giuseppe Valentini S.J. (1941), etj., por edhe nga studiues shqiptarë, kryesisht meshtarë katolikë si: At Shtjefën Gjeçovi O.F.M, At Marin Sirdani O.F.M., At Klement Miraj O.F.M., At Marjan Prelaj O.F.M., At Donat Kurti O.F.M., Imzot Frano Illia, Dom Mark Dushi, një pjesë e punëve të të cilëve ka mbetur ende në dorëshkrim. Këtyre u duhen shtuar edhe mjaft studiues të profiluar, ku veçohen gjuhëtari David Luka, gjeografi Sabri Laçi, arkeologu Gjergj Saraçi, studiuesit Haxhi Goci, Luan Bajo, Hajredin Isufi, për të shtuar të tjerë si: ushtaraku Pjetër Hidri, shkrimtari dhe piktori Lekë Pervizi, apo arsimtarë si: Vlash Prendi, Nikollë Lleshi, Zef Kola, Zef Pjetri, Reshit Bara, Mehmet Nelaj, Baki Dollma, nëpunës si Idriz Xaka dhe së fundmi Pjetër Nikolla dhe Ymer Hysa, (autorë monografish), por edhe Hilë Kamani, Shpëtim Cami etj.

Atyre që janë marrë me Kurbinin u duhen shtuar edhe gazetarët, ku veçohen realizuesit e dokumentarit « Kurbini » (2005), prodhim i Televizionit Shqiptar nga Ndue Ukcama, Ilir Buçpapaj dhe Mark Lalaj, por edhe shkrime nga Dashnor Kaloçi, Fatos Baxhaku, Ardian Bushi, Violeta Murati, Ligor (Grigor) Jovani, Bektash Zeneli, Isuf Myrtaj etj.
Më ka rastisur shpesh përgjatë udhëtimeve të mia studimore vetjake në terren përqark trevës, të pyesë banorët lidhur me origjinën dhe hershmërinë e emrit të vendbanimit të tyre. Për shumicën prej tyre ajo datohej “para kohës së Skënderbeut”. Ky gur kufitar historik, dokumentuar gojarisht nuk do të thotë asgjë në kuptimin e faktit historik, ngaqë çdo gjë duhet provuar së paku me dokumente ose me të dhënat që ofron arkeologjia. Duhej të provohej saktësisht përmendja e parë e emrit me dokumente. Krahina të tilla si: Çamëria, Dibra, Luma, Martaneshi, Golloborda, Dropulli, Himara, Durrësi, Elbasani, Benda, Kanovia, Korça, Kruja, Kurveleshi, Mallakastra, Mokra, Labëria, Malësia e Madhe, Mati, Mirdita, Myzeqeja, Dukagjini, Shkodra, Tirana, Zadrima, Malësia e Gjakovës, Nikaj-Merturi, Lekbibaj etj., duhet t’a masin hershmërinë e tyre përmes dokumenteve dhe në këtë kontekst ngjashëm e mat shtatin e saj historik dhe etnokulturor edhe krahina e Kurbinit.

Për të siguruar një njohje rigorioze thellësore mbi një krahinë të caktuar studiuesi i duhet të përpiqet ta orientojë studimin e tij në disa drejtime: së pari: në dëshmitë dokumentare arkivore (dokumente të ndryshme, si regjistra, harta, dëshmi pronësie, akte noteriale, letërkëmbim etj.,) që dëshmojnë daljen për herë të parë të emrit të vendit apo banorëve të tij, fotografi dhe materiale ilustruese etj., së dyti: studimin e dëshmive gjuhësore, kryesisht toponimisë (emrat të vendeve) si psh. emrat e burimeve, përrenjve, lumenjve, kodrave, livadheve, rrugëve, lagjeve, shkëmbinjve, grykave etj, të cilët na çojnë tek emërtimet më të hershme, që kanë patur), tek të cilat kërkojmë origjinën e tyre mbi të cilat duhet të ndërtohet etimologia (historia e fjalëve); së treti: kërkimin dhe studimin e gjetjeve arkeologjike të cilat sigurohen nga gërmimet nëpër vendbanimet e vjetra, varreza të hershme, objektet e kultit, kryesisht kishat, prej të cilave sigurohet materiali arkeologjik, si enë të përdorimit të përditshëm, enë gatimi, vegla pune, stoli të ndryshme, unaza, varëse, vathë, mjete luftimi si shpata, mburoja etj, të cilat janë me mjaft rëndësi sepse përmes tyre mund të datojmë periudhën e përdorimit të tyre, e me këtë rast edhe kohën e banimit të vendit të cilin po studiojmë.15301281_1453163811378034_2015210623_n

Krahina e Kurbinit përbën në vetvete një element substancial, themeltar në truallin e së cilës u përudh formacioni i parë shtetëror shqiptar i shtetit të Arbënit, i ftilluar me sa shihet përmes njësisë administrative kishtare të njohur si Ipeshkvia e Arbënit. Kisha abaciale benediktine e Shën Prenës (Santa Veneranda di Curbino), përbën mbase komplesin më enigmatik dhe më mbresëlënës njëherësh, në qerthullin e rrjetit kishtar mesjetar shqiptar duke nisur nga Durrësi, Kruja, Lezha, Mirdita e deri në Mat e Dibër, për të mos thënë nga Tivari e deri ne Prevezë.

Do të jetë pikërisht kjo rezidencë ipeshkvore katedralja e vetme për më shumë se tre shekuj në trojet shqiptare, e cila do të mbajë peshën kryesore në organizimin kishtar të vendit përgjatë gjithë shekujve XVII-XIX, prej së cilës do të ftilloheshin nismat më të rëndësishme fetare, arsimore, kulturore dhe identitare të shqiptarëve të brendashkruar hapësirës territoriale gjatë kësaj periudhe historike. Vështirë të gjendet një vend tjetër i cili ka ruajtur një komunikim/raportim konstant të paprerë për tre shekuj radhazi me Selinë e Shenjtë e konkretisht me Congregazione de Propaganda Fide/Kongregata e Përhapjes së Fesë (1622), e cila mbështeti financiarisht shkollën e Kurbinit.

Kjo qendër fillimisht rezidencë e Selisë Ipeshkvore të Arbënit (1615-1640), në Shën Prenë në fshatin Gallatë dhe mandej si Seli e Arkidioqezës Metropolitane të Durrësit (1640-1853), po aty në Shën Prenë, me t’u transferuar në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, po në Kurbin, në fshatin Delbnisht, kësaj veprimtarie do t’i shtojë një tjetër përmasë me rëndësi; mirëorganizimin e viseve kryesisht katolike nën varësinë e Kryeipeshkvisë së Durrësit nga Durrësi deri në Mirditë drejt pavarësimit të vendit, e ku vendin kryesor do t’a zinin personalitete si: Dom Nikoll Kaçorri, Imzot Primo Bianchi (Prend Bardhi) dhe prijësi i krahinës Gjin Pjetri. Në terma të përgjithshëm kaq do të mjaftonte që Kurbini të përfaqësojë dinjitetshëm një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar, ndërkohë në terma të përveçëm ky kontribut mbetet ende për t’u zbuluar.

Kurbini së paku që prej Mesjetës ka qenë një nyje e rëndësishme komunikimi për Arbërinë Qendrore e Veriore dhe më gjërë në Detin Adriatik, sepse në grykëderdhje të lumit Mat gjendej asokohe skela detaro-lumore e Shufadasë, (Suffada, Zufada, Semphanday) qendër kjo e rëndësishme tregtare dhe doganore prej nga nisnin rrugët tregtare që e lidhnin atë skelë me qytete të rëndësishme si Lezha, Shkodra deri në Prizren në Kosovë dhe Dibër e Ohër në Maqedoni. Malësia e Kurbini, sidomos Mali i Skënderbeut dhe e gjithë zona përreth tij, kanë qenë pjesë e rëndësishme e veprimeve luftarake të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) gjatë viteve 1443-1468 kundër ushtrive osmane, ku një vend të posaçëm zë beteja historike e Ujit të Bardhë, ndryshe Albulenës (lat. Albulae Ascqua) në fshatin Zhejë më 2 shtator 1457. Kurbini ka qenë një krahinë homogjene e për rrjedhojë edhe e qetë, e cila e ka ruajtur traditën e komunikimit e të dialogut mes vetes dhe të tjerëve ndër shekuj, me një fisnikëri që ka qenë shembullore, sikurse ishin familjet Skura dhe Gjonima, me të cilën ajo ka vetëqeverisur vetveten me norma të matura dhe urtësi.

Kurbini është shquar për kuvendet me referencë të rëndësishme historike, falë prijësve, pleqve, të urtëve, të cilët kishin vlerësim për fjalën dhe dinjitetin e personit dhe askush nuk mund të dilte jashtë këtij rregulli. Burrat e Dheut mblidheshin në kuvende dhe në krye të herës dorëzonin armët tek vendi i përcaktuar dhe askush nuk kishte aq guxim sa të mbërrinte t’i përdorte, sepse tradita kuvendore kishte mbi gjithçka kultin e shenjtë të fjalës. Përfaqësuesit e krahinës së Kurbinit morën pjesë në kuvendet ndërkrahinore shqiptare në të cilët u diskutuan pjesmarrja dhe organizimi në projektet për kryengritjet antiosmane si në kuvendin e Lezhës (2 mars 1444), në kuvendin që u mbajt në Shën Llezhdër (Shën Aleksandër) të krahinës së Dukagjinit më 15 shkurt të vitit 1602, ku morën pjesë edhe 4 përfaqësuesit e krahinës, po ashtu në Kuvendin e Arbënit të 14-15 janarit të 1703, që u mbajt në Mërqinë të Lezhës, mbajtja e të cilit u njoftua më 2 dhjetor 1702 nga Selia Ipeshkvore e Durrësit në Shën Prenë të Kurbinit; në kuvendet e vetë krahinës të mbajtura në vitet 1903, 1904, 1905, ku veçohet ai i 5, 6 e 7 gushtit 1906 në Delbnisht; në Kuvendin e Zejmenit, të Manatisë, të Shënkollit, të Pllanës dhe të Rubikut gjatë vitit të Pavarësisë 1912. Kanuni i Skënderbeut ka qenë legjislacioni i hershëm vendor, i cili është përudhur ndër shekuj si një traditë juridike, zakonore e dokësore, të cilën stërgjyshërit tanë mendjehollë e ruajtën dhe e përpunuan me kujdes përshtatur rrethanave historike dhe politike të krijuara, duke ruajtur kështu të pandërprerë frymën e trashëgimisë së tij brez pas brezi deri në epokën moderne.

Kurbinasi ka jetuar ndërgjegjshëm në këtë kulturë të veten përmes së cilës ka kultivuar ndjenjën e fortë të lidhjes familjare e bashkë me të edhe respektin për të afërmit dhe miqtë, nderin, besën, mikpritjen dhe bujarinë e rrallë, stolisur të gjitha këto me një sjellje fisnikërie të rrallë e cila dëshmohet me një kuvendim të matur dhe diplomatik për tu pasur zili prej gjithkujt. Kurbini është vendi i katër manastireve benediktine dhe i kuvendeve françeskane dhe më shumë se 30 kishave, një pjesë e të cilave janë monumente të denja të arkitekturës; është vendi i katër kështjellave mesjetare (Sebaste, Daul, Ferrë Skurajt e Shkopetit), vendi i mullirit Fall, i Pallatit të Arqipeshkvisë, i Teqes Baba Isak   në Shullaz, teqes së Baba Hajdar Matemit (Gjonëm), tyrbes së Dervish Sulejmanit (Gjonëm), i Urës së Matit dhe i afreskeve të Shën Mërisë; Kurbini është vendi i çeljes së njërës prej shkollave të para në gjuhën shqipe (1632), në të cilën u përdorën si tekste didaktike kryetekstet e shkrimit shqip si: Dictionarium Latino-Epiroticum/Fjalori latinisht-shqip, (Romë, 1635)  i Frang Bardhit, Cuneus Prophetarum/Çeta e Profetëve, (Padovë, 1685) e Pjetër Bogdanit, Il Dittionario italiano-albanese (1702) dhe Osservazioni gramaticalli nella lingua albanese/Vëzhgime gramatikore në gjuhën shqipe, (Romë, 1716), të P. Francesco Maria Da Lecce-s, Conciλi Provintiaaλi o Cuvendi i Arbenit. (Romë, 1706), Breve copendio della dottrina cristiana/Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane së krishterë (1743) e Gjon Nikollë Kazazit etj. Kurbini është vendi i hartimit të së parës gramatikë në gjuhën shqipe të botuar (1716) dhe vendi i hartimit të njërit prej fjalorëve të parë dhe më të pasur të gjuhës shqipe (1702) deri në Kongresin e Alfabetit të Gjuhës shqipe në Manastir (Nëntor 1908), fjalor i cili u hartua sikurse e përmendëm më sipër nga Francesco Maria Da Lecce (botuar në vitin 2009); Kurbini është vendi i arkivave dhe bibliotekave ipeshkvore dhe famullitare, i kodifikimit dhe i mbarështimit të Kanunit të Skënderbeut; është vendi i legjendave, gojëdhënave, përrallave, këngëve dhe ritualeve pagane të motmotit, i zejeve dhe mjeshtrive popullore, është vendi i gurrave, krojeve e lumenjve, i detit i florës dhe faunës tejet të pasur nga Laguna e Patokut deri në Trodhën, i klimës së mrekullueshme nga bregdeti deri në kullotat alpine, vendi i prodhimeve bujqësore e blektorale i vreshtarisë, i tregut dhe panaireve, i kuzhinës bio dhe i kafes unikale të Maries së Lul Palit të mirënjohur anë e kënd vendit. E gjithë krahina nga Kanioni i Shkopetit në majën e Mëllezës, Trodhën, Malin e Shën Gjergjit, Livadhe e deri në bregdet (Patok) është e mbushur me monumente natyrore si Hurdha e Madhe, Burimi i Hurdhazës në Vinjollë, drurët monumentalë monumente të natyrës si Frashërat, qinarët dhe Tisi në Skuraj, Ulliri mijëvjeçar në ullishten e Gjormit, Gështenjat e Selitës, Rrapi i Daulës, Lisat e Shën Mëhillit (Malbardhë, manat e Zi në Skuraj e Shna Prende e deri tek Selvitë e Shëmrisë në Shëmri, i është besuar nën projë lumit Mat, Hurdhazës dhe Drojës që e qarkojnë nga verilindja deri në në juglindje, për të cilët dorëzanë është deti Adriatik. Kurbini është vendi i martirëve si Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Shtjefën Kurti, vendi ku u ushtrua sistematikisht kalvari i  pafund i vuajtjeve nga regjimi komunist përmes internimeve, pushkatimeve, burgimeve, ndjekjeve e persekutimeve të familjeve me në zë të saj; Kurbini është vendorigjina e të parëve të Papa Klementit XI, vendlindja e Imzot Prend Bardhit, Imzot Pashk Trokshit; vendlindje e dytë për At Shtjefën Gjeçovin, Imzot Frano Illinë; është ashti i prijësve popullorë nga Imzot Mark Skura deri tek Marka Kuli e Gjin Pjetri, i pleqtarëve mentarë të familjes Malçi, Murataj e Hasneziri, por edhe i gjeneralëve si Prenk Pervizi. Kurbini është po ashtu vendi i shkrimtarëve dhe i artistëve, “i dashuruari” pas skuadrës së tij të futbollit, por edhe vendi i qitësve, atletëve dhe bilardistëve kampionë kombëtarë e ndërkombëtarë, vendi ku Bajram e Pashkë festohen në sofër gjithmonë bashkë e ku vëllazëria ndërmjetësohet në lutje në Shenjtnoren Kombëtare të Shna Ndout të Padovës. Do të mjaftonin vetëm komplesi kuvendor rezidencial i Shën Prenës dhe Mulliri Fall, që të merreshin në mbrojtje nga shteti shqiptar, për t’ çmuar si pjesë e trashëgimisë historiko-kulturore të kësaj krahine. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër, së paku të kishte marrë mundimin për t’i vizituar, qoftë edhe për kureshtje këto dy monumente, dhe nuk besoj se do të mund t’i kishte rezistuar tundimit për t’i vënë në mbrojtje shtetërore këto pasuri kombëtare.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
Çdo brez shkruan historinë e tij dhe në këtë kuptim edhe shkrimi i historisë së krahinës së Kurbinit dhe përcjellja e saj brezave përbën një detyrë dhe njëkohësisht një sfidë për brezin e ri të sotëm. Janë me dhjetëra studentë nga Kurbini që studiojnë në universitete brenda dhe jashtë vendit në degë të ndryshme si gjuhë-letërsi, histori, gjeografi, shkencat sociale etj,. të cilët përmes punimeve të tyre të diplomimit të ndërtuara me subjekt tematik mbi Kurbinin mund të realizojnë kërkime të vogla të cilat nëse do të rimerreshin apo thelloheshin më tej do të përbënin një punë të vyer për njohjen dhe studimin e kësaj krahine. Toponomastika, folklori i gojor dhe ai muzikor, e folmja e krahinës, monumentet e artit dhe kulturës, e drejta zakonore, veshjet popullore, mënyra e jetesës, krijimtaria letrare dhe artistike, monumentet e natyrës, flora dhe fauna, mjedisi dhe klima, popullsia dhe ekonomia, arsimi, sporti, shëndetsia janë vetëm disa nga subjektet që do të mund të meritonin vëmendje të shtuar me studime përkatëse.

Duke qenë se me miratimin e ligjit për ndarjen e re territoriale të vendit, riorganizimi i ri administrativ i krahinës së Kurbinit u ngushtua nga katër njësi vendore që kishte më parë (dy bashki, Laç dhe Mamurras dhe dy komuna Milot dhe Fushë-Kuqe), në një bashki të vetme: në bashkinë Kurbin, administrim i cili u bë fakt real menjëherë pas zgjedhjeve vendore të muajit qershor 2015, vihet re se kjo ndarje ka marrë parasysh më shumë parcelat zgjedhore sipas interesit të partisë qeverisëse, thuajse thjesht për qëllime elektorale se sa për administrimin e burimeve njerëzore dhe ekonomike, (gjë që mund të shihet fare lehtë në ndarjen e hartës së re territoriale dhe statistikat demografike krahasuar me mjaft bashki të tjera, kryesisht  në Jug të vendit), por që gjithsesi shtron përpara disa zgjidhje në dukje simbolike por që kanë vlera bazike. E para ka të bëjë me statutin e bashkisë së re, në të cilin do të duhej të përcaktoheshin dhe rregulloheshin me nene përkatëse emblema/stema, flamuri dhe vula e bashkisë së re Kurbinit, të cilët do të duhej të përmbanin elementët më autentikë historikë dhe kulturorë të krahinës, çfarë do të kërkonte një punë profesionale deri në miratimin e saj nga këshilli bashkiak, për tu përdorur më pas në mënyrë legale; së dyti festën e bashkisë e cila do të mund të zgjidhej mes Shna Prenës/Shën Prenës (26 korrik) dhe Shna Ndojit/Shën Antonit (13 qershor), festa të mirënjohura tradicionale të zonës, kjo e dyta pdite pelegrinazhi mbarëkombëtar ose ta zëmë një datë tjetër si p.sh., e shtuna e parë e muajit gusht apo një datë tjetër, dhe së fundi ndërtesën ku do të vendosej bashkia e re.

Prej një çerek shekulli që rrethi i Kurbinit funksionon më vete, por bashkia kryesore e tij, Laçi, qe vendosur në një mënyrë absurde në një ndërtesë banimi, ku qëndron edhe sot e kësaj dite, një precedent i pashembullt ky papërgjegjësisë publike ndaj qytetarëve të saj. Urojmë që qeveria më në fund t’i japë Kurbinit ndërtesën bashkiake që meriton.

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: