Laçi kërkon ta nisë aty ku e la. Te fitorja dhe tri pikët. Bardhezinjtë e nisin vitin në transfertë përballë Kamzës. Të premten, ora 14:00.
Ndeshje e vështirë, por djemtë e Mezanit janë gati. Mesfushori Lushkja do të mungojë në sfidën e së premtes, pasi një dëmtim i ditëve të fundit e ka ndaluar. Gjithashtu dhe i rikthyeri, Bruno Lulaj. Mbrojtësit i duhet dhe një javë kohë për të qënë gati. Por ka dhe lajme të mira. Braziliani Eskerda dhe mbrojtësi Qaqi janë rekuperuar dhe janë gati për teknikun Mezani.
Laçi është ndër të paktat ekipe që theu “rregullin” e Antalias. Kurbinasit zhvilluan fazën përgatitore në shtëpi dhe janë në formë të mirë. Afrimet e fundit po harmonizohen me grupin dhe atmosfera në ekip është pozitive.
Në ndeshjen e fazës së parë, Kamza surprizoi duke fituar në Laç me golin e Plakut. Tani është radha e bardhezinjve për të bërë të njëjtën gjë.
Pesë pikë është diferenca në tabele midis dy ekipeve. Kamza mban vendin e 6 me 23 pikë, ndërsa Laçi renditet i treti me 28 pikë.
Të premten pritet të debutojë dhe shkodrani Shtubina me bluzën bardhezi. Sportal.al