Advertisements
Telegrafikisht

Feja e shqiptarit nuk është shqiptaria! Ja pse!

fuga-c1200x600Nga Artan Fuga
————————

Vjersha e Vaso Pashës O moj Shqypni…, shkruar në dekadat e fundit të shekullit 19-të, është ndofta nga ato që është përmendur më shumë. Jo thjesht në rrafsh letrar e poetik, por brenda platformave politike dhe ligjërimeve sociale.

Gati si themeli i ndjenjës kombëtare shqiptare dhe pastaj jo vetëm si vendosje e kësaj ndjenje mbi atë fetare, por edhe si kundërvënie e kombësisë dhe besimit, ose si ngjizje e kombësisë pa besimin.
—-

Cfarë ka sipas meje në këtë varg kaq problematik që e quajnë madje edhe një poezi ku është hedhur një nga paradigmat që ja kanë veshur themelive të albanologjisë?

E para, ka një nëntekst të përzjerjes të konceptit të përçarjes fetare me institucionet e besimit fetar, që pastaj e kanë ngatëruar edhe me vetë besimin. Në vargjet e veta poeti, ngrihet kundër përçarjes kombëtare dhe kjo është merita e tij e pakundërshtueshme. Po, një rrezik i tillë ka ekzistuar për cdo komb. Përçarja institucionale fetare kundër solidaritetit dhe identitetit kombëtar. Nuk jemi ne të vetmit. Por, jo çdo pluralitet besimesh fetare çon në përçarje. Nuk ka përse dallimet fetare njehsohen me përçarjen fetare. Feja nuk ka në brendësi të vetën përçarjen por dashurinë për njeriun. Tjetër se si e kanë përdorur. Poeti sa ngrihet kundër përdorimit antikombëtar të besimit, por jo kundër vetë besimit sikurse na e kanë mësuar dhe vazhdojnë ta dërdëllisin.

E dyta, tjetër është feja dhe tjetër janë institucionet fetare, kishat, xhamitë. Midis besimit dhe institucioneve apo klerikëve ka dallime dhe nuk mund të barazohen me njera tjetrën. Pashko Vasa nuk i barazon ato aspak. Ai kritikon klerikë të kohës dhe institucione fetare në kontekstin e dhënë, por nuk ja vendos fajin e përçarjes fesë si besim.

E treta, në ato vargje ka një metaforë, pra kur thuhet se mbi dallimet fetare lulzon ndjenja e kombësisë, dhe thuhet se feja e shqiptarit është shqiptaria, kjo duhet marrë në kuptim metaforik. Sepse barazohen dy gjëra të ndryshme me njera tjetrën. Se ashtu mund të thuhet edhe se politika e shqiptarit është shqiptaria, se krahinarizmi i shqiptarit është shqiptaria, se shkenca e shqiptarit është shqiptaria, se familja e shqiptarit është shqiptaria., etj. Por, metafora nuk duhet marrë dhe nuk merret asnjëherë si koncept shkencor.

Së katërti, ka edhe një tautologji kur thuhet se feja e shqiptarit është shqiptaria. Meqënëse flitet për shqiptar kuptohet që shqiptari barazohet me shqiptarinë dhe shqiptaria me shqiptarin. Nuk ka vend për fe as për asgjë tjetër. Si kur thuhet vëllai dhe vëllazërimi. Thelbi i vëllait është vëllazërimi. Nuk ka gjë tjetër. Thelbi i pedagogut është pedagogjia. Pra, sigurisht kur barazohen logjikisht konceptet patjetër thelbi logjik i shqiptarit është shqiptaria, i grekut greqizimi, etj.

Së pesti, kemi edhe një utopi sepse kjo parrullë nuk mund të realizohej ashtu sikurse u interpretua gabim. Pra, sikur shqiptari do të kishte fe shqiptarinë, ndjenjën kombëtare dhe do ta braktiste fenë. Jo shqiptari nuk e braktisi fenë as dallimet fetare nuk e bënë të harronte patriotizmin.

Së gjashti, poeti nuk e braktis Zotin, as fenë në këtë vjershë, madje në vargun e fundit e përmend duke e vendosur në thelb të përpjekjeve për shqiptari. Si do të dalim para Zotit? – thërret pak a shumë. Kuptohet se për të tjetër është përçarja fetare, tjetër janë institucionet fetare, tjetër janë klerikë të ndryshëm, tjetër është feja, tjetër është Zoti.

+++

Pashko Vasa është keqinterpretuar. Me qëllim. Për ideologji, për politikë. Madje shqiptarëve, është sa përçarja fetare aq edhe likujdimi i fesë që ia ka dëmtuar ndjenjën e patriotizmit.

Kombi mbi fenë, a thua se janë dy koncepte ekskluzivisht opozitare a thua se kemi katet e një ndërtese vertikale, a thua se ndjenja e pastër fetare nuk ka ushqyer patriotizmin shqiptar! As kombi si zëvendësim i fesë që është edhe më keq. Sepse Pashko Vasa nuk i ka shprehur këto as figurativisht as në kuptimin e parë të leximit të poezisë së tij.

Zëvendësimi i fesë me kombin, ngritja e kombësisë në fe, dëmton edhe kombin edhe fenë autentike. Ngrihet kundër monoteizmit për idhujtarira dhe idole politike të konsideruara si Perëndi.

E lë shqiptarin pa mbrojtje metafizike, i heq mistikën metafizike kombësisë shqiptare.

Pasi e keqinterpretuan Pashko Vasën dhe barazuan ndjenjën fetare me kombësinë, e ngritën këtë ideologjikisht si bazën e identitetit shqiptar nën ideologjinë totalitare.

Po sot përse nuk guxon kush ta vendosi Pashko Vasën në vend? Sepse stalinizmi vazhdon ta mbajë albanologjinë në disa kështjella të konservuar, pastaj punën tjetër e bën inercia mendore, lodhja intelektuale, përtacia e gjykimit, plakja e arsyetimit, e në fund budallallepsja sociale.

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: