Advertisements
Telegrafikisht

Imzot Primo Bianki, kontributi patriotik i ipeshkvit të Durrësit

2284625Një profil i një prej ipeshkve më në zë, i njohur me emrin popullor Prengë Bardhok Kameri nga fshati Delbnisht i Kurbinit… Aktiviteti i tij fetar e patriotik…
Ishte autoriteti absolut, puna, përpjekjet dhe nderhyrjet i Imz. Bardhit pranë autoriteteve më të larta, qe mundësuan lirimin e tij nga burgu aty nga mesi i mujit mars të vitit 1911, për t’iu perkushtuar rishtas çështjes së pavarësisë së Shqipërisë…

Rreth vitit 627 p. l. Kr. qe themeluar nga fiset ilire qyteti bregdetar i Durrësit, i cili aso kohe u pagëzua me emrin e lashtë Epidamus dhe më vonë emri i tij qe Durrah. Si qytet me tradita luftarake , mori pjesë në betejën e Peloponezit me 431 p. l. Kr. Gjatë luftrave iliro–romake me 229 p. l. Kr. Durrësi hyri nën prektoratin e Romës. Ishte qytet me rëndësi të veçantë politike, ekonomike dhe strategjike prandaj shpesh bëhej shesh betejash. Një e tillë u zhvillua në vitin 48 p. l. Kr. mes Çezarit dhe Pompeit. Ky qytet ishte një nga nyjat kryesore rruges se famshme Via Egnatia. Ne shek. IV Durrësi pati qene kryeqytet i Epirit. Është një nga dioqezat më të vjetra të Evropës). Mendohet se i pari predikues i fesë së krishterë në Iliri ka qënë Shën Pali i cili aktivitetin e tij fetar e nisi pikërisht në Durrës në vitin 58 të l. Kr. vit kur në Durrës u krijua bashkësia e parë e krishterë me ipeshkv Shën Çezarin. Kështu Durrësi u bë një qendër shumë e rëndësishme e katolicizmit shqiptar. Ipeshkvinjtë e tij vlerësoheshin dhe ftoheshin në koncilet që organizonte Selia e Shenjtë. Ipeshkvi i Durrësit Eukasi mori pjesë në koncilin e Efesë në vitin 431 të l. Kr., ndërsa në koncilin e Kleqedonisë në vitin 451 të l. Kr. mori pjesë ipeshkv Lluka që shërbente në Durrës. Pas formimit të bashkësisë së krishterë, Selia e Shenjtë dekretoi herëpeshere ipeshkvinj në Durrës.

Rëndësia e Ipeshkvisë së Durrësit sa vinte e rritej. Edhe Selia e Shenjtë i kushtonte rëndësi të veçantë dhe e vlerësonte mjaft punën e saj. Në ruajtjen e vlerave dhe përhapjen e krishtërimit një vend me rëndësi në aktivitetin e kësaj Ipeshkvie zë edhe krahina historike e Kurbinit. Nuk është e rastit që në këtë trevë, kanë funksionuar deri vonë edhe dy seli ipeshkvnore, njëra në kishën e vjetër të Shën Premtes në Gallatë, ose në hapësirën ku mendohet të jetë shtrirë dikur fshati Kurbin dhe tjetra në fshatin Delbnisht. Një pjesë të aktivitetit të saj Ipeshkvia e Durrësit e kreu nën robërinë osmane. Presioni i Perandorisë, procesi i islamizimit dhe skizma që shfaqej herë pas here e detyruan Ipeshkvinë e Durrësit të intensifikonte luftën kundër pushtuesit dhe shpesh të braktiste selinë e saj në Durrës për të qëndruar herë në Shën Premte dhe herë në Selinë Ipeshkvnore të Delbnishtit. Madje një ferman i lëshuar nga Sulltani rreth vitit 1741, i cili qe ruajtur deri vitin 1914 në arkivin kishës së Delbnishtit kur ajo u dogj, dëshmonte se Sulltani “…Njihte si princër të Kurbinit ipeshkvinjtë e Durrësit…”), prandaj ky vend i përshtatshëm për aktivitete kishtare, patriotike dhe njeherit për mbrojtje vizitohej shpesh nga ipeshkvinjtë e Durrësit. Selia e shenjtë është kujdesur që Ipeshkvia e këtij qyteti të ishte gjithnjë në aktivitet, megjithatë situatat e vështira e detyronin shpesh këtë institucion fetar t’a pushonte aktivitetin e tij, për t’a rinisur serish. Sipas Shuflayt, mbas rënies së Durrësit me 1501, Kryeipeshkvi i këtij qyteti banoi në qytetin e Romës, por më vonë, aty rreth vitit 1535…vendosi ndenjën e vet në katundin e Delbnishtit në Kurbin, të cilin e ka dhe sot…). Por Kurbini aso kohe kishte edhe arsye të tjera që tërhiqte përfaqësuesit më në zë të fesë më të vjetër në Shqipëri, sepse me 03. 02. 316 pas l. Kr. në këtë vend qe martirizuar Shën Vlashi, ndërsa me 10. 03. 320 ps. K. u flijuan 40 martirë në Sebaste t’Arbnisë). Pra ky rajon njihej si vend i shenjtë, vend i zhvillimit dhe përhapjes së kulturës fetare.

Kurbini ishte trevë e njohur dhe me tradita në atë periudhë të vështirë historike. I kishte dhënë një Papë Selisë së Shenjtë dhe botës kristiane, Papa Klementin e XI që sipas të dhënave e ka prejardhjen nga kjo trevë ku kishin lindur dhe shtatë ipeshkvinj të cilët kishin ushtruar aktivitet nëpër ipeshkvi dhe dioçeza të tjera të Arbnisë. Mes tyre mund të përmendim: Ipeshkv Andre Gallata, 1686-1690 në Arkidioqezin e Shkodrës, Ipeshkv Gjon Gallata, 1728-1739 në Ipeshkvinë e Lezhës, Monsinjor Nikollë Malçi, 1798-1826 në Ipeshkvinë e Lezhës, Ipeshkv Pjetër Skura, 1719-1731 në Dioçezin e Pultit, Monsinjor Gerardo Gallata, 1677-1693 në Ipeshkvinë e Durrësit, Ipeshkv Mark Skura, 1631-1657 në Ipeshkvinë e Durrësit, Ipeshkv Primo Bianki, 1893-1921 në Ipeshkvinë e Durrësit.

Pas shekullit të XVIII Kurbini u bë shesh betejash mes luftëtarëve të kësaj treve dhe ushtrive osmane, kështu që gjendja u përkeqësua më shumë. Kjo gjendje del edhe nga relacionet e vizitorëve apostolikë të urdhëruar nga Papa në Ipeshkvi, dioçeza dhe abaci të ndryshme nëpër Shqipëri. Në relacionin e datës 08 qërshor 1702, Vincens Zmajeviku shkruan:”…Arqipeshkv sot është Monsinjor Pjetër Zymbi…që tani është kthyer në gjendje të mjerueshme të një famullitari të thjeshtë…”). Ndërsa kleri është si vion:Don Martin Bushalla mësues, Don Primo Prodani dhe Don Primo Shkjezi në Kurbin, Don Llesh Perlati në Skuraj, Don Lazër Prela në Prelë, Don Gjon Dukagjini në Dukagjin, Don Lazër Dajçi në Selitë, Don Vlash Prela në Lurë, Don Ndre Gallata në Zedin…, Don Llesh Çeza në Zhejë etj. Relacioni i tij e pasqyron qartë gjendjen e cila vazhdoi për një kohë të gjatë.
Imzot. Prend Bardhi ( Kamberi )
Një nga ipeshkvit më në zë që lindi, u rrit dhe shërbeu në Kurbin, qe edhe ipeshkv Primo Bianki, i njohur me emrin popullor Prengë Bardhok Kameri nga fshati Delbnisht i Kurbinit. Ai lindi në fshatin Delbnisht me 26 maji të vitit 1852. Kur ishte vetëm 10 vjeç, tërhoqi vëmendjen e ipeshkvit të atëhershëm të Durrësit Nikolla Karpina, i cili duke njohur shkathtësinë dhe intelektin e djaloshit të vogël me 01 maji 1864 e dërgoi në Seminarin Teologjik të Shkodrës. Pas përfundimit të këtij Seminari me rezultate shumë të mira, vijoi studimet për rreth katër vjet në Romë dhe me 19 shtator 1874 shungurohet prift. Për pak kohë shërbeu në kishën e Selitës së Madhe, ndërsa me 20 gusht 1879 pagëzohet si ipeshkv nga kryeipeshkvi i Durrësit Paskuale Guerrini. Me17 korrik 1893 u zgjodh Kryeipeshkv i Durrësit duke zëvendësuar në këtë detyrë Imzot Rafaele d’Ambrosion). Duhet theksuar se kjo periudhë qe një nga periudhat më të vështira në historinë e kishës shqiptare në përgjithësi dhe për Ipeshkvinë e Durrësit në veçanti. Kjo periudhë qe periudha e lëvizjeve popullore, e kryengritjeve, e përpjekjeve që përgatiten terrenin për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë proçes mori pjesë aktive edhe Ipeshkv Primo Bianki, i cili pjesën më të madhe të kohës e drejtoi Ipeshkvinë e Durrësit nga selia e tij në Delbnisht. Për këtë ish konsulli i përgjithshëm i monarkisë austro-hungareze në Shkodër Theodor Ippen shkruan: “…

Në fshatin e vogël të Delbnishtit , në një shtëpi relativisht të madhe pranë kishës banon arqipeshkvi i Durrësit, sepse ky prelat nën shtypjen e sundimit turk ka qënë i detyruar t’a braktisë selinë e tij fillestare. Se kur ka ndodhur kjo zhvendosje nuk dihet, por ndoshta gjatë shek. XVII. Vendstrehimi i tij i parë ka qënë lugina e vetmuar e Kurbinit, e mbetur katolike, ku Kisha e Shën Prendes –Veneranda, u kthye në katedrale. Këtu arqipeshkvët ishin të sigurtë për jetën dhe mund të kryenin edhe funksionet e tyre…”). Dihet se Ippen e ka njohur mirë terrenin e kësaj zone, pasi erdhi në Shkodër me 1896 dhe qëndroi për shtatë vjet, deri me 1903, kur Ipeshkv Bianki ishte në kulmin e aktivitetit të tij kishtar dhe patriotik.

Është pasardhësi i Ipeshkv Rafaele d’Ambrosios, një misionar tepër energjik dhe i përkushtuar i cili e nisi misionin e tij në katedralen e Shën Prendes në Kurbin “…Në këtë vend ata qëndruan për shekuj me radhë, derisa kryepeshkopi i sotëm…e çvendosi selinë e tij nga kjo strofkë e vrazhdë dhe e pambërritshme, në Delbnisht…”). Tashmë selia ipeshkvnore e Delbnishtit do të bëhej epiqendra e aktiviteteve kishtare dhe patriotike të iniciuar nga vetë Imzot Bianki si bir i denjë i kësaj krahine me tadita patriotike. Dy vjet pasi kishte ardhur në krye të Selisë Ipeshkvnore të Durrësit ai u thirr në Koncilin e Tretë Kombëtar të Kishës Katolike që u mbajt në Shkodër me 19 maj 1895 nën kryesinë e Arqipeshkvit të Shkodrës Pashko Guerrini.

Një nga detyrat më kryesore që u la në këtë koncil, ishte përhapja dhe forcimi i besimit fetar në Shqipëri sipas porosive të Selisë së Shenjtë. Prandaj aktivitetin e tij kishtar Imzot Biankit i duhej t’a shtrinte edhe në Shqipërinë e Mesme dhe Jugore sepse “Sa i përket administratës apostolike për Shqipërinë e Mesme dhe atë Jugore, ajo ishte nën juridiksionin e Arqipeshkvisë së Durrësit…). Ishte e domosdoshme të niste lëvizja e përbashkët për forcimin dhe përhapjen e fesë së krishterë edhe në Shqipërinë e Mesme. Për këtë arsye, Ipeshkvi i Durrësit Imzot Prend Bardhi në një letër të dërguar me 4 maj 1900, i bënte të ditur Qazim Beut, ndryshe qeveritar i përgjithshëm osman në Shkodër, ”…se të krishterët e Elbasanit kishin kërkuar të viheshin nën juridiksionin e Papës”, për këtë arsye Imzot Bardhi kërkon që ai të lejohet të shkojë në Elbasan për të kryer në këtë zonë ritet shpirtërore dhe fetare.

Por Patriarkana e Stambollit nuk do të pajtohej lehtë me këtë veprim, prandaj do të luftonte për ta penguar ardhjen e Prenk Bardhit në Elbasan me mision fetar, por nga ana tjetër autoritetet osmane ishin të pafuqishme për t’a penguar shërbëtorin e Krishtit në misionin e tij, pasi ai kishte siguruar edhe përkrahjen e Papa Jorgjit i cili “kishte kërkuar nga miku i tij, Arqipeshkvi i Durrësit Preng Bardhi, përshpejtimin e proçesit të banorëve të Shelcanit, Valshit e të Selitës për t’u inkuadruar në radhën e besimtarëve të kishës unite…”). Në vitin 1904, konfirmohet se krahina e Shpatit me 5000 banorë do të vihej nën juridiksionin e kishës së Romës. Lëvizjet e viteve 1906-1912, përfshinë mbarë Shqipërinë. Kurbini ishte në frontin e parë të luftës, sepse shihej nevoja e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, prandaj u bashkuan i madh e i vogël për t’i dhënë grushtin e fundit pushtuesit osman, që flamuri ynë të ngrihej krenar dhe Shqipëria të jetë e lirë. Në këtë luftë Ipeshkv Primo Bianki mori pjesë aktive deri në ngritjen e flamurit të lirisë në qytetin e Vlorës.

Që në vitin 1903 kurbinasit kishin vendosur ta kundërshtonin shtrirjen e administratës turke në krahinën e tyre. Kështu ata njoftuan autoritetet turke në Durrës se ”…nuk pranonin asnjë qeveritar turk, por donin të administroheshin nga autoritetet vendore të zgjedhura prej tyre, që do të caktonte sipas traditës së tyre, këshillin e pleqve të krahinës”). Kështu filloi konflikti politik mes kurbinasve dhe administratës turke që më vonë u kthye në konflikt të hapur ushtarak. Për këtë arsye Viena i dha porosi Arqipeshkvit Primo Bianki “…që të bënte çmos për të zbutur shpirtrat e revoltuar të kurbinasve dhe për t’i bindur ata që të zgjidhnin konfliktin me autoritetet osmane me mjete paqësore”). Por tashmë udhëheqësi shpirtëror i kurbinasve Ipeshkv Primo Bianki ishte rreshtuar përkrah luftëtarëve patriote të Kurbinit si Gjin Pjetri, Llesh Marka Kola, Nikollë Kaçorri, Hoxhë Muharremi, Llesh Pjetër Vathi, Marka Ndrecë Teska, Shaban Kasemi, Dedë Marka Kola, Pren Ndrecë Gega, Lazër Gjoka , Nikollë Selala, Ndue Jak Preni, Pjetër Balozi etj, që udhëhiqnin lëvizjet patriotike në Kurbin për pavarësinë e Shqipërisë.

Pas kuvendit të vjeshtës 1905, ku u shqyrtuan marrëdhëniet e kurbinasve me administratën turke, gjendja u përkeqësua më tej. Për këtë arsye u thirr përsëri një kuvend tjetër po në Delbnisht me 31 maj 1906. Këtë radhë në kuvend, veç Nikollë Kaçorrit mori pjesë edhe Arqipeshkvi i Durrësit Primo Bianki), ku nën ndikimin e tij kurbinasit vendosën të vazhdonin më me vendosmëri rezistencën ndaj pushtuesit osman nën udhëheqjen e patriotit të shquar Gjin Pjetri. Me propozim të Don Nikollë Kaçorrit, paria e Kurbinit iu drejtua perandorit të Austro- Hungarisë me një telegram, për t’i kërkuar ndihmë për armë. Në letër ndër të tjera thuhej “… Arqipeshkvi ynë Bianki i Durrësit në Kurbin, na ka treguar shumë gjëra mbi lartësine tuaj, se si Kajzeri e ka përkrahur kishën tonë…”).
Megjithëse përgjigja ishte negative, lufta e kurbinasve për liri vazhdoi më me forcë.

Imzot Bianki ishte i vendosur dhe ishte i përkushtuar që krahas misionit fetar të kryente edhe detyra të tjera të karakterit patriotik dhe atdhetar. Këtë e kërkonte situata, e kërkonin kushtet historiko-shoqërore të krijuara. E kërkonin patriotët dhe atdhetarët e Kurbinit dhe gjithë Shqiperisë që e shihnin të domosdoshme mbështetjen e tij sidomos në arenën ndërkombëtare. Dhe Imzot Bianki nuk u kursye. Me 19 janar 1907, ai i kërkon shpjegime përmes një letre konsullit austriak A. Halla për situatën e krijuar në vend. Në këtë letër ipeshkvi i Durrësit Bianki shkruante:”…I kërkojmë konsullit austriak A. Halla të ndërhyje pranë Ministrisë së jashtme të Austro-Hungarisë për plotësimin e pretendimeve të njohura të bëra nga Valiu tetorin e kaluar, me ndërmjetësinë e Imzot Kaçorrit, si dhe shpërblimin e demëve…”). Heshtja që pasoi bëri që hap pas hapi kryengritjet të intensifikoheshin dhe zjarri i luftës për liri të përfshinte gjithë Shqipërinë.

Me 1909 fshatarët Kurbinas u thirrën në Krujë për të kryer shërbimin ushtarak, por ata nuk u bindën.
Këtë akt patriotik e përkrahu edhe Ipeshkvi Primo Bianki. Kjo del qartë edhe në relacionin e konsullit Halla Nr. 81, dt. 10. 12. 1909 ku thuhet:”…Arqipeshkvi Bianki nuk pranoi të bindte kurbinasit katolike që të venin ushtar, për këtë dhe u largua nga rezidenca e tij në Delbnisht e shkoi në Durrës…”). Gjatë kësaj periudhe ai qe i pranishëm kudo mes vëllezërve patriotë të Kurbinit duke synuar që bashkë me ta të përgatiste terrenin për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kishte ardhur koha, që Shqipëria të ishte e pavarur, prandaj patriotët shqiptarë u mblodhën në disa qytete të Shqipërisë dhe shpallën Pavarësinë duke ngritur flamurin e lirisë. Me 22 nëntor 1912 flamuri u ngrit në Durrës, sepse ky qytet ishte një nyje strategjike kombëtare. Atje vepronte një armatë intelektualësh e patriotësh me emër si Imzot Bianki, Don Nikolla, Kaçulini, Rama etj). Kuptohet qartë se Ipeshkv Bianki e kishte shtrirë aktivitetin e tij patriotik në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë e Mesme.

Në muajin korrik të vitit 1910, arrestohet nga autoritetet Don Nikollë Kaçorri, mëkëmbësi i tij. U akuzua se kishte punuar per kryengritjen dhe kishte mbajtur armë, pasi postierit të tij Gegë Ndoi i kishin gjetur një leter të shkruar nga dora e Kaçorrit ku thuhej”. . . të jena gati me armë, se erdhi dita. . . ”, madje ai pati me vete edhe tre pushkë dhe 14 ballë fishekë). Arrestimin e tij e bënë me dije mjaft media të shkruara brenda dhe jashtë vendit. Me dt. 2 gusht 1910 Imz. Kaçorri dënohet me 4 vjet burg. Në këto kushte Ipeshkvi Bianki u detyrua të udhëtonte drejt Vienës për të bisedusr me autoritetet Austro-Hungareze për lirimin e tij. Me tu kthyer në vendin e tij, Imz. Bianki i drejtohet me një letër kryekonsullit Austro-Hungarez në Shkoder Von Zambaur, që të mundësonte lirimin e imz. Kaçorrit me anen e amnistisë. Ishte autoriteti absolut, puna, përpjekjet dhe nderhyrjet i Imz. Bardhit pranë autoriteteve më të larta, qe mundësuan lirimin e tij nga burgu aty nga mesi i mujit mars të vitit 1911, për t’iu perkushtuar rishtas çështjes së pavarësisë së Shqipërisë.

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë ishte në prag. Si njeri me influencë të madhe në Shqipërinë e veriut nuk mund të qëndronte indiferent ndaj kësaj çeshtje madhore që vendoste fatet e kombit tonë. Kështu, ai delegon në Kuvendin e Vlorës sekretarin e tij personal Don Nikollë Kaçorrin, i cili u zgjodh edhe Nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Këtë fakt na e bën të njohur procesverbali i mbajtur në mbledhjen e dt. 28. 11. 1912, ku ndër të tjera thuhej:”…Si e don rregulli dhe zakoni u nisën pastaj me vertetimin e kartave të delegatëve, emrat e të cilëve janë këto:”…Nga Durrësi Z. Z. Abaz Efendiu, Mustafa Agai, e Jahja Efendiu i cili pritet të vijë, Z. Don Nikollë Kaçorri, nga ana e Arqipeshkvit të Durrësit, për të gjithë shqipëtarët katolike që ndodhen nën urdhërat e tij…”).

Madje vetë Ismail Qemali bashkë me Don Nikollë Kaçorrin kërkonin të mbanin kontakte të vazhdueshme me Imzot Preng Biankin. Qëllimi i këtyre lidhjeve ishte, sepse Qeveria e Përkohshme e Vlorës dëshironte të informonte në mënyrë të vazhdueshme krahinat e tjera edhe në veri të vendit duke shfrytëzuar autoritetin e padiskutueshëm të Ipeshkvit të Durrësit. Prandaj në telegramin që Ismail Qemali i dërgon Ipeshkv Biankit me 27 nëntor 1912 thuhet:”…atyre që dëshirojnë autonominë e Shqipërisë, se pasi fituam indipendencën e plotë dhe nuk mbeti më nevoja për me ia mbërritë qëllimit me ndihmën e nji mbretnie të huaj, duhet të veprojnë së bashku me gjithë kombin shqiptar.

. . ”). Ndërsa me 28 nëntor 1912, kur po ngrihej flamuri në Vlorë, Ipeshkv Bianki po përjetonte një ngjarje analoge me të, atë të ngritjes së flamurit në Milot nga patrioti Gjin Pjetri bashkë me patriotë të tjerë nga mbarë krahina e Kurbinit. Natyrisht si përfaqësues i një institucioni të lartë fetar nuk ia lejonte “Kanuni kishtar” të merrej me politikë, por ndjente obligim t’i shërbente atdheut dhe kombit duke dëmtuar ndoshta pozicionin ku ndodhej dhe imazhin e tij prej mështari dhe shërbyesi të fesë. Megjithatë ndjehej krenar, sepse po kontribuonte për çeshtjen e madhe kombëtare.

Pas shpalljes së pavarësisë, në selinë e tij në Delbnisht mbërrin telegrami i shumëpritur që gëzoi zemrat e gjithë shqiptarëve, ai ishte firmosur nga vetë Ismail Qemali:

Arqipeshkvit Don Prend Biankit, Kurbin
Mbasi gjithë Shqipnija shpalli lirinë e indipendencën e vet i ngarkohet kujdesit të veçante të hirësisë suaj, që t’ia bani me ditë punën popullit të malësive, qi asht nan sundimin tuj shpirtnuer dhe mbasi nuk kini mjet tjetër, me ndërmjetësinë tuej, t’i bahet me ditun ipeshkvive të tjera dhe popullit të Mirditës dhe Shkodrës. Prap lutemi me i njoftue e shpallë atyne që dëshirojnë autonominë e Shqipnisë…duhet të veprojmë s’bashku me gjithë popullin shqiptar për të forcue pamvarësinë.
Smail Qemali D. V
Vlorë, Vjeshtë e tretë 1912 Don Nikollë Kaçorri dv).

Tani detyrë imediate ishte përhapja e lajmit të fitorës së pavarësisë dhe ngritja e flamurit në disa nga qendrat kryesore të veriut. Ipeshkv Bianki mori udhëzime nga Qeveria e Përkohëshme për ngritjen e flamurit në Kurbin, Kthellë, Mirditë, Ishëm e Krujë, detyrë e cila u krye me përkushtim. Brenda një kohe të shkurtër, lajmi i fitores u përhap në gjithë vendin.

Pavarësia u shpall, por gjendja e popullit shqiptar ishte tepër e rëndë. Pasojat e pushtimit pesë shekullor kishin lënë rrënjë të thella tek populli ynë. Kjo gjendje e shqetësonte së tepërmi Ipeshkv Biankin, prandaj në korrik 1913, ai i dërgon një letër Shenjtërisë së tij Papa Piu X, në të cilën i kërkon për të akorduar mjete të mjaftueshme për të filluar një propagandë katolike në Shqipëri “…mbasi jemi të mendimit se koha e tanishme është e përshtatshme, nga njëra anë për sigurimin e elementit katolik në Shqipëri, nga ana tjetër për zhvillimin e tij duke themeluar institute bamirësie në vend…”). Megjithatë, situata po vështirësohej gjithnjë e më shumë. Dalja në skenë e Esad Pashë Toptanit rrezikonte faktorin shqiptar, prandaj lindi nevoja e thirrjes së një kuvendi mbarëkombëtar, ku të merrnin pjesë personat më me influencë në shkallë kombëtare. Ndër ta janë edhe gjashtë klerikë të lartë katolikë shqiptarë si:…Imzot Serreqi -Kryepeshkop i Shkodrës, Imzot Bumçi -Peshkop i Kallmetit, Imzot Koleci -Peshkop i Nenshatit, Imzot Shllaku -Peshkop i Pultit, P. Doçi-Abat i Mirditës dhe Imzot Bianku -Kryepeshkop i Durrësit”). Puna dhe aktiviteti i tij kishtar dhe patriotik dhanë frytet e duhura. Tani Shqipëria ishte e lirë, këtë kishte ëndërruar ai dhe ëndërra u bë realitet.

Ishte njeri me zemër të madhe, patriot i vërtetë dhe atdhetar i palëkundur. E vlerësonte punën e mirë sidomos kur punohej për çeshtjen e atdheut. Prandaj e vlerësoi sekretarin e tij Don Nikollë Kaçorri, jo vetëm si misionar të fesë, por edhe si patriot të vërtetë. Ishte pikërisht Imzot Primo Bianku që i kërkon Romës gradimin të Kaçorrit dhe emërimin e tij Protektor Apostolik të Ipeshkvisë së Durrësit, ndërsa me 1906 e emëron zëvendësin e tij dhe i ngarkon të gjitha çeshtjet kishtare dhe profane. Duke njohur gjendjen e popullit, përçarjet, armiqësitë shpesh bën thirrje për bashkim, sepse vetëm bashkimi dhe uniteti e bëjnë të pathyeshëm një popull. Një thirrje e tillë u bë me 16 qershor 1920, nga gjithë peshkopatat e Shqipërisë ku ndër të tjera thuhet:“…Për vllazënim dhe atdhedashuri mbarëkombetare…Si dhe solidaritet me qeverinë akoma të re, e cila është qeveria jonë provizore me një fillim me mangësi dhe gabime që vijnë nga ndikimi negative i armiqve të brendshëm e të jashtëm të saj. Kryepeshkopi i Shkodrës Jak Serreqi, Kryepeshkop i Durrësit Prenk Bardhi, Peshkopi i Pultit Bernardin Shllaku, Peshkopi i Lezhës Luigj Bumçi”).

Qeveria e re e sapo krijuar, ishte faktori vendimtar që do të organizonte masën në focimin e interesave kombëtare, bashkimit dhe solidaritetit njerëzor. I lodhur dhe i drobitur, tashmë është në moshën 68-vjeçare. Është një moshë që njeriun e lënë forcat dhe ka nevojë për mbështetje. Këtë e thekson edhe Imzot Lazër Mjeda në relacionin e dt. 27 maj 1920 dërguar Selisë së Shenjtë ku ndër të tjera thuhet:”…Ordinari, Imzot Prenk Bardhi është tashmë i paaftë për të drejtuar këtë Kryepeshkopatë të gjërë dhe të vështirë, e se do të ishte e nevojshme që ti jepej një ndihmës që ai vetë do t’a dëshironte…”). Por megjithë moshën e thyer dhe vështirësitë e shumta që i dalin përpara, ai herë pas here i tërheq vëmendjen masës së besimtarëve që të mos bien në mëkate. Duke njohur gjëndjen, ipeshkvi Bianki reagon menjëherë me anën e një qarkoreje:“…Prandaj urdhërojmë që ai prift që mban fletë, apo shkon te këto mëkatar pa një arsye të fortë…do të dënohet rreptë, në rast se do të zbulohet. Me këtë nuk duam të themi se kleri nuk ka detyrim t’i dërgojë në vathët e Krishtit këto fatkeqe, por kjo mund të bëhet gjithnjë duke e bërë detyrimin që kemi për të mos mbajtur llogari për mekatin e tyre. Me shpresën e vendosur se ju, vëllezër të dashur do të bëni kujdes për sa thamë më lart si priftërinj, Ju bekoj me gjithë zemër.

Shënim:Sapo të lexohet letra dhe të kopjohet t’i kthehet kësaj zyre.
Imzot Prenk Bardhi-Kryepeshkop
Don Fran Gjini -Vikar i përgjthshëm).

Gjithë aktiviteti i tij patriotik dhe atdhtar nuk u pa me sy të mirë nga autoritetet fetare. Veçanërisht akuzohet për marrje me politikë, por kritikohet dhe si tolerant dhe liberal. Ja çfarë shkruan vizitori apostolik Ernest Koçi për Kryeipeshkvinë e Durrësit:“Durrësi:Kryepeshkop është Imzot Prenk Bardhi 68 vjeç, zgjedhur me 1893. Është i semurë, i dobësuar fizikisht dhe intelektualisht nga problemet e shumta…Në mënyrë të veçantë akuzohet për:-Marrje shumë me politikë…”), dhe s’kishte si ndodhte ndryshe kur ai mbajti mbi shpatulla së bashku me patriotë të tjerë Kurbinas barrën e rëndë të organizimit të kryengritjeve për Shpalljen e Pavarësisë. Kështu me 22 maj 1922, ai dorëzon detyrën e Ipeshkvit të Durrësit pas 29 vjetësh në krye të saj, duke ia lënë vendin Imzot Françesko Melchiorit). Ishte një eksperiencë e shkëlqyer e tij, sepse në kohën qe ai drejtoi Ipeshkvinë e Durrësit, u bë një nga personazhet historike më me rëndësi të formimit të Shtetit të lirë shqiptar. Për shumë kohë emri i tij nuk u përmend në literaturën historike, sepse dikujt do t’i cënoheshin interesat. Tani ka ardhur momenti që ai të vihet në vendin që meriton për punën, përkushtimin dhe aktivitetin e dendur patriotik në ato vite të vështira. Imzot Primo Bianki vdiq me 18 gusht 1927 në moshën 75 vjeçare duke lënë në kujtesën e besimtarëve kujtimin e një mështari të devotshëm, patrioti dhe atdhetari të madh.

VLASH PRENDI

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: