Advertisements
Telegrafikisht

Letra e Papës në 500 vjetorin e vdekjes se Skenderbeut, ndërsa vendi ishte në diktaturë

Nga Ndue Dedaj

Është një letër e Papës Pali VI, që gjysmë shekulli më parë udhëtoi drejt nesh, për të na uruar 500-vjetorin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ngaqë vendi ynë nuk kishte më një hierarki të kishës katolike të veten, për më tepër që qeveria e kohës vetëm një vit më parë, më 1967, iu kishte vënë kazmën institucioneve fatare dhe prangat klerikëve të fundit, letra e Papës iu drejtohet udhëheqësve të dy selive të larta kishtare, nga vareshin katolikët në Shqipëri, kardinalëve: Maksimilian von Fyrstenberg, prefekt i Kongregatës së Shenjtë për Kishat Lindore dhe Gergur Pjetër Agaxhanian, prefekt i Kongregatës së Shenjtë për Ungjillizimin e Popujve.

Letra e Selisë së Shenjtë, e dalë nga Roma, mban datën me 17 janar 1968, që ishte viti i pestë i ponfifikatit të Palit VI. “Është kënaqësi për ne t’iu drejtohemi krerëve të dy dikastereve prej të cilave varën katolikët shqiptarë dhe italo-shqiptarë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit të tyre kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai ishte bir i lavdishëm i një toke që pat fatbardhësinë të ishte pjesë e programit apostolik të Shën Palit, ku ai mbolli ndoshta rishtazi farën e Ungjillit. Ky rajon shfaqet si kishë hierarkike që në fillim të shekullit IV. Ipeshkvinjtë e tij, përfshi këtu dhe ata të ritit lindor, ishin në vartësi të juridiksionit papal të Romës dhe mbështetën ruajtjen e pacenueshmërisë së besimit…”


Letra e Papës ndalet veçanërisht te shekulli XV, përndryshe Moti i Madh, i cili “për kombin shqiptar qe një prej periudhave më të vështira, por edhe më të lavdishme të historisë së tij, për arsye të luftërave të pareshtura që iu desh të bënte për t’i qëndruar pushtimit të osmanëve, të cilët, pasi pushtuan kryeqendrën e perandorisë bizantine, kërcënuan Perëndimin. Qendresa e shqiptarëve për rreth një çerek shekulli qe e guximshme dhe fitimtare, falë mbi të gjitha vlerës dhe zotësisë së kryezotit të tyre, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilit i përkujtohet sot 500-vjetori i vdekjes. Mësuam me gëzim se i gjithë populli shqiptar, si në atdhe, ashtu dhe në diasporë, po përgatitet të përkujtojë me një përnderim të rigjallëruar të paharruarin heroin e madh kombëtar. Selia Apostolike dëshiron të bashkohet me këtë përkujtim të figurës fisnike të Gjergj Kastriotit, bir me besë i kishës, të cilin pararendësit tanë e mbuluan me lavdërime më tepër se çdo hero tjetër të asaj epoke”.

Ishte një histori e gjatë ajo e marrëdhënieve të Skënderbeut me Papët dhe Selinë e Shenjtë, duke filluar me Eugjenin IV, Nikollën V, për të ardhur te Kalksti III ose i Madh, i cili luajti një rol të madh në teatrin ndërluftues të kohës mes koalicionit luftarak perëndimor dhe ofensivës së vazhdueshme osmane, duke e mbështetur Skënderbeun moralisht dhe me ndihma financiare nga të ardhurat e kishave të Dalmacisë etj. Është Papa që pasi ka njohur betejat e suksesshme të kryeprijësit shqiptar, e ka “afirmuar” atë në kancelaritë perëndimore. Edhe pasardhësi i tij, Pio i Dytë, vetëm sa i forcoi marrëdhëniet me Skënderbeun. Ai shkon në Ankona për të mbështetur ushtritë perëndimore, që do t’i bashkoheshin Skënderbeut për kryqëzatën antiosmane të radhës, por në mënyrë të papritur vdes atje, ky dyshohet se qe helmuar. Tashmë qendresa europiane kundër depërtimit të osmanëve në Europë nuk kishte vetëm një emër të shquar të mëparshëm, Janosh Huniadin dhe Hungarinë e tij, por dhe Skënderbeun dhe Arbërinë, me epopenë lavdimadhe të Krujës “kryeqytet i bekuar”, Besëlidhjen e Lezhës, kuvend historik i prijësve shqiptarë etj.

Skënderbeu, në politikën dhe strategjinë e tij si udhëheqës dhe strateg ushtarak, nuk mund të mos mbështetej në mendjet më të ndritura të epokës së vet, ku këshilltarë të lartë, diplomatë apo të dërguar të tij si ambasadorë në Venedik, Raguzë etj. do të ishin Imzot Pal Engjëlli, Argjipeshkvi i Durrësit, i cilësuar “prelat i nivelit europian” nga Milan Shufflay, Gjergj Pelini nga Novobërda e Kosovës, vëllezërit Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli të familjes së njohur të Gazullorëve, abati Pjetër Perlati, prelatët Ndre, Lazër, Pal etj., jo pak prej tyre abatë me ndikim të madh në dioqezat e Arbërisë. Në Romë gjendet dhe Pallati i Skënderbeut, në sheshin që mban emrin e tij, ku kryetrimi ka qendruar me muaj të tërë gjatë hartimit të planeve të luftës, çka tregon për statusin e veçantë, do të thoshim mbretëror që Gjergj Kastrioti gëzonte pranë Selisë së Shenjtë.

Letra e Palit VI sintetizon vazhdën historike 500-vjeçare të shqiptarëve, përfshi dhe arbëreshët e shpërngulur në numër shumë të madh e të vendosur kryesisht në Kalabri e Siçili, që u pritën shumë miqësisht nga vendasit. “Kundrojmë me admirim ruajtjen e këtyre bashkësive shqiptare prej më shumë se katërqind vjetësh të kujtimit të gjallë të Gjergj Kastriotit, nëpërmjet gjuhës, traditave dhe eposeve të etërve të tyre, që qenë shokët e armëve të këtij Heroi. Bashkë me këtë kujtim ata kanë ruajtur besën dhe lidhjen e tyre me Selinë Apostolike, të cilës i kanë dhënë personalitete me dije shkencore dhe virtyte të sprovuara. Na pëlqen të përkujtojmë pararendësin tonë, Klementin XI Albani, që qe gjithmonë krenar për rrënjët e tij shqiptare…”

Papa po ashtu shkruan se Selia e Shenjtë ka mbajtur dhe afirmuar hierarkinë e shenjtë në Shqipëri, duke pritur prej saj kandidatët për mështarë që kishin mësuar në seminarin papnor të Shkodrës. “Të mirënjohura janë për ne meritat e bijve tanë shumë të dashur të Shqipërisë apo me origjinë shqiptare, që u shquan si në fushën e fesë, ashtu dhe në atë letrare kombëtare, para dhe pas pavarësisë së arritur me 1912”, thuhet në letër, ku ne fare mirë mund të pranëvëmë emrat e De Radës, Prend Doçit, Nikollë Kaçorrit, Dora D’Istrias, Shtjefën Gjeçovit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës etj.

Afërmendësh që letra papale nuk mund të mos prekte dhe realitetin e trishtë ku gjendeshin besimtarët shqiptarë atë mot, më 1968. “Kemi ndjekur me zemër të brengosur nga ankthi, këto vitet e fundit, vështirësitë dhe vuajtjet e tyre të shkaktuara nga kufizimi i lirisë së besimit dhe persekutimet që durojnë bashkë me barinjtë e tyre, ndaj dhe iu shfaqim ndjenjat dhe dashurinë tonë atërore krejt të veçantë besimtarëve katolikë. Mejtimi dhe ndjenjat tona prekin gjithashtu të gjithë shqiptarët jo katolikë, ortodokës dhe myslimanë… ” Papa nuk harron të kujtojë dhe Zojën e Shkodrës, “e cila qysh pas vdekjes së Skënderbeut përnderohet në Genazzano”, si një shenjë e lutjes së shqiptarëve për të ardhmen e tyre sërish të denjë, ashtu siç ka qenë e kaluara e tyre e lavdishme.

Viti 1990 kishte sjellë një realitet të ri politik dhe historik në Shqipëri. Më 1994, në tokën e Skënderbeut, mbërrin Gjon Pali II, i pari Papë që shkilte në vendin tonë, i shoqëruar nga Nënë Tereza. Ai do të shtegtonte drejt Shkodrës, ku në rrënojat e kishës së moçme “Zoja e Këshillit të Mirë” do të meditonte rreth historisë së shenjtores së mërguar në Itali, bashkë me një pjesë të popullit te saj, por dhe rikthimin e shqiptarëve në besimin e ndaluar me dhunë. Katër ipeshkvinj të shuguruar prej tij me atë rast do të ishin hierarkia e re e kishës katolike në Shqipëri, ashtu siç po atë vit do të shpallej nga Vatikani dhe kardinali i parë shqiptar, Dom Mikel Kiliqi, 92-vjeç.

Ishte madhështia e Skënderbeut që shkëlqente shekujve, lidhjet e tij me Selinë e Shenjtë, që sollën letrën e pesëdhjetë viteve më parë, teksa nga shqiptarët sot pritet dhe urimi i Papa Françeskut me rastin e 550-vjetorit të Heroit tonë Kombëtar. Papa Françesku, ashtu si Gjon Pali II, është tashmë i “shtëpisë”, pasi e vizitoi e bekoi Shqipërinë qysh në fillimet e pontifikatit të tij, duke dërguar dhe më pas mesazhe të ngrohta paqeje, shuguruar ipeshkvinj të rinj dhe shpallur kardinalin e dytë shqiptar, Dom Ernest Troshanin.

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: