Advertisements
Telegrafikisht

“Gjurmë Shqiptare”: Kalaja e fshehte e Skënderbeut

Nga Marin MEMA
Kalatë e fortifikuara ndërtoheshin me një qëllim të vetëm, mbrojtjen nga sulmet e armikut dhe kur ky fakt bashkohet me terrenin shumë të favorshëm, këtu arrin piku i mbrojtjes.

Një nga ato kështjella, hija e së cilës mbetet akoma e pazbuluar është edhe Kalaja e Fshehtë e Skënderbeut.

Themi e fshehtë sepse e tillë quhet, e tillë mbahet mend dhe kështu ka funksionuar edhe në periudhën e saj më të mirë.foto-638.jpg

Gjithçka në këtë vend lidhet me gurin, jo thjesht si element, po edhe si objekt që i ka shërbyer njerëzimit për mbarëvajtjen e tij. Nga legjendat që banorët tregojnë thuhet se në këtë kala ka qëndruar Skënderbeu me Kokë Malçin nga Skurajt.

Thuhet se Kokë Malçi u njoh rastësisht me Skënderbeut, por që prej atij momenti ata u bënë miq dhe hera herës edhe këshilltari i heroit të madh.

Kalaja e fshehtë e Skënderbeut – kështu e kanë quajtur shumë historianë e arkeologë një nga fortesat e krahinës së Kurbinit. Dikur e fshehur nga pushtuesit, por e fshehur edhe sot nga sytë e njerëzve.

E vështirë të thuhet se pse ka marrë këtë emër, por fakt mbetet që ajo, për nga pozicioni gjeografik, është vërtet një fortifikim që vështirë se mund të dallohet nga larg me sy të lirë.

Ka mjaft arkeologë të brezit të ri që nuk kanë mundur ta identifikojnë edhe sot e kjo për shkak të mungesës së orientimit.

Sipas të dhënave që jep arkitekti dhe arkeologu Gjergj Saraçi, dikur pjesë e Institutit të Arkeologjisë, në një botim shkencor të Akademisë së Shkencave të vitit 1987, kalaja e fshehtë e Skënderbeut ngrihet në shpatin lindor të malit të Predonit, rreth 527 metra mbi nivelin e detit.

Rrjedha e sipërme e përroit të Hurdhasës, degë e lumit Mat, e ndan atë nga mali i Skënderbeut, ndërsa në veri dhe në jug të kalasë ndodhen lugina e Gallatës dhe buza e Shëngjergjit.

Terreni ku është vendosur kalaja duket se është zgjedhur me një kujdes të veçantë. Ai është shkëmbor dhe në një pjesë të madhe ofron mbrojtje natyrore. Interesi për këtë kala, siç përshkruhet në revistën arkeologjike “Iliria” të 28 viteve më parë, nisi diku në shekullin e 19-të nga arkeologu Gopçeviç.

Që prej asaj kohe, shumë teza u hodhën për identitetin e vërtetë të saj. Një pjesë e arkeologëve e lidhën me Krujën, por kishte edhe të tjerë që e konsideronin pjesë të fortifikimeve mbrojtëse të qytetit të Durrësit.

Disa e quanin Kalaja e Daulës, siç quhet edhe fshati pranë, por kjo ishte teza e parë e hedhur poshtë, sa kohë fshati është ndërtuar kohë më pas.

Do të duheshin kërkime shtesë, të cilat do të dilnin në rezultatin se ajo është ndërtuar diku pas viteve 1451, çka sipas arkeologut të mirënjohur Saraçi identifikohet edhe nga ngjashmëria ndërtimore me fortifikime të tjera të kohës së Skënderbeut.

Kjo kala, që identifikimin si fortesë e fshehtë, mesa duket, e ka marrë nga pozicionimi, i cili e shkrin me shkëmbinjtë e gjelbërimin e hazdisur e që e bëjnë vështirë të dallueshme nga larg, shërbente për të kontrolluar rrugën që kalonte përmes luginës së Gallatës e që lidhte më shpejt Lezhën e Mirditën me Krujën.1430157957kalaja-fshehte-skenderbitvlcsnap-2015-04-27-19h10m33s190

Sigurisht, ashtu siç ka ndodhur me shumë kala të tjera, ndërhyrjet e fundit janë kryer në kohën e komunizmit dhe më pas asgjë, shkretëtirë totale vëmendjeje e investimesh. A kanë dijeni institucionet përkatëse për këtë kala apo ajo është “fshehur” edhe në dokumentacionin e tyre?

Saktësisht kanë kaluar 32 vite që prej herës së fundit kur kjo kala kishte ende një vëmendje të denjë për emrin e saj.

Gjatë punimeve u zbuluan traktet e mureve, dy hyrjet e kalasë, kulla, tri ngrehina, stera e ujit, por edhe gjyle guri e material tjetër i imët arkeologjik.

Planimetria e kalasë dhe gjurmët urbane, si gjithçka tjetër, dallohen vetëm në botimet e pluhurosura.

Për mënyrën e ndërtimit dhe të tjera karakteristika do të duhej të flisnin ekspertët e fushës, sepse çdo element ka veçantinë e tij, duke filluar nga lidhja e gurëve me një llaç të cilësisë së lartë, suvatimet e ndryshme, platformat e drunjta në shtegun e rojeve, vrimat e ajrimit, vorbat, kupat e shumë detaje të tjera të ndryshme në këtë kala.

E po ashtu, mënyra mjeshtërore se si ishte menduar, që edhe në rast sulmi pushtuesit të ishin krejtësisht të zbuluar, duke u detyruar të ndiqnin rrugën e ndërtuar në një mënyrë të tillë që t’i detyronte të rrotulloheshin dy herë para kullës më të fortë e më të mbrojtur.

A ka qëndruar këtu edhe vetë heroi kombëtar? Kjo është e vështirë të thuhet me saktësi, por mendohet se ai mund të ketë udhëhequr nga kjo pikë strategjike disa nga aksionet e papritura ndaj trupave turke.images.jpg

Vetë pozicioni i saj, sipas studiuesve, të bën të mendosh se ka shërbyer si një lidhëz e fshehtë mes trupave në Krujë e atyre që qëndronin maleve për të goditur kundërshtarët.

Por kur u shkatërrua kjo kala kaq bukur, e shkrirë me natyrën dhe me një histori kaq enigmatike? Sipas të dhënave mendohet se goditjet përfundimtare i ka pësuar në vitin 1466, gjatë rrethimit të dytë të Krujës.

E megjithatë fakt mbetet se goditjet më të mëdha i ka marrë në këto 26 vite, kur vërtet nuk ka pasur pushtues të ardhur nga larg, por harresë që shpërfill edhe monumente të tilla.

Shumë nga traktet e mureve po vazhdojnë të bien, ndërsa erozioni po bën të vetën. Mjafton të shikosh përreth për të prekur pjesë të tëra që po bien greminës.

E të mendosh se kalaja, pavarësisht sulmeve të dikurshme, mbijetoi, ndërsa sot po shuhet përfundimisht.

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: