Advertisements
Telegrafikisht

Toponomastika e Kurbinit

Nga Zef Pjetri

21443087_1777978438896568_1366612351_n
Toponomastika e Kurbinit është një nga pasuritë e paçmueshme që dëshmon lashtësinë dhe kulturën e popullsisë së kësaj treve. Në mbledhjen e toponimisë së kësaj krahine një ndihmesë të veçantë ka dhënë studiuesi Davdi Luka, ndërkohë mbetet të gjurmohet një regjistrim i plotë i toponimisë së kësaj krahine kryer nga Imzot Frano Illiaj, i konsideruar deri tashmë i humbur. Mungesa e një mbledhje të plotë dhe sistematike të mikrotoponimisë së kësaj krahinë si dhe i të gjithë krahinave të vendit tonë, mbetet ende një detyrë e pakryer e studimeve tona.

Toponomastikën e krahinës do ta pasqyrojmë në rrafshin e analizës gjuhësore dhe etimologjike.

Përbërja gjuhësore e toponimeve

Në rrafshin e përbërjes gjuhësore toponimet i kemi disa llojesh.

Toponime kompozita mund të jenë të tipeve të ndryshme, po më të përhapurat janë:

  1. a) Kompozita emër+mbiemër: Kodërkeqe (kodër e keqe), Kodërhollë (kodra e hollë), Kodërskacja (kodra skace), Kodërmadhja (kodra e madhe), Kodërkuqe (kodra e kuqe).
  2. b) Kompozita emër+emër: Buzbollë (buza e bollës, Milot), Prrueshtogu (përroi i shtogut), Gjurprosekja (gurra e Prosekut), Shnaprendja (Shën Prendi), Gjurrjuda (gurra e Judës), Kodërstane (kodra e staneve), Kodërvorrja (kodra e vorreve), Kodermrete (kodra e mretshtës, maresë), Grykëshpellë (gryka e shpellës), Kodërmullini (kodra e mullinit) Breggjapshi (bregu i gjapshit), Kodrosa (kodra e Drosë), Zallfrashën (zalli me frashën) etj.

Të shumtë janë toponimet me grupe emërore. Ato mund t’i grupojmë:

  1. a) Emër + emër: Qafa e Cudhinit, Shtegu i Vathit, Shkalla e Qeve (Nojë), Shkami i Helmit, Grika e Fojletës, Kodra e Bajramit, Kisha e Shënkollit (Milot); Kalaja e Pervizit, Shqutet e Shkopetit, Shkalla e Males, Shkalla e Mretit, Grika e Mates, Krojnat e Vales, Kisha e Shna-Vlashit, Zhuret e Jakut, Rruga Austriet (Skuraj); Lami i Bukmadhes, Dushku i Qovanit, Livadhet e Kameres, Hurdhat e Gjikoles (Delbnisht); Vorri Birazer, Kodra e Karabeshit, Stanet e Hoxhëve, Bokat e Bardha (Mamurras); Vromi i Sukthit, Kodra e Qelës, Ura e Pirolit, Kodra e Vorreve, Mullini i Dukës (Zhejë); Ara e Merhames, Kodra e Taftibeut, Mullini i Mullait, Shpella e Zenelit, Kneta e Gjonmit (Gjonëm); Pusi i Rrugës, Kalaja e Tanushit, Gurra e Shullazit, Xhamia Bejtullah (Shullaz); Vila e Pritës, Ullijt e Kishës, Gropa e Bejës, Gjurra e Segjines, Rruga e Gomarve, Prroj i Shna-Nojt, Murana e Kopilit, Qyteti i Sebastes, Kisha e Shna-Noit (Laç); Prroj i Predanti, Vathi i Deleve, Vorret e Xhudhijve, Stanet e Dimnit, Kroj i Dhive (Selitë); Gurra e Petrelës, Livadhi i Muranës, Guri i Breshkës, Kisha e Shndreut, Kodra e Picit (Gallatë); Lami i Koqemullës, Veshti i Sallakut, Shpella e Hutës (Mal të Bardhë); Ara e Haxhiut, Ara Dre, Hurdha e Zelës, Kodra e Maceve, Kisha e Shënkollit, Pylla Skanderbeg (Vinjollë).
  2. b) Emër + mbiemër: Lajthia e Butë, Shkalla e Madhe, Zabeli i Madh, Kroj i Keq (Nojë); Shkrepi i Kuq, Grika e Madhe, Kroj i Keq (Milot); Shkalla e Madhe, Shpella e Madhe, Kullat e Djegme, Grika e Madhe, Hurdha e Madhe, Kodra e Keqe, Sharra e Bardhë (Skuraj); Sharra e Madhe, Rrjepat e Gjata, Sharra e Vogël (Delbnisht); Guri i Kuq, Pylli i Butë (Mamurras); Kroj i Madh, Guri i Gjatë, Boka e Bardhë (Gjonëm); Rrahi i Madh, Kodra e Madhe, Livadhi i Keq, Gjoli i Vogël (Laç); Shpella e Madhe, Lami i Vjetër, Trojet e Vjetra,Vorret e Vjetra, Ara e Bardhë (Selitë-Lester); Kodra e Hollë, Gjurra e Gjallë, Mani i Zi (Gallatë); Shpardha e Madhe, Lujt e Kqi,Vorret e Reja, Boka e Epër (Mali i Bardhë); Hurdha e Keqe, Veshti i Thatë (Vinjollë).

Toponime sipas mënyrës së formimit mund t’i grupojmë:

  1. Toponime që kanë si bazë fjalen “Krua”: Kroj Verrejmlugje, Kroj Shejnmnaqe, Kroj i Lajthisë, Kroj i Keq, Kroj Skanderbeg, Kroj i Kukurushit, Kroj i Dodukës, Kroj Gjel etj.
  2. Toponimet me fjalën “Kodër” janë të shumta: Kodra e Kallmit, Kodra e Keqe, Kodra e Kunjatë, Kodra e Zarishtës, Kodra e Gjipalit, Kodra e Lekbibës, Kodërstane, Kodërvomja, Kodra Mrete etj. 3. Toponime me fjalën “Grykë”: Grykvodhe, Grykqershi, Gryka e Madhe, Gryka e Ujit Vjerrë, Gryka e Shtogut, Gryka e Malit, Gryka e Qerre etj. Të shumta janë toponimet me fjalët “shkallë” “gur”, “majë”, “arë”, “stan”, “përrua”, “rrasë”, “varr” etj. të cilave u shtohen ose emra njerëzish ose mbiemra, si: Shkalla e Keqe, Shkalla e Minjollit,Guri i Gjatë, Guri i Male, Maja e Lartishit, Maja e Gjatë, Ara e Gjatë, Ara e Lleshit të Zi, Stani i Kolleshe, Stani i Vele, Prroi i Keq, Prroj i Kallmit, Rrasa m’Lamë, Rrasa e Kuqe, Vorri i Turkut, Vorret e Xëdhive etj.

Një grup tjetër përbëjnë toponimet-fjalë të prejardhura, të cilat janë formuar me prapashtesa të ndryshme si: -ishtë, -es, -are, -nac, -ëz, -ollë, -ore, -ish, -esh, -ec etj. Formime të tilla janë: Qarrishtë, Kuqrrishtë, Mylles, Komare, Sokarac, Gurëz, Prenolle, Bonac, Gurth, Lugatë, Rrenoret, Hurdhazë, Bathorja, Madheshi, Lartishi, Mozhnje, Përgjoke, Kaçorrja, Rrenoqe, Borrush, Zugllore, Terbesh, Mollëz, Vërrishtë, Hanore, Thanëz, Arras, Gërrnac, Mretza, Pallore, Lugarec etj.

Toponimet që lidhen me figura të njohura historike jo vetëm në krahinë, por në tërë Shqipërinë, si: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Kokë Malçi, Pervizi, Gjin Pjetri, apo me figura shenjtorësh si: Shën Vlashi, Shën  Nikolla etj. Toponime të tilla si: Varri i Pervizit, Kalaja e Pervizit, Vau i Gjin Pjetrit, Shkalla e Mretit, Kulla e Gjin Pjetrit, Kalaja e Kokë Malçit, Mullijtë e Gjin Pjetrit, Vau i Gjin Pjetrit (këto në Skuraj e Shkopet), si dhe Shpella e Shënkollit (Zhejë), Shpella e Shën Vlashit (Laç), Kalaja Tanushit (Laç), Shpella e Shënkollit (Vilëz), Maja Skanderbeg, Pylli Skanderbeg (Vinjollë), Kulla e Nikoll Llesh Gjokës  (Skuraj), Kroj Skanderbeg (Milot) etj., të cilat kanë jo vetëm vlera gjuhësore, por janë edhe monumente interesante të historisë, të kulturës, të arkeologjisë e që meritojnë përkujdesjen e veçantë të institucioneve shtetërore, sepse janë dëshmi të lashtësisë e të madhështisë së  kombit shqiptar.

Në këtë grup vemë edhe toponimet ”Vorret e Xëdhive” (që janë të shumtë në Skuraj), Guri i Kafes, një monument vërtet interesant në Skuraj, në të cilin  shumë herët banorët vendas shtypnin kafen pasi e piqnin atë (pra ishte në njëfarë mënyre një mulli kafeje), Gjurma e Shejtit në Skuraj, Llogoret në Skuraj (të ndërtuara në vitet 1900-1912, kur bëheshin betejat kundër turqve të udhëhequr nga Gjin Pjetri), Shpella e Korbit, Shpella e Gjazeshtit, Vorri i Turkut (Skuraj), Shpella e Mark Kalës, Vorri i Cucës Huj (ku është pre Pjetër Lleshi, Delbnisht), Kroj i Kusarëve, Kroj i Kosovarëve (Mamurras), Teqja e Ali Dervishit, Shpella e Zenelit (Shullaz).

Është detyrim dhe një nder për studiuesit, historianët e arkeologët kurbinas që ta studiojnë e ta identifikojnë këtë pasuri të paçmueshme të Kurbinit.

Etimologjia e toponimeve

Edhe studimi etimologjik i këtyre toponimeve jep të dhëna me shumë interes për trevën e Kurbinit. Ndikimi në to i latinishtes është i dukshëm.

Dro, Drojë është me prejardhje shqipe (drojë do të thotë frikë). Lumi është vërtet i frikshëm në kohën e dimrit dhe  shkakton përmbytje të shumta. Vilëz vjen nga latinishtja “Villa” shtepi në katund, çiflig. Toponimi Plane (nga lat. planus,”fushë”) arë në Vinjollë e Selitë, përrua në Gallatë etj. Vinjallapo Vinjoll rrjedh nga lat.vinealis (vreshtë) d.m.th. tokë me vreshta. Toponimi Kruqe, Krygja lidhet me lat. crucis “kryq”. Shqutet e Shkopetit lidhet me lat. Scutum “shqyt”. Po kështu Shqutet në Skuraj etj. KurtinatKurtena lidhen me lat. “kurt” oborr +  prapshtesën -inë. Këshqel në Skuraj, Shkami Kastellajs në Nuojë, vijnë nga lat. “castellum“, kështjellë. Kanjallet, pyll në Skuraj, vjen nga lat. “Canalis”. Maja e Altarit në Skuraj e Suka e Altarit në Milot, lidhen me “altare”, lter. Toponimi Hurdhazë e ka prejardhjen nga “Hurdhë” dhe “dhiz” (shumësi i emrit keç). Pra në fillim ishte një hurdhë e vogël ku pinin ujë dhizt (kecat) e që u quajt Hurdha e Dhizë. Më vonë, duke u përdorur pranë njëra-tjetrës, të dyja fjalët u bashkuan e formuan kompozitën Hurdhëzë, Hurdhazë sot (u ndërrua ë-ja në a).

Ndikimet latino-romane në toponimet e kësaj treve  kanë lënë gjurmë edhe te prapashtesat.

Toponimet me prapashtesën -el, që lidhet me latellus: Skunjel (Gjonëm), Hurdhazel (Malbardhë), Skaprele (Vinjollë). Toponimet me prapashtesën -et (nga lat. etum. khs. Castagnetum-kashnjet): Frashnjet (pyll në Selitë e Gallatë), Shpërdhet, Shelqet (Laç) etj. Mafsheq vjen nga greqishtja Mavro+sheq, pra kemi një kompozitë.

Toponimet me prejardhje sllave janë të pakta: Patok (vijë uji, prroskë), Zagoraj zabel në Vinjollë, Zadrimore (arë) Bushnesh, Predan (besnik).

Përfundime:

  1. Toponomastika e Kurbinit është një pasuri kulturore, që meriton vëmendjen e studiuesve dhe të historianëve sepse është dëshmi e gjallë e lashtësisë e kësaj krahine. 2. Në rrafshin gjuhësor kjo pasuri vërteton vazhdimësinë gjuhësore të shqipes nga ilirishtja, si dhe ndikimet shumë të pakta që ka pasur kjo gjuhë nga gjuhët e tjera fqinje, sidomos nga greqishtja, latinishtja, sllavishtja etj.

Ndërtimi i toponimeve është bërë sipas ligjeve të brendshme gjuhësore të shqipes.

  1. Grupet kryesore të këtyre toponimeve janë:
  2. a) Toponime me vlera arkeologjike dhe historike (kalatë, shpellat, kishat, varret e vjetra, kullat e vjetra, si Kalaja e Sebastes, Kalaja e Pervizit, Shpella e Gurit të Korbit, Shpella e Gjazeshtit, Shpella e Shën-Vlashit, Shpella e Shën-Kollit, Vorret e Xëdhive, Kulla e Gjin Pjetrit etj.
  3. b) Toponime që lidhen me figura historike, me veprimtarinë e tyre në trevën tonë, si Gjergj Kastrioti, Pervizi, Kokë Malçi, Gjin Pjetri etj. si dhe me figura shenjtorësh si Shën-Vlashi, Shën-Nikolla etj. të cilat flasin drejtpërdrejt për veprimtarinë e gjerë të këtyre figurave në këtë krahinë.
  4. c) Toponime që vërtetojnë autoktoninë e popullsisë së kësaj treve, por edhe lëvizjet demografike të diktuara nga rrethanat e kohës. Toponimet që lidhen me emrat e vetë banorëvë, që janë pronarë te tyre ka shumë (ara, gryka, kroje, pyje, kulla, bahçe, fusha, sheshe etj).
  5. d) Toponime me vlera të veçanta për historinë e krishtërimit në Shqipëri. Këtu mund të përmendim ato që lidhen me shenjtoret (Shpella e Shën-Vlashit, Shpella e Shën-Nikollës, Gjurma e Shenjtit). Kishat e shumta në këto treva vërtetojnë jo vetëm historinë e krishterimit në këto anë, por edhe se popullsia e këtyre trevave i rezistoi asimilimit nga pushtuesit osmanë.
  6. Kjo pasuri e madhe dhe e shumanshme është një fushë ku mund të punohet shumë në të ardhmen e të nxirren përfundime me vlera për historinë, kulturën, gjuhën, arkeologjinë, etnografinë etj.
  7. Edhe pse historia është treguar e pamëshirshme në të kaluarën me Kurbinin, duke mos i dhënë asnjëherë vendin që i takon nga historiografia komuniste, kjo nuk duhet të ndodhë sot. Kurbini duhet të pasqyrohet në vendin që i takon në historinë tonë kombëtare.
Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: