Advertisements
Telegrafikisht

BETEJA E UJËBARDHËS (ALBULENËS), 2 SHTATOR 1457

Nga Kastriot MARKU

BETEJA E UJËBARDHËS (ALBULENËS), 2 SHTATOR 1457.

Në përkujtim të betejës së Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), kundër forcave të ushtrisë së rregullt osmane të komanduara nga Isak bej Evrenozi, e njohur si Beteja e Ujëbardhës ose e Albulenës, zhvilluar 560 vjet më parë më 2 shtator 1457 në (Zhejë), diku mes Zhejës dhe Gjormit të Kurbinit. Fitorja e Skënderbeut erdhi pas humbjes që pësoi në Berat dy vjet më parë më 26 korrik 1455. Sipas burimeve të ndryshme historike thuhet se në betejën e Ujëbardhës ushtria turke kishte 80 000 ushtarë, prej të cilëve rreth 30 000 i la të vrarë në atë betejë.

Krahina e Kurbinit, sidomos prapavija e tij Mali i Skënderbeut si dhe e gjithë zona përreth tij, kanë qenë pjesë e rëndësishme e veprimeve luftarake të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) gjatë viteve 1443-1468 kundër ushtrive osmane, ku një vend të posaçëm zë beteja historike e Ujit të Bardhë, ndryshe Albulenës (lat. Albulae Ascqua). Nuk ka asnjë dyshim se mëria dhe tërbimi i çdo dështimi në marrjen e kështjellës së Krujës shfryhej nga ushtritë osmane me plaçkitjen e gjësë së gjallë, shkatërrimin e të mbjellave, prerjen e pemëve dhe të vreshtave si dhe djegjen e fshatrave në zonat përreth, ku natyrisht Kurbini zinte vendin kryesor. Kjo krahinë pësoi ndryshime të vazhdueshme demografike gjatë periudhës së pushtimit turk, sepse një pjesë e fshatrave u braktisën e një pjesë tjetër e tyre emigroi.

pervizi

Beteja e Albulenes. Pikture Lek Pervizi

Beteja e Ujit të Bardhë (ose Ujit të Qelbët), e zhvilluar më 2 shtator të vitit 1457, në afërsi të rrënojave të Kishës së Katraqindve në fshatin Zhejë në jugperëndim të Kurbinit, përbën një nga betejat më të rëndësishme tëzhvilluara nga arbërit e prirë prej Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) kundër forcave osmane, kësaj here të komanduara nga Isak bej Evrenozi. Pas humbjes së betejës së Beratit të 26 korrikut të vitit 1455, gjendja e brendshme politike e Arbërisë u keqësua. Sikurse thotë Fan Noli “Pas disfatës së Beratit, askush nuk mendonte që Skënderbeu mund të qëndronte i gjallë dhe që të gjithë deshën t’i largoheshin anijes që po mbytej”. Një ushtri turke prej 15 mijë kalorësish me në krye tradhëtarin Moisi Golemin, i cili e kishte braktisur Skënderbun pas disfatës së betejës së Beratit, u vendos nga Sulltan Mehmeti II në drejtimin e një ushtrie për t`i dhënë Skënderbeut dhe Arbërisë, goditjen përfundimtare pas betejës së Beratit, e cila natyrisht e kishte dobësuar fuqinë ushtarake të arbërve.

10448807_283045758540726_6414009509961174226_n (1)

Gjergj Kastrioti . Pikture: Ndue Pepa

Në fund të pranverës (maj) të vitit 1456, ushtria osmane e drejtuar nga Moisiu arriti në fushën e Rahonikut pranë Dibrës dhe në betejën që u zhvillua aty, u thye keqas prej forcave të Skënderbeut, i cili kishte vënë në dijeni Papën dhe kardinalin e Fermos Domenico Capranico përmes një letre të dërguar nga Pal Engjëlli, për rrezikun e sulmit të osmanëve. Papa Kaliksti III u mundua me të gjitha mënyrat duke trokitur përmes legatëve të tij në dyert e shteteve europiane për të organizuar, por pa sukses, një kryqëzatë papale për dëbimin e turqve nga Ballkani. Madje përmes një bule të posaçme dhënë ditën e Shën Pjetrit e Shën Palit më 29 qershor 1456, ai do u bënte thirrje të krishterëve (Itali, Francë, Spanjë, Austri, Hungari, Dalmaci, Bosnjë, Serbi, Arbëri, Portugali, Zvicër, Gjermani, Poloni), për t’u bashkuar kundër të pafeve, ku një rol të veçantë luajti Shën Giovannida Capestrano (1386-1456). Në korrik 1456 ushtritë hungareze e mundën ushtrinë turke të përbërë nga 100 000 trupa të komanduar nga vetë Mehmeti II, në betejën e famshme të Beogradit, ndërkohë që Gjergj Kastrioti sikurse edhe në betejën e Varnës (1444) dhe në betejën e Kosovës (1448), nuk mori pjesë, ngaqë ishte i zënë dhe nën presionin dhe frikën e sulmeve turke në Arbëri. Mbas një muaji, më 11 gusht të viti 1456, vdiq János Hunyadi (1407 –1456), me të cilin u shua qëndresa e hungarezëve ndaj pushtuesve osmanë, një ndër pritat më të fuqishme të luftës antiosmane në Ballkan sikurse dhe më 23 tetor të të njëjtit vit vdiq edhe Giovanni Capestrano pas infektimit nga një epidemi në fushëbetejë. Pa kaluar shumë kohë, i penduar për bashkëpunimin me osmanët, Moisiu u kthye në Arbëri për të luftuar besnikërisht deri në vdekje përkrah Skënderbeut, i cili e fali dhe i riktheu menjëherë pronat e pasuritë e konfiskuara pas dezertimit. Moisiu, i penduar për zgjedhjen e bërë më parë, iu dorëzua Skënderbeut dhe i shërbeu atij me besnikëri deri në fund. Po atë vit në muajin tetor, Gjergj Stres Balsha, i biri i Jellës, motrës së Skëndërbeut u kishte dorëzuar turqve, me sa duket kundrejt një sasie të hollash, kështjellën e Modricës, ndërsa vitin pasues edhe nipi dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Skënderbeut, Hamza Kastrioti, i cili e humbi shpresën për t’i zënë vendin ungjit të vet, kur këtij të fundit i lindi djali trashëgimtar Gjoni, ndaj lakmia për pushtet e mori pas vetës duke bërë që të kalonte në anën e sulltanit. Po ashtu Lekë Dukagjini me ndihmën e turqve pushtoi në fillim të nëntorit 1456, kështjellën e Danjës duke rrezikuar seriozisht një konflikt mes Skënderbeut dhe Venedikut. Me vdekjen e  Jancu de Hunedoara (János Hunyadi-t/Janku prej Hunedoare ose sikurse e ka quajtur Noli Janko Huniadin),i vetmi kundërshtar njemendë i barabartë që mund t’a pengonte marshimin e tij drejt Perëndimit ishte princi i Arbërisë Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe. Përkundër kësaj gjendjeje të vështirë, viti 1457 nga maji deri në shtator do të ishte një vit ndeshjesh të pazakonta me turqit, çka e bëri Skënderbeun t’u drejtohej për ndihma Papës dhe mbretit Alfons. Sulltan Mehmet Fatihu I në korrik të vitit 1457, dërgoi një ushtri që nga burimet e kohës numëronte 80 000 ushtarë, nën komandën e Isak bej Evrenozit, së cilës i qe bashkuar edhe i nipi i Skënderbeut Hamza Kastrioti. Ky i fundit duke qenë njohës i mirë i vendit, i ushtrisë shqiptare dhe i taktikës luftarake të Skënderbeut, pasi hyri në Arbëri nga ana e Dibrës, përpara se t’i drejtohej Krujës, e këshilloi komandantin turk të sulmonte masën kryesore të ushtrisë arbërore e cila bashkë me komandantin e saj qëndronte zakonisht jashtë kështjellave. Skënderbeu mblodhi ushtrinë e tij, dhe duke parë raportin numerik ushtarak të disfavorshëm,vendosi të mos e pristë armikun në fushë të hapur ndoqi një taktikë të re e quajtur nismë e lëvizjeve e që historiani Aurel Plasari e quan mbrojtje sulmuese. Nëse më parë ai e kishte tërhequr ushtrinë turke atje ku atij i interesonte për ta sulmuar më pas në befasi atje ku ajo nuk e priste, kësaj here ushtria arbërore me rreth 8-10 mijë vetë, drejtuar prej tij, pasi kreu një sërë veprimesh dhe ndeshjesh thuajse sporadike e të parëndësishme me të, d.m.th,. pa e futur në betejë, duke mos i dhënë mundësinë e një ndeshjeje ballore, pasi kreu disa tërheqje, bëri një manovër duke e shpërndarë përkohësisht masën kryesore të ushtrisë e duke u tërhequar nëpër male e pyje me demek si i shpartalluar nga Dibra e Poshtme, se ushtarët e tij kishin dezertuar, se krerët e kishin tradhëtuar, dhe se ai vetë po kërkonte shpëtim, aq sa kjo gjë u vu re dhe u raportua si braktisje dhe heqje dorë, dorëzim prej luftës. Kjo manovër u muar si fakt i kryer edhe kapiteni venedikas i Durrësit, Marko Diedo, i cili njoftonte më 31 korrik 1457 dogjin/dukën e Republikës se: “i madhërishmi Skënderbe ka marrë malet për të shpëtuar kokën dhe e kanë braktisur të gjithë“. Trupat e Skënderbeut i paraprinë ushtrisë osmane dhe u vendosën në malin e Tumenishtit, (son në krahinën e Kurbinit), ndërsa trupat turke të prira nga Isak Bej Evrenozi dhe Hamza Kastrioti, pasi kaluan dhe kryen qetas grabitjen dhe djegiet të patrazuar në krahinë e Matit, duke mos e ndeshur në asnjë vend ushtrinë shqiptare, u bindën më në fund se Skënderbeu bazuar në gjurmët e “ikjes”, tashmë nuk linin dyshim se ai ishte shpartalluar dhe për rrjedhojë kaluan të qetësisht të gjithë luginën dhe lumin e Matit dhe u vendosën të shkujdesur në fushën e Ujëbardhës “et aquas quas Albulas accolae appelant”, të cilën Stefan Prifti e përkthen Bardhëzë, ndërsa Hasan Ceka e lokalizin në fshatin Zhejë, në mes të fshatrave Gjormë dhe Zhejë në afërsi të Mamurrasit, ku pasi kryen edhe këtu qetësisht plaçkitjet e zakonshme deri në Shufadà, ndërtuan kampin në pritje për të sulmuar synimin e kryehershëm, Krujën. Për të qenë i sigurt, Isak bej Evrenozi vendosi roje në grykën e lumit Mat deri edhe në Lezhë e Shkodër. Njoftimet diplomatike që qarkullonin, konfirmonin thuajse të gjitha se Skënderbeu ishte dërrmuar dhe ishte tërhequr, duke i lënë kështu dorë të lirë shkatërrimit dhe plaçkitjes së ushtrisë turke. Skënderbeu qëndroi në malin e Tumenishtit dhe rrethina të krahinës së Kurbinit, në fshehtësi të madhe përgjatë muajve korrik-gusht, falë edhe “…besnikërisë që treguan ushtarët dhe fshatarët e viseve ku Skënderbeu dhe forcat e veta qëndruan të fshehura për javë të tëra…”, e me pas pasi grumbulloi dhe organizoi me të shpejtë ushtrinë e tij të shpërndarë, duke shfrytëzuar edhe terrenin, pasi asgjesoi pa u vënë re rojet, e sulmoi në befasi ushtrinë turke të shkujdesur e shthurur, nga kodrat e malit në piskun e vapës më 2 shtator të vitit 1457, kur ushtria osmane gjendej pothuajse në gjumin e drekës, pa armë e me kuaj të pashaluar, duke i shkaktuar asaj njërën ndër katastrofat më të mëdha që kishte pësuar deri në atë kohë. Thuhet se në betejën e Ujëbardhës ushtria turke humbi rreth 15-30 000 ushtarë, ndërkohë që u zunë robër me mijëra veta, midis të cilëve edhe i nipi i Skëndërbeut Hamzai, të cilin sipas porosisë së dhënë e kurseu duke e burgosur fillimisht në Napoli, për ta liruar më pas për të shkuar në Turqi. Plaçka e siguruar nga fusha e betejës duke filluar nga kuajt, qe shumë e madhe, aq sa si njoftim për lajmin e fitores iu dërguan dhurata të çmuara Mbretit të Spanjës, Selisë së Shenjtë në Romë dhe Mretit Alfaons të Napolit. Forcat ushtarake të arbërve humbën në këtë betejë 240 vetë, të cilët u varrosën me nderime pranë Kishës Abaciale të Shën Mërisë në fshatin Shëmri.Pas disfatës së rëndë të vitit 1457 në betejën e Ujëbardhës, çka e detyroi Perandorinë osmane të kërkonte një armëpushim, sulltan Mehmeti II ndërpreu përkohësisht sulmet kundër Arbërisë dhe vetëm në vitet 60-të do të dërgonte kundër saj ushtri të tillë të fuqishme sa i takon forcave numerike. Fitorja e Skënderbeut erdhi pas humbjes që pësoi në Berat dy vjet më parë më 26 korrik 1455. Fitorja e jashtëzakoshme në betejën e Ujëbardhës është përshkruar nga mjaft historianë duke filluar me Marin Barletin në librin e dhjetë tek “Historia e Skënderbeut” (Historia de vita et gestis Scanderbegi…). Ajo bëri të harrohej humbja në Berat, ndaj ajo u kremtua jo vetëm në Arbëri por edhe në oborret e Romës, Napolit, Venedikut etj. Pas kësaj fitoreje Gjergj Kastrioti do të cilësohet nga Papa Kaliksti III “fortissimo Christi athletae” (atlet shumë i fortë i Krishtit), dhe do të emërohej prej tij “Komandant i Përgjithshëm i Kurjes së Romës në luftën antiturke.

430515_505823356112535_141405386_n

Fatmir Haxhiu.“Beteja e Ujëbardhës” (1967). Piktura në vaj ka përmasat (150×300) cm. Kjo vepër artistike i ka të gjitha premisat e një pikture historike, ku reflektohet një akt sulmimi, një dramatikë ngadhënjyese e Skënderbeut dhe e ushtarëve të tij, që përkujton betejën e zhvilluar në të njëjtin vend.

 

21231881_1750474644980727_5907296886264725187_n

Memoriali që përkujton betejën e Ujëbardhës.

 

 

 

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

1 Comment on BETEJA E UJËBARDHËS (ALBULENËS), 2 SHTATOR 1457

  1. per ujin e qelbet e ka fajin industria e biznesit.Sekeneroja mos ta vidhte doniken qe meyzeqaret ta donin dhendrin.

    Pëlqejeni

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: