Advertisements
Telegrafikisht

Anzhuinët dhe “Mbretëria e Arbrit”

5King_of_alania_Palazzo_Reale_di_Napoli_Carlo_I.png Sovrani i ri i mbretërisë së Sicilisë, Karli I Anzhu, trashëgoi synimet e vjetra të dinastive të Altavilëve normanë e të Hohenshtaufëve gjermanë. Në qendër të politikës së tij të jashtme u vu pushtimi i Lindjes e marrja e Konstandinopojës. Kjo politikë u nxit e u ushqye vazhdimisht nga kisha e Romës, e cila llogariste të organizonte, nëpërmjet anzhuinëve, një kryqëzatë të re kundër Bizantit dhe të realizonte kështu bashkimin me dhunë të kishave. Pikërisht në praninë e papës Klementit IV u nënshkrua në maj të vitit 1267 në Viterbo marrëveshja midis Karlit I Anzhu e perandorit të shfronëzuar latin të Konstandinopojës, Balduinit II, në bazë të së cilës ky i fundit ia kalonte të drejtat e tij në Lindje mbretit anzhuin. Marrëveshja në fjalë përcaktonte si fazë të parë të ndërmarrjes anzhuine zënien e një kryeure në bregdetin shqiptar, në zotërimet e ish-mbretit Manfred. Karli I Anzhu u mundua të afirmonte të drejtat e tij në vijë trashëgimije mbi zotërimet shqiptare të Manfredit, duke i shndërruar në vasalë të tij bashkëpunëtorët e Manfredit në Shqipëri. Në këtë kuadër, më 1267, Karli I emëroi si mëkëmbës të tij në Shqipëri Gaco Kinardin, një i afërm i mëkëmbësit të vrarë të Manfredit, Filipit. Por as kështjellari i Korfuzit, as ai i Vlorës, i Butrintit e i Sopotit dhe as kapiten Vrana e qytetarët e Durrësit nuk dëgjuan të kalojnë nën sovranitetin anzhuin. Përkundrazi, marrëdhëniet e mbretit Karl me bregun përballë mbetën të ndera deri në vitin 1271. Atë kohë, vetë ai shprehej në një letër se shqiptarët e “urrenin emrin e tij” (in odium nostri nominis). Gjithsesi, anzhuinët nuk ndërmorën ndonjë fushatë të armatosur. Karli I u përpoq të tërhiqte me anë premtimesh krerët shqiptarë dhe në vitin 1271 ai duket se kishte vendosur një dialog me aristokracinë e Arbrit si edhe me bashkësinë qytetare të Durrësit. Gjatë atij viti dy priftërinj katolikë shqiptarë, Gjoni nga Durrësi dhe Nikolla nga Arbri, si të besuar të mbretit Karl dhe të aleatit të tij të madh, papës Gregori X, bënë disa udhëtime midis Napolit e Durrësit, duke përcjellë mesazhet e mbretit te krerët shqiptarë. Në fillim të shkurtit 1272 mbërriti në oborrin anzhuin në Napoli një përfaqësi e fisnikërisë së Arbrit dhe e bashkësisë qytetare të Durrësit. Në përfundim të traktativave me Karlin Anzhu u shpall bashkimi i “Mbretërisë së Arbrit” (Regnum Albaniae) me mbretërinë e Sicilisë nën sovranitetin e mbretit Karl (Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae). Kthesa e fisnikëve shqiptarë në marrëdhëniet me mbretin anzhuin ndodhi për një sërë arsyesh të jashtme dhe të brendshme. Në atë kohë bizantinët dhe serbët e kishin rritur presionin në trevat shqiptare që ishin ende jashtë kontrollit të tyre. Serbët i ishin afruar tashmë zonës së Dibrës, kurse Perandoria Bizantine e kishte rivendosur sundimin e saj në një pjesë të mirë të Shqipërisë së brendshme. Marrja e Beratit menjëherë pas fitores së bizantinëve në Pelagoni (Manastir), më 1259, i jepte Bizantit një bazë strategjike mjaft të rëndësishme për të shtrirë më tej zonën e kontrollit të vet deri në vijën bregdetare. Vështirësive të aristokracisë shqiptare në marrëdhëniet me këto fuqi të huaja, u shtoheshin edhe ndarjet e konfliktet midis vetë fisnikëve shqiptarë. Në këtë kohë edhe Principata e dikurshme e Arbrit e kishte humbur shkëlqimin që kishte pasur në kohën e princit Dhimitër. Në vend të një familjeje feudale, në trevën e Arbrit ushtronin ndikimin dhe pushtetin e tyre disa familje, shpesh herë në konflikt me njëra-tjetrën, siç ishin familjet Skurra, Vrana, Blinishti, Topia, Arianiti etj. Në këtë mënyrë, njohja e një sovrani të huaj u pa edhe si një mjet për të qetësuar rivalitetet midis tyre. Së fundi, jo pa rol ishte edhe fakti që në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Durrësit dhe të Arbrit, ekzistonte tashmë një grupim filo-anzhuin, që përfaqësohej kryesisht nga kleri katolik i Durrësit dhe i Arbrit, që nën sundimin e Manfredit, armikut të egër të Papatit, kishte pësuar përndjekje nga më të ashprat. Për rrjedhojë, ky ishte i prirur të bashkëpunonte me sovranin e ri të Sicilisë, Karlin Anzhu, që ndryshe nga Manfredi, ishte beniamin dhe krahu i djathtë i kishës katolike të Romës. Pavarësisht nga motive të tilla që flisnin në të mirë të anzhuinëve, kompromisi i vitit 1272 midis anzhuinëve e aristokracisë shqiptare u bë i mundur vetëm pasi Karli I Anzhu u dha krerëve shqiptarë garancitë e kërkuara. Në dy diploma të dala nga kancelaria e tij më 20 e 21 shkurt 1272, u premtonte atyre mbrojtjen e tij (protectionem suam) dhe njohjen e të gjitha privilegjeve, normave e dokeve “të mira” të mëparshme. Teksti i tyre tregon qartë që njohja e sovranitetit anzhuin nga krerët shqiptarë nuk qe një “dorëzim” pa kushte, por një ujdi e arritur, siç shprehej vetë mbreti Karl, “pa kurrfarë dhune e shtrëngimi” (absque aliqua violentia seu cohactione). Anzhuinët kënaqnin në thelb dy kërkesat themelore të shqiptarëve: kërkesën për një angazhim të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë, dhe kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-administrative të fisnikëve vendas brenda kuadrit të “Mbretërisë së Arbrit”. Pavarësisht nga premtimet joshëse të anzhuinëve, jo menjëherë e jo të gjithë fisnikët shqiptarë u tërhoqën prej tyre. Koha e gjatë, që iu desh Karlit I Anzhu për të realizuar planin e vet, ishte prova më e mirë se në gjirin e aristokracisë shqiptare kishte ngurrime lidhur me një orientim proanzhuin. Në fakt, anzhuinët përcaktuan qysh në fillim hapësirën midis Durrësit e Vlorës ose më saktë midis Matit e Seman-Devollit, si zonë e interesave të tyre jetike në Shqipëri. Tokat jashtë tyre anzhuinët i panë para së gjithash në funksion të marrëdhënieve me shtetet aleate ballkanike, në radhë të parë me mbretërinë e Serbisë. Kjo vijë politike e anzhuinëve i prishi këta qysh në fillim me një krah të rëndësishëm të aristokracisë shqiptare. Aleanca me Mbretërinë Serbe pati gjithmonë përparësi për Karlin Anzhu dhe ky refuzoi të merrte në mbrojtje fisnikët shqiptarë, si Gropajt e Dibrës, tokat e të cilëve ndodheshin nën kërcënimin e pushtimit serb. Por marrëdhëniet e anzhuinëve nuk vonuan të prishen edhe me fisnikët-vasalë të tyre të “Mbretërisë së Arbrit”. Premtimet lidhur me njohjen e autonomisë e të privilegjeve të vjetra, që Karli I u kishte dhënë krerëve shqiptarë në fillim, u treguan se ishin demagogji. Fisnikët shqiptarë u detyruan të kryejnë “betimin dhe homazhin feudal” (ligii homagii iuramentum). Këtu u vendos një administratë e fortë ushtarake, ku aristokracia shqiptare nuk përfaqësohej në asnjë instancë të saj. Të gjithë funksionarët, që nga “kapiteni e mëkëmbësi i Mbretërisë së Arbërisë”, te mareshali, kështjellarët, intendentët e postet më të ulëta, ishin me kombësi franko-italiane. Shqiptarët ishin përjashtuar nga çdo rol efektiv në këtë “Mbretëri të Arbërisë”. Fisnikët shqiptarë, që njohin për kryezot Karlin I Anzhu e që u përfshinë në “Mbretërinë e Arbërisë”, u organizuan prej anzhuinëve në një lloj “këshilli regjence”. Karli I u vinte atyre kufirin e të drejtave e detyrave, kur i këshillonte se “duhej t’i bindeshin mëkëmbësit e kapitenit të përgjithshëm të Mbretërisë së Arbrit dhe ta ndihmonin atë me të gjitha forcat e për çdo punë, qoftë me këshilla, qoftë me mjetet e nevojshme”. Dokumentet anzhuine lënë të kuptohet qartë se ku konsistonte ndihma e krerëve shqiptarë për kryezotin anzhuin. Në radhë të parë ata duhet të shoqëronin trupat anzhuine në fushatat ushtarake. Ky shërbim i tyre përputhej me thelbin e regjimit anzhuin e të “Mbretërisë së Arbrit”, të cilën anzhuinët e projektuan dhe e ndërtuan si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike. Shqiptarët duhet të luftonin, kështu, për një qëllim që s’qe i tyre e që ata nuk e ndienin. Kjo i zhgënjeu shpresat fillestare të tyre, të ushqyera nga premtimet e Karlit I Anzhu, që ua serviri atyre “Mbretërinë e Arbrit” si një pasardhëse të natyrshme të Principatës së Arbrit, ku fisnikët shqiptarë do të ruanin autonominë e tyre e do të luanin rol parësor. Por regjimi i ri anzhuin nuk pati pasoja negative vetëm në planin politik. Anzhuinët vendosën në zotërimet e tyre një regjim të rreptë shfrytëzimi. Fonde të mëdha tokësore iu rrëmbyen pronarëve vendas, në radhë të parë kundërshtarëve të regjimit anzhuin, e u shpërndanë në të mirë të kurorës, të funksionarëve e feudalëve anzhuinë dhe të kishave, kuvendeve e manastireve katolike të themeluara me shumicë nga klerikët e huaj, të ardhur bashkë me anzhuinët e që përfaqësonin një mbështetje shoqërore e mjet diversioni ideologjik të tyre. Fshatarësia shqiptare, që punonte në këto toka, iu nënshtrua një shfrytëzimi intensiv e të panjohur deri atëherë. Të ardhura të mëdha hynin në arkën mbretërore e të funksionarëve anzhuinë nga taksat e detyrimet që shpeshherë këta ia impononin në mënyrë arbitrare popullsisë vendase. Vendosja e regjimit anzhuin pati reflekse negative edhe në jetën e qyteteve. Autonomia e tyre u ngushtua, organet bashkiake të qeverisjes pushuan së funksionuari e u zëvendësuan nga administrata anzhuine. Interesat ekonomikë të shtresave tregtare-zejtare e të vegjëlisë u dëmtuan rëndë nga politika e monopolit shtetëror mbi prodhimin e shitjen e produkteve kryesore, si dhe nga detyrimet nga më të ndryshmet që nëpunësit anzhuinë ngarkonin në kurriz të popullsisë qytetare. Të ardhurat e shumta që vinin nga prodhimi dhe tregtia e kripës shkonin në dobi të mbajtjes së trupave dhe të administratës anzhuine në Shqipëri. Në këtë mënyrë regjimi anzhuin ngjalli që në muajt e parë zhgënjim e pakënaqësi midis shtresave më të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Zëdhënëse e kësaj pakënaqësie u bë aristokracia shqiptare, brenda e jashtë kuadrit të “Mbretërisë së Arbrit”, e cila e pa se anzhuinët i shkelën pa ngurruar aspiratat e saj politike. Për t’i detyruar krerët shqiptarë që t’i rrinin besnikë e mos të ngrinin krye, Karli I filloi të marrë peng fëmijët e tyre, të cilët i çonte e i ruante në kështjellat e Italisë së Jugut, ku këta trajtoheshin si të ishin robër, aq sa në mjaft raste ata të tentonin të arratiseshin. Përplasjet e shqiptarëve me anzhuinët, që në fillimet e vendosjes së këtyre të fundit në Shqipëri, favorizuan lojën e bizantinëve. Duke filluar nga vera e vitit 1272, perandori bizantin Mihali VIII Paleolog ishte vënë në kontakt me fisnikët shqiptarë dhe përpiqej t’i bënte ata për vete e t’i hidhte kundër anzhuinëve. Përpjekja e tij mbështetej në premtimet e garancitë që u paraqiste shqiptarëve e s’ka dyshim që në këtë pikë ai nuk mbeti pas, madje e kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, përderisa arriti qysh në fillim të bënte për vete (“të mashtrojë”, sipas shprehjes së Karlit I) mjaft prej tyre. Në verën e vitit 1274, vetë dokumentet anzhuine bëjnë fjalë për një aleancë operative midis bizantinëve e fisnikëve shqiptarë. Në gusht të atij viti aleatët kishin arritur një fitore të parë mbi anzhuinët, duke u shkaktuar atyre mjaft të vrarë e duke zënë shumë të tjerë robër. Në muajin nëntor komandantët anzhuinë në Shqipëri i raportonin mbretit anzhuin Karl se “arbëreshët e bizantinët kishin rrethuar Durrësin”. Informatat e mëvonshme konfirmonin se luftimet tashmë ishin përqendruar në afërsi të kështjellave bizantine. Shpërthimi i konfliktit të hapur me shqiptarët bëri që fronti i luftimeve të zhvendosej me shpejtësi në afërsi të kështjellave anzhuine të bregdetit. Forca tërheqëse e këtij orientimi të ri të aristokracisë shqiptare kundër anzhuinëve u bënë ata fisnikë që kishin mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj anzhuinëve e që nuk ishin përfshirë në “Mbretërinë e Arbrit”. Të tillë qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit. Me kohë me këta fisnikë u bashkuan edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur vasalë të mbretit Karl. Në mënyrë mjaft domethënësë Karli I Anzhu fillon t’i quajë me emrin “tradhtarët e mi” (proditores nostros) fisnikë të tillë si Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj., që deri atëherë kishin qenë “besnikët e tij” (fideles suos). Ky qëndrim i ri qe me pasoja fatale për sundimin anzhuin. Zotërimet shqiptare të Karlit Anzhu apo, siç preferonte t’i quante ai, “Mbretëria e Arbrit”, që s’ishte veçse një shumë zotërimesh të fisnikëve shqiptarë, vasalë të tij, u reduktua, pas armiqësimit me ta, në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Rrjedhja e re, që morën marrëdhëniet e shqiptarëve me anzhuinët, dhe aleanca shqiptaro-bizantine, që pasoi, i përmbysi planet e mëdha të Karlit I Anzhu, i cili kishte shpresuar t’i çonte ushtritë e tij deri në Konstandinopojë. Për më tepër planet e mbretit anzhuin u komprometuan edhe nga afrimi i perandorit bizantin, Mihalit VIII Paleolog, me Papën. Ujdia që këta të dy arritën në Koncilin e Lionit, më 1274, për të realizuar bashkimin e kishave, e izoloi Karlin Anzhu duke i hequr atij përkrahjen e pakushtëzuar të Papatit. Në vend që të vazhdonte mësymjen drejt Lindjes, Karli u detyrua të nënshkruante një armëpushim me Mihalin VIII Paleolog (1276). Ndërkohë “bizantinët” e kishin kthyer Beratin në qendrën ku së bashku me fisnikët shqiptarë organizoheshin operacionet kundër kështjellave anzhuine. Komandën e kësaj kështjelle ata ia kishin besuar një fisniku vendas, sebastit Stano, që kryente funksionin e qefalisë (qeveritarit) të qytetit. Në atë kohë bizantinët kishin arritur të rrëmbenin edhe Spinaricën, lokalitetin bregdetar midis Vlorës e Durrësit. Në këtë mënyrë, zotërimet jugore të anzhuinëve ishin ndarë nga Durrësi nëpërmjet këtij pykëzimi bizantin nga Berati në bregdet. Ndërlidhjet midis zotërimeve anzhuine dhe midis tyre e Mbretërisë së Sicilisë kryheshin vetëm me anën e detit. Por edhe komunikimi detar ishte bërë i rrezikshëm, sepse një flotë bizantine me bazë në Spinaricë e në Butrint sulmonte anijet anzhuine. Duke parë gjendjen katastrofike të trupave të tij në Shqipëri, mbreti Karli I Anzhu mendoi të organizonte një fushatë të re, gjatë së cilës të nënshtronte krerët kryengritës shqiptarë dhe të merrte kështjellat e pushtuara ndërkohë nga perandori bizantin Mihali VIII Paleolog. Në këtë kuadër rëndësi e posaçme iu dha kështjellës së Beratit, kundër së cilës u përqendrua goditja kryesore anzhuine. Marrja e Beratit do të çlironte nga presioni bizantin bazat bregdetare të anzhuinëve (Vlorën, Durrësin) dhe do të krijonte kushtet për përparimin e ushtrive të Karlit Anzhu në brendësi të vendit. Është për këto arsye që Karli I i shkruante komandantit të ushtrisë anzhuine në Shqipëri se “nuk mund ta shprehte me fjalë rëndësinë që i jepte pushtimit të kështjellës së Beratit” (ad captionem castri Bellgradi, que ultra quam dici valeat cordi nostro residet ). Në prag të mësymjes, Karli I Anzhu konfirmoi aleancat me Serbinë e me Despotatin e Epirit. Despot Niqifori I i Epirit u shpall vasal i mbretit anzhuin dhe i dorëzoi këtij kështjellat e Butrintit, të Sopotit e të Porto-Palermos. Por para së gjithash Karli I bëri një përpjekje të re për t’i rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët e për t’i shkëputur këta nga bizantinët. Në këtë kuadër Karli I liroi nga burgjet italiane një numër krerësh shqiptarë kryengritës, mes të cilëve Gjin Muzakën, i cili mbahej “i lidhur me pranga të forta hekuri” në burgun e kështjellës së Brindizit së bashku me Dhimitër Zogun, Kasnec e Guljelm Blinishtin. Karlit I Anzhu i erdhën kërkesa të përsëritura nga fisnikët shqiptarë për ta liruar Muzakën. Me sa duket, Gjin Muzaka gëzonte pozitë e autoritet të veçantë dhe nëpërmjet tij mbreti anzhuin u përpoq të ndikonte mbi krerët shqiptarë. Në gusht të vitit 1280 ai urdhëroi lirimin e robit Muzaka, “pasi të kishte dhënë peng gruan e fëmijët e pasi të ishte betuar se nuk do të bashkohej më me armiqtë e mbretit Karl e nuk do të fliste e do të vepronte më kundër tij”. Në kushtet e përgatitjes së mësymjes anzhuine mbi Beratin, neutralizimi i Muzakajve, zotër të vendit, merrte kuptim të veçantë. Megjithatë, përpjekjet e anzhuinëve për diversion në radhët e aristokracisë shqiptare nuk dhanë rezultat. Në prag të betejës vendimtare për Beratin lajmet që i vinin Karlit I nga komandatët e tij në Shqipëri e njoftonin se “arbrit kishin ngritur përsëri krye dhe sulmonin trupat anzhuine”. Qëndrimi i vendosur antianzhuin i shumicës së fisnikëve shqiptarë kushtëzoi në mënyrë vendimtare ecurinë e mësymjes anzhuine. Ndërkohë që ushtria e Hygo de Sylit, e përforcuar nga kontingjentet e ardhura nga Durrësi, Vlora e Butrinti, kishte mbyllur rrethimin e Beratit, shqiptarët sulmonin kështjellat anzhuine të bregdetit duke e detyruar komandantin anzhuin t’i shpërqendronte forcat e të niste përforcime në drejtim të atyre kështjellave. Rrethimi anzhuin i Beratit zgjati disa muaj. Në dhjetor të vitit 1280 anzhuinët mundën më në fund të zinin lagjet e jashtme të qytetit (suburbia). Por në betejën finale, që u zhvillua në pranverën e vitit tjetër buzë Osumit, mbrojtësit e kështjellës i shkaktuan një disfatë të rëndë kalorisë frënge, duke zënë rob edhe vetë komandantin e ushtrisë anzhuine. Pas disfatës së Beratit anzhuinët u tërhoqën me shpejtësi në skajin bregdetar, ku mundën të ruajnë edhe për ca kohë kështjellat e rëndësishme të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Në vitin 1282 Karli I projektoi një fushatë të re kundër Bizantit, por po atë vit në Sicili shpërtheu kryengritja e madhe anti-anzhuine e “Mbrëmjeve siciliane”, në të cilën kishin dorë edhe perandori bizantin, Mihali VIII Paleologu, e mbreti i Aragonës. Paskëtaj nisi një periudhë 20-vjeçare luftërash midis aragonasve e anzhuinëve për zotërimin e Sicilisë. Në kushte të tilla ekspedita e re kundër Bizantit mbeti e parealizuar. Kështjellat që anzhuinët mbajtën edhe për disa vjet në bregdetin shqiptar mbetën si ishuj të izoluar nën rrethimin e vazhdueshëm të shqiptarëve e të bizantinëve. Brenda vitit 1285 anzhuinët braktisën edhe Durrësin, Vlorën e Kaninën. Fortesat e Butrintit, Sopotit e Porto-Palermos, që ata mundën të mbajnë në jug, në territoret e Despotatit të Epirit, ishin pika mbështetëse pa ndonjë rëndësi strategjike të veçantë. Në këtë mënyrë, pas rreth 15 vjetësh përpjekjesh për të fituar e për të mbajtur pozitat e tyre në Shqipëri, anzhuinët u detyruan të tërhiqen e t’ia lënë vendin Perandorisë Bizantine, që sakaq rivendosi autoritetin e saj në një pjesë të mirë të tokave shqiptare.

[Historia e popullit shqiptar”, Vëllimi I, Tiranë, 2002].

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: