Advertisements
Telegrafikisht

Shna Ndou i Padovës, Shenjti i mrekullive

E kush nuk e njeh në Shqipëri shenjtin e famshëm Shna Ndoun. Kush në jetën e tij nuk i është lutur këtij shenjti që bëri kaq shumë mrekulli në Shqipëri e kudo. Historia e këtij shenjti është frymëzuese për mijëra njerëz. Ai hyri në historinë botërore si një njeri që me jetën e tij frymëzoi mijëra breza dhe bëri shumë mrekulli. Një jetë shumë interesante është jeta e tij tokësore për tu ngjitur në qiellin e përjetësisë.

Shna Ndou i Padovës lindi në Lisbonë të Portugalisë më 15 gusht 1195. Dita e lindjes së Tij, nga një familje fisnikësh, përkonte me festën e Ngjitjes në qiell të Virgjëreshës Mari, nënës së Jezu Krishtit. Maria Tereza Tevera, një pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, e quajti lindjen e fëmijës, që mori emrin Fernand, një dhuratë të virgjëreshës dhe që në vogëli e edukoi me kultin e saj. Fëmija i lutej çdo ditë Virgjëreshës, e në moshë të vogël i premtoi asaj virgjërinë, për të qenë një adhurues i saj i përhershëm. Që hershëm u shfaq fuqia e tij për të kryer mrekulli. Ai u rrit mes librave të lutjeve, duke patur si qendër të shpirtit të tij dashurinë për Krishtin dhe për Virgjëreshën Mari.IMG_2168

Tri parimet, mbi të cilat mbështetej formimi i brendshëm i Fernandit, ishin : përvuajtja, dlirësia dhe mëshira, të njëjtat mësime kryesore të Jezuit për ndjekësit e Tij. Në moshën 15–vjeçare Fernandi u largua nga familja dhe u fut në një manastir të agostinianëve, që ngrihej mbi një kodër buzë lumit Tago. Në qetësinë e tij, djaloshi i zellshëm u formua në shkollën e Shën Agostinit, duke studiuar veprat e Tij, por edhe vëllimet e Biblës, komentet e thella të Etërve të Kishës mbi to, veprat bashkëkohore enciklopedike. Mbas dy vitesh Fernandi u largua nga kodrat e lulëzuara të qytetit të lindjes, për të gjetur strehë në abacinë e Shën Kryqit të Koimbrës, kryeqytet i atëhershëm i Portugalisë e qyteti universitar më i famshëm i saj.

Sipas Rigauld, një prej biografëve të tij  “atje Fernandi bëri përparime të shpejta në përsosmërinë dhe në studimin e Fesë, në të cilën arriti në majat më të larta. “Në kronikat e abacisë Fernandi “ishte një njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të mëdha letrare e i kurorëzuar me merita të lavdishme”.

Në Koimbra Fernandi qëndroi nëntë vjet. Mbas tyre Ai u njoh me përvojën e Shën Françeskut të Asizit, nëpërmjet pesë martirëve që u vranë në Marok, dhe vendosi të hyjë në Urdhrin e Fratërve minorë. Përballë jetës akademike të kanonikut agostinian Fernandi parapëlqeu atë të thjeshtën të Sh. Françeskut, duke ndërruar emrin në Anton (Ndue) e duke kërkuar mbrojtjen e eremitit të madh e Shenjtit me të njëjtin emër, që kishte jetuar në kuvendin e Oliveras. Por edhe qëndrimi në këtë kuvend qe i shkurtër dhe Antoni 25-vjeçar vendosi të largohet nga atdheu e të niset për në Marok, për të përhapur atje mësimet e Ungjillit. Nuk arriti të sendërtojë misionin që i vuri vetes sepse, sapo zbriti në Marok, e zunë ethet e malaries, nga të cilat u shërua mbas disa muajsh.

Mbas shërimit u nis me anije për t’u kthyer në Spanjë, por një stuhi e fuqishme e detyroi anijen të zbarkonte në Siçili. Këtu filloi veprimtaria baritore e Tij, që u zhvillua në shumë qytete të Italisë si Montepaolo, Cefalû, Noto, Lentini, Forlí, Rimini, Vercelli, Bologna, në të cilët Ai shpalosi gjithë përgatitjen e Tij fetare e intelektuale, duke marrë titullin “Baba i shkencës”, siç e quajti kardinali francez Montfort, arqipeshkvi i Boulogne-s. Të gjitha predikimet e Tij shoqëroheshin shpesh edhe me mrekulli të papara, që kishin krijuar te njerëzit e thjeshtë një adhurim e besim të jashtëzakonshëm. Madje vetë Shën Françesku, krijuesi i Urdhrit të ri të Kishës në atë periudhë, e quante atë “më të diturin e bijve të Tij” dhe e dërgoi me mision në Francë më 1224, ku herezia kundër krishterimit ishte përhapur shumë.“Shqipëria tjetër”_ të fshehtat e jashtëzakonshme të Laçit   Top Channel Albania   News   Lajme 169

Në Francë Ai shpalosi dijen, përkushtimin dhe talentin e Tij të spikatur në mjedise të molepsura, duke kundërshtuar herezinë e mungesën e besimit që kishte pllakosur Francën e jugut, duke predikuar në Montpellier, në Tuluzë, në Velay, në Lingadoca, Limoges, Arles. Në Limoges vuri në dukje edhe njëherë aftësinë e Taumaturgut, kur një furtunë e madhe po detyronte njerëzit e shumtë jashtë kishës të largoheshin. Por Doktori i shkencave i siguroi se ata nuk do të lageshin, dhe ashtu ndodhi. Mbas tre vjetësh pune të një dobie të jashtëzakonshme për ripohimin e doktrinës dhe kthimin në rrugën e drejtë të shumë heretikëve, Ai u largua nga Franca e cila, së bashku me Shën Dominikun, e konsideron ende një nga bamirësit e saj më të mëdhenj, një apostull e çlirues të jashtëzakonshëm.

Në kthim Atë Antoni zbriti në Siçili e mandej, në udhëtimin drejt Umbrias, u ndal në Romë, në javën e Pashkës. Predikimet e Tij në kryeqytetin papnor u dëgjuan me shumë entuziazëm nga mijëra pelegrinë, madje edhe nga vetë Papa Gregori IX, që e quajti Atë “Arka e gjallë e Biblës”. Pastaj Ai u shpërngul në veri-lindje të Italisë e ushtroi veprimtarinë ungjillore në gjithë bregdetin e Gjirit të Triestes, që nga Aquilea, Venediku, Gorizia dhe Udine. Në Vareze themeloi kuvendin, ndërsa në Ferrara, në një ceremoni kishtare, kreu një mrekulli që mbeti si një nga kryeveprat e Tij. Një grua fisnike, bashkëshortja e patricit Obizzi, akuzohej për tradhëti bashkëshortore nga i shoqi që nuk donte të njihte as fëmijën e tij. Gruaja kërkoi ndihmën e Taumaturgut. Ai, që i besonte asaj, “mbasi i dëgjoi të dy, mori fëmijën në krahë, ngriti sytë nga qielli dhe tha: N’emër të fëmijës hyjnore të përgjërohem o vogëlush, të thuash publikisht, me fjalë të qarta e pozitive, se cili është autori i ditëve tuaja.

Atëherë fëmija, edhe se ishte në shpërgënj, u kthye nga i ati dhe shqiptoi qartë këto fjalë: Ja babai im!” Kjo mrekulli u pasqyrua në një basoreliev të Donatellos dhe në një reliev të lartë të Lombardos, pranë varrit të Shenjtit. (Eugenio Pilla : “Il Santo” F. 172)

Atë Antoni u dërgua në Firence për të paqtuar guelfët e gibelinët, kaloi në Bolonjë, Milano, Verona e Mantova, por qyteti që zgjodhi për jetën dhe fundin e saj, ishte Padova, në të cilin mbylli sytë më 13 qershor të vitit 1231, në moshën 36-vjeçare, mbasi kishte përballuar një tiran gjakpirës si Eselino III da Romano, duke bërë t’i bjerë në gjunjë e duke i treguar se nuk i trembej asnjë pushteti tokësor. Ai la edhe disa vepra të shkruara si “Panegjirikët e Shejtëvet”, “Bisedë mbi psalmet”, “Biseda mbi kohën”. Pa mbushur njëmbëdhjetë muaj nga ndërrimi jetë, Papa Gregori IX, me kërkesën e fuqishme të besimtarëve, e shpalli Shenjt Antonin e Padovës.              27176_387842236670_2262374_n

Kjo ishte, me pak penelata, figura e Shenjtit që u bë kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh, që u dha atyre kurajën për të përballuar vështirësitë e jetës, ndërmjet tyre edhe për të sfiduar diktaturën më mizore. Ajo kurajë e kishte zanafillën në vargun e mrekullive që i Plotfuqishmi, Jezui dhe Virgjëresha i jepnin mundësi Atij të kryente për njerëzit, mrekulli që vazhduan me shekuj në të gjithë botën, fatmirësisht edhe në Shqipërinë tonë. Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë një nga përbërësit më të rëndësishëm të jetës fetare e shpirtërore të popullit tonë.

Kisha e Shna Ndout në Sebaste u ndërtua rreth vitit 1300 dhe u shkatërrua më 1971. Në të shërbyen shumë rektorë e meshtarë, ndër të cilët emra të shquar të kishës e kulturës shqiptare si Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Mati Prenushi, Atë Klement Miraj, Mons. Robert Ashta, Atë Zef Pllumi etj.

(Eugjen Merlika, Rigauld “Historia e shenjtit Fernand”)

Reklame

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: