Advertisements
Telegrafikisht

Famullia e Shna Prendes monografia e panjohur e imzot Frano Ilias

Famullia e Shna Prendes, është një studim i shkurtër i Imzot Frano Ilias, ku ai bën një historik të shkurtër të një prej famullive më të hershme shqiptare asaj të Shna Prendes në Kurbin, dikur abaci benediktine e cila më pas për 244 vjet qe seli e Kryeipeshkvisë së Durësit, ku edhe u hap e para shkollë shqipe (1632) brenda territorit të sotëm shqiptar, e cila gjendet thuajse në kufi të Shqipërsisë qendrore dhe asaj veriore.

I përfunduar në fillim të pranverës së vitit 1962, monografia i kushtohet Imzot Gaspër Gurakuqit, meshtarit që na la modelin e shkrimit të historisë kishtare shqiptare nisur prej njësive administartive territoriale kishtare, punë që ende sot nuk është kryer sa duhet.images

Përkundrazi Dom Franoja falë formimit dhe përgatitjes së tij shumëdisiplinare dhe mbi të gjithja falë njohjes së mirë të dokumentacionit historik, kryesisht kryeveprës Illyricum Sacrum të Daniele Farlati-t dhe Jacobo Coleti-t, volumin VII të së cilës e la thuajse të përkthyer plotësisht, ka mbërrritur të na japë një pamje shumë interesante jo vetëm të kësaj famullie por edhe të Kryeipeshkvisë së Durrësit me sufraganet e saj, një pamje kjo tërësisht origjinale në kontekstin e historisë së Arbërisë mesjetare.

Materiali dorëshkrimor u nxor nga fondi dorëshkrimor i autorit që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, Fondi 569, Dosja 23, botuar fillimisht në monografinë: Frano Illia, Famullia e Milotit, Përgatiti: Kastriot Marku, Lezhë, 2006. f. 185 – 208.. Duke dashur që kjo paraqitje e shkurtër e jona të mos i marrë kohë lexuesit më shumë sa e meriton, po ia lëmë atij pra pa humbur kohë ta shijojë tekstin e famullitarit historian. Theksojmë po ashtu se kemi ruajtur gjuhën origjinale të autorit, në pajtim me kriteret filologjike që ndiqen në kësi rastesh për dorëshkrimet e autorëve të cilët kanë ndërruar jetë prej kohësh.

Parathanje

Gjatë gadi tetë vjetësh (1945-1953) shërbimi si famullitar e mandej prej 1953 si administratuer i Famullive Shna Prende e Skuraj, kam pasë rasë t’i shetis pllamë për pllamë këto vende, të rrijë sidomos bri votrash me burra të vjetër e t’urtë të këtyne katundeve e të bisedoj me ta për çashtje zakonesh e gojëdhansh. Prej gojës së tyne i kam marrë gojëdhanat qi do të rreshtoj gjatë këtij punimi të vogël. Theksoj se ky popull asht fort konservator, i lidhun ngushtë me zakonet e traditat e veta të lashta.

Tue u afeksionue me këtë popull të dashtun e me këto vende të bekueme ku kje, thueje lama e parë e veprimit tim meshtarak, i nxitun edhe nga shembulli e fjala e te Ndertit e të dashtunit Timzot Gasper Gurakuqit, Meshtar i Dioçezit të Sapës, fillova të mbledhi gojëdhana të vendit e njoftime historike nga ato gurra qi paçë mundsi të kishem perdoresh e qi vlejnë për historinë e këtyre famullive shumë të vjetra e të përmenduna. Tue punue në këtë drejtim, m’erdh dishiri të mbledhi njoftime historike e gojëdhanore edhe mbi famulli të tjera të Kurbinit, me qëllim qi të rreshtoj këso dore nji punim historik sado të mangtë mbi këtë krahinë, dhe këtë dishir po vazhdoj ta çoj në vend mbrenda mundsive të mija.

Të tilla punime kanë si qëllim të fundit edhe grumbullimin e sa më shumë materjaleve per rreshtimin e historis s’Arkidjeçezit të Durrësit. Mbasi e kam krye përkthimin e pjesës, posë tjerash mbi Arkidjeçezin e Durrësit e të Sufraganeve të tij të blenit VII të “Illyricum Sacrum” të Danjel Farlatit, me ndihmën edhe të kolegëve, ka me kenë e mujtun ndoshta të rreshtohet, sado me mungesa, historija e këtij Arkidjeçezi shumë të vjetër e të travajtuem, pak a shumë si asht ba për Djeçezin e Sapës nga Imzot Gaspër Gurakuqi, famullitar tashti i Dajçit të Zadrimës dhe për Arkidjeçezin Metropolitan të Shkodrës nga z. Gjush Sheldija me rastin e Qindvjetorit të Kathedrales së Shkodrës.

Punime të tilla janë me të vërtetë të vështira, qi të dalin diçka, per mungesë dokumentash e pamundsi shfrytzimi t’ arkivave e të biblotekave prei kah mund të nxirren materjale. Por duhet ba ç’asht e mujtun. Këtë punim, si edhe mbi famulli të Skurajt, të cilin së shpejti kam mend të shkruej në disa kopje, si këtë, i kam pasë gati qyshë para vjetit 1953, kur ishem në Shna Prende. Mbas insistimesh s’Ordinarit z. Dom Zef Bicit e t’Atë Viktor Volajt famullitar i Bizës, i dhashe nji shikim këti punimi dhe e daktilografova në tri kopje, nji nder të cilat do të ruhet në Kurjen Arqipeshkvnore të Durrësit. Para se t’i epshem shikimin e fundit këti punimi, paçë para sysh edhe monografin e Atë Viktorit mbi famullin e Bizës.
13619792_1316048925089524_505010956079965602395_n

Fjala e këti pra, ishte e përcjellun edhe me shembull. Po më kande këtu t’i sjelli atë Viktorit pergëzimet dhe falenderjet e mija për këtë punim shumë të çmueshëm, qi pertej mundsive të veta, si thotë ai vetë, e rreshtoi mbrenda nji kohe shumë të shkurtë në famullin e re e të parë, e permateper mes dallkash të ndërtimeve në qelën e Bizës gadi të pabanueshme e të përmirësimeve në atë Kishë të dobsueme.

Tue i shterngue dorën Atë Viktorit shtoj se po të punojnë pak a shumë këso dore së paku ma e shumta e famullitarëve për famullit e veta, do t’ ishte nji ndimë e madhe për grumbullimin e materjaleve të njij historije mjaft t’imtë të Djeçezeve. Për kët qëllim, Ordinari z. D. Zef Bici po kërkon herë mbas herë prei famullitarësh njoftime historike mbi famullit ku shërbejnë, tue paraqitë për letsim nji listë pyetjesh.

Milot, më 1 mars 1962. D. Frano Illiaj
Famullitar i Milotit e Administrator i Shna Prende-Skuraj.

FAMULLIA E SHNA PRENDES

Tue u ndalë në Milot apo në Laç të Kurbinit, na paraqitet kah lindja nji mal i gjatë horizontalisht me drejtim veri-jug, tashti i gjysmëpyllzuem, maja ma e naltë e të cilit mbërrin deri në 787.m. Por sa të dalim, per kund dy orë udhtim të mundshëm kambë, në maje të këtij mali, na del para sysh, prap kah lindja, nji varg tjetër malesh, qi prej majes së malit të Skanderbegut (1527.m), dimen e prendverë me borë, vazhdon kah veriu i mveshun kreshtash me hala vigane deri në Trodhna, mandej vazhdon me malin gjysmë të pyllzuem të Skurajt e ma në fund tretë syni në malet e nalta të Malsisë së Lezhës, të Mirditës e të Mbishkodrës, që mbyllin atë horizont veruer.

Tue e ulë synin nëpër shpat krejt të pyllzuem, tanë kodra e gryka, shohim luginen e gjatë e të thellë, qi na ndan nga mali i pershkruem dhe në fund t’ asaj lugine, ulet gjarpnues lumi i vogël Hurdhaza që shkon tue u rritë me prroje, gurra e vadat e veta bamirëse e që ma në fund derdhet në lumin Mat, paksa ma nalt se ku bashkohet ky me Fandin.

Shi në parzem t’ati mali mes katundesh Gallatë e Skuraj, prei së cillësh asht larg kund nji orë udhtim kambë, mbi një kodër kundruese, na ndeshë syni menjiherë si në nji kështjell të vogël të vetmuem; asht vakufi i Shna Prendes, trull Benediktin e Françeskan dhe ma vonë strehe besnike e Barive të grigjës së Krishtit gjatë shekujsh të zymtë per Fé e Atdhè, kur mbas vdekjes së Pararojës së Krishtenimit prendimuer të tij, urditë turke u derdhen në Shqipni, si nji lum, qi thye penden, merr hov me gjàmë e ushtimë, tue shkatrrue e rrëmbye çka të gjejë perpara.

Në këte vend të vetmuem e të egër, në këte koder të ndritun e zotnuese, mes nji populli tanë fé, nderë, besë e burrni, ndersa në fusha e qytete Elteri i Zotit u dhunue e u shemb, meshtarija mbarue e flija hyjnore s’iu mladit mà ndermjetse Hyjit, këtu Elteri i të Lumit u mbajt në kambë, Flija hyjnore iu mladit panderpré, pajtuese Perendis së zemruem kundra shqiptarësh felëshues, barit mujten të rrijnë gjatë 244 vjetësh mes grigjës së vet, gjithkah të kërcnueme, tue rujtë e rritë pakicen besnike, e cila qindroi heroikisht me shpirt nder dhamë gjatë pesë shekujsh.

Kjo koder e vogël, këto rrenoja shekullore, na flasin per kohë shum të lashta, per rrethana të vështira të Fées e t’Atdheut, si gjurmë dishmitare të nji historije të lumnueshme qi u zhduk.
Në këte koder të dashtun, nder këto rrenoja të përmallshme, të zymta si koha e tyne, paten të vetmin ngushllim e defrim breznit e kalueme të këtyne vendeve malore të bekueme. Këtu mblidheshin burrat e djelmtë e Kurbinit rreth Bariut e Princit të vet, qi ishte gjithshka per ta, per të gëzue Fé e shoqnì, per të ruejtë ligjë e zakone, per të drejtue e sundue Bajrakun e vet me kanunet e Maleve shqiptare, trashigue shekuj mbas shekujsh prej të Parësh. Këtu ruhej n’ato kohë të vështira per kombin tonë, nji farë autonomije e vogël, si askund në Shqipni.

Këtu lindi e u rrit per do kohë shpresa e atëhershme e klerit katolik t’atyne krahinave kishtare, qi dalkadalë erdh tue u pershì nga Arkidjeçezi i vjetër i Durrësit.
Në këte kodër të Shna Prendes gjindet kisha e re, shtëpija famullitare në perdorim, ashtu edhe muret e kishës së vjetër e kumbanorja jashtë përdorimit.

Kisha e vjetër e Shna Prendes tri faqe mur i ka gjithnji në kambë deri në nivel të trenve, kurse muri i ballit të saj, me sa materjale të tjera, kje përdor per ndertimin e Kishës së re. Kjo kishë ka kenë me tri navata, të cilat që në kohë të vjetra e ndoshta të murgarve të dikurshem kanë kenë perdorë si vorrezë dhe mbas prishjes së plotë të saj u perdor krejtsisht per vorreza të katundit Gallatë deri në vjtin 1932, kur vorrezat e këti katundi kjenë vendosë në nji kodër ma poshtë, quejtë Sukanaltë.15301281_1453163811378034_2015210623_n

Kjo kishë, matë së jashtmi asht e gjatë 25,30 m e gjanë 12 m dhe e naltë kund 3 m. Trashsija e murit asht 0.70 m. Kupola hark e elterit asht endè në kambë dhe në ndonji copë suvatim kanë mbetë gjithnji shejet e pikzimeve, të cilat endè s’i kanë shlye motet. Mbi elter të madh, tregojnë të vjetrit, ishte fugurja e Shna Prendes në nji lkurë të madhe. Ajo figure s’asht ma. Në vend të saj asht tashti në kishen e re truporja e bukur e kësaj shejtneshe.

Para lterit të madh, tregojnë të parët, gjindet si nji handek shtrue e mbulue me rrasa, ku ka eshtna me shumicë. Ato eshtna janë kaq të shkrime, sa mund të mendojmë se do të jenë të kohve shumë të lashta. Në mjedis t’ asaj kishe asht vorri i Dom Pashk Vasës, mbytë në lumin Mat, vjeshtën e vjetit 1912. Vorre ipeshkvijsh s’folet se ka aty.

Nuk dijmë asgjà mbi ndertimin e parë të kësaj kishe. Dihet se kje permiresue në vjetin 1670 prej katolikve të Kurbinit, si tregon Dom Shtjefën Gaspari në relacjonin e vet të vjetit 1672 dhe ma vonë në vjetin 1819 “rrenojat e vjetra të kësaj kathedralje e rezidence arqipeshkvore,- thotë Imzot Rafael D’Ambrosio në librin dorëshkrim Consacrazione e benedizione di cose del culto,  “…kjenë rindërtue nga shumë i zellshmi i ndjeri Imzot Gjerard Gallata, në vjetët e parë të sundimit të vet arqipeshkvnur, por qi tash kanë nevojë të përmirësohen nga se janë thye trenë e plasje muresh në shumë vende e nga se kathedralja nuk ka tavan”.

Populli i Vinjallit të Kurbinit, sot krejt muhamedan, krenohet per trà të parë qi thuhet se e kanë vu në këtë kishë të parët e tyne. Me të gjitha gjasët mund të thomi se kjo gojëdhanë do t’i përkasë ndërtimit të parë, megjithëse nuk dihet nëse ata kjenë të parët e këtyne vinjallasve apo të mëparshemve, pse vinjallasit e sodshem janë pothuejse të gjithë t’ardhun. Këte gojëdhanë e verteton edhe fakti se Vinjalli asht katundi i dytë i Kurbinit, mbas Skurajt, e prandaj i pari i kësaj Famullije.

Bri kishës së vjetër, kah veriu, kund nji metër e gjysmë larg soje, gjindet edhe sod kumbanorja e naltë kund 12 m. Deri kah vjeti 1940 ka kenë në te kumbona, e cila mbasi ndei per kund nji vjetë në tokë, kje naltue në kater shtylla të vogla në kodër, mu afer kishës së re, ku asht sod.

Kjo kumbonë ka në buzë e në shtat këto shkrime:

Rreth buzës: FR. RAPH. DE. AMBROSIO. DYRRACHII. SUMPTU. P. O. PROPAGAT. FIDEI. LUGD. ET. LUT. IN. HONOR. S. VENERANDAE. V.M. PATR. PRINC. HUJUS. ARCHID. FECIT. ANNO. DOMINI. MDCCCLVIII.
Në shtat, në të katër anët ka: 1) DACIANO COLBACHIN. ET. FILII. FONDITORI. IN. PADUA. 2) SOLI. DEO. HONOR. ET. GLORIA. 3) A FULGURE. ET. TEMPESTATE. LIBERA NOS. DOMINE. 4) IN. TE. DOMINE. SPERAVI. NON. CONFUNDAR. IN. AETERNUM.
Ka mandej në mes të këtyne shkrimeve po në të katër anët, rilieve:

Krishtin në kryq, rrethue prej engjujsh.
Të ngjitunit e Zojës në Qiellë.
Shna Prenden
Shna Nduen e Padoves.

Imzot Rafael D’Ambrosio në Consacrazione e benedizione di cose del culto nr.22. shkruen

“Me 31 janar 1859 unë Rafael D’Ambrosio Arqipeshkv, bekova kumbonën e re gadi njiqind okësh, si u shkri e vjetra e thyeme, për kishën e Kurbinit në nderë të Shna Prendes V.M. Pajtore kryesore e mbarë Arkidjeçezit”. Do vue oroe se këtu fjala Kurbì, si edhe në shumë vende të tjera të dokumentave të ndryshem, shenjon vendin e Shna Prendes, vend kryesuer n’ato kohë për Bajrakun e Kurbinit, i cili aty kishte Barin e Princin e vet.

Kisha e re, qi sod asht në funkcjonim asht ndertue në verën e vjetit 1911, kur ishte famullitar Dom Pashko Vasa. Nuk kam gjetë ndonji dokument per ketë datë, por vetë Myrt Azaj, qi me shokë të vet e ndertoi këte kishë, më ka thanë se kjo kishë ka kenë ndertue nji vjetë para se të mbytej në Mat Dom Pashko Vasa. Ky kje mbytë n’ujë në vjeshtën e vjetit 1912. Si kujdestar e mbikëqyrës në ndërtimin e kësaj kishe, pat kenë i ndjeri Dom Frano M. Gjini, n’atë kohë Sekretar i Arqipeshkvit, Prend Bjankut. Unë nuk kam gjetë kurrgjà mbi ndertimin dhe shpenzimet per këte kishë n’Arkiv të Kurjes. Ndoshta dokumentat përkatës janë djegë me Pallatin Arqipeshkvnuer të Delbnishtit në vjetin 1914.

Kisha e re asht ndreqë me shumë mjeshtrì vendi, me mjaft gurë të gdhenun të qosheve e sidomos të derës e të dritares rrumbullake mbi derë. Tue kenë se deri gurët e gdhenun në trajtë rrexeje të kësaj dritareje erdhen tue u dobsue, në vjetin 1951 këte dritare e murova, sikurse në vjetin 1961 murova edhe dy dritaret kah fundi. N’atë kodër fryn shumë murrlani, por edhe ma i furishëm asht shiroku, kështuqi balli i kësaj kishe dimën e prendverë kurr nuk teret, prandaj ky ball, mbrenda dhe jashtë s’bàn suvatim.

Presbiteri i kësaj kishe ashtë në trajtë gjysmë-kupole qi lidhet me kishë nepërmjet nji harku të bukur. Elteri i madh asht çementoje. Mbi këte elter janë tri trupore: Në mjedis asht truporja e bukur e Shna Prendes 1. 60 m, anash në të djathtë ajo e Zemrës së Krishtit e në të majtë ajo e Zemrës së Zojës porsi në dy shtylla të bashkueme me elter a qi vijnë nji me elterin.2015-10-16 15.05

Këto dy trupore janë të gjata 82 cm. Në këte kishë asht udha e krygjës me dimensjone 21×16 cm, qi në vjetin 1950 u vu në vend të së vjetrës, ma e madhe, prej së cilës s’ka mbetë vetëm ndonji kornizë. Posë elterit të madh asht edhe nji lateral dërrase me truporen e Shna Ndojt, pru edhe kjo në vjetin 1950 në vend të nji fugurje të këtij shejti, fugure e cila kje çue në kishë të Skuraj.

Në nji kohë kaq të shkurtë nga ndertimi i saj kjo kishë asht dobsue fort nga era, qi me aq turr rreh n’atë vend sa me i lëkundë ndertesat porsi termet. Kisha asht mbulue me tjegulla dhe e tavanueme mirë. Matë së jashtmi ka këto dimensjone; 12 x 6.50 m. Muri asht i trashë 70 cm. Asht e shtrueme me rrasa mali.

Qela famullitare asht e perbame prej dy pjesësh të bashkueme e gjithsej asht 24.50 m dhe e gjanë 13 m dhe e naltë kund 5m. Nji e treta e kësaj qele, asht shtue ma vonë, ndoshta kur u themelue seminari djeçezan. Pjesa tjetër shifet se asht shumë ma e vjetër dhe do të jetë pak a shumë njikohsisht me kishën e vjetër. Prap kah veriu e njitë ka kenë kulla e zaptivet, qi tashti prej saj s’kanë mbetë veç do rrenime. Në pjesën e vjetër të kësaj ndërtese nder dy ballnat d.m.th. kah perëndimi e kah jugu janë dy rrasa të shkrueme. E para rrasë ka këto shkrime:

«1618 F. I. COLESIUS EPUS ALBANENSIS F.F. » . Kjo rrasë duhet të jetë vendosë kur Mons. Gjon Kolesi e permirësoi këte ndertesë, kur erdh me selì të vet këtu kah vjeti 1615. Rrasa e dytë ka të shkrueme: « PA. GA. AR. F. 1819 » = PAULUS GALLATA ARCHIEPISCOPUS DYRRACHIENSIS FECIT 1819. Asht edhe nji rrasë tjetër po me këto fjalë. Janë vendosë, kur Mons. Pal Gallata bani permiresimet e duhuna kur kje Arqipeshkev i Durrësit me ndeje këtu në Shna Prende.

Kam gjetë për tokë edhe dy rrasa të tjera me këto shkrime: E para: P.G. F. 1828 »= PAULUS GALLATA FECIT 1828. Duket se edhe në këte vjetë do të ketë ba ndonji meremet Arqipeshkvi Pal Gallata. Kurse rrasa tjetër ma e vjetër ka këto shkrime: TH.M.A.R.A.D. 1781 »= THOMAS MARIANI ARCHIEPISCOPUS RESTAURAVIT ANNO DOMINI 1781. Edhe Arqipeshkvi Tomë Marjani Arqipeshkev do të ketë ba ndonji permiresim e prandej do të ketë shkrue këte rrasë. Por ku e ka pasë vendosë, s’dihet.

Kjo qelë ka kenë permirsue permbrenda ma se miri në vjetin1931 prej Seminarit Papnor, i cili e perdori si verimore per Seminaristat e vet. Në këte kohë ishte famullitar Dom Shtjefën Kurti, i cili bani çdo përpjekje të rindërtohej këso dore.

Mbas kishës së re gjinden rrenojat e kullës së sanës, si e thërret populli. Mbas qelës gjindet nji pus shumë i vjetër, qi mban ujë thueja gjithmonë. Kah jugu i kishës së vjetër e njite me tè ka kenë nji vneshtë e permendun, të cilën e pat prishë, pse kje vjetrue, Dom Prend Mala, kur ishte famullitar atje. Kjo kishë ka afer dy kroje të vetat e shumë të mira. Njeni 5 minuta larg kah veriu e nen nivel të kishës e quhet Gurra e Bulqve, pse shi nen tè ishin shtëpijat e bulqve të kishës. Tjetri asht shtatë minuta larg kah jugu, mbi nivel të kishës, në tokë të Gallatës e quhet Varrisht.

CIMG1322.JPG

Gurra e Bulqe

Kjo gurrë asht e kishës së Shna Prendes qyshë motit. Dikur ka kenë prù te kisha me anë të njij vije ba me gur e gelqere. Ma vonë kur erdhen seminaristat me verue, kje pru me lugj halè. Populli pat kerkue të lehej në vend per gjà ase me pì udhtarët, dhe ashtu kje bà e deri tash vonë. Ka kenë nja tri kater metra ma poshtë e anash nji krue për këte qëllim, por tashti së voni kah vjeti 1959 asht zhdukë ky i fundit. Në vjetin 1960 Ndrecë Lleshi që ka tokën përfundi e kërkoi këte ujë tue thanë se asht i katundit, por katundi i pergjegji se aj ujë asht i kishës së Shna Prendes, si e dijmë prej të parësh.

Ky krue quhet Varrisht, prej do vorresh qi kanë kenë aty afër, e qi tash janë zhdukë fare. Vorre, posë në kishë të vjetër, ka pak nen këte koder të zdeshun të Shna Prendes. Këto vorre janë shumë ma të vjetra. Ky vend quhet Laku i Vorres. Për këto e të tjera vorre, populli thotë se janë „vorre xudhijsh“ e me gjasë me këto fjalë duen me thanë vorre paganësh.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Gusht 2015

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: