Advertisements
Telegrafikisht

Kurbini dhe Rilindja Kombëtare (përshkrim historik)

Nga N/Kolonel Dr. Pjetër Hidri

Kur në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, Fuqitë e Mëdha të Evropës (të Shtatë Krajlat) i lëshojnë një pjesë të territorëve shqiptare Malit të Zi, Kurbinasit morën pjesë bashkë me Mirditësit në mbrojtjen e Ulqinit e të Tivarit. Ndërkohë u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që lëshoi kushtrimin për kryengritje. Fisi i Pervizajve, i doli zot pritjes dhe përcielljes së Abdyl Frashërit me delegatë të tjerë për në Kuvendin e Prizrenit, duke marrë pjesë në atë kuvend me Pjeter Markun e të birin Gjin Pjetrin, si dy kushërij e disa burra kurbinas.

13664404_1068984919861973_1755465106_n

Në qender të fotos , Gjin Pjetri

Ky ka mbetur një fakt i pa regjistruar në faqet e historisë, por që njihej e dihej prej pleqve të fisit e të Kurbinit që e kishin përjetuar, deri në pragun e pushtimit fashist dhe të sundimit komunist, ku humbën dhe u mbuluan me pluhurin e harresës, shumë ngjarje të rëndësihsme të së kaluarës të historisë shqiptare. Vëllezërit Pjetër, Preng e Llesh Marku, me Kurbinas të tjerë formojnë menjëherë Komitetin e Kryengritjes Lidhjes Prizrenit, së cilit i qëndrojnë në krye, bashkë me burra të tjerë nga Kurbini, Bulgëri, Kryezezi, Gurrëzi, etj. Kur Dervish Pasha sulmoi më 1881 për të shtypur kryengritjen e Lidhes Prizrenit, e filloi në Skuraj, ku i dogji kullat e Pervizajve (që asokohë quhej Ukasanaj ), dhe në vazhdim kullat e Preng Nikoll Palit në Bulgër, dajat e Prenk Pervizit, e me radhë në Rubik, Kryezez, Manati, Velë, në Mirditë e tutje, Tropojë, Has e Kosovë, siç shkruan historia. Por Kurbini nuk dorëzohej aq kollaj, sepse ishte mesuar me të tilla fushata hakmarrëse të hordhive turke edhe më të kobshme, që nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Mbas ketyre ngjarjeve, stafeta e udhëheqjes kaloi në dorë të Gjin Pjetër Mark Pervizit, i cili menjëherë u lidh me Komitetin Kombëtar të Kryengritjes së Përgjithëshme, ku ishte pjesmarrës me Luigj Gurakuqin, Nikoll Kaçorrin, Shtjefën Gjeçovin, Murat Toptanin, Avdi Toptanin, Neki Libohovën, Stef Kaçubinin, Hafiz Ali Podgoricën, etjerë patriotë. Luftimet e para filluan në vitin 1897. Krisi pushka kundër turqëve në Zhejë, Laç, Milot, Skuraj, Lime, etjera vende. Luftime që vazhduan gjatë vitëve. Shenjat e kryengritjes ishin shumë serioze sa që përfaqësuesi konsullor i Vjenës në Shqipëri, Kviatovski, do të raportonte nga Durrësi se kundërshtimet e kurbinasve ishin duke u rritur dhe, sipas tij, do të çonin, pa dyshim, në prishjen e qetësisë në Kazanën e Krujës. Pikërisht vendosmëria e tyre e ka detyruar administraten shtetërore të Durrësit të shtyje për vitin tjetër vendosjen e autoritetit shtetëror në Kurbin. Qeveria turke kërkonte të forconte pushtetin në mbarë provincat shqiptare. Këtë parashikonte ta realizonte me anën e vjeljes së taksave, të zbatimit të ligjit mbi shërbimin ushtarak të detyrueshëm, me funksionimin e gjyqeve shtetërore osmane dhe me forcimin e administratës së korruptuar perandorake. « Aksionin për likuidimin e venomeve të Kurbinit turqit e shoqëruan me përforcimin e administratës shtetërore në krahinë, duke rritur efektivin e batalionit të xhandarmërisë operative të Durrësit me 330 veta dhe duke organizuar aparatin gjyqsor të sanxhakut të Durrësit, të cilin e shtriu edhe në krahinën e Kurbinit. » Marrja e këtyre masave nga administrata turke shënonte fundin e autonomisë lokale të Kurbinit dhe vendosjen e zgjedhës së asaj administrate. Gjin Pjetri mezi po priste që të krijohej një rast i tillë. Vendosi të bëjë një mbledhje në katundin Gjonëm, ku myslimanë e të krishterë të Kazasë së Krujës lidhe besën për të mos paguar taksa, dhe në rast se qeveria do të merrte masa shtrënguese në ndonjë katund, do të sulëshin të gjithë me armë në dorë për mbrojtjen e tij. « Krerët e Kurbinit kërkuan të administrohëshin si dhe më parë nga një kapidan vendas, që duhej të caktohej, sipas traditës tyre, prej një këshilli të pleqve të krahinës. » Kajmekami i Krujës, pasi u informua për besën që ishte lidhur në Gjonëm, u nis menjëherë në krye të një detashmenti me ushtarë të rregullt. Me një ilazim (toger), që quhej Ibrahim Beu, dhe papritmas arrin në katundin Zhejë, ku, pasi kapën e lidhen kryeplakun e katundit, Gegë Pirolin me disa fshatarë të tjerë, u kërkuan atyre që të zbatonin me çdo kusht urdhërin e qeverisë. Zheja menjëherë lëshoi kushtrimin. Sapo mori vesh Gjin Pjetri, me shpejtësi të madhe mblodhi 300 kurbinas dhe si shqiponjë mali u gjend në Zhejë, çau rrethimin turk dhe filloi veprime të rrufeshme luftarake, ku mbetën të vrarë dy ushtarë turq. Detashmenti turk prej 100 vetash ishte në rrezik të asgjesohej. Duke ndodhur afër kullave të Hajdar Agë Bejlekut, turqit u futën dhe u ngujuan brënda tyre. Luftimi zgjati 24 orë, derisa një grup xhandarësh të krishterë hynë ndërmjet tyre për të bërë një armëpushim. Turqit e liruan Gegë Pirolin bashkë me kurbinasit e tjerë. Kajmekami u kthye në Krujë. Ishte një sukses i madh për kurbinasit dhe Gjin Pjetrin, që po tregonte aftësi të dukshme si prijës i mirëfilltë i tyre. Megjithatë, qeveria turke, që të mos humbiste prestigjin e saj para popullit, vazhdonte të orvatej që të zbatonte urdhërat për vjeljen e taksave. Garnizoni i Krujës u përforcua me një regjiment ushtarësh të rregullt, nën komandën e një Mirallaj (kolonel) me topa e mitraloza. Ishte pranvera e vitit 1904, kur administrata turke u beri thirrje përfaqësuesve të fshatrave të Kurbinit e të Krujës që të mblidhëshin për marrëveshje në Fushën e Tallajbesë në Krujë. Afro 2500 kurbinas e kruetanë u tubuen aty, të përfaqësuar nga Gjin Pjetri dhe Dullë Kulla, i cili ishte dhe dragoman. Mirallaj kishte rrethuar fshehurazi vendin për të kapur ose asgjësuar krerët kryesorë. Shqiptarët e kuptuan dredhinë e turqëve dhe u përgatiten t’i benin ballë situatës me armët që kishin me vete. Turqit filluan të provokojnë bisedimet për të gjetur shkak që të ndërhynin ushtarakisht. Gjin Pjetri dhe Dullë Kulla reaguan befasishëm duke nxierrë revolverët. Filloi luftimi. Gjin Pjetri e mori situatën në dorë e me një trimëri të pashoqe, duke përfituar nga hutimi i turqëve që nuk e prisnin këtë kundërveprim, u prini me guxim të rrethuarve duke e çarë rrethimin e duke u shkaktuar armiqve humbje në njerëz. Lufta e Tallajbesë shënoi një disfatë të bujshme për administratën turke dhe tregoi se shqiptarët ishin në gjendje t’i përgjigjeshin çdo provokimi apo ndërhyrje me anë të forcës së armëve, dhe se kishin njerëz të aftë për të iu pri si në kuvende ashtu dhe në luftë. Gjin Pjetri u vu në shënjestrën e qeverisë turke që arritë ta kapi me anë të tradhëtisë vetë të gjashtin me Llesh Pjetër Vathin, Llesh Marka Kolën e tre kurbinas të tjerë. Ata u mbajtën në burgun e Durrësit për 9 muaj. Prej ndërhyrjes se disa patriotëve me pozita zyrtare dhe prej frikës se mos shpërthente ndonjë revoltë e papërmbajtur e popullit të Kurbinit dhe të Krujës, nuk i merguan në Anadoll e u detyruan t’i lirojnë. Menjëherë Gjin Pjetri therret në kuvend pleqtë e Kurbinit dhe të Semtit të Krujës. Me 5-6-7 gusht 1906, në Delbnisht, afër Arqipeshkvisë, nën hije e një mani të madh, u mbajt kuvendi i 45 (në fakt 54) pleqve të krahinës Kurbin – Krujë. Në këtë kuvend Gjin Pjetri vendosi autoritetin e dhe identitetin e tij historik si Gjin Pjetër Mark Pervizi i Skurajt të Kurbinit, Plak i parë i 45 (54) pleqve të Kurbinit e të Semtit të Krujës, në emër të Pleqve dhe të Vogjlisë. Aty u vendos një Kanun që hyn në repertorin unik të një Kanuni me përmbajtje politike, me vendime që denonin ata që shërbenin në xhandarmërinë dhe ushtrinë turke. Njëkohësisht aty sanksionohej përfundimisht roli udhëheqës i tij dhe i fisit, si fis i parë dhe më i vjetër i Kurbinit dhe krahinës së Krujës, sepse askush tjetër nuk i doli zot atyre krahinave, as mund të pretendonte, gjë që 45 (54) pleqt e asaj kohë e dinin shumë më mirë e saktë se ata të mëvonëshmit dhe aq mëtepër të diktaturës, që ndikuan për asgjësimin e dokumentave dhe të njerëzve deshmitarë. U bënë deformime e fallsifikime të ngjarjeve historike të njohura e të panjohura, deri dhe në manipulimin e tregimeve, gojdhanave e legjendave si dhe kangëve epiko-heroike-historike. U krijuan heronj dhe prijës të paqenë, për të luftuar e denigruar heronjtë e vërtetë, duke ua kaluar meritat e atyre, këtyre. U errësuan emrat që mbartnin një trashëgim historik të lavdishëm, për t’ kaluar në anonimat e për t’i ndryshuar në të panjohur. Prandaj me këtë libër jam munduar të nxierr nga harresa ngjarje e fakte që kumbojnë të befasishme, por që përmbajnë në vetvete të vërteta historike pa të cilat historia shqiptare mbetet e cunguar dhe e pavlerë, veçanërisht përsa i përket historisë së Ushtrisë Shqiptare. Në Kuvendin e Delbnishtit u vendos ai kanun që u quejt «Kanuni i Bajrakut të Kurbinit» e që At Shtjefën Gjeçovi e përfshiu në vepren e vet madhore si një nga më të rëndësihmit për përmbajtjen politike të tij, dhe që i dedikohet Gjin Pjetrit. Pas kësaj ngjarje, ku Gjin Pjetri mori autoritet më të madh, lëvizja kryengritëse shkon duke u forcuar dhe në shtator të ati viti Mirallaj sulmon për të dytën herë Zhejën me një detashment të përforcuar me topa e mitraloza. Që në ditën e parë vritet Pashk Piroli. Gjin Pjetri sapo dëgjoi krismat e topave dhe të mitralozave u sul porsi rrufeja në Zhejë me luftëtarët trima kurbinas. Duke parë epërsinë e armikut, ne raportin 8 : 1, përdori një taktikë luftarake elastike, duke sulmuar kryesisht natën e duke i shkaktuar armikut deme të mëdha pa pësuar vetë asgjë, siç vepronte dikur Gjergj Kastrioti. Kurbini zinte një vend kyç në strategjinë e dy palëve, shqiptarve dhe turqëve. Për Turqit si zonë ndërlidhëse e detyrueshme për furnizmin e garnizonëve të Veriut. Për shqiptarët, ishte një mundësi për bllokimin e këtyre furnizimeve, dhe kjo merrte një rëndësi të madhe për kryengritjen e përgjithshme, sepse e pengonte ndërlidhjen mes Jugut e Veriut të ushtrisë osmane, gjë që shkaktonte forcimin e levizjes kryengritëse dhe dobësimin e armikut turqeli.
Në këtë kontekst merr rëndësi beteja e Pllanës, ku kryengritësit Kurbinas bashkë me ato Bregamatas, asgjesuan një detashment prej 100 nizamësh që shoqëronin një karvan me armatime e furnizime të tjera për garnizonin e Lezhës. Nga deformimi i historisë, zbatuar gjatë regjimit komunist, kjo betejë iu adebitua malësorve, me qëllim të paracaktuar, që të humbnin rolin e Gjin Pjetrit e të Kurbinasve në këtë luftë. Por ekzistojnë dokumenta të shkruar që i japin përshkrimin e saktë të ngjarjes, që unë do të paraqes shkurtas këtu. Gjin Pjetri kishte lejuar disa besnikë kurbinas, ndër ta edhe vëllain e tij, Ndrecën, që të shërbenin si zapti në forcat turke, me qëllim për të patur informata mbi lëvizjet dhe synimet e tyre. Ishte pikërisht Ndrec Pjetri që mundi t’i dërgojë njoftim Gjinit, për detashmentin dhe karvanin, që do të kaloni te trapat e Milotit, duke përcaktuar mirë numërin e ushtarëve, komandantëve, mushkave e kafshëve të tjera me ngarkesë armësh dhe materiale tjera ushtarake. Gjin Pjetri mblodhi menjëherë forcat kurbinase dhe i dërgoi lajm malësorve të bashkohëshin me të në këtë aksion. Malësorët erdhën me prijësit e tyre, vëllezërit Gjeto e Ded Coku. Prita u organizua në mënyrë të përsosur. Nga ana tjetër, sa të kriste pushka, zaptitë shqiptare që shoqëronin karvanin ( Ndrec Pjetri me kurbinas të tjerë), do të hidhëshin anash duke lidhur nga një shami të verdhë në krah, për t’u njohur mes tyre. Plani funksionoi në rregull. Detashmti prej 100 nizamësh u asgjësua bashkë me komandantët, ndër ta një Veqilharxh. Materiali ushtarak ra në dorë të kryegritësve, gjë që përforconte gjendjen e tyre në armë e municione. Në këtë betejë të ashpër, nga ana shqiptare pati vetëm një të vrarë, ky ishte prijësi i malësorve, Gjeto Coku, e disa të plagosur lehtë. Trupi i Gjetos u përcoll nga të gjithë luftëtarët dhe iu bë një cerimoni e madhe mortore, dhe u varros me madhështi, si një hero e dëshmor i Lirisë dhe i Pavarësisë. Me këtë betejë historike, del në pah aftësia e madhe e shqiptarve për të zbatuar artin ushtarak të luftës popullore sipas traditave më të mira të historisë së tyre. Në këtë luftim, siç shihet, humbjet ndërluftuesve arritën në një krahasim të pabesueshëm e por të vërtetë. Për 100 nizamë të vrarë turq, vetëm një i vrarë shqiptar. Në gjithë luftimet që zhvilluan forcat kryengritëse kurbinase me Gjin Pjetrin në krye, gjatë periudhës 1897-1912, nuk humbën më shumë se dhjetë veta e disa të plagosur, ndërsa forcat armike turke pësuan humbje të mëdha në njerëz dhe material ushtarak.

 
Marre nga libri “Gjeneral Prenk Pervizi”. Tiranë, 2002.

www.GIFCreator.me_RohuNY

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: