Advertisements
Telegrafikisht

Krahina e Kurbinit, nga lashtësia deri në pavarësinë e Shqipërisë

Nga Zef PJETRI

Kurbini është një krahinë shumë interesante në Shqipëri. Kjo për disa arsye: E para se emri i saj “KURBIN” duke qenë i veçantë, ka zgjuar interesin e shumë gjuhëtarëve e studiuesve, të  cilët herë duke u mbështetur në argumente e analiza shkencore, herë në gojëdhëna apo përralla popullore, apo dhe në shpikjet e tyre të çastit, janë përpjekur t’i japin shpjegim kësaj fjale, ashtu siç janë përpjekur herë me zellin e studiuesit objektiv, herë me paragjykime apo interesa politike a individuale, e shumë kohë me heshtje, ta prezantojnë (shumë pak!) këtë krahinë të veçantë para vendasve e jovendasve.

15301281_1453163811378034_2015210623_nE dyta se historia e kësaj krahine është jo vetëm e lashtë, por edhe interesante dhe, fatkeqësisht edhe pse është e tillë, nuk është trajtuar fare nga historiografia zyrtare. E treta,  pasuria dhe vlerat e saj të veçanta në histori, kulturë, folklor, arkeologji, etnografi etj., janë një tokë pjellore ku studiuesit e apasionuar mund e duhet të gjejnë e të afirmojnë veten me analiza të plota, të thelluara, të mbështetura në burime reale e të pakundërshtueshme arkivore,  shkencore, larg njëanshmërive,  pasioneve të çastit apo edhe synimeve të tjera dashakeqe. Përpjekjet e deritashme duhet thënë se nuk kanë qenë në atë nivel që e meriton kjo krahinë, për ta zbuluar para banorëve të saj të lashtë e më gjerë, pasurinë e gjithanshme të saj ashtu siç është. Emri i krahinës vjen nga fshati me të njëjtin emër, i cili ka ekzistuar deri në shekullin XIV në rrëzë të Malit të Skënderbeut dhe fillonte nga vendbanimi që sot quhet “Shtëpiat e  vjetra” në jug të kishës së Sh. Prenёs në Gallatë e deri afër Kshqelit në Skuraj. Këtë e vërteton imzot Mark Skura në një relacion të tij ku thotë se “Kurbini ndodhet midis Gjerës së Selitës e Trodhnës”. Në  dokumenta del me emrin Kurbin. Përmendet që në vitin 1120 me emrin Corvino. Në projektrelacionin që Nikollë Mejkashi i drejton Papa Klementit VIII, pasi tregon se “… kjo mbretëri (Shqipëria – shënimi im (Z. Pjetri), është e ndarë në 4 provinca”, më tej vazhdon se “provinca e tretë quhet Krujë. Është i fortë prej natyre, sepse është i vendosur te rrëzat e malit të Kurbinit (Vargmali i Skënderbeut, i cili në fakt fillon pikërisht në Skuraj dhe mbaron në Krujë – shënimi im Z.Pjetri), përmbi një shkëmb, një copë të pasulmueshëm dhe të paarritshëm nga të gjitha anët …”. Nga ana tjetër në një letër dërguar kardinalit Gocadino prej Pjetër Budit thuhet se “Ka në anën tjetër, drejt kufijve të Maqedonisë e të Bullgarisë, popuj të tjerë që quhen viset e Skënderbeut, d.m th. Matja, Benda e Kurbini… pjesa më e madhe janë të krishterë, njerëz jo më pak të fortë e luftarakë dhe që të gjithë me armët e veta, në numrin e 5000 luftëtarëve. Që të gjithë janë me dëshirë të madhe të shohin një ditë një flamur të ndonjë princi të krishterë që të lëvizë sadopak për t’ua ngjitur dorën e për t’i ndihmuar dhe për t’u bashkuar me ata kundër turkut për ta dëbuar nga ai vend…”.

Jo më kot shkencëtarët e shpjegojnë emrin “Kurbin” me prejardhje nga latinishtja “Carpin” që do të thotë “shkëmb i fortë, gur”. Kështu mendon prof. E. Çabej dhe D. Luka, mendim me të cilin ne jemi plotësisht dakord, pasi krahina ka marrë emrin jo vetëm nga shkëmbi i fortë rrëzë të cilit ishte vendosur, por për faktin tjetër të rëndësishëm se popullsia e kësaj krahine ishte e fortë dhe e pathyeshme, si vetë shkëmbi ku shtrihej. Në fakt e gjithë popullsia duket se ka qenë e vendosur rrëzë këtij shkëmbi (pra Malit të Skënderbeut), duke filluar që nga Ferr – Skuraj, Katundi i Vjetёr në Skuraj e duke përfunduar deri në Vinjollë, në një gjatësi prej rreth 20 kilometrash. Fakti që në Ferr-Skuraj ekziston një kala shumë e vjetër e quajtur “Kalaja e Pervizit”, rreth 2 km në veri të së cilës ndodhet varri i atij që deshi ta ndërtonte, por që nuk e përfundoi, pasi u vra pabesisht;20150429_113852.jpg që në Katund (tek kisha e Shën Vlashit) ndodhet “Mulliri” një prodhim origjinal kurbinas që ekziston edhe sot, ku njerëzit bluanin atë pak bereqet që prodhonin, kafenë, apo shtypnin edhe barutin për armët e tyre; që në kishën e Shën Prenës në vitin 1632 u hap shkolla e parë shqipe në Shqipëri, e vërteton katërcipërisht argumentin se krahina është shumë e vjetër e me një histori të lashtë. Por pas vdekjes së Skënderbeut popullsia pati lëvizje të shumta, jo vetëm brenda krahinës, por edhe jashtë saj, deri në Kalabri e Sicili (edhe sot në Kaljari të Italisë jeton prof. Nicola Skura, i cili deklaron se të parët e tij kanë ardhur nga Skurajt e Kurbinit), gjë që çoi edhe në shuarjen e disa fshatrave si të Kurbinit, Katundit të Vjetër (tek kisha e Sh. Vlashit) etj. Fakti që emri “Kurbin” del deri në shek.XV, na shtyn të mendojmë se e gjithë zona nga “Shpiat e Vjetra” (Gallatë) e deri tek “Katundi i Vjetër “, duhet të jetë njohur me këtë emër, Kurbin. Dhe me këtë emër është njohur deri në fund të shek. XVI edhe Skuraj i sotëm. Kjo argumentohet me faktin se në defterin e Sanxhakut të Ohrit të vitit 1583, nahija e Kurbinit, që bënte pjesë në Kazanë e Krujës përfshinte fshatrat: Bushnesh, Shilaz (Shullaz), Dulbnisht (Delbnisht), Miljot (Milot), Laç, Selita, Kurbini (vendbanimet mes kishave të Shën.Vlashit (Skuraj) e Shën Kollit (Vinjollë), Mali i Bardhë, Daula, Lugapaçi, Madheshi, Zheq, (Zhejë), Gjonëm, Pisrag (Picrraga), Mavrosheq (Mavsheq), Galata, Sh. Mrija, Shuklaza, Kuqani, Ismak, Ishkallas, Iskunil.

Skuraj përmendet më vonë, pas vdekjes së Skënderbeut, dhe emrin ndoshta e mori nga banorët e principatës së Skurajve, që erdhën e u vendosën këtu për t’i shpëtuar asgjësimit nga turqit pas vitit 1468. Ndërsa me emrin “ Kurbin” pas kësaj periudhe u njoh e tërë krahina nga Nuaja deri në Skuraj, nga Miloti e deri në Zhejë. Në periudhën e Ilirëve popullsia e krahinës së Kurbinit ishte pjesë e fisit të Taulantëve. Në shekujt XI – XII krahina ishte pjesë e principatës së Arbrit, themelues i së cilës ishte Progoni (1190 – 1198) dhe që shtrihej nga Shëngjini përgjatë rrjedhës së lumit Drin në Prizren, Dibër të Madhe, vazhdonte deri në Ohër, përgjatë Shkumbinit e përfundonte në Durrës. Në shek XIII-XIV krahina gjendet nën sundimin e Principatës së Topiajve, zotërimet e së cilës shtriheshin tashmë në një territor më të ngushtë dhe ishin në duart e Karl Topisë. Shekulli XV e gjen Kurbinin si pjesë e shtetit të Gjon Kastriotit, në Vilajetin e Krujës. Pas ndarjes territoriale të Perandorisë Osmane në shek.XVI, Kurbini bëntë pjesë në Sanxhakun e Ohrit, në Vilajetin e Krujës, ndarje e cila vazhdoi deri në fund të shekullit XIX. Në këtë periudhë kemi edhe disa krahina autonome, të cilat ishin gati jashtë sundimit të Perandorisë Osmane, që njiheshin prej saj, pasi nuk arriti t’i bindte për të zbatuar sistemin e timarit. Pas regjistrimit të përgjithshëm të tokës e të popullsisë në vitin 1506 tokat shqiptare u ndanë në dy zona të mëdha: zona e timarit ku fshatarët paguanin të dhjetën (zona e të dhjetës) dhe zona e haraçit, ku futeshin krahinat malore të vetëqeverisura, të cilat duhej t’i paguanin një taksë fikse që quhej haraç. Krahina e Kurbinit bënte pjesë në zonën e timarit. Pikërisht këtu fillon konflikti i madh me Perandorinë Osmane, konflikt që zgjati rreth 400 vjet, pasi qeveria osmane nuk donte t’i jepte kësaj krahine statusin e vetëqeverisjes, ndaj konflikti ishte i vazhdueshëm mes tyre, me luftë e përpjekje nga të dyja palët. Pse ky konflikt kaq i ashpër dhe kaq i gjatë mes krahinës së Kurbinit dhe Perandorisë Osmane? Sepse krahina, siç e thamë më sipër, përfshihej në zonën e timarit dhe e kishte të pamundur të përballonte taksat e shumta të cilat ishin: 1.e dhjeta: një pjesë në dhjetë mbi grurin, elbin, thekrën, bathët, perimet, rrushin, vajin, mjaltin etj. 2.salarija: detyrimi mbi kashtën e grurit, të elbit e të thekrës (një pjesë në tetë); 3.rajallëku (taksa e zotëruesit të rajasë, spahiut) që ishin ispenxha për të krishterët, të martuar ose jo, kishin apo nuk kishin tokë, dhe taksa e çiftit dhe e çifligut për myslimanët. Siç shihet këtu, sundimtarët turq toleronin më shumë besimtarët myslimanë në taksat. Kjo ishte politika e islamizimit të krahinave të krishtera shqiptare, ku bënte pjesë edhe Kurbini me shumicë të krishterë. 4.taksa e mullirit: ai që e shfrytëzonte gjithë vitin mullirin, paguante 30 akçe, kurse fshatari që e shfrytëzonte gjysmën e vitit, 15 akçe. 5.taksa e pazarit (baxhi – Pazar), taksa për çdo mall të shitur e të blerë, taksa e peshimit dhe matjes, taksa e doganës etj. 6.taksa të tjera (badihava e nijabet): taksa e martesës (60 akçe), e gjoba për faje (rrahje, plagosje, vrasje, vjedhje, përdhunim, dehje); 7.taksa e dimërimit të bagëtisë: 6 akçe në vit (ose 1 dele për 300 dhen); 8.taksa e tapisë ( pasurisë): 50 akçe në vit; 9.puna angari: fshatari do të punonte 7 ditë në vit punë angari tek spahiu. Por kjo angari ishte shumë më e madhe, pasi siç thotë Frang Bardhi në një relacion të vitit 1641 “angaritë përdoren kurdoherë që turqit kanë nevojë për punëtorë që të korrin të vjelat, të lërojnë tokën, të mbjellin, të ndërtojnë shtëpi e kulla, të bartin dru”. 10.taksa e vjeljes së bereqetit; 11.taksa e festave fetare: pula, prodhime të ndryshme, fruta etj.

Fshatarësia shlyente në dobi të shtetit edhe detyrimet e saj, të cilat ndaheshin në: I. Detyrime të zakonshme ku hynin: 1.taksa e hanesë ( familjes) që shkonte nga 14 deri 51 akçe; 2.detyrimi kolektiv ( taksa që paguante i gjithë fshati për 9.puna angari: fshatari do të punonte 7 ditë në vit punë angari tek spahiu. Por kjo angari ishte shumë më e madhe, pasi siç thotë Frang Bardhi në një relacion të vitit 1641 “angaritë përdoren kurdoherë që turqit kanë nevojë për punëtorë që të korrin të vjelat, të lërojnë tokën, të mbjellin, të ndërtojnë shtëpi e kulla, të bartin dru”. 10.taksa e vjeljes së bereqetit; 11.taksa e festave fetare: pula, prodhime të ndryshme, fruta etj. Fshatarësia shlyente në dobi të shtetit edhe detyrimet e saj, të cilat ndaheshin në: I. Detyrime të zakonshme ku hynin:1.taksa e hanesë (familjes) që shkonte nga 14 deri 51 akçe; 2.detyrimi kolektiv ( taksa që paguante i gjithë fshati për familjet e shpërngulura). 3.xhelepi: detyrimi i dhenve, i vathës, e dhjeta nga kafshët e trasha, taksa e kalimit në gryka e ura etj.

  1. Detyrime të jashtëzakonshme, që përfshinin: 1.avarizi e nusulli (taksa që lidhej me sasinë e cilësinë e tokës, e cila deri në shek.XVII vilej në natyrë në çdo 4-5 vjet, kurse pas shek. XVIII në të holla, që arrinin deri në 1600 akçe për 10 shtëpi); 2.sursati dhe ishtira, taksa të kulturave bujqësore, që shkonin deri në 5000 akçe në vit.

Përveç këtyre taksave, popullsia duhej të shlyente edhe disa detyrime të tjera të jashtëligjshme si: detyrimin e “zotnimit” , “të hollat për ushtarë “, “për bajrakun”, “gjobat për vrasje”, “të hollat për shuajt e këpucëve”, “për mikpritje” , “për shkëmbim monedhe”.

Të gjitha këto taksa duhej t’i paguante edhe nahija e Kurbinit, e cila në atë periudhë përfshinte zonën fushore nga Bushneshi, Zheja e deri në Milot, si dhe zonën malore nga Picrraga e deri në Madhesh. Kjo krahinë, e pushtuar nga turqit që në vitin 1467, ishte shesh betejash të ashpra, jo vetëm për faktin se kërkonte pavarësi, por sidomos për faktin se ishte e mbytur në taksa të shumta, të cilat edhe sikur t’i jepte të gjitha prodhimet bujqësore, blegtorale, tokën etj., nuk mund t’i përballonte. E prandaj zgjodhi rrugën tjetër, atë të luftës së armatosur.

Kjo kryengritje e armatosur zuri fill që pas pushtimit turk, por që u ndez sidomos pas vendosjes së sistemit të timarit. Në vitin 1570 kryengritja mori formë të organizuar dhe tronditi nga themelet Perandorinë Osmane, e cila herë bënte lëshime, herë sulej me tërë ashpërsinë për ta shtypur, por që nuk ia arrinte. Kurbini ishte, pra një kockë e fortë për sulltanët turq… Të gjitha krahinat malore të Shqipërisë, ku përfshihej edhe Kurbini, duke e parë se të vetmuar nuk mund të fitonin pavarësinë, zgjodhën rrugën e vetme: atë të bashkimit të të gjitha krahinave. Kjo do të arrihej duke u drejtuar nga një institucion që quhej Kuvend. Në kuvend merrnin pjesë udhëheqësit e krahinave malore, dhe drejtuesit e fesë katolike, që e mbështetёn fuqishëm këtë lëvizje të madhe të shqiptarëve për Pavarësi. Çdo kuvend hartonte promemorje, që u drejtoheshin shteteve europiane, ku kërkohej mbështetja për çlirimin e tokave shqiptare. Ata kërkonin edhe mbështetje në armatime.

Në vitet 1590-1620 në krahinat e Sanxhakëve të Ohrit e Dukagjinit u zhvilluan shumë kuvende. Qendra e saj u bë krahina e Matit. Kryengritjet e malësorëve të dy sanxhakëve të mësipërm arritën kulmin e vet në vitet 1590-1595, ku 10000 forca u organizuan dhe arritën të dëbonin pushtuesin turk nga këto vise, duke i shpallur ato të pavarura. Kryengritësit tani synonin organizimin e kryengritjes së përgjithme për çlirimin e krejt vendit. Për ta arritur këtë synim, në kulmin e luftës, me 7 nëntor 1594, në manastirin e Sh. Mërisë në Mat u mblodh kuvendi i përgjithshëm i krerëve shqiptarë, ku synohej hartimi i projektit për çlirimin e gjithë Shqipërisë. Vendimet e kuvendit, ku padyshim edhe Kurbini kishte përfaqësuesin e vet, iu bёnё të njohura jo vetëm Portës së Lartë, por edhe shteteve të tjera të Europës. Duke parë rrezikun e rrënimit nga taksat e shumta, si dhe të rritjes së ndërgjegjes së popullsisë se vetëm lufta do t’i shpëtonte nga sundimi i egër osman, popullsia e Kurbinit, arriti që pas vitit 1600 të dëbonte spahinjtë nga nahija dhe nuk lejoi asnjëherë që ata të kishin rezidencën e tyre të përhershme në këtë krahinë. Kjo luftë pati rezultate shumë pozitive, pasi krahina fitoi të drejtën e vetëqeverisjes së brendshme në bazë të normave e zakoneve vendase dhe nuk u lejua zbatimi i sistemit të timarit e vendosja në to e sundimtarit të nahijes, sanxhakbeut. Gjithashtu, krahina, fitoi edhe të drejtën që banorët e saj të mbanin armët kudo që të shkonin, deri edhe para autoriteteve të larta të sanxhakut. Detyrimet e banorëve u reduktuan në pagesën e një floriri në vit për çdo shtëpi dhe të dërgimit të nga një burri për derë në ushtrinë e sanxhakbeut, në rast lufte brenda sanxhakut. Në vitet 1650 –1750 filloi një lëvizje e e madhe e fshatarësisë nga krahinat malore veçanёrisht, për të kërkuar kushte më të mira, por sidomos për t’u shpëtuar taksave. Kështu lëvizjet përfshinë edhe Kurbinin. [Fakti që Kurbini nuk njihet më si fshat pas kësaj periudhe (dhe që për ne është zëvendësuar me Skurajn e sotëm), pasi e gjithë popullsia lëvizi drejt zonave më të ulëta; që shumë fise të fshatit Skuraj kanë degët e tyre të trungut të përbashkët në zona të tjera si: Krujë, Durrës, Lezhë, Mat etj. e vërteton katërçipërisht këtë mendim tonin. Kjo do të vërtetohet më vonë me përshkrimin dhe analizën historike që do t’i bëjmë më pas fisit Pervizi apo Ukasani i sotëm]. Por drejtuesit e luftës, duke parë se kjo nuk ishte zgjidhje, dhe se pakësimi i popullsisë do të sillte rrezikun e asimilimit e të pushtimit më të lehtë nga turqit, u përpoqën ta ndalonin një shpërngulje të tillë masive.

Kështu filloi lëvizja e re që synonte jo vetëm bashkimin e gjithë popullsisë për një jetë më të mirë, por sidomos për heqjen e plotë të sundimit osman në këto krahina.

13664404_1068984919861973_1755465106_n

Ne qender te fotos, patrioti Gjin Pjetri

Fundi i shek. XVIII e fillimi i shek. XIX e gjen krahinën e Kurbinit nën administrimin e Pashallëkut të Shkodrës, i cili krahas pashallëqeve të tjera, lindi si nevojë e domosdoshme e fuqizimit të pushtetit vendas e shkëputjes nga sundimi i Perandorisë Osmane. Në fillim të shek XX kemi një përfshirje të përkohshme të Kurbinit në Pashallëkun e Janinës, si rezultat i fuqizimit të këtij pashallëku nën drejtimin e Ali Pashë Tepelenës.

Ne do të përpiqemi të trajtojmë një nga faqet e lavdishme të historisë së kësaj krahine, atë të luftës për Pavarësi Kombëtare në vitet 1900-1912, ku figura kryesore, që ka mbajtur peshën e organizimit e të drejtimit të saj ishte Gjin Pjetër Mark Pervizi nga fshati Skuraj.

www.GIFCreator.me_RohuNY

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: