Advertisements
Telegrafikisht

MULLIRI FALL-NJË BARTËS AUTENTIK I HISTORISË DHE TRADITËS ZEJTARE SHQIPTARE.

Nga: Kastriot MARKU

 

Me ndryshimet e përshpejtuara ekonomike, pjesa më e madhe e produkteve të përdorimit të përditshëm vetjak dhe atyre familjar tashmë prodhohen me makineri, ndaj për rrjedhojë edhe ushtrimi i mjaft prej zejeve dhe mjeshtrive me dorë po zbehet e gati po harrohet dalngadalë, sa që sot për brezin e ri është më se e nevojshme njohja me punët e dorës dhe mjeshtritë e këtyre zejeve, për të mos thënë përtërirja e tyre sikurse këtë e bëjnë vende të ndryshme me përvojë të njohur në veprimtrainë ekonomike bazuar tek turizmi. Kësaj radhe në dukje është rasti të flasim për zejen e bluarjes së drithërave, e konkretisht për mullirin me ujë, por në të vërtetë nuk është kështu.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
Do të flasim për një një mulli me një histori krejt të veçantë. Fjala mulli vjen nga latinishtja molinum që i referohet një strukturë ndërtimore në të cilën është vendosur një mekanizëm i cili realizon bluarjen e drithërave me forcën e ujit, pra shërbente për prodhimin e miellit për bukë deri sa dolën mullinjtë e më pas fabrikat që kryenin këtë punë përmes përdorimit të energjisë elektrike. Mullinjtë e blojës me ujë, zakonisht ndërtoheshin në afërsi të lumenjve apo përrenjve me qëllim që ujin me të cilin punonin t‘a kishin sa më afër, por kur lumenjtë a përrenjtë që siguronin ujin në sasinë e duhur përgjatë gjithë vitit në të gjitha stinët, ishin larg qendrave të banimit ku duhej të ndërtohej mulliri, atëherë mullinjtë ndërtoheshin aty, kushtëzuar prej faktit se uji do të sillej përmes kanaleve të ndërtuara enkas.

Uji vinte përmes kanalit të posaçëm, në disa raste edhe prej disa kilometrash i projektuar në mënyrë të tillë që të siguronte pjerrtësinë e nevojshme për ardhjen e sasisë së duhur të ujit, duke eleminuar ndërprerjet e përrenjve të tjerë përgjatë rrugës, të cilët mund të bëheshin pengesë për ndërprerjen e ujit e për rrjedhojë mosfunksionimin e mullirit, gjë që tejkalohej duke e vijuar kalimin e ujit përmes urave të posaçme. Uji më të mbërritur në afërsi të mullirit ishte projektuar që të kishte një lartësi dhe largësi të caktuar në mënyrë të tillë të që merrte pjerrësinë dhe njëkohësisht forcën e duhur duke përshkuar një tjetër strukture tubi prej tubi druri, punuar me dërrasa që quhej lugu i mullirit dhe përfundonte duke vënë në punë njërin nga gurë e mullirit, i cili duke marrë shpejtësinë e nevojshme të rrotullimit realizonte bluarjen e drithit. Mulliri për të cilin e kemi fjalën quhet “Mullini Fall” dhe gjendet në Kurbin, në jug të fshatit Gallatë, në të majtë të rrjedhës së lumit të vogël, por të rrëmbyeshëm të Hurdhazës, në kufi me fshatin Vinjollë.281855

Në brigjet e këtij lumi nga Skuraj deri në Vinjollë dikur kanë qenë ndërtuar 12 mullinj, ku më të njohurit kan qenë tre mullinjtë e Gjin Pjetrit Pjetri (1856-1914), në Skuraj, tek të cilët vinin e bluanin nga larg (Bulgri, Rubiku (Mirditë), zona Bregut të Matës, Zejmen, Pllanë, Shënkollë (Lezhë), Fushë Kuqe, Gurës, Gorre e deri në Mamurras), ndërkohë në të gjithë krahinën e Kurbinit kanë qenë ndërtuar më shumë se 40 mullinj bloje, pa llogartur mullinjtë e vajit në Gjonëm dhe Zhejë. „Mullini Fall“, si periudhë ndërtimi i përket mesjetës së vonë, ndërtuar me sa duket në shekullin XV. Sipas traditës vendase të shpjeguar nga At Shtjefën Gjeçovi, emri “Fall” i këtij mulliri do të thotë “falë”-falas”, emërtim që me sa duket e ka marrë ngaqë ata që bluanin aty me rend nga gjashtëmbëdhjtë fshatrat e krahinës së Kurbinit, nuk kishin detyrim për mullinin, qoftë në vlerë monetare qoftë kjo në vlerë natyrore, pra mulliri përdorej nga popullsia vendase për plotësimin e nevojave të saj në bluarjen e drithit falas, pa ujem, që do të thotë se mulliri nuk kishte mullis, dhe çdo pjestar shkonte e bluante vetë kur e gjente mullirin lirë, ose në rend sipas vajtjes ose në orë apo ditë ditë të caktuar, ndërkohë që të gjitha katundet kishin detyrim bashkarisht mbajtjen e tij në punë.

hqdefault

Me miellin e bluar në këtë mulli përgatitej buka për gatim; buka kallamoqe/misrit dhe ajo e grurit, miell për kaçamak, qull, petë me pras e me hith, pra të gjitha llojet e prodhimit të brumit. Ky mulli mund të jetë mbase objekti i parë industrial me ujë dhe ndër më të vjetrit e kësaj gjinie në vend, që i përket periudhës së mesjetës në të cilin e gjithë krahina ka kryer shërbimet e bluarjes së drithit dhe prodhimit të miellit. Mulliri është përdorur rregullisht që nga koha kur në këtë zonë kryente luftimet kundër pushtuesve osmanë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), të cilit i atribohet sipas legjendës edhe ndërtimi i tij. Skënderbeu thuhet se ndërtoi këtë mulli për nevojat ushqimore të ushtrisë së tij, sepse asokohe turqit i kishin djegur të gjithë mullinjtë në breg të Hurdhazës, madje edhë më pas ky qe ishte mulliri i vetëm që kishte mbetur në punë falë faktit se ishte i fshehur mes malesh. Kur Skënderbeu u largua prej andej, e bekoi mullirin me fjalët “Mètshin e mos métshin mullît tjére, ti kurr mos metsh!”, “Sa qofsh, blofsh!”.

“Mulliri Fall” shfaqet në dokumentacionin historik së pari në vitin vitin 1672, në relacionin e vizitatorit apostolik Shtjefën Gasparit, në të cilin thuhet se mulliri punon dimër verë ndërsa në vitin pasues 1673, përmendet nga Imzot Gerard Gallata, i cili e specifikon qartësisht se mulliri është në pronësi të Famullisë së Shën Prendes në atë fshat, asokohe selia e Arqipeshkvisë Metropolitane të Durrësit. Në vitin 1703 ky mulli sërish në dokumente del si pronë e kishës, por nuk ishte në punë sepse ishte devijuar uji i përroit. Po ashtu sërish kemi njoftime për të edhe në vitin 1754-1756, kur theksohet se kisha kishte dy ditë për të bluar në dy mullinj të ndryshëm, njëri prej të cilëve padyshim se duhet të jetë ky mulli.
281856

Kjo ndërtesë mbresëlënëse monumentale në trajtë katërkëndëshe është ndërtuar me muraturë me guri të vendi lidhur me llaç prej balte, muret e së cilës janë bashkëlidhur me dy breza druri në të gjithë gajtësinë, ndërsa çatia është e mbulluar me rrasë guri. Objekti dëshmon se është rinovuar disa herë gjatë periudhave të ndryshme kohore. Mulliri ka të gjitha elementët përbërës ndërtimorë të mullirit tradicional sipas kësaj gjinie ndërtimore.

Pra, kemi hyrjen në trajtën e një oborri që shërbente për pritjen e barrtorëve (klientëve), lidhjen e kafshëve të ngarkesës (kuaj dhe mushka), si i vetmi mjet transporti i kohës në zonë dhe organizimin e ngarkesës, vendin për mbajtjen e drithit të pabluar, vendin për drithin e bluar, dhomën ndarëse të mullisit, kanalin e ujit, turrën e lugut etj. Ky mulli është ndërtuar pranë lumit/përroit të fshatit duke shfrytëzuar rrjedhjen e ujit në funksion të lëvizjes së gurit për bluarje, sikurse ndodh me çdo mulli me ujë. Në mungesë të ujit, kryesisht përgjatë verës së thatë, mulliri ishte sezonal, që do të thotë se zakonisht e niste punën në muajin shtator dhe në varësi të reshjeve punonte deri në muajin qershor. Vija e ujit ose përndryshe kanali nga i cili mulliri furnizohej me ujin e lumit, kishte rreth 40-50 cm thellësi si dhe një gjatësi prej rreth 150 metrash.

Për të mbërritur tek mulliri duhet të shmangesh teposhtë nga rruga automobilistike e pashtruar dhe gjithë kthesa dhe të marrësh përbreg lumi dhe mbasi të kapërcesh lumin përmes një ure një urë të vogël që shërben për komunikimin e fshatit të Gallatës me pjesën tjetër  të zonës, e cila vijon më pas për në Vinjollë, gjendesht aty përballë kësaj ndërtese mes gjelbërimit dhe spërkatjes akustike të rrjedhës së lumit. Impianti i “Mullirit Fall” ruan dhe përcjell të gjithë rekuizitën origjinale të kohës, duke dëshmuar procesin e bluarjes tradicionale përmes shfrytëzimit të fuqisë e ujit e cila realizon fërkimin e gurëve, proces nga i cili realizohej bluarja e drithërave.

Dikur, madje deri në periudhën e koolektivizimit të bujqësisë nga regjimi komunist, në luginën e lumit të Hurdhazës kishte rreth 12 mullinj bloje të cilët të gjithë pa përjashtim punonin me forcën e ujit. Ta pasurit e një mulliri ishte tregues i një statusi të mirë social për familjet që i zotëronin dhe njëkohësisht një garanci për sigurimin e sasisë gjithëvjetore të miellit për prodhimin bukës për familjen; drithin për kafshët e ngarkesës, bagëtinë e trashë, të imtat si dhe shpendët. Duhet theksuar se mjaft familje që kishin sasi të pamjaftueshme tokë buke në zona të tilla malore, kushtëzoheshin që një pjesë të mirë të sasisë së drithit dhe grurit që u duhej për të prodhuar bukën, t’a blinin në tregun e Limes (Skuraj) e ,më pas atë të Milotit, pa dyshim njëri prej tregjeve më të njohura jo vetëm në krahinë por në të gjithë vendin. Shumica e bananorëve të këtyre në pjesën më të madhe të vitit përdornin bukën e misrit, sepse buka e grurit ishte një luks për kohën.

Profesioni i mullisit në mullinjtë e zakonshëm (me ujem), ishte një punë e paguar mirë e cila siguronte të ardhura të tilla ditore kur punonte me kohë të plotë sa për të blerë 3-4 babune drithë (përafërsisht një thes me miell), që për t’a siguruar me punë të zakonshme do të duhej të punoje dikund tjetër një muaj kohë. Tashmë, ajo kohë ka kaluar dhe industrializimi edhe në këtë sektor të ekonomisë bujqësore ka sjellë zhvillime të tjera, ku bie në sy se prodhimi i mjellit realizohet nga fabrikat e pakta të mielllit në vend dhe një pjesë e madhe e tij vjen nga importi. I gjithë ky zhvillim bëri që të nxirren gradualisht nga përdorimi mullinjtë e vjetër të cilët viheshin në punë nga fuqia hidraulike e ujit.

408361_510075185687352_1143465550_n

I ndërtuar prej qindra vitesh dhe rrjedhimisht i trashëguar ndër breza ky mulli u ka shërbyer banorëve të kësaj krahine duke punuar  me kapacitet të plotë deri në fund të viteve 80-të të shekullit të shkuar, duke punuar vazhdimisht pa ndërprerje pa u shqetësuar nga teknologjia moderne. Janë ende gjallë një pjesë e madhe e përdoruesve të këtij mulliri të cilët tregojnë për mënyrën e punës, matjen e misrit me qindës, hedhjen e tij në kosh, ndjekjen e procesit të bluarjes si dhe kepjen/prehjen e gurit të mullirit. Moskujdesja dhe mosmirëmbajtja e kësaj vepre unikale në llojin e vet (për herë të fundit është restauruar në vitin 1974), e ka lënë atë jashtë vemendjes dhe marrjes në mbrojtje si pasuri materiale e trashëguar e cila e meriton statusin e të qenit monument kulture.

Objekti në fjalë me sa dimë është shënuar si objekt i vëzhguar nga specialistët përkatës të  Institutit të Monumenteve sa për të justifikuar karburantin e shpenzuar për të vajtur deri atje, por mendoj se ai i plotëson të gjitha kriteret e duhura historike dhe arkitekturore sipas asaj që përshkruam për t’u marrë fillimisht në mbrojtje paraprake deri në shpalljen përfundimtare si monument kulture. Rreziku jashtëzakonisht i lartë i humbjes se këtij objekti/monomenti me vlera te lashta historiko-kulturore, e bëjnë shumë të rëndësishëm ndërhyrjen në mënyrë që ky objekt i trashëgimisë sonë të inventarizohet dhe të futet menjëherë dhe pa humbur kohë në listën e inventarizimit trashëgimisë kulturore të mbrojtur.

Restaurimi i këtij objekti nga institucionet përkatëse që e kanë detyrë dhe përgjëgjësi njëherësh do të ishte një mundësi mjaft e mirë për t’u shfrytëzuar edhe si atraksion turistik jo vetëm për moshën që ka por edhe legjendat që qarkullojnë rreth tij, të cilat për herë të parë i pat bërë të njohura për publikun shqiptar Ati françeskan Shtjefën Kostandin Gjeçovi në revistën Albania të Faik Konicës në vitin 1905. Ndërsa procesi i bluarjes tradicionale është pothuajse e zhdukur fare në këto treva mbas viteve 90-të, ky është i vetmi mulli që i ka të gatshme të gjitha paisjet e nevojshme të cilat me një resaturim të kujdesshëm mund të viheshin ende në funksion formal qoftë dhe vetëm për vizitorët. Për më tepër rinovimi i këtij mulliri, përveç rëndësisë historike do të ishte përtëritje dhe njëkohësisht stimulim për zejet dhe prodhimtarinë tradicionale e cila dita ditës po shuhet.

Gjithnjë e më shumë po rriten kërkesat për të bluar për bukë misri, që sipas mjekëve është më e shëndetshme. Mielli i bluar në mënyrë natyrale dhe buka e misrit, nuk përmban asnjë preparat kimik, të cilat janë të dëmshme për organizimin. “Mulliri Fall” në fshatin Gallatë është një dëshmi simbolike e gjallë e traditës së hershme shqiptare, është një monument i ushqimit dhe mbiejetës së banorëve të kësaj treve. Ky mulli i trashëguar nga njëri brez në tjetrin prej më shumë se 500-600 vjetësh, i dokumentuar së paku prej 365 vjetësh, është bartës autentik dhe i pazakontë, një vendtakim për të gjithë banorët e kësaj lugine, i cili tashmë hesht. Tik-taket e munguara të këtij mulliri janë shenja të heshtjes së kësaj zeje të lashtë në traditën shqiptare që ende flet ndershmërisht me shpresën se një ditë do të dëgjohet sikurse e meriton. 

Milano, prill 2017.
Botuar me 16 prill 2017, ne gazeten “Shqiptarja.com”

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: