Advertisements
Telegrafikisht

Imzot Nikollë Kaçorri, ndër themelvënësit e shtetit shqiptar

Nga Kastriot Marku

Imzot Nikoll Kaçorri u lind në fshatin Krejë të Lurës në vitin 1862, fshat ky që ndan dy krahina të mëdha: atë të Dibrës dhe të Mirditës, si dhe nga pikëpamja fetare dy besimet që përfaqësoheshin në këto dy krahina. Rridhte nga një familje laramane, gjë jo krejt e pazakontë në këtë krahinë, babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna ishte e besimit mysliman, ndërsa xhaxhai i Nikollës ishte edhe ai mysliman, pra në një familje ku festoheshin Pashkët dhe Bajrami, ku mbahej krezhmë dhe ramazan, ku harmonia në familje ishte një model i përkryer për bashkëjetesën fetare si askund në Shqipëri dhe ndoshta edhe në botë, përforcuar kjo edhe përmes krushqive të shumta mes tyre. Pagëzimin ia dha At Domenico de Bari. E ëma Hanë (bijë e familjes Vladi) dhe i ati Vokërr Kaçorri vdiqën të rinj duke e lënë jetim Nikollën bashkë me dy vëllezërit e tij më të mëdhenj Ndrecën dhe Dedën. Asokohe Shehu i Lurës, duke qenë se Nikolla mbeti jetim dhe pa një përkujdesje si duhet, e mori vullnetarisht nën kujdestari, por e deklaroi myslyman. Familja e Kaçorrit nuk e pritën mirë këtë veprim dhe duke përfituar nga rasti, asokohe në vitin 1972, arqipeshkvi i Durrësit Imzot Rafaele d’Ambrosio që kishte nën juridiksion kishtar edhe Lurën, do të kryente një Vizitë Baritore në Lurë, ia paraqitën këtë shqetësim. Arqipeshkvi qëndroj dy ditë në qelën e Lurës dhe Nikolla i vogël ishte „i ftuar” i tij. Arqipeshkvi nuk e zgjati më por u propozo familjarëve se dëshironte ta merrte më vetë për ta shkolluar në Delbnisht, mbasi të niste fillimisht mësimet pranë misioniarit të Lurës. Si çdo fëmijë shqiptar edhe imzot Kaçorri falë zgjuarsisë dhe dëshirës për t’u shkolluar, ra në sy mes bashkëmoshatarëve të tij, dhe bashkë me rritjen në fe, u rrit më edhe fisnikërinë, bujarinë, besën dhe trimërinë, që ishin tradita të vyera të malësisë dhe që ndikuan më vonë në formimin kulturor dhe atdhetare të tij. Sa i takon studimeve të Imzot Nikollë Kaçorrit, ato deri më sot nuk kanë marrë vëmendjen e dukur, e për rrjedhoje shpesh janë kontradiktore dhe të pasakta. Gjithsesi mund të thuhet me siguri se pasi kaloi rreth një vit pranë misionarit në Lurë për dhjetë vjet gjendet në Delbnisht pranë Seminarit Arqipeshkvor ndërsa në shtator të vitit 1882, i shoqëruar nga At Gottardo D’Albano, Kaçorri u dërgua në Kolegjin e Shkodrës për studime, të cilat i përfundoj me rezultate shumë të mira. Në vitin 1884, pas përfundimit të suksesshëm të studimeve filozofiko – teologjike në Seminarin Papnuer të jezuitëve në Shkodër, Nikollë Kaçorri u shpërngul në Itali në Universitetin Urbaniana e më pas në Universitetin “Zeking” në Zyrih të Zvicrës, ku pasi plotësoi studimet, diplomohet dhe shugurohet meshtar në dhjetor të vitit 1893. Fillimisht shërbeu për një kohë të shkurtër (më pak se një vit) në Delbnisht e më pas në shkurt të vitit 1894 u emërua Famullitar pranë Kishës Katolike të Shën Luçisë në Durrës. Në vitin 1906 u emërua Protonoter Apostolik, duke iu dhënë kështu titulli Imzot dhe e drejta për t‘u veshur ipeshkëv, por sipas ligjit kanonik pa të drejtat e ipeshkvit. Dy vjet më pas në vitin 1908, Imzot Bianki e paraqiti Kaçorrin si kandidat për ipeshkëv në seline vakante të Shkupit. Shërbeu 24 vjet si famullitar e midis të cilëve 11 vjet edhe si si ipeshkëv ndihmës. Ai ishte sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në fshatin Delbnisht të Kurbinit, duke patur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës.
Në fillim të shek. XX tashmë çështja kombëtare ishte shtruar si ekuacion për zgjidhje në trajtën: ose çlirim prej zgjedhës turko-osmane e mëvetësi, ose shpërbërje pjesë-pjesë mes shteteve fqinjë, Greqisë, Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi. Kryengritjet antiosmane së bashku me lëvizjen kulturore të atdhetarëve shqiptarë ishin fokusuar mbi këto dy qëllime, të cilët pak e nga pak po e trandnin pushtetin osman, i cili përpos kësaj kishte edhe problemet e veta të brendshme.
Duhet thënë për hir të së vërtetës se kleri katolik pati një rol vendimtar në kryengritjet anti-osmane në prag të Pavarësisë, sepse mbas çdo kryengritje, mbas çdo peticioni e memorandumi, mbas çdo kuvendi krahinor e ndërkrahinor, ishte organizator një meshtar meshtar katolik. Imzot Jak Serreqi, Imzot Luigj Buçi, dhe veçanërisht etërit françeskanë At Gjergj Fishta, At Pal Dodaj, At Karl Prennushi, At Lorenc Mitroviç, At Mati Prennushi, At Sebastian Hila, At Bonaventura Gjeçaj, At Luigj Bushati, në malësinë e Shkodrës dhe Imzot Primo Bianki, Imzot Nikollë Kaçorri, At Shtjefën Gjeçovi të cilët ishin edhe nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të prijësve popullorë, Dedë Gjo‘ Luli, Mehmet Shpendi, Marash Vata, Prekë Cali, Gjetë e Dedë Coku, Gjin Pjetri etj. Pranvera e thatë e vitit 1901, e vështirësoi edhe më shumë gjendjen, mbasi shumica e popullsisë së zonës së Kurbinit dhe përrreth saj ishin në mjerim të thellë e kërcënoheshin nga uria. Kurbinasit u ankuan pranë autoriteve osmane të Portës së Lartë, si dhe nëpërmjet Imzot Prend Bardhit (Primo Bianchit) edhe pranë konsujve austrohungarezë, për shkak se Austro-Hungaria ishte fuqi protektore në mbrojtje të katolikëve shqiptarë. Në këtë kohë nga 26 marsi deri më 5 pril 1903, Dom Nikoll Kaçorri merr lejen e vëzhguesit nga Konsulli i Vjenës në Durrës për të vëzhguar drejtpërdrejt ankesat dhe gjendjen e vështirë të popullsisë katolike të Kurbinit. Misionin faktmbledhës Kaçorri e shoqëroi edhe me një raport, të cilin ia dorëzoi konsullit austro-hungarez në Durrës. Ky udhëtim i Dom Nikollë Kaçorrit ishte mjaft i rëndësishëm jo vetëm për të mbledhur faktet e veprimet e dhunshme dhe arbitrare kundrejt poullsisë nga ana e Esat Pashë Toptanit, por mbi të gjitha për tu njohur me drejtuesit e mundshëm të kryengritjes së pritshme antiosmane. Është pikërisht kjo koha në të cilën Dom Nikollë Kaçorri do të lidhej shpirtërisht dhe “politikisht” me Kurbinin. Pas ekspeditës të ndërmarrë në shkurt të vitit 1903 kundër Kthellës dhe Kurbinit, e cila gjithsesi edhe përkundrejt shkatërrimit të madh nuk pati gjithaq sukses, bëri që Esat Pasha të mendojë të fillonte në vjeljen e taksave fillimit në fshatrat e kazasë së Krujës, por edhe aty nuk gjeti mirëkuptim, prandaj e shtyu atë për pranverën e ardhshme. Fill pas kësaj kryengritësit nën kryesimin e Gjin Pjetrit mblodhën përfaqësuesit e 16 fshatrave të Kurbinit me 30 shtator 1903 te Vidhat e Nokajve në Laç, (menjëherë pasi kishin festuar Shën Mëhillin), ku u deklaruan kundër këtyre nismave ligjore dhe më 2 tetor 1903 arritën në Krujë dhe së bashku me krutanët, pasi kuvenduan gjerë e gjatë vendosën që të mos lëshojnë pe në plotësimin e kërkesave të tyre prej pesë pikash, të cilat rregullonin marrëdhëniet midis pjesëmarrësve dhe qeverisë turke. (2500 burrat pjesmarrës u betuan sipas ritualit vendas për gjatë 3 orëve). Në vitin pasues 1904, autoritetet osmane u përpoqën të bindnin parinë e Kurbinit për të hequr dorë nga kokëfortësia e saj, por sërish ajo refuzoi të paguante të dhjetën, duke e lënë sërish Kurbinin jashtë kontrollit të administratës shtetërore osmane. Në fakt nisma e aktivitetit politik të Kaçorrit nis në kohën kur Arqipeshkvi Imzot Prend Bardhi (Kameri) (Primo Bianchi), kishte nisur ndërtimin e Pallatit Arqipeshkvor që në vitin 1902, dhe aty rreth vitit 1905, saktësisht nga 3 deri me 5 korrik thërret për tre ditë me radhë rreth 150 punëtorë nga të gjitha fshatrat përreth për afrimin e trenve për të vendosur çatinë. Natën e fundit, ndërsa punëtorët shpërndahen, thërret veçmas Gjin Pjetrin, Llesh Marka Kolën nga Miloti dhe Ndre Bardhokun prej Malit të Bardhë dhe aty në zyrën e vet, i jep fjalën Dom Nikollë Kaçorrit, i cili pasi u bën një paraqitje të gjatë të situatës politike rajonale, i fton të mbajnë kontakte në vijimësi më të duke u kërkuar edhe kontribut konkret në sigurimin e personave të gatshëm, ngaqë ishin familje të mëdha e të njohura në Kurbin. Nikollë Ndreu garantohet vetë e katërt me Llesh Gjokë Lalën, Ndrecë Prengën dhe Prengë Ndrecën; Gjin Pjetri me Gjergj Lleshin, Frrok Prendin dhe Ndrecë Pjetrin ndërsa Llesh Mark Kola me Prengën, Jakun e Dedën. Fillimisht Kaçorri u mudua me të gjitha mundësitë dhe lidhjet e tij të pajisë popullsinë e kësaj zone me rreth 500 armë, të cilat u shpërndanë në Kurbin e Kthellë të Mirditës. Edhe pas Kuvendit të Dytë në Tallajbe më 7 mars 1904 dhe atij të tretë Ditën e Shëngjergjit (23 prill 1904), si dhe më 10 tetor të po të njëjtit vit në Fushë Krujë, (Sipas dorëshkrimit të At Shtjefën Gjeçovit: “Parradija e popullit ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënve e dokeve të reja t’Osmanllive. 1903, 1904, 1905, 1906”), kërkesat nuk u sprapsën edhe pse qeveria turke sërish mashtronte duke u thënë se do të merrte vetëm taksën e zakonshme. Nën urdhërin e drejtpërdrejtë të valiut të Shkodrës Hajdar Pasha, kërkohej medeomos vendosja e administratës osmane në Kurbin, me qëllim shfuqizimin e vetqeverisjes tradicionale, një lloj autonomie vendore që kurbinasit e kishin ruajtuar forcërisht. Nga ana tjetër shteti protektor ishte për ruajtjen e vetqeverisjes së Kurbinit në bazë të organizimit tradicional të tij, por nuk këshillonte që kjo të bëhej në formën e organizmit e kundërveprimit ushtarak, prandaj ai përpiqej vazhdimisht përmes Ipeshkvit Bianki që ai të qetësonte e të mbante nën kontroll situatën. Edhe pse i eskpozuar nga këndvështrimi gjeografik në pamje të parë, zyrtarët osmanë e dinin mirë se prishja e qetësisë nga Shqipëria Veriore dhe ajo e Mesme do të vinte pikërisht prej andej, nga Kurbini, ndaj tërheqja e detyruar e mytesarifit të Durrësit Teofik Pasha si dhe e Valiut të Shkodrës, edhe pse ishte një shenjë e rënies së autoritetit dhe e paaftësisë në vënien nën kontroll të kësaj krahine, gjë që kishte alarmuar edhe Portën e Lartë, ishte një lloj tërheqje e përkohshme për të analizuar situatën. Nga ana tjetër Dom Nikollë Kaçorri ishte vënë në shenjë nga autoritetet osmane si nxitës i gjithë kësaj kundërvënie, kjo falë njohjes dhe respektit që ai kishte jo vetëm në popullsinë katolike të Kurbinit, Kthellës e Lurës, por edhe në parinë myslimane në Durrës e Tiranë. Fakti i mosmarrjes në konsideratë të qeveritarëve osmanë si dhe mosbindja deridiku ndaj këshillimeve dhe udhëzimeve të shtetit protektor, i cili deklaratat publike të Kaçorrit dhe veprimet e shumta të tij i konsideronte si të papërgjegjshme, udhëzime e këshillime të cilat kalonin zyrtarisht përmes Ipeshkvit Bianki, bënë që e gjitha kjo të shoqërohej më në fund me një akt të shëmtuar; atë të rrahjes së Dom Nikollës nga xhandarët në një nga rrugicat e Durrësit, incident i cili jo vetëm që e  mbajti  të tensionuar situatën, por edhe shtoi më tepër atë. Imzot Nikollë Kaçorri ishte ndër të parët që e kishte kuptuar këtë kontekst socio-politik prandaj fillimisht ishte marrë me hapjen e shkollave shqipe në Milot, Rrëshen dhe në Durrës, më pas me organizimin e shoqërive patriotike “Vllaznia”, dhe “Bashkimi” Durrës (1907-1909), ku takoheshin intelektualët më me zë, duke patur në qendër si problem parësor – rilindjen e Shqipërisë, arsimimin, gjuhën dhe librin shqip. Gjatë viteve 1905 – 1907 së bashku me Imzot Primo Biankin dhe At Shtjefën Gjeçovin, tre personaliteteve me rëndësi në jetën publike dhe fetare të kohës, drejtoi diplomatikisht kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve osmanë në krahinën e Kurbinit e cila u bë krahina nismëtare e kundërshtimit osman. Popullsia katolike e kësaj krahine qyshë në vjeshtën e vitit 1905 nuk kishte pranuar të paguante taksat e prapambetura, dhe në vitin pasues nuk pranoi të paguante taksën për bagëtinë, për shërbimin ushtarak (bedel-askerie), si dhe detyrimin e të dhjetës që qeveria turke po këmbëngulte t’i vilte qysh në vjeshtën e vitit 1905, pra kishte dalë haptas kundër zgjedhës fiskale Osmane, prandaj për t’u shpëtuar ndjekjeve të reparteve ndëshkuese ajo u detyrua të tërhiqej në male dhe të qëndronte gjatë gjithë vitit 1906, derisa autoritetet turke pranuan të hiqnin dorë nga taksat e reja dhe të shpërblenin (gjoja) dëmet e shkaktuara nga ekspeditat ndëshkimore. Në këto kushte Nikollë Kaçorri dhe Gjin Pjetri menduan të krijonin « …një besëlidhje ndërkrahinore, ide që u mirëprit edhe nga paria e Kurbinit për aleanca me Matin, Lezhën, Mirditën, Dibrën, Lurën, Kthellën, Ishmin, Krujën, Tiranën etj. » ndaj njoftuan mbajtjen e një kuvendi në Delbnisht në vjeshtën e vitit 1905, i njohur si Kuvendi i parë i Delbnishtit, në të cilin u mor vendimi i prerë për të mos i paguar anjë taksë administratës osmane dhe të lidhej besa (itifaku) për të qëndruar së bashku kundrejt vendimeve të qeverisë turke; të ndaloheshin vrasjet (gjakmarrja), si mënyrë mbrojtje; dhe secilit prej të besëlidhurve që do të thyente këtë itifak (besëlidhje) do të dënohej sipas të drejtës zakonore duke i djegur shtëpinë, duke i prerë pemët e kopshtit, deri në dëbimin prej fshatit. Si pasojë e pakënaqësisë së përgjithshme më 5, 6 e 7 gusht të vitit 1906 përfaqësuesit e parisë e të vegjëlisë të popullsisë katolike të Kurbinit zhvilluan një mbledhje (kuvend) në katundin Delbnisht, ku morën pjesë Dom Nikoll Kaçorri e At Shtjefën Gjeçovi. Me kurbinasit u bashkuan banorët e Kthellës, të Ranzës, të Malësisë së Lezhës e Bregut të Matit, të Lurës si dhe popullsia myslimane e Krujës. Më 16 maj 1906, guvernatori dhe komandanti i Vilajetit të Shkodrës Salih Sekiy, i dërgoi Imzot Biankit një letër përmes së cilës e porosiste që t’i këshillonte krerët e katundeve të Kurbinit të respektonin dhe të mos kundërshtonin qeverisjen gjoja të drejtë të Madhërisë së Tij Sulltanit. Me këtë rast u ngrit enkas edhe një këshill mbikqyrës gjoja i kryesuar nga Ipeshkvi Imzot Bianki dhe dy-tre përfaqësues të administratës osmane, me shpresë se më në fund do të nxirrnin frytin e dëshiruar.
Letrën e guvernatorit, Bianki ia lexoi popullit të Kurbinit, por ata morën përsipër që t’i përgjigjeshin vetë Mirallajt Shefik Beut dhe Vali Pashës me datë 3 nëntor 1906. Ndërkohë krerët e Kurbinit mbasi u njohën prej me letrën nga Arqipeshkvi iu drejtuan me 3 nëntor me përgjigjen përkatëse Shefki Beut dhe Valiut, po ashtu veçmas këtij të dytit i shkroi vetë Gjin Pjetri.
Qeveria osmane në përpjekje për të mos humbur autoritetin e saj në sy të popullit të Kurbinit, në pranverën e vitit 1906 organizoj ushtarakisht garnizonin e Krujës me një regjiment ushtarësh të rregullt nën komandën e Mirallajt. Ngjarjet morën rrokullimën për të mbërritur tek kuvendi i II i Delbnishtit më 31 maj 1906, ku mori pjesë edhe arqipeshkvi Bianki. Në këtë kuvend iu dërgua një promemorie vetë Perandorit të Austro-Hungarisë, ndërkohë filloi menjëherë futja e armëve nga tregjet e huaja sidomos atyre italiane dhe autriake, ndërmjetësuesi i të cilëve ishte Dom Nikollë Kaçorri. Ndërkohë Kuvendi i III i Delbnishtit i mbajtur në tre ditë 5, 6 dhe 7 gushtit 1906 me vendimet që mori, tashmë e kishte shpallur luftën. Në shtator –nëntor reagimi i pushtuesve osmanë qe vërtetë i ashpër pasi një ekspeditë nga Zheja në Laç-Milot për të përfunduar në luftën e ashpër në Skuraj, ku kthyen me humbje e të dëshpëruar, bënë që djegiet e shtëpijave, sekuestrimi i pasurisë dhe i gjësë së gjallë të nxisë pleqësinë e fshatrave të Kurbinit e cila u dërgoi letër qeverisë austro-hungareze, ndërsa Gjin Pjetri dhe Primo Bianki degës së konsullatës austro-hungareze në Durrës, ku protestonin për djegiet, plaçkitjet. Arqipeshkvi protestoi edhe për rrëzimin e kryqit në kishën e Laçit. Të njëjtën gjë bëri edhe Arqipeshkvi i Shkupit Imzot Pashk Trokthi pranë kosullatës austro-hungareze në Prizren, i cili protestonte kështu për ngjarjet që zhvilloheshin në vendlindjen e tij, sepse ai ishte nga Laçi.
Fill pas kësaj lufte Kajmekani i Krujës sërish i dërgon fjalë Gjin Pjetrit që të dorëzohej në këmbim të faljes së taksës së gjësë së gjallë, por ky i fundit assesi nuk pranoi. Në këto kushte kur qeveria turke e Krujës nuk mundi në asnjë mënyrë ta bindte Gjin Pjetrin, kërkoi ndihmën e Valiut të Shkodrës i cili premtoi se do të bënte lëshime ndaj kryengritësve kurbinas, me kusht që ata të linin armët dhe të ktheheshin në shtëpitë e tyre e çështjen ta linin në dorë të një komisioni bisedimi dypalësh të përbërë nga Shan Deda dhe Ibrahim Effendi Qorri. Valiu kërkoi në fillim Gjin Pjetrin përmes mikut tij të vjetër Dedë Cokut në Shkodër më 23 prill 1907, i cili u paraqit me të vëllanë e Dedë Cokut për të negociuar mbi këtë marrëveshje paqeje, ndërkohë që Nikollë Kaçorri nuk gjendej aty. Gjin Pjetri kishte marrëdhënie të ngushta me krerët e krahinave përreth; Rranzë, Malësi e Lezhës, Lurë, malësorët e Bregut të Matës e të Gurëzit, Krujën, Matin, Tiranën e Durrësin. Ai para se të nisej për në Shkodër e diskutoi problematikën me krerët e krahinës dhe në veçanti me Dom Nikollën. Valiu dërgoi si negociatorë në Milot më 29 prill 1907, Shan Dedën dhe Ibrahim Qorrin, për të nënshkruar marrëveshjen dhe me 3 maj 1907 kurbinasit i dhanë fund rezistencës së armatosur dhe u kthyen në shtëpitë e tyre me kushtet e mëposhtme: 1-Falja e taksës së gjësë së gjallë; (xhelepi i lopëve), 2-Liria e plotë zakonore vendore në Kurbin; 3-Falja e kryengritjes (amnisti); 4-Ndalimi i kryengritësve për të trazuar ushtrinë dhe nënpunësit e qeverisë turke; 5-Dëmshpërblimi nga ana e qeverisë për dëmet e shkaktuara përgjatë ekspeditave ndëshkimore.
Por, qeveria osmane nuk u qëndroi kushteve të vëna në pikat e marrëveshjes, veçanërisht pikës së dytë dhe asaj të pestë. Në nëntor të vitit 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit së bashku me At Gjergj Fishtën dhe Luigj Gurakuqin e shumë atdhetarë të tjerë, të cilët i dhanë kahje perëndimore kulturës shqiptare. Po ashtu mori pjesë edhe në Kongresin e Elbasanit i cili synonte të korrigjonte imazhin negativ të kongresit të Dibrës (korrik 1909) të organizuar prej xhonturqve. Veprimtaria atdhetare e imzot Nikollë Kaçorrit e shqetësoj fort administratën osmane, e priste vetëm një shkak të vogël për ta burgosur. Edhe pse i ndjekur e i përndjekur, Imzot Kaçorri nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me çetat kryengritëse, sidomos ato që vepronin në zonën e Kurbinit dhe në Malësitë e Kthellës, ku përfshihej edhe vendlindja e tij, Lura. Dhe shkaku u gjet, mu në momentin kur ishte përfshirë për një kryengritje të armatosur në gjithë Shqipërinë. “Ndaj tij kishte filluar edhe procesi hetimor nga organet e prokurorisë osmane në Durrës. Dom Kacorri refuzonte në mënyrë kategorike të paraqitej në organet gjyqësore, duke përdorur si argument mbrojtës të drejtën ekumenike, që gëzonte një klerik, sipas së cilës ai nuk mund të thirrej për hetim në një zyrë civile”. Vrasja mes vetes e dy delbnishtasve në vitin 1910 (familja Pjetër Ndue Lleshit dhe ajo e Pjetër Ndue Gjetanit; Pal Ndue Lleshi vret Marka Ndue Gjetanin, në besë të bajrakut të vendosur në Kuvendin e Delbnishtit të Gushtit 1906), u bë shkak që krerët e bajrakut t’u djegnin shtëpitë sepse kishin qenë ne besë. Ky ndëshkim i bërë mbi bazën e vendimmarrjes së bërë në Kuvendin e Delbnishtit të gushtit 1906, e irritoi qeverinë turke e cila po shihte kështu realizimin rigoroz të traditës zakonore vendase. Për këtë arsye qeveria turke arrestoi në befasi në muajin gusht të atij viti Gjin Pjetrin, Llesh Marka Kolën, Pjetër Vathin dhe Gjergj Ndocin, të cilët u mbajtën për 9 muaj në Durrës dhe vetëm presioni i kryengritësve bëri që qeveria turke t’i lironte në muajin janar të vitit 1911. Kajmekani i Krujës tashmë nuk do të ishte i qetë. Funksionimi i besës dhe vendimeve të Kuvendeve (djegia e shtëpive) e të tjera si këto, krijuan reaksion tek qeveria, e cila arrestoi në verën e vitit 1910 Dom Nikoll Kaçorrin me motivin se ushtria turke zuri në Shijak rrogtarin e tij me tri manxerre e ca fishekë e letra poste që po i dërgonte në Delbnisht tek Arqipeshkëvi i Durrësit Imzot Bianki. Imzot Kaçorri doli paraqit para gjykatës më datën 25 të atij muaji dhe dënua me katër vjet burg, por më pas u lirua mbas dhjetë muajsh në mars 1911 me kërkesën e Arqipeshkvit, i cili kërkoi përsëritjen e gjyqit. Pas lirimit nga burgu tashmë do të punonte për ngritjen e flamurit në Durrës, sipas programimit që ishte bërë me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin, Stef Kaçulinin e të tjerë. Për shkak të konjukturave të kohës ndihmuar edhe nga vetë shqiptarë me kokën nga Stabollli, falë patriotëve durrsakë delegatët shpëtojnë dhe marrin rrugën e Vlorës, ngaqë nuk u lejuan ta shpallnin Pavarësinë në Durrës. Më 27 nëntor 1912, Ismail Qemali e Dom Nikollë Kaçorri telegrafisht njoftojnë Imzot Biankin që të shpallë pavarësinë në Kurbi, duke ngarkuar të lajmërojnë për këtë edhe popullin e Mirditës dhe të Shkodrës. Kurbinasit në kryesinë e Gjin Pjetrit të ndjekur nga më shumë se 300 burra më 28 nëntor 1912 paradite ngritën flamurit në Milot. Shihej mungesa e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili për vite me radhë kishte qenë pranë kurbinasve në të gjitha përpjekjet e tyre kryengritëse, por tashmë ai kishte mandadin të përfaqësonte Kurbinin në mbledhjen e Delegatëve të të gjitha krahinave të vendit në Kuvendin Kombëtar historik të Vlorës, ku edhe u zgjodh nënkryetar i qeverisë së parë të shtetit shqiptar.
Kështu me 28 nëntor 1912 në orën 14.00 u shpall u shpall pavarësia e Shqipërisë. Firma e dytë, mbas Ismail Qemalit ishte ajo e Imzot Nikollë Kaçorri. Valvitja e flamurit atë ditë të shejtë, siç e dëshmojnë fotografitë e kohës, u bë pikërisht nga Imzot Noli, Luigj Gurakuqi, Imzot Nikollë Kaçorri dhe Aqif Pashë Elbasani. Kuvendi Kombëtar i Vlorës formoi Qeverinë e parë shqiptare, “Qeveria e Përkohshme” dhe me “me një za venduen që Shqipnia më sot të bahet në vete, e lirë e e mosvarme”. Pas nënshkrimeve në fjalë, kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin kryeministër të qeverisë së përkohshme dhe ministër i punëve të jashtme si dhe Dom Nikollë Kaçorrin si zëvendës të tij, nënkryetar i qeverisë shqiptare. Në ditën e dytë, më 30 nëntor 1912, delegatët i dhanë të drejtë kryeministrit të zgjedhë anëtarët e kabinetit të tij. Pas këtij vendimi në orën 17.30 delegatët morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Gjithashtu u përcaktua edhe numri tetëmbëdhjetë anëtarëve të Pleqësisë. Në mbledhjen e tretë të datës 1 dhjetor, Kuvendi vendosi formimin e kabinetit dhe zgjedhjen e Pleqësisë derisa sa të vinin delegatët e tjerë ndërsa personat që do të dërgoheshin në përbërje të delegacionit shqiptar që do të shkonte në Europë do t’i zgjidhte qeveria. Duke pasur parasysh faktin se Ismail Qemali ishte edhe kryeministër edhe si ministër i punëve të jashtme dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte jashtë Shqipërisë nëpër kancelaritë e Europës, mund të thuhet se ishte Imzot Nikollë Kacorri ai që kryente punën e kryeministrit në Shqipëri. Ismail Qemali vinte sikurse merret me mend pas një periudhe të gjatë kohore mërgimi në një terren të përgatitur sigurisht nga pjesa e atdhetarëve të këtushëm, ku pa dyshim punën kryesore e kishte bërë  Dom Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi. Marrja e këtij posti të rëndësishëm ishte rrjedhojë e kësaj pune edhe përkundrejt ngarkesës me veprimtari, sa kishtare, aq edhe politike sikurse e kërkonte një detyrë e tillë, gjithnjë me lejën e të parëve sipas motos së klerit katolik për “Fe e Atdhe!” e jo sikundër është shprehur në ndonjë rast ndonjë studiues se nuk iu nënshtrua disiplinës kishtare. Në mars 1913 Kaçorri u demoralizua shumë nga qeveria e tij, kur pa se në portin e Durrësit ankoroheshin pa pyetur askënd anije greke si dhe kur vuri re aleanca të fshehta bullgaro-turke për të cilat ishte në dijeni kryeministri, prandaj më 30 mars 1913 përmes një letre dha dorëheqjen. Pas këtij akti tërësisht qytetar dhe të përgjegjshëm, Kaçorri nuk luajti rolin e kundërshtarit dhe as nuk u bë pjesë e aleancave që u shfaqën më pas.
Ndërkohë në maj 1913, Esat pashë Toptani pas largimit të trupave serbe nga Durrësi organizoi në Krujë një mbledhje të Shqipërisë së mesme, me përfaqësues nga Kavaja, Durrësi, Tirana, Kurbini, Lezha, etj, e cila njohu si drejtues të saj nënprefektin e Tiranës, Musa Qazimin. Mendimet e hedhura në këtë mbledhje kishin të bënin me shpalljen e Krujës kryeqytet, me domosdoshmërinë e ardhjes së një princi të huaj si dhe me një lutje drejtuar Esat Pashës (që nuk mori pjesë në mbledhje) në mënyrë që ky i fundit të merrte në dorë qeverisjen e vendit. Ndër pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje ishte edhe Dom Nikollë Kaçorri. Pas mashtrimeve të Esat Pashës, kijimit të qeverisë së tij, të cilën e shpalli në Durrës më 18 qershor dhe pas rënies së kësaj qeverie, kur më 29 korrik 1913 Konferenca e ambasadorëve kishte vendosur që Shqipëria të bëhej principatë autonome, Kaçorri u tërhoq në Durrës. Lufta Ballkanike dhe sidomos loja e pandershme e pas krahëve, pabesia e Esat Pashë Toptanit me mendje e zemër nga Stambolli benë që Qeveria e Ismail bej Vlonës të mos e kishte jetën e gjatë. Nikollë Kaçorri u kthye në Durrës, ju desh të përballonte një ndër ngjarjet më të shëmtuara të historinë shqiptare të shekullit të XX. Një fshatar tiranas i njohur si Haxhi Qamili nisi  njërën nga kryengritjet më prapavajtëse në historinë shqiptare përgjatë pesë shekujve, doli në krye të kryengritjes së Shqipërisë së mesme, duke mobilizuar pjesën më të prapambetur të saj të saj për të kërkuar rilidhjen me Turqinë dhe bashkë me kërkoi rivendosjen e flamurit turk. Ndjenja antishqiptare e mbi të gjitha antievropiane shkoi deri aty sa të të digjte qelën ku banonte dhe t’i shkatërronte bibliotekën e tij personale mjaft të pasur, bile do të mbërrinte ta shfryente inatin deri aty sa të digjte kishën qelën dhe Pallatin Arqipeshkvor në Delbnisht (2 shtator 1914), ku Kaçorri kishte kryer pjesën më të madhe të aktivitetit të tij atdhetar. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri nuk u ndal. Bashkë me Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujen, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Germenjin etj., themeluen lidhjen “Për Atdheun e për Thronin”, që të mund të ndalnin atë trazirat antikombëtare që po shkaktonin atdhemohuesiti Esat Pashë Totani dhe Haxhi Qamili. Emërimi i Princ Wied-it u shoqërua edhe me vizitën e një delegacioni shqiptar që shkoi në Gjermani më 21 shkurt 1914 për t’i dorëzuar kurorën mbretërore Wilhelm von Wied-it përbëhej nga: Esat pashë Toptani (kryetari i dërgatës), Milto Shavari, Dom Nikollë Kaçorri (Durrësi), Xhemil bej Vlora, Spiro G. Koleka, Jusuf Hamzaraj (Vlora), Shefqet Vërlaci, Lef Nosi, Ahmet Hastopalli (Elbasani), Ndoc Çoba, Pashko Kakarriqi (Shkodra), Sami Vrioni, Hysen Vrioni, Iljaz Vrioni (Berati), Abdyl Ypi, Mihal Turtulli (Korça), Ekrem bej Libohova (Gjirokastra), Eqrem Vlora (Tirana e Shijaku) dhe Hasan Prishtina (Kosova). Mbreti i posapagëzuar u nis në drejtim të Shqipërisë duke kaluar në Trieste, ku u prit më 5 mars jo vetëm nga autoritet austro – hungareze, por edhe nga mjaft shqiptarë të ndodhur atje ku spikaste Dom Nikollë Kaçorri për të mbërritur në Durrës më 7 mars. Por për fat të keq qeveria e Wied-it u përball menjëherë me figurën groteske të Haxhi Qamilit, i cili bashkë me gjithë grigjën e tij, i vuri flakën Shqipërisë në momentin më tragjik të saj. Ai përfaqësonte krahun e armatosur të kësaj pjese regresive e cila udhëhiqej shpirtërisht nga myftiu/imami i Tiranës dhe myftiu/imami i Kavajës. Princ Wied-i nuk mund të përballej me këtë figurë kaq qesharake, prandaj një njeri i tillë mund të shmangej vetëm nga një tip deri diku i ngjashëm me të, e ky ishte Esad Pashë Toptani një personazh i njohur për veprimtari e sjellje absurde, por me një ndryshim të vetëm sepse ai në fund të fundit ishte përfaqësuesi më brilant i administratorit të lartë otoman qe sjelljen e tij e kishte kultivuar instucionalisht. Esat Pasha e shtypi kryengritjen dhe e vari Haxhi Qamilin bashkë me një tufë kopukësh të tjerë në Durrës. Më 28 qershor 1914, në Sarajevë vritej arqiduka Franc Ferdinandi i Hapsburgëve dhe një muaj më pas Austria sulmonte Serbinë; Gjermania i shpallte luftë Rusisë e Francës, Belgjika pushtohej nga ushtritë gjermane, hynte në luftë Anglia. Kishte filluar Lufta e parë Botërore. Shqipëria u bë urë kalimi për ushtritë e të gjitha palëve ndërluftuese. Shkelën në rrugët e saj italianë, austriakë, francezë, serbë, malazezë. Në janar 1916 u largua Esat Pashë Toptani dhe në nëntor 1916 u lajmërua vdekja e perandorit Franz Jozef, i cili vetëm pak kohë më parë kishte festuar 80-vjetorin e lindjes. Më 23 janar 1917, në kuadër të përvjetorit të parë të trupave të saj në Shkodër, Austro – Hungaria shpalli botërisht autonominë e Shqipërisë, e cila garantonte të ardhmen e shtetit shqiptar nën mbrojtjen e Vjenës. Në shpalljen e lëshuar me këtë rast, të komunikuar nga gjenerali Trollmann ndër të tjera thuhej se “… austro – hungarezët nuk erdhën në Shqipëri për të pushtuar vendin, por për të ndjekur armiqtë e shqiptarëve dhe se Vjena ishte përpjekur gjithmonë për ruajtjen e popullit e tërësinë e tokës shqiptare”. Pak javë më vonë, një delegacion shqiptar, i përbërë prej 34 vetash udhëtoi, në Vjenë për t’i uruar hipjen në fron Perandorit 29-vjeçar Karlit I. Delegacioni u nis nga Shkodra më 14 prill me një avullore, ndërsa një ditë më parë ata ishin takuar me gjeneralin Trollman. Më 18 prill 1917 u krye edhe takimi me perandorin. Delegacioni shqiptar përbëhej nga: Musa Juka, Kolë Ujka, Hasan Efendi Bekteshi (Shkodër), Vat Marashi (Shkrel), Gjelosh Gjika (Kastrat), Abdi Kola (Shalë), Hasan Ahmeti (Postribë), Mano Bej, Mehmet Bej, Dedë Çoku (Lezhë), Llesh Miloti (Zadrimë), Ndue Gjoni (Orosh), Zef Ndoci (Spaç) Zenel Aga (Iballë), Muharrem Pengili (Krujë), Ahmet bej Zogu (Mat), Musa Maçi, Xhelal bej Toptani (Tiran), Izedin Beshiri, Imzot Nikollë Kaçorri (Durrës), Qazim Bej, Shazivar Alltuni (Kavajë), Irfan bej, Lef Nosi (Elbasan), Sami bej Vrioni, Mehmet Esat, Dhimitër Lavda (Berat, Skrapar), Ahmet bej Resuli, Emin Vokopola (Lushnje), Kahreman Vrioni (Fier), Elez Isufi (kryetar fisi, Peshkopi), Sali Spahia (nënprefekt i Lumës), Hysni bej Curri (nënprefekt i Bunjës), Sali Mani (Bunje), Hasan bej Prishtina (Kosovë). Ndërsa delegacioni u kthye, Imzot Kaçorri që ishte i sëmurë prej kohësh, iu rishfaq sëmundja e tmerrshme, për të cilën u konsultua fillimisht me një mjek specialist për sëmundjen shumëvjeçare të stomakut. Pas konstatimit të ulçërës së rëndë në stomak dhe në zorrë, mjekët e këshilluan që të mos kryente operacion, edhe pse sëmundja kishte përparuar aq shumë sa edhe mjekësia e përparuar austriake nuk kishte çfarë të bënte më tepër. Pas një përmirësimi për gjatë tre javëve pasuese, me ç’rast mbas dhjetë ditësh ishte parashikuar të dilte nga spitali, krejt papritur të hënën e Rrëshajve më 28 maj pati hemarrogji të fortë dhe më 29 maj 1917 pas ripërsëritjes së hemarrogjisë në orën 13.30 dha shpirt në sanatoriumin Ëürth. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Pasuria e tij ishin një baule me rroba, 4100 korona dhe ora e xhepit prej argjendi. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Ëinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendej në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19 në një varr të veçuar blerë për 20 vjet. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në vitin 2011, falë kujdesit të nipit të tij Edmond Kaçorrit si dhe Dom Prend Kolës dhe Pjetër Logorecit, çka bëri që me kthimin e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Shqipëri të plotësohej jo vetëm një detyrim, por edhe respekti për të kaluarës dhe historinë tonë kombëtare. Deri në vitin 1962, që përkonte me 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, emri i tij ishte i harruar plotësisht. Në atë përvjetor u dekorua disi edhe me përçmim me urdhërin inferior dhe fyes njëherësh “Për veprimtari patriotike e klasit të dytë”! Është koha që në këtë 100 vjetor, ky personalitet të gjejë vëmendjen dhe vlerësimin e duhur sikurse e meriton, si një ndër figurat e çmuara të kombit shqiptar.

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

1 Trackback / Pingback

  1. Imzot Nikollë Kaçorri, ndër themelvënësit e shtetit shqiptar – Skender Jashari

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: