Advertisements
Telegrafikisht

“…Në Kurbin nuk vdes trimnia”

Nga Vlash Prendi  Botuar ne gazeten 55më 27/01/2013

Kënga jonë popullore, duke qenë e lidhur ngushtë me historinë,lavdinë dhe jetën e popullit tonë, ka pasqyruar gjendjen e tij politike, ekonomike dhe patriotike në çdo periudhë të historisë si dhe përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi. Dihet se jeta e masave tona popullore në krahinën e Kurbinit gjatë sundimit osman ka qenë shumë e vështirë sepse pjesa më e madhe e banorëve jetonin në fshat e si e tillë varfëria ishte e pranishme në shumë familje kurbinase. Ja disa vargje të një kënge popullore ku përshkruhet kjo gjendje: …Janë të ngratë e janë dertli/S’kanë ka i dele, ka dy dhi, / Dhjetë katunde me i mulli… /Me’i parmend punojnë shtatë shpi,/ Bukën n’dorë, krypën përmbi…       Arsyet e një varfërie të tillë rridhnin nga marrëdhëniet e padrejta shoqërore të atëhershme. Për të përmirësuar gjendjen e tij ekonomike populli ka luftuar ndër shekuj. Ajo që i ka shtyrë fshatarët tanë të vuajtur për të marrë armët në dorë kundër shfrytëzimit ekonomik kanë qenë robëria shumëshekullore, vendosja taksave të larta dhe marrja e një pjese të prodhimeve bujqësore nga pushtuesit, por edhe plaçkitjet nga ana e feudalëve, fyerjet që ata u bënin fshatarëve të varur prej tyre, tradhtia e klasave sunduese ndaj interesave të vendit etj. Në vitin 1885 qeveria turke kishte vënë një taksë të lartë për regjistrimin e tokave. Më parë s’lahej vergji, por erdhi urdhër që të shkrueheshin shtëpitë dhe t’u viheshin numrat. Populli kishte dhënë besën që të mos pranonte këtë masë të pushtuesit. Por si të gjitha lëvizjet,edhe kjo u shtyp me anën e forcës dhe presionit. Një protestë e fuqishme kundër bejlerëve dhe sundimtarëve turq qe edhe çeta e kaçakëve me Marka Kulin në krye. Marka Kuli ishte nga Zheja, por për arsye familjare u vendos në Mat, si bujk i beut Dyl Beg Çela. Trajtimi i keq që i bëhej babait dhe vëllezërve të tij e bënë Markun të rrëmbejë pushkën dhe të ngrihet kundër bejlerëve dhe pushtuesve turq. Në këto kushte, me 15-20 fshatarë, luftoi kundër toptanasve dhe bejlerëve të Shijakut, të cilëve u rrëmbente pasuritë dhe ua ndante fshatarëve. Marku me çetën e tij e rrethuan me tre taborre me armë të rënda. Kënga vë në dukje guximin dhe trimërinë e Marka Kulit në rrethim: …Marka Kuli n’gjysm t’Matit,/Fort po bredh me gjyle t’topit…          Lidhjen e ngushtë të Luftës së tij të rreptë kundër feudalëve e forcave të tyre, kënga popullore e shpreh me këto vargje lapidare: Marka Kuli i Zhenjanë / Fort shumë dam m’nizam po ban. Në luftën kundër toptanasve Marku u mbështet tek fshatarët e tij,të cilët,sipas besës,e mbështetëtn atë dhe çetën e tij duke i dhënë mbështetje dhe kurajo: …Qinro trim,or si përherë, /Se trimnia ka selamenë dhe më poshtë: Marka Kuli trim dai/Po qindron për t’tan Arbni…      Një tjetër protestë e fuqishme ka qenë Mbledhja e Tallajbesë. Kjo ka ndodhur në vitin  1906. Kishte ardhur urdhëri nga autoritetet osmane që të paguhej taksë për kafshët e mëdha nga një mexhite për kokë. Kjo taksë nuk ishte më parë dhe populli e quajti “bidat të ri”. U mblodhën nga të gjithë fshatrat e rrethit rreth treqind luftëtarë me pushkë të udhëhequr nga patrioti Gjin Pjetri. Luftëtarët kërkonin që t’u lejonin linjën telegrafike të flisnin drejt me Stambollin. Autoritetet lokale në Krujë nuk e lejuan këtë gjë dhe kërkuan që populli të shpërndahej duke lënë disa përfaqësues,por trimat luftëtarë nën komandën e Gjin Pjetrit nuk pranuan. “Ne do të bahemi kurban të tanë dhe këtë bidat s’e bajmë”,-u pergjigjen. U nisën forca turke nga Shkodra për të mposhtur qëndresën: …Allaj pasha paska thanë/Tan xhelepët për me i dhanë. Në pamundësi për t’u marrë vesh me autoritetet turke, filloi lufta: Mun ke tabja,ke hyqymeti, / N’Tallajbe,u ba kjameti…. Këto përleshje të përgjakshme shtonin edhe më fort urrejtjen e masave kundër pushtuesëve osmanë: …Allaj Pasha faqezi, / S’merret n’qafë kjo vegjëli…       Mbledhja e Tallajbesë ka qenë një protestë e fuqishme e fshatarëve të rrethit tonë me patriotin Gjin Pjetri në krye për të mos paguar xhelep për blegtorinë. Por shpesh kundërshtimet e fshatarëve shkaktonin edhe viktima të shumta: …Shumë gazepi a ba n’kët Kru, / Tridhet vetë t’vra e t’shitu… Këto masa të ashpra ngjallnin revoltë jo vetëm në masat fshatare,por edhe tek njerëzit që kish rekrutuar vetë qeveria turke dhe që i mbante me pagesë. Figurë tipike e një revolte të tillë është Lam Osmani,i cili,megjithëse ishte me rrogë të qeverisë turke, kur shikon sjelljet e egra të turqve jo vetëm që s’i vjen mirë,po hedh edhe parullën për të kaluar në luftë të hapur: Për një fjalë që tha Lam Osmani,/Me marr shokë me dal mas mali… Me fitoren e Pavarësisë populli ynë nuk e fitoi lirinë e vërtetë. Lufta për çlirimin kombëtarë dhe shoqëror u bë edhe më e ashpër. Feudalët, të cilët shekuj me radhë qenë vegla të pushtuesve të huaj,e shtypnin popullin politikisht dhe ekonomikisht. Ata luanin në kurriz të fshatarëve gjithfarë dallaveresh dhe pazarllëqesh të pista. Nga kjo zgjedhë e padurueshme,shpeshherë fshatarë të guximshëm të malësive tona rroknin armët dhe qëllonin shfrytëzuesit e ndryshëm.Populli u thurte këngë këtyre burrave trima.Të tilla janë këngët që në këto anë këndohen për Osman Sinanin dhe për Beg Nezirin: …Krisi pushka n’at rrazë mali, / Luftë po baka Man Sinani… Shpesh fshatarët e paditur qenë gënjyer nga agallarët e qytetit,të cilët,duke i futur në kurthe të ndryshme,u kanë marrë gja e mall.Kështu Riza Belegu,aga prej Kruje,ja shet tokën Begë Nezir Kuqit, fshatar prej Gjormi, po pas ca kohe ja merr tapinë,duke i thënë se nuk është bërë siç duhej dhe ia shet një tjetri. Bega e vret aganë dhe populli i këndon një këngë këtij gjesti fisnik,të guximshëm dhe të drejtë: …Kris patllakja n’rrazë t’ullinit / Faqja e bardhë e Beg Nezirit… Një nga momentet më të rendësishme të luftës së popullit të Kurbinit për liri është edhe lëvizja e malësorëve të Gurëzit, Milotit dhe Bregut të Mates në qershor të vitit 1912 kundër një taborri turk qe vinte nga Shkodra për në Durrës. Malësorët u hodhën në luftë si trima të vërtetë në mes tyre Kolë Lekë Bori, Marka Miri, Ded Marash Ulaj, Pjetër Bici etj. Ja si përshkruhet kjo luftë: “…Zot ket luftë kush e nisi, / Kolë lek Bori e Pjeter Bici, / Kolë lek Bori ish ken djalë, / Hyqymetit po i çon fjalë, / Ta nis pushkën n’fushë të gjallë, / N’fushë të gjallë do t’nisi pushka, / Ti marr topat e ti vras mushkat… Humbja e ushtrisë osmane ishte e pashmangshme përballë forcës së këtyre burrave trima,prandaj duke na pasqyruar fundin e turpshëm të ushtarëvë turq poeti popullor thekson: “…Merr nizamt nëpër livadhe, / Për ibret kalon nëpër Tale, / Shkojnë nëpër ferra e gardhiqe, /Plot njiqint e tetëdhjetë vigje…”, e në këto raste është e pranishme edhe fryma e bashkëpunimit, sepse malësorët e Kurbinit janë gati,prandaj lëshohët kushtrimi: “…Gjashtëdhet kuaj i kanë rreshtue, / Në nji urë tuj kalue, / A po ndodhet noj djalë i ri, / Me çue fjalë në at Kurbi, / Paj n’Kurbin xhevap ka shkue, / Tanë Kurbini n’kamë asht çue, / Me asqer t’turkut me luftue…” Forcat kryengritëse të Kurbinit të të udhëhequra nga Gjin Pjetri dhe bashkëpunëtorët e tij, sapo kanë dëgjuar pushkët  janë nisur nga Skuraj,Miloti,Mali i Bardhë etj,kanë kaluar lumen Mat, për t’u shkuar në ndihmë vëllezërve të tyre malësorë qe po luftonin me heroizëm. Një nga momentet më të paharrueshme qe mbeti i pashluer në kujtesën e popullit të zonës sonë ishte edhe ngritja e Flamurit të lirisë në qytetin e Milotit.Ky akt sublim erdhi si rezultat i përpjekjeve të pareshtura të bijëvë të Kurbinit qe luftuan me armë në dorë për këtë ditë të shënuar. Janë të shumta vargjet kushtuar kësaj ngjarje historike qe la gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare të popullit tonë. Në qendër të kësaj ngjarje nga më të rëndësishmet historike vihet figura e udhëheqësit të lëvizjeve për pavarësi Gjin Pjetrit dhe bashkëpunëtorëve të tij si Llesh Marka Kola,Hoxhë Muharremi, Llesh Pjetër Preçi, Pren Ndrec Gega, Shaban Kasemi, Llesh Gjok Lala, Dedë Marka Kola, Marka Pjetër Kola, Pjetër Marka Ndoj, Mark Gjin Preni, Ali Hyseni, Frrok Kol Tanushi, Kolë Pjetër Franja, Nikoll Llesh Gjoka, Nikoll Kol Gjini, Pjetër Balozi etj. Prandaj vargjet dalin nga shpirti i poetit popullor, përmes të cilave përshkruhet lufta dhe përpjekjet e këtij populli për liri, prandaj kënga thotë: “…Në mbarë Kurbinin ka çue fjalë, / T’rrokim armët burrë e djalë, / Kush lirinë don me fitue, / Të vijë mas meje me luftue, / Turku shpejt ka me na msy, / Burra besën mos me e thy…” …dhe lufta nisi. Poeti popullor nuk harron të japë në vargje edhe trima të tjerë si: “…Prin Gjin Pjetri, Llesh Bibë Brozi, / Nikollë Ndreu, Pjetër Balozi, / Të dy Lleshat prej Miloti, / Trima t’çartun flakë baroti, / E Llesh Vathi, Zef Piroli, / Pjeter Hidri e Ndrec Sokoli, / Pren Bardhoku me djem të tjerë, / Këtij kutbinit me i lanë nderë…” Dhe më tej, populli ynë shpallet i lirë dhe i pavarur. Flamuri i lirisë valvitet krenar në qiellin tonë të kaltër sepse: “…Po, sot dasëm ka Miloti, / Treqint krushq në prag kan ardhë, / Kërcet pushka flakë baroti, / Ai Gjin Pjetri flamurtar, / Me njëzet e tetë nëntor, / Në tanë Kurbinin lshon kushtrimin, / Kush asht burrë më gjak arbnor, / Në Milot sot bajnë betimin. / S’ka tufan qe ua ndal turrin, / Treqint burra dorë për dore, / Në Milot kanë ngrit flamurin, / Bash atë ditë qe u ngrit në Vlorë…”. Dhe në fund amaneti për ta ruajtur flamurin dhe lirinë si sytë e ballit,si gjënë më të shtrenjtë në jetë: “…Jam Gjin Pjetri i amanetit, / Po ta shkrujë nji leter n’gurë, / N’maje t’malit e n’brigje t’detit, / Mos ta lshojmë flamurin kurrë…” Ngritja e flamurit të pavarësisë në Milot,ishte një nga ngjarjet më të shënuara në jetën e popullit të Kurbinit. Ajo ka qenë dhe do të mbetet një ngjarje e paharruar ndër breza.

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: