Advertisements
Telegrafikisht

Historia 700 vjeçare e kishes se Shen Mehillit, Malbardhe, Kurbin

Nga Kastriot MARKU

13221037_1278289798865437_2275892325928988846_n
Në këtë shkrim do të ndalemi vetëm në Malbadhë, në kishën kuvendore të Shën Mëhillit. Ngjitur me Milotin gjendet fshati Malbardhë, fshat i cili shtrihet në të dy shpatet e malit të Tumenishtit (Tumenistum) sikurse e quan Marin Barleti ose Glerës sikurse e quan Mark Skura, fshat që për nga sipërfaqja është fshati i dytë me sipërfaqe më të madhe në krahinën e Kurbinit mbas Skurajt. Emri i këtij fshati na shfaqet për herë të parë në regjistrin kadastral osman të vitit 1467, në të cilin lexohet se: “Fshati Malibard [Malibardhë] [u përket hasseve] të sipërpërmendura. Gjin Vazari, Gjin Sykodhajni, Nikolla Birjovi, Gjon Skanxhi, Gjin Lumshi, shtëpi pesë (5), ispenxhe njëqind e njëzet e pesë (125), grurë killë 2 – dyzet (40), elb killë 2 – njëzetetetë (28), thekër killë 2 – njëzetetetë (28), tërshërë tre killë – tridhjetë (30), musht tridhjet e pesë vedra – treqind e pesëdhjetë (350).“ (f. 342). Ky fshat me sa duket në krye të herës ka qenë shtrirë vetëm në rrjedhën e djathtë të lumit të Hurdhazës, mbas shpinës së malit, përballë malit të Skënderbeut, ku edhe gjendet kisha e Shën Prenës, e që quhet edhe sot Malbardhi i Epërm, ndërsa pjesa tjetër në anën tjetër përballë detit që quhet Malbardhi i Poshtëm. Me sa duket dikur qendra e sotme e fshatit Malbardhë, dikur ka qenë quajtur Shegas, emër që e mban edhe sot ajo lagje, por që në dokumentacionin kishtar del jo fort e qartë, mbasi Mali i Bardhë del herë si fshat më vete dhe herë-herë njëkohësisht me fshatin Shullaz [Scelasi], dhe kur kisha shfaqet në këtë rast del në territorin e Shullazit, sikurse do të shohim më pas në dokumentet që vijojnë. Nuk është e qartë nëse Kisha i përkiste kësaj lagjeje të quajtur Shegas, apo fshatit Shullaz. Banorët e Malbardhit të Epërm e shohin veten shpirtërisht të lidhur me të dy kishat, Shën Prenën në Gallatë si kryekishë e hershme e krahinës dhe me kishën e Shën Mëhillit, sikundër me këtë të dytën janë të lidhur shpirtërisht banorët e Malit të Bardhë të Poshtëm. Në mes të një pylli shumëshekullor i ruajtur i paprekur, gjenden rrënojat kishës së vjetër, të quajtur Kisha e Shën Mëhillit, e cila del në dokumente për herë të fundit në vitin 1703. Popullsia e sotme e këtij fshati është e besimit mysliman, përjashto 8-9 familje të besimit katolik. Kjo kishë përmendet së pari dhe pastaj rregullisht në relacionet e shekullit XVII. Rrënojat e kësaj kishe shiheshin pjesërisht deri në vitin 2006, sepse një pjesë e mureve gjendej e fragmentuar deri në dy metra lartësi. Kjo kishë këtë vit u rindërtua tërësisht mbi themelet e saj të hershme. Kisha e Shën Mëhillit është e drejtuar lindje-perëndim. Mbas absidës, rreth 10 metra larg saj, në majë të një shkëmbi të vogël në anën lindore të kishës, ngrihet kambanorja e ndërtuar sipas teknikës romanike, teknikë kjo e ngjashme me atë të ndërtimit të kambanores dhe kishës së Shën Mërisë në Sh’Mëri. Kambanorja e stilit romanik në anën lindore ka patur një derë, ndërsa në anën veriore dhe atë jugore ka pasur dy dritare, ndërkaq në anën perëndimore përballë kishës ka dy dritare me harqe të plota guri, ndërsa faqja veriore ka dy frëngji të rrumbullakta. Kambanorja është e ndërtuar me gurë gëlqerorë, me gurë të zez si dhe gurë shtufi , lidhur me llaç me rërë dhe gëlqere. Ka qenë e mbuluar me tjegulla. Në ndërtimin e kambanores janë përdorur edhe copa tullash si dhe gurë shtufi si elementë zbukurues qoftë për qemerin në hyrje të saj qoftë në dritaret që ka patur ajo në pjesën e sipërme. Rreth 20 metra larg derës së kambanores, duken rrënojat e manastirit benediktin, ndoshta edhe të Abacisë së vjetër. Hyrja në manastir duhet të ketë qenë në anën jugore të kishës, nga ku vjen rruga për në kambanore. Të dhënat e mëvonshme për kishën e Shën Mëhillit dhe për Malbardhin të nxjerra nga Arkivi i Propagandës Fide përftohen në vitet 1640, 1641, 1644/1650, 1672, 1669, 1697, 1703, 1735, 1754, 1791, 1795, 1802, dhe 1714. Në relacionet e Imzot Mark Skurës, asokohe me seli në Shën Prende, kjo kishë ishte në këmbë. Në relacionin e vizitës së parë baritore që i bën Arkidioqezës së Durrësit në vitin 1640, kur sapo ishte emëruar në krye të saj, Imzot Mark Skura shkruan se: „Kisha famullitare e Shën Mëhillit të Shullazit, thuajse e rrënuar administrohet nga etërit françeskanë të sipërthënë [të Sebastes, Laçit, shën. im. K.M.]; frymë të krishtera 50 dhe turq 100“. Po i njëjti relator në relacionin e tij të vitit 1641 thotë: “Ka Shën Mëhillin e Shelasit [Shullazit], pothuej të rrënueme, pa rentë dhe Shën Kollin e Milotit, të plotë, por të pa rentë. Që të dyja [janë] të nënshtrueme etënve të thanun të Sebastes, me vorrezat e tyne pranë vehtes. Të nënshtruemit e tyne, në pjesën më të madhe [janë] turq; frymë të krishtena –380”, ndërsa në vitin 1644/1650 shkruan: “Ka Shën Mëhillin e Shelasit [Shullazit], që motit [ishte] abaci me rentë të madhe, tash pothuej e rrënueme, pa rentë, pa prift dhe shërbehej po prej Etënve të Sebastes. Të nënshtruemit e saj,[janë] turq; frymë të krishtera –35”. Manastiri duhet të jetë i shekullit XIII, pse në këtë shekull vijnë benidiktinët në këto anë, për t’i shpëtuar skizmave sllave e bullgare. Ky manastir është vazhdim i brezit të kuvendeve benidiktine të bregdetit lindor të Adriatikut. Kjo kishë sikurse e thamë ka gjasa të ketë qenë dikur e fshatit Shullaz, por më pas me sa duket u zaptua prej banorëve të Malbardhit, hipotezë mbi të cilën mund të diskutohet më tej me dokumente të reja që mund të dalin në dritë. Në atë kohë, sipas dokumenteve të kohës Shullazi ishte shumë i populluar, kurse Miloti kishte pak banorë.
14484748_1366398070055055_3114812175514915480_nSipas rrëfimeve gojore të të moshuarve të zonës, para më shumë se një apo dy shekujsh, në Milot nuk kishte më shumë se 7-8 shtëpi katolikë dhe myslimanë. Duket se në këtë kohë Shullazi u islamizua krejtësisht, veç ndonjë familje që përkohësisht u largua andej apo u paraqit si myslimane e më pas u deklarua prapë katolike. Shtjefën Gaspari, në relacionin e tij të vitit 1672, e përmend kishën e Shën Mëhillit në Shullaz dhe thotë, sikurse edhe Mark Skura, se kësaj kishe i shërben At Bonaventura që me fretën të vet qëndrojnë tek kisha e Shën Mërisë në Sebaste, sot kisha e Shën Ndojt në Laç. Ata fretën i shërbenin edhe kishës së Shën Mëhillit në Laç. Shtjefën Gaspari në atë relacion shton se po të mos vihet dorë për ta përmirësuar, kisha e Shën Mëhillit në Shullaz së shpejti do të rrënohet, sikurse përnjimend ka ndodhur më pas. Po e sjellim më poshtë vëzhgimin e Gasparit. “Me 15 të[muajt] të sipërthënë, nisur prej Bazit mbërritëm në Sebaste, kuvend i Etërve Observantë, Kishën e kanë me titullin të Nunciatës, është e mbajtur në rregull, ka mjaftueshëm orendi të shenjta e sa për material është në gjendje të mirë. Është kishë famullitare në Dioqezën e Durrësit. Nuk mbahet Sakramenti, megjithëse nuk ka rrezik prej turqve. Janë nën kujdes [fetar] të saj 25 shtëpi katolike duke përfshirë Laçin, Milotin, Shelasin [Shullazin], të krishterë 272. Tani [këtu] janë katër etër: Atë Bonaventura Guardian, Fra. Aleksandër Luçi, Fra Mark Luçi, Fra Toma prej Pëdhane. Në këtë kuvend nuk mbahet kori, por në të vërtetë ofi cen e thonë dy tre bashkë, por secili ka diçka të veçantë”. Sa i takon të dhënave demografi ke për fshatin Malbardhë kemi. Në vitin 1669, përmendet si fshat Mali i Bardhë (Monte Bianco) dhe vetëm sa përmendet (San Michele de Selasi), në Shullaz. Gjithashtu edhe në vitin 1697 përmendet Monte Bianco. Në vitin 1703 Mali i Bardhë (Malibardi) ka 4 shtëpi me 43 shpirt, ndërkohë që kisha e Shën Mëhillit del për herë të fundit në këtë dokument, madje shënohet e e rrënuar dhe rezulton të jetë në Shullaz (S. Michel Arcangelo a Schelasi). Mbas këtij viti nuk kemi më të dhëna për kishën por vetëm të dhëna për banorët. Kështu në vitin 1735 Malbardhi ka 24 shtëpi myslimane dhe të 8 shtëpi të përziera 91 të krishterë, më 1754 kemi 29 shtëpi myslimane, 6 familje katolike, me 61 shpirt nga të cilët 32 meshkuj dhe 29 femra, më 1791 kemi 9 shtëpi katolike me 170 persona për kungim, 74 të papërgatitur 40 të krishtera të shpërndara në shtëpi myslimane, 34 të ndaluar për të marrë sakramentin ngaqë janë të martuar me myslimanë, më 1795 kemi 9 shtëpi katolike me 70 persona për kungim, 40 të papërgatitur 30 të krishtera për kungim të shpërndara në shtëpi myslimane, 35 të ndaluar për të marrë sakramentin ngaqë janë të martuar me myslimanë, më1802 kemi 8 shtëpi katolike me 62 shpirt nga të cilët 25 për kungim, dy shtëpi nuk marrin kungimin sepse mbajnë kokubina dhe së fundmi në vitin1815 ky fshat kishte 7 shtëpi katolike me 70 shpirt, që rrëfeheshin dhe kungoheshin 50 shpirt, u janë ndaluar sakramentet 3 personave, njërit sepse kishte marrë për grua gruan e një tjetri që jetonte ende, tjetri që kishte marrë kunatën dhe një tjetri që kishte marrë për grua gruan, e kushëririt të parë të vdekur. Teodor Ippen nga ana e tij, në fi llim të shekullit XX e konsideron “modeste”, ndërkohë që pasi e merr më pas në shqyrtim vëren se kjo kishë: “përfaqëson një ndërtim të rëndomtë, prej saj qëndrojnë në këmbë vetëm muri anësor i majtë dhe disa pjesë të murit anësor të djathtë. Të tërheq vëmendjen vetëm fakti që edhe kjo kishë si ajo e Shën Mërisë (në Beret, shënimi im K.M) ka një këmbanore, e cila ngrihet 10 hapa larg saj mbi një shkëmb. Kambanorja është ndërtuar me mure guri dhe në pjesën e sipërme përfundon me katër dritare me hark, ndërsa në pjesën e poshtme ka një hyrje”. Se ka qenë kishë me rëndësi, kjo duket qartë prej faktit se përveç Malit të Bardhëedhe Miloti, Shullazi por edhe Laçi festojnëfestën liturgjike të Shën Mëhillit (29 shtator), ngaqë pajtori i kësaj kishe sikurse edhe Shën Prendja, ka pasur një devocion të veçantë. 29 shtatori dita e Shën Mëhillit është festë të cilën e lut fshati Malbardhë i të dy besimeve, për arsye se kisha e këtij fshati është sikurse edhe e përmendëm nën pajtorin e këtij Shenjti. Marrëdhënia ndërfetare shembullore jo vetem në fshatin Malbardhë, por në të gjithë Kurbininështë një etalon kombëtar ky që nuk do shumë koment.Zgjedhja e besimit edhe përkundrejt rrethanave të caktuara historiko-politike nuk i ka penguar këta banorë të mos e njohin trashëgiminë e tyre të të bashkëjetuarit me njëri-tjetrin si vëllezër në ditë të mira e të liga si dhe në jetën e zakonshme, pavarësisht praktikimit personal të fesë së tyre. Kishës së Shën Mëhillit e shekullit XIII-XIV, është rindërtuar në vitin 2006, mbas 300 vjetësh nga rrënimi i saj i plotë. Është ndërtuarnë themelet rrënojë të kishës mëhershme, me nismën e banorëve të besimit myslimanë, të cilët i janë drejtuar drejtpërdrejt Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës, madje kanë kërkuare takuar asokohe vetë Arqipeshkvin, të ndjerin Imzot Rrok Mirdita për të mundësuar ndërtimin e saj, edhe pse komuniteti katolik i qendrës së fshatit Malbardhë kishte vetëm 8-9 familje, ndërkohë që pjesa tjetër e kësaj bashkësie fetare në Malbardhë janë të besimit mysliman.Kisha u ndërtua sipas projektit të hartuar nga Famullia e Milotit e cila administrohet nga Klerikët Rregulltarë të Shën Palit Apostull (Etërit Barnabitë), mbështetur financiarisht nga PONTIFICIO OPERA PER LA PROPAGAZIONE DELLA FEDE në kuadër të mbështetjes së veprimtarisë apostolike misionare. Ndërtimi i kishës në fjalë është vetëm një akt simbolik, por ama me një vlerë të jashtëzakonshme që e përcjellin burrat dhe gratë e atij fshati. Komuniteti i fshatit të Malit të Bardhë ka një marrëdhënie të përkryer, model i pakundshokun që përbën një etalon shembullor kombëtar të traditës dhe kulturës shqiptare, një shembull unikal i marrëdhënies vëllazërore ndërfetare.Malbardhasit tashmë kanëkishën e tyre, por ndërkohë ata kanë ndërtuar ndër breza jo një kishë, por një “katedrale”; një tempull dashurie vëllazërore për t’u patur zili e për t’u marrë si shembull nga kushdo.Famullitari i Milotit Atë Giovanni Peragine, i cili administron këtë kishë, ështëi pranishëm në Shqipëri prej 18 vjetësh dheështë dhënë me mish e me shpirt pas grigjës, dokeve, zakoneve, kulturës dhe mbi të gjitha mbas rinisë dhe popullit shqiptar. Aiështëaktualisht Dekan i Dekanatit të Veriut të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, njëkohësisht President i Konferencës së Eprorëve të Lartë të Shqipërisë, dhe prej vitit 2011, President i Bashkimit të Konferencave Europiane të Eprorëve të Lartë me Seli në Bruksel, që do të thotë se kishtarisht është në krye të Kongregatave rregulltare të të gjithë Europës, një privilegj që i ka tejkaluar me kohë pritshmëritë integruese të shtetarëve shqiptarë. Më në fund do të shtonim edhe një specifi kë të veçantë të malbardhasve. Ata janë një soji i veçantë i njerëzve që dallohen për përdorimin e jashtëzakonshëm të humorit të hollë popullor përmes anekdotave të atypëratyshme. Këtë “zeje” e zotërojnë pothuaje të gjithë, por ka midis tyre interepretues të lindur tëcilët edhe vetë i ndjeri Tefë Palushi do t’i kishte pasur zili. Një spektakël më vete përbën dasma e malbardhësit e cila përbën pa as më të voglin dyshim një skenë impresionuese të artit në të cilin interpretojnë aktorë të lindur që dinë të përcjellin mjeshtërisht mençurinëe badëve vendasme një natyrshmëri tejet befasuese.
www.GIFCreator.me_RohuNY

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: