Advertisements
Telegrafikisht

Principata e Arbërit

Nga Kristo Frashëri 

Principata mesjetare e Arbërisë është formacioni i parë shtetëror i krijuar në trevën e sotme shqiptare.  Ajo shfaqet në burimet historike në fund të shekullit XII, më saktë në vitin 1190. Principata e Arbërisë jetoi si shtet i lirë gati njëçerekshekulli. Pavarësisht se e humbi pavarësinë, formimi i saj siç do të shohim, nuk e humbi rëndësinë historike.

15300717_1453139391380476_2049638268_nPrincipata mesjetare e Arbërisë u themelua në kushtet e rendit feudal. Në këtë vështrim, ajo ka po atë rëndësi që kanë shtetet e para për secilin popull. Krijimi i saj nënkupton në krahasim me të kaluarën një shkallë më të lartë zhvillimi ekonomik, shoqëror, politik dhe kulturor të vendit. Si proces historik, formimi i shtetit të parë feudal nënkupton për vendin fillimin e një diferencimi të ri shoqëror, plasaritjen e bashkësive krahinore, zhvillimin e lidhjeve ndërkrahinore, dobësimin e ndjenjës së fisit dhe zëvendësimin e saj me ndërgjegjen e kombësisë. Ai nënkupton krijimin e një bashkësie banorësh me gjuhë, territor, doke dhe zakone afërsisht të njëjta.

Formimi i shtetit të parë shënon kapërcimin nga shoqëria parafeudale në rendin feudal. Ai ka vlerën e një revolucioni shoqëror, mbasi e shkëput vendin nga shoqëria skllaviste. Formimin e tij e udhëheq dhe e përfaqëson klasa feudale vendase, ashtu si formimin e shtetit nacional e udhëheq dhe e përfaqëson borgjezia kombëtare.
Në asnjë vend shtetet e para nuk kanë përfshirë që në fillim mbarë trojet etnike. Zakonisht ato janë formuar në një nga ngastrat territoriale të trevës etnike. Koha kur ato janë formuar ka qenë në vartësi me ritmet e zhvillimit ekonomik dhe me rrethanat politike, – më shpejt nëse vendi ka qenë i lirë, më vonë nëse vendi ka qenë i pushtuar.

Me formimin e shtetit të parë, i cili kudo ka qenë i cunguar, fillon ajo prirje e madhe që mbulon krejt Mesjetën – zgjerimi i kufijve të tij politikë deri në kufijtë linguistikë të etnisë. Është prirja që çon drejt krijimit të shtetit kombëtar, të cilin bujarët feudalë me prirjet e tyre partikulariste dhe separatiste e kanë vështirë ta realizojnë. Për këtë arsye, shtetin kombëtar e kanë realizuar forcat progresiste të borgjezisë nacionale. Në fakt, krijimi i shtetit kombëtar çoi në përmbysjen e vetë shtetit feudal. Pavarësisht nga kjo dobësi, historianët objektivë e vlerësojnë formimin e shtetit të parë të një populli si veprën madhore të historisë së tij mesjetare.

Formimi i Principatës së Arbërisë ishte rezultat i një procesi të gjatë historik, i cili nisi që në fillim të Mesjetës së hershme, kur në viset shqiptare mbisundonin bashkësitë e lira fshatare. Si pasojë e diferencimit shoqëror që pushtoi këto bashkësi, lindën bujarët krahinorë shqiptarë. Dora-dorës me fuqizimin e tyre lindi tek ata prirja për të krijuar një shtet më vete, të veçuar nga çdo pushtet i huaj. Që në mes të shek. XI u pa se epiqendra e këtij procesi ishte krahina e Arbanonit me qendër Krujën. Shenjat e këtij procesi qenë kryengritjet e bujarëve të krahinës së Arbanonit dhe kalimi i tyre nga kisha lindore bizantine në kishën katolike romane. Rrethanat e favorshme për të mëkëmbur formacionin shtetëror shqiptar u krijuan në pjesën e fundit të shek. XII kur Perandoria Bizantine pësoi goditje të rënda nga kundërshtarët e saj të brendshëm e të jashtëm. Në këto rrethana, shfaqet edhe formacioni i parë shtetëror shqiptar.

Burimet e shkruara historike që ndriçojnë formimin e Principatës së Arbërisë janë shumë të varfra dhe tepër fragmentare. Ato vijnë nga fusha të ndryshme dokumentare. Midis tyre ka akte kancelareske papale, bizantine, venedikase dhe sllave. Megjithatë, vendin më të rëndësishëm e zënë burimet me origjinë shqiptare. Në krye të tyre qëndron marrëveshja tregtare e lidhur rreth vitit 1208 midis prijësave të Principatës së Arbërisë dhe Republikës së Raguzës. Po ashtu, e zë letërkëmbimi më 1216 midis bujarit shqiptar Grigor Kamona me Kartofilaksin e kryepeshkopatës së Ohrit Dhimitër Komatjanoit. Më në fund, historinë e Principatës së Arbërisë e ndriçojnë edhe të dhënat arkeologjike të zbuluara në fshatin Gëziq të Mirditës. Fillimisht të dhënat arkeologjike u zbuluan më 1901 nga medjevisti austriak Theodor Ippen. Më vonë ato u pasuruan nga Dhimitër Shuteriqi dhe nga etnografi mirditor Mark Tirta. Një vend të veçantë në materialet e zbuluara në Gëziq zë një pllakë mermeri me një mbishkrim latinisht, i cili kur u zbulua qe tepër i copëtuar, pra i palexueshëm. Atë e bëri të lexueshëm fillimisht mjeshtri Koço Zheku dhe përfundimisht prof. Injac Zamputi.

Sipas mendimit tashmë të përbashkët të historianëve, Principata e Arbërisë u krijua rreth vitit 1191. Sundimtari i parë i saj ishte Progoni, një emër thjesht shqiptar. Ai mbante si dhe prijësat e mëparshëm të Arbanonit, titullin bizantin “arkond”.

Stema-e-Principatës-së-Arbrit-datuar-në-vitin-1215-Gëziq-Coat-of-arms-Principality-of-Arbër-dates-back-to-the-year-1215-Gëziq1Me krijimin e Principatës, Progoni ishte prijës jo vetëm i Arbanonit, por edhe i bashkësive të tjera fqinje. Duket se në veri formacioni i ri shtetëror kishte përfshirë në kufijtë e vet edhe bashkësinë krahinore të Pultit të Epërm së bashku me atë të Pultit të Poshtëm. Kjo del nga një akt serb i vitit 1198 ku thuhet se Zhupani i Madh i Rashës, Stefan Nemanja, i kishte shkëputur Principatës së Arbërisë Pultin e Epërm dhe Pultin e Poshtëm, i pari në veri, i dyti në jug të lumit Drin. Duket se për të siguruar paqen me fqinjin verior, Progoni lidhi krushqi me Stefan Nemanjën, duke martuar djalin e tij të dytë Dhimitrin me Komnenën, vajzën e Zhupanit të Madh serb. Ka mundësi që me këtë krushqi arkondi i Arbanonit të ketë rimarrë të dy Pultet. Hollësi të tjera nga Progoni nuk kemi.

Pasardhësi i Progonit ishte pa dyshim djali i tij i madh Gjin Progonati. Edhe emri i tij Gjin ka trajtë thjesht shqiptare. Të dhënat historike për Gjinin si sundimtar i Arbërisë janë gjithashtu thellësisht të varfëra. Dimë se më 1204 gjatë sundimit të tij Perandoria Bizantine u përmbys nga Kryqëzata e Katërt.

Përmbysja e Perandorisë Bizantine vuri në rrezik edhe vetë Principatën e Arbërisë. Kjo për arsye se shtetet që u mëkëmbën ose u fuqizuan në Gadishullin Ballkanik mbi gërmadhat e Perandorisë Bizantine – dukati venedikas i Durrësit, despotati bizantin i Epirit, Perandoria e Dytë Bullgare, shteti serb i Rashës dhe Principata e vogël e Zetës – lakmonin ta aneksonin secila për vete Principatën e Arbërisë. Për disa vite Principata i shpëtoi rrezikut që i vinte nga fqinjët, ngase ata hynë në konflikt midis tyre.

Në vitin 1206 vendin e Gjinit e zuri vëllai i tij Dhimitër Progonati. Meqenëse fuqitë ballkanike që e kërcënonin Principatën e Arbërisë kishin përqafuar krishterimin lindor, pra kishën ortodokse – Dhimitër Progonati vendosi të lidhej ashtu si paraardhësit e tij të dikurshëm me kishën e Romës. Këtë kthesë e vërteton një letër e Papës Inocenti III, me të cilën i përgjigjej “burrit fisnik Dhimitrit, princit shqiptar” (nobili viro Demetrio Arbanensi principi), se po dërgonte Nikollën, arkidiakon i katolikëve të Durrësit, për ta ushtruar në besimin katolik.

Prej tij ne njohim marrëveshjen tregtare që ai lidhi rreth vitit 1208 me Republikën e Raguzës, të cilën e botoi më 1934 profesori i Beogradit A. Soloviev. Akti i marrëveshjes tregtare me Raguzën përmban disa elemente të veçantë, të cilat meritojnë të vihen në dukje. Titujt që mban princi Dhimitër (arkond i madh dhe panhipersevast) i përkasin diplomatikës mesjetare bizantine, kurse pajisja e marrëveshjes me pesëmbëdhjetë nënshkrimet e vartësve të tij, vë re A. Solovjevi, nuk ndeshet në praktikën diplomatike bizantine, të cilat i nënshkruante vetëm sovrani. Kemi pra një praktikë diplomatike shqiptare. Veç kësaj, ndërsa në sferën bizantine gjuha e akteve zyrtare ishte greqishtja, gjuha e përdorur në marrëveshjen nga pala shqiptare ishte latinishtja. Përsa u përket pesëmbëdhjetë nënshkrimeve që përmban marrëveshja, të cilët A. Solovjevi mendon se janë zyrtarë të lartë, sipas mendimit tonë, ata duhet të jenë prijësit e pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore, të cilët kur u nënshkrua marrëveshja ishin integruar në Principatën e Arbërisë. Prania e nënshkrimeve të tyre tregon se ata gëzonin një pushtet partikularist, të cilin nuk ia kishin deleguar plotësisht sovranit. Këto elemente tregojnë se principata mbështetej në bashkësitë krahinore gjysmautonome, të cilat, siç e ka treguar historia e mëvonshme e Shqipërisë, disa prej tyre e ruajtën qeverisjen autonome të brendshme deri më 28 Nëntor 1912.

Në këtë marrëveshje Dhimitri e quan veten “panhipersevast” dhe “arkond i madh”. Titulli i parë ka në rrënjë fjalën sevast, titull ky i përhapur në kohën e Komnenëve. Në Shqipëri atë titull e mbanin dhe krerët e disa bashkësive krahinore (sevasti i Skurajt, sevasti i Misjes, sevasti i Kurbinit, e të tjerë). Pra, panhipersevast do të thotë sevast mbi të gjithë sevastët, shkurt kryesevast. Këtë titull zakonisht e mbanin funksionarët që kishin lidhje farefisnie me familjen perandorake bizantine. Këtë titull Dhimitrit ia solli e shoqja, Komnena, bija e Zhupanit të Mash të Rashës, Stefan Nemanja dhe e bashkëshortes së tij Eudoksia, vajza e perandorit bizantin Aleksi III Engjëll Komneni. Titulli i dytë “arkond i madh” ishte një përngjasim i titullit Zhupan i Madh që mbante vjehrri i tij Stefan Nemanja, që do të thotë “kryezhupan”.

Të dy këta tituj (panhipersevast dhe arkond i madh), në diplomatikën lindore ishin afërsisht të barabartë me titullin princ të diplomatikës perëndimore. Dhimitër Progonati përmendet edhe me një titull të tretë – me titullin “princ”, me të cilin papa Inocenti III e quante Dhimitrin, më 1208. Pra, titullin princ si sovran i Principatës së Arbërisë Dhimitër Progonati e kishte legjitimuar me terminologjitë zyrtare si lindore, ashtu dhe perëndimore.

Nënshkrimet që përmban marrëveshja tregtare e përmendur me Raguzën përfaqësojnë, pa dyshim, emrat e prijësve të pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore që ishin integruar në Principatën e Arbërisë. Emrat e pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore që ata përfaqësojnë në marrëveshje nuk përmenden. Për identifikimin e tyre mund të na ndihmojnë emrat e pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore që ndeshen në burimet mesjetare në hapësirën gjeografike midis lumenjve Drin në veri dhe Shkumbin në jug, detit Adriatik në perëndim dhe vargut të maleve në shpinë të Dibrës në lindje.

Deri në vitin 1213 Principata e Arbërisë i përballoi presionet armiqësore që i vinin nga fqinjët. Por më pas fërkimet me faktorët e jashtëm u shtuan. Despoti i Epirit, Mihal Engjëll Komneni, i cili i vuri vetes si synim rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine të shembur në 1204, në fillim ndërmori fushatën drejt viseve shqiptare. Ai ua mori Durrësin venedikasve dhe duke marshuar nëpër territoret bregdetare të Arbanonit pushtoi më 1213 Shkdorën. Në Shkodër despoti i Epirit hyri në konflikt me Gjergjin, mbretin e Zetës (Malit të Zi). Për të përballuar presionin e despotit bizantin, Dhimitër Progonati lidhi aleancë me Gjergjin e Zetës, i cili nga ana e vet kishte hyrë në marrëveshje me Venedikun. Më 1213 Mihal Engjëll Komneni duket se shtiu në dorë Krujën, qendrën e principatës së Arbërisë. Dhimitri u detyrua të largohej nga Kruja. Se ku u vendos, këtë e mësojmë nga mbishkrimi i zbuluar në fshatin Gëziq të Mirditës, i cili u takon këtyre viteve.

Emri i fshatit Gëziq në mbishkrim nuk përmendet. Aty flitet për “Trafandinë”. Me emrin Trafand, në shqip Ndërfandë, në Mesjetë quhej krahina që shtrihej midis lumenjve Fandi i Epërm dhe Fandi i Poshtëm ose Fandi i Madh dhe Fandi i Vogël, me të cilën nënkuptohej krahina e zotme e Mirditës. Nga zbërthimi i mbishkrimit dalin dy të dhëna me rëndësi historike për Principatën e Arbërisë.

E para, se viset e Gëziqit quheshin Ndërfandë; se ato vise kishin rënë nën sundimin e mbretit Gjergj të Zetës; se mbreti Gjergj kishte dërguar në Gëziq si legat përfaqësues të autoritetit të tij, birin e vet Antonin; se legati kishte ndërtuar me shpenzimet e sovranit të vet një faltore të krishterë të ritit katolik kushtuar Shëne Premtes; se këtë faltore ai ia blatoi kombit të denjë, me të cilin nënkuptohet kombi shqiptar; se Ndërfandi nga pikëpamja kishtare administrohej nga një abaci, një dinjitar i afërt me peshkopin, por që nuk gëzonte të drejtën të shuguronte priftërinj.

15301281_1453163811378034_2015210623_n

Ketu lindi dhe u shua Ipeshkvia e Arbenit . Kisha e  Shna Prendes,Kurbin.( Santa Veneranda di Curbino )

 

E dhëna e dytë e mbishkrimit ka të bëjë me princin Dhimitër. Aty del se Dhimitri kishte lënë një testament, që do të thotë se ndërkohë kishte vdekur; se kishte një nip me emrin Progon, i cili me shumë gjasa duhet të ketë qenë djali i Gjin Progonatit; se mbreti Gjergj kishte vendosur që të respektonte vullnetin që Dhimitri kishte shprehur në testament; se një nga këto premtime ishte që mbreti i Zetës do ta njihte Progonin e ri si protosevast (sevasti i parë, kryesevast); se në bazë të porosisë së Dhimitrit mbreti Gjergj ua dorëzonte faltoren e Shëne Premtes gjykatësve të Ndërfandës.

Në vështrim të parë duket sikur prania e legatit të mbretit Gjergj të Zetës tregon se kjo pjesë e Principatës së Arbërisë, pra krahina e Ndërfandit, kishte rënë nën sundimin e sovranit të Zetës. Ky interpretim nuk është i saktë. Sovrani i Zetës, siç del nga përmbajtja e mbishkrimit, ishte më tepër një aleat, i cili kishte dërguar në Ndërfandë një legat jo për të sunduar, por për të zbatuar testamentin e Dhimitrit. Nga mbishkrimi del më në fund se në krye të formacionit shtetëror të Arbërisë formalisht do të qëndronte Progoni i ri me titullin protosevast.

Të dhëna mbi këtë Progon të ri si sundimtar i Principatës së Arbërisë nuk ka. Duket se fundi i sundimit të Dhimitrit, solli edhe fundin e pavarësisë së Principatës së Arbërisë. Nuk dimë as sa kohë qëndroi legati i Zetës në Gëziq, as si mori fund pavarësia e Principatës së Arbërisë. Një farë drite hedh korrespondenca e zhvilluar më 1216 midis Grigor Kamonës dhe Dhimitër Komatianoit, Kartofilaksit të kryepeshkopatës së Ohrit. Nga letra del se sevasti Grigor Kamona ishte martuar më 1216 me Komnenën, vejushën e Dhimitër Progonatit, vajza e Stefan Nemanjës, mbesa e perandorit bizantin Aleksi III Engjëll Komneni. Del gjithashtu se kjo martesë ishte pritur me zemëratë nga opinioni vendës, kurse Kartofilaksi e gjeti martesë të rregullt. Të dhëna që shpjegojnë zhvillimin e ngjarjeve në oborrin princëror nuk kemi. Dimë vetëm se formacioni ndërkrahinor me qendër në Krujë, e rimori veten, por jo pavarësinë.

Konkluzioni i matur që del nga analiza e këtyre të dhënave dokumentare është se më 1216 Principata e Arbërisë kishte pushtuar së qeni një formacion shtetëror i pavarur. Megjithatë, hija e Principatës së Arbërisë nuk u zhduk. Ajo vazhdoi të mbijetonte në trajtën e një bashkësie ndërkrahinore me disa të drejta autonomiste të njohura nga sovranët e huaj që sunduan në Shqipëri.

Trashëgimia historike e principatës duhet të ketë qenë e fuqishme. Në bazë të kësaj tradite, qëndron aspirata për ta rimëkëmbur formacionin shtetëror shqiptar, e cila erdhi duke u përforcuar. Vetëm kështu shpjegohet përse Karli I mbreti anzhuin i Napolit, pasi i pushtoi viset e Principatës së dikurshme të Arbërisë, shpalli më 21 shkurt 1272 jo më principatën e Arbërisë, por Mbretërinë e Arbërisë (Regnum Albaniae) me një shtrirje më të gjerë gjeografike se ajo e principatës.

Edhe pse Principata e Arbërisë pati jetë të shkurtër, rëndësia e saj historike duhet parë nga dy këndvështrime. E para, ajo e sanksionoi aspiratën e arbanitëve për të patur një shtet të veçuar nga shtete të ndryshme tashmë të konsoliduara në hartën politike të Europës juglindore. E dyta, ajo e konsolidoi ekzistencën e kombësisë shqiptare si një kombësi e veçuar në hartën etnike të Gadishullit Ballkanik, e cila ndikoi në përhapjen e emrit arbanitë në mbarë folësit e gjuhës shqipe, pavarësisht se ku banonin.
www.GIFCreator.me_RohuNY

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: