Advertisements
Telegrafikisht

Prenk Pervizi: Gjenerali i Monarkisë Shqiptare.

PRENK PERVIZI (1897-1977)


 2015-10-16 13.45Gjeneral Prenk Pervizi lindi më 4 maj 1897 në fshatin Skuraj të Kurbinit në një familje me tradita atdhetare. Ne vitin 1912, Prenk Previzi ishte vetëm 15 vjeç kur merr pjesë në ngritjen e flamurit në Milot përkrah xhaxhait të tij, Gjin Pjetrit. Në periudhën 1914-1918, falë interesimit të drejtpërdrejtë të Gjin Pjetrit, mbaron me rezultate të shkëlqyera Akademinë ushtarake në Vjenë në Autri, ku njihet dhe krijon miqësi me Ahmet Zogun .
Prenka filloi nje karierë të veshtirë me kurajë e ndërgjegje të lartë prej ushtaraku të përgatitur në mënyrë të përsosur dhe arrin të kryejë të gjitha detyrat e ngarkuara me sukses. Aktiviteti i tij sa vjen dhe shtohet kështu ai caktohet në komandën e përgjithshme për mbrojtjen e kufijve veriorë, me patriotë e luftëtarë të tillë, si Bajram Curri, Major Prenk Jaku, Elez Isufi, Aga i Lumes, Muharrem Bajraktari dhe të tjerë oficerë. Prenka bashkë me shokët e tij më 1920 marrin pjesë në mbrojten e Kongresit të Lushnjës dhe më pas deri në vitin 1924 në dëbimin e forcave serbe nga zonat e veriut. Preng Pervizi përkrahu rikthiminn e Zogut në fuqi në periudhën qershor-dhjetor të vitit 1924, bile ishte ndër organizuesit kryesor të këtij rikthimi së bashku me Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Llesh Topallajn dhe Ceno Beg Kryeziun, ndërkohë Presidenti Ahmet Zogu emëron katër zonë komandantë, në rang guvernatorësh ushtarak, kapitenët: Prenk Pervizi, Muharrem Bajtaktari, Fiqri Dine e Hysni Dema. Pas një pune të ngjeshur dhe plot merita sidomos në shuarjen e kryengritjes së Dukagjinit të në nëntorit të vitit 1926, Prenk Pervizi dërgohet në Itali më 1930 së bashku me Ali Erebarën dhe Sami Kokën, për të kryer dhe për katër vjet të tjera Shkollën e Luftës (Shtatmadhërisë) në Torino (Itali). Ai kthehet në Shqipëri dhe emërohet inspektor dhe këshilltar ushtarak pranë Komandës së Përgjithshme të Mbrojtjes Kombëtare ku jep një ndihmesë me rëndësi në modernizimin e ushtrisë Shqiptare, për të cilen edhe çmohet. 2015-10-16 13.46.07
Duke njohur artin ushtarak në mënyrë të përsosur, oficer shtatmadhor e zotërues i disa gjuhëve të huaja, ai e përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në takime ndërkombëtare si manovra të mëdha ushtarake etj. U caktua në komisionin ndërkombëtar të vëzhguesve të huaj në luftën Italo-Abisine në vitet 1935-1936, ku edhe njihet me gjeneralët italianë Badolio e De Bono si dhe kolenelin amerikan Palmer me të cilin lidh miqësi të ngushtë. Këto ishin merita të padiskutueshme të nivelit të lartë ushtarak dhe pajisjes me një kulturë të gjerë. Për këto veprimtari mori grada e dekorata të larta, sikurse më 1937 grada kolonel dhe në nëntor 1942 grada gjeneral brigade. Po aty në një takim rutinë u takua edhe me Musolinin, prej të cilit kuptoi qëllimet pushtuese dhe largpamësia e tij parashikoj se pas Abisinisë e kishte radhën Shqipëria të pushtohej. Me të kthyer në Shqipëri Gjeneral Pervizi e këshilloi Mbretin Ahmet Zogu për natyrën agresive të italianëve, por Zogu nuk e mori në konsideratë konstatimin e tij, bile për shkak të ndikimit të oborrit të tij, Pervizin e dëboi nga Tirana në Korçë si komandant i garnizonit të atij qyteti. Me pushtimin italian me 7 prill 1939, pas rezistencës njëorëshe të Abaz Kupit asokohe major në xhandarmërinë e Durrësit dhe disa vullnetarëve, ku mbeti i vrarë kapteri i Marinës Mbretërore Mujo Ulqinaku, edhe pas sabotimit e prishjes së armave (topave) në kodrat e Durrësit, parashikimi i Pervizit nuk kishte arsye për pendesë nga Zogu. Gjithsesi pas largimit të Ahmet Zogut nga Shqipëria me ndihmën e Pervizit, ky i fundit kthehet në Tiranë dhe në kushtet e pushtimit ndërhyn tek autoritetet ushtarake italiane konkretisht bisedon me gjeneralin Pariani që të mbrohet e të mos çorganizohet ushtria shqiptare. Edhe gjatë Luftës italo-greke, Pervizi pati një vizion të qartë, mbasi nuk lejoi qe batalioni Tomorri të vihej në formacion luftimi në kufirin grek sikurse ndodhi me atë Gramozi i cili  futet në luftim pa dijeninë e Pervizit nga Italianët. Me këtë motiv italianët e dërguan në Pukë, një lloj izolimi pë këtë arsye. Gjenerali në gusht 1943 është i pranishëm në mbledhjen e Mukjes, ku vendoset bashkimi i popullit në luftë kundër pushtuesit, por e kupton shpejt tradhëtinë e idealeve të Mukjes nga komunistët që bien pre e agjenturave Jugosllave, për ta bërë Shqipërinë pjesë e Federatës Jugosllave. Më 1943-1944, fill pas kapitullimit të Italisë (8 shtator 1943), ai paraqitet tek gjenerali Dalmazzo, kryekomandant i ushtrisë italiane në Shqipëri, prej të cilit merr komandën e ushtrisë shqiptare dhe me krijimin e qeverisë së re më 23 shtator 1943 të  Regjencës Shqiptare (Mehdi Frashëri, P. Anton Harapi, Lef Nosi e Fuad Dibra), të kryesuar nga Ibrahim Biçaku, me aprovimin e Asamblesë Kushtetuese Gjeneral Prenk Pervizi, emërohet Komandant i Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare, duke zëvendësuar në këtë post gjeneral Aqif Përmetin, ndaj i përqendroi gjithë forcat e ushtrisë shqiptare për ta mbrojtur Kosovën, ku edhe kryen një inspektim njëmujor për të verifikuar e penguar synimet përfituese territoriale të Serbisë, me çka ai ruajti unitetin e tërësisë territoriale të Shqipërisë me Kosovën. Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare gjeneral Preng Pervizi, i dërgonte më 5 dhjetor 1943 Kryesisë së Këshillit të Ministrave dhe për dijeni Këshillit të Naltë, propozimet për riorganizimin e Forcave të Armatosura të shtetit shqiptar. Ky projekt vinte pas kërkesës që kishte bërë kryesia në fjalë, rreth organizimit të këtyre forcave në kushtet e reja për shtetin shqiptar pas shtatorit 1943, në kushtet kur Italia fashiste kapitulloi. Prenk Pervizi ishte kundërshtar i fortë i pushtimit gjerman ndaj ai përkrahu misionin anglez. Këtë politikë dhe këtë bashkëpunim nuk e pranoi gjenerali. Prandaj mohoi çdo mundësi bashkëpunimi me partizanët komunistë dhe doli në mal për dy vjet me shumë nacionalistë të tjerë. Gjatë gjithë kësaj kohe ai e sheh se është e pamundur për të shpëtuar Shqipërinë nga dora komuniste pasi takimi i Jaltës ja kishte lënë Shqipërinë nën protektariatin rus, pra komunizmi ishte i pa shmangshëm bashkë me egërsinë e shfrenuar të Enver Hoxhës. Me gjithë dhimbjen e madhe që ndjente për vendin, familjen dhe miqtë e tij, pas një qëndrimi disamujor nëpër male në Skuraj, Bulgër, Molung, Velë, Kryezez ndër miq e të afërm dhe në verën e vitit 1946, ai detyrohet të zgjedhë rrugën e arratisjes me zemër të plasur për çdo pëllëmbë tokë që do të linte pas. Niset nga malësia e Kurbinit nën shoqërimin e kushëririt të tij Llesh Nikollë Lleshit dhe mbërrin në Tiranë, ku gjen strehim tek mirditorët Ndue e Llesh Gëziqi. Ai e dinte se komunizmi ishte një e keqe që do të përfitonte e do ta zaptonte vendin e tij, se familja e tij do të vuante pasojat e kësaj arratisje. Në Tiranë Gjenerali u takua me miqtë e tij besnikë dhe djemtë e tij dhe kaloi nën hundën spiunëve dhe forcave të sigurimit komunist të Enver Hoxhës. Ai e arriti këtë me ndihmën e shof¬erit të tij besnik, korçarin trim Llazi Sterjo, që mundi të fluturonte me makinën e tij bashkë me gjeneralin nën tytat e postoblloqeve të shumta. Mbërriti i veshur si gazetar i huaj në Zëmlak të Korçës në familjen fisnike patriote të Kullajve (Ganiut), e cila kishte përcjellë dhe mbretin Zog për në Greqi. Gjenerali doli në Greqi në Fillorinë, e cila e respektoi si ushtarak e si gjeneral për 19 vjet me radhë. Pastaj kaloi nëpër Itali, ku edhe refuzoi privilegjet dhe shtetësinë që i ofruan për të mbërritur në Bruksel, ku shteti belg i dha atij trajtim të veçantë duke e respektuar për tërë kohën që jetoi në Belgjikë. Por i mungoi dashuria e kombit e popullit të vet, që e donin dhe e prisnin që një ditë të kthehej. Por kjo gjë nuk u bë e mundur të realizohej kurrë. Vdiq në Bruksel (Belgjikë) me 6 shtator 1977. Regjimi i Enver Hoxhës për periudhën 1945-1990, hodhi baltë mbi këtë figurë madhore të ushtrisë shqiptare, ushtarak kariere me kulturë dhe formim profesional të admirueshëm, ndërkohë familja e tij pësoj një persekutim të jashtëzakonshëm. Brigadat partizane menjëherë pas bombardimit në largim e sipër nga forcat gjermane, nuk vonuan dhe në tetor 1944, plaçkitën dhe dogjën kullat dhe shtëpitë e familjes. Në vitin 1948 u arrestuan Ndue Pal Gjini dhe Ndue Gjergj Lleshi dhe pas turturave çnjerëzore në burgun e Krujës u dënuan me vdekje për tu varur të dielën e Pashkëve në mes të qytetit, por katër orë para ekzekutimit thyejnë burgun e arratisen. Skuraj konsiderohej fshati i vetëm në Shqipëri i paçliruar deri në vitin 1952. Bilanci tragjik i saj pati 17 të pushkatuar dhe të vdekur në burgje e kampe internimi, dhjetëra të burgosur e internuar që kryen gjithsej 628 vite burg. Gjeografia e internimit përfshin: Berat, Porto Palermo, Kuçovë, Tepelenë, Levan, Savër, Plug, Gradisht etj.
Per portalin Kurbini : Kastriot MARKU

 

www.GIFCreator.me_RohuNY

 

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: