Advertisements
Telegrafikisht

Kisha e Shen Prendes shpallet monument kulture

 

Shën Prendja e Kurbinit – “Scriptorium” i trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare

Nga Kastriot Marku
Shën Prendja ka ardhur si formë e shqipëruar e asaj që në traditën bizantine njihej si Shën Parashqevia, Veneranda ose ital. San. Veneranda ose San. Parasceve ose Venerina (shenjtore e shekullit II), që në traditën latine njihej si Venera ose Shën Veneranda, e cila ka datën 26 korrik si ditë liturgjike të përkujtimit. Kisha abaciale benediktine e Shën Prendës (Santa Veneranda di Curbino), përbën mbase kompleksin më enigmatik dhe më mbresëlënës njëherësh, në qerthullin e rrjetit kishtar mesjetar shqiptar duke nisur nga Durrësi, Kruja, Lezha, Mirdita e deri në Mat e Dibër, për të mos thënë nga Tivari e deri ne Prevezë. Do të jetë pikërisht kjo rezidencë ipeshkvore e cila do të mbajë peshën kryesore në organizimin kishtar të vendit përgjatë gjithë shekujve XVII-XIX, prej së cilës do të ftilloheshin nismat më të rëndësishme fetare, arsimore, kulturore dhe identitare të shqiptarëve të brendashkruar hapësirës territoriale gjatë kësaj periudhe historike. Për afro 300 vjet (1571-1865), dioqezat shqiptare ishin pa asnjë kishë katedrale, me përjashtim të asaj të Durrësit, e cila kishte katedralen e saj pikërisht në Shën Prende të Kurbinit.Vështirë të gjendet një vend tjetër i cili ka ruajtur një komunikim/raportim konstant të paprerë për tre shekuj radhazi me Selinë e Shenjtë e konkretisht me Congregazione de Propaganda Fide/Kongregata e Përhapjes së Fesë(1622), e cila mbështeti financiarisht shkollën e Kurbinit e cila u ftillua nërezidencën e Selisë Ipeshkvore të Arbënit (1615-1640), në Shën Prende në fshatin Gallatë e mandej u shndërrua në Seli të Arkidioqezës Metropolitane të Durrësit (1640-1853).13619792_1316048925089524_505010956079965602395_n

Kisha në fjalë gjendet në shpatin lindor të fshatit të sotëm Gallatë, në faqen perëndimore të malit të Trodhnës në majën e një kodre kundruese dhe mjaft piktoreske, prej së cilës shihet dhe kontrollohet me sy të lirë e gjithë lugina e lumit Hurdhazë deri në kuvendin tjetër benediktin të Shën Gjergjit në Ferrë – Shkopet, për të vijuar më pas deri në kuvendin e françeskan të Shelbuemit tëRubikut. Po ashtu prej aty shihet e gjithë malësia lindore e Lezhës. Gallata si toponim del që në regjistrin kadastral osman të vitit 1467, në trajtën Galata, njëzetë e katër vjet pas Shën Prendes kur kjo e fundit përmendet si kishë e Kurbinit, fshat i krahinës me të njëjtin emër.

Kisha e Shën Prendës pas ndarjes së dioqezës së Durrësit në dy pjesë në vitin 1279, i takonte ipeshkvit të Krujës dhe, më vonë, pas marrjes në dorë të Durrësit që ishte nën administrimin e venedikasve nga turqit më 1502, ajo tashmë kthehet në seli ipeshkvore deri në vitin 1850. Sipas Farlatit prej vitit 1286 Kruja dhe Arbanum kishin ipeshkvinjtë veçmas, ndërsa pas pushtimit të Krujës nga ana e turqve më 1478, ipeshkvinjtë u shpërngulën prej andej, (në fakt më 1415) titujt e ipeshkvive u shkrinë në një të vetëm, dhe titullari i tyre tashmë do të rezidojë në Shën Prende. Pas pushtimit të Durrësit në vitin 1501, për plot 140 vjet selia e Kryeipeshkvisë mbetet vakante deri kur përtërihet në vitin 1640 në Shna Prende të Kurbinit. Duhet të kemi parasysh se në këtë kohë Kthella, Ndërfana, pra Mirdita Verilindore ishin nën varësinë juridiksionale kishtare të Kryeipeshkvisë së Durrësit dhe selia Ipeshkvore do të duhej të transferohej brenda juridiksionit të saj territorial. Po ashtu edhe selia ipeshkvnore e Krujës u zhvendos herë në një vend e herë në një tjetër të paktën që në vitin 1478, vit ky kur ky qytet u pushtua nga turqit, me ç’rast u dogj edhe katedralja e saj së bashku me të gjithë librat e vjetër që gjendeshin aty, çfarë mund të hamendësohet se mund të kenë humbur edhe shkrime shqipe. Kisha e Shën Prendes dikur ka qenë kuvendi abacial i  benediktinëve së paku qysh para gjysmës së dytë të shekullit XV, sepse në letrën e Papës Kalistit III të datës 18 gusht 1457 shkruhet: Në një letër të Papës Kalistit III, që mban datën 18 gusht të vitit 1457, midis të tjerash shkruhet se: “…Kalisti III (papë) i jep të  drejtën Abatit të Shna Prendes së Kurbinit në dioqezën e Krujës të bashkonte me manastirin benediktin të Shën Mërisë së Ndërfandës në dioqezën e Arbnit, me kishën e afërme të Shën Gjergjit me që të dyja qenë (rrënuar, prishur, shkatërruar) e varfërnuar nga një sulm i turqve”. Këtu përmendet Santa Venera di Curbino, emër i cili më pas për më shumë se dy shekuj e gjysëm duke filluar nga shek. XVII, përveçse si emër krahine, do të përdoret edhe për kuvendin abazial të Shën Prendes i identifikuar si vendndodhja e Selisë Ipeshkvore e Arbënit (1615-1640), mandej Selisë së Kryeipeshkvisë Metropolitane të Durrësit (1640-1853), përmes datimit të dokumenteve të kancelarisë arqipeshkvore dhe veçanërisht relacioneve të dërgura nga titullarët e tyre Kongregatës së Propagandës Fide ne Romë. Kisha e Shën Prendes dikur, kuvendi abacial i  benediktinëve, së paku qysh para gjysmës së dytë të shekullit XV,e që më pas u administua nga françeskanët, ishte një ndër qendrat kryesore fetare dhe politike të Arbënisë mesjetare. Ndërkohë përgjatë kërkimeve tona në dokumentacionin historik kishtar të mesjetës kemi arritur të sigurojmë një tjetër dokument më të hershëm lidhur me përmendjen e emrit të kësaj krahine, i cili daton 14 vite më herët, më 10 shtator 1443 me po të njëtin përdorim: S. Venerae de Corbino.

Françeskanët rezultojnë këtu në Shën Prende në gjysmën e parë të shekullit XVII. Mark Skura, Arqipeshkëv i Durrësit me seli në Shën Prende të Kurbinit, në relacionin e tij të vitit 1644 tregon: “…pasi qe marrë Shqipnija (prej turqish) krijohej nji ipeshkev i vetëm, titulli i të cilit ishte “Albanense”, (i Arbënit), sepse Shqipnia asht nji provincë e vetme dhe pjesë e mbretnisë s’Epirit. Ai ipeshkev (i Arbënit) banonte tash në nji vend e tash në nji tjetër dhe shumë mirë, sepse aty ishin popuj të gjithë të krishtenë e katolikë të mirë, sikurse janë ata t’Italisë. I ndyeri imzot Gjon Kolesi, banonte në tokën e Kurbinit bashkë me fretnit e Shën Françeskut dhe me dy priftën famullitarë të vendit. Dhe po ashtu Imzot Fra Mark Skura, pasardhësi i tij, i cili pastaj në vjetin 1640 qe ngarkue me titullin e kishës Metropolitane të Durrësit”.

Duhet thënë se Selia Ipeshkvore e Dioqezës së Arbënit u vendos në Shën Prende nga Ipeshkvi i kësaj dioqeze Imzot Gjon Kolesi në vitin 1615, (sikurse edhe e pohon vetë ai kur thotë në vitin 1624 se ka dhjetë vjet që është bërë ipeshkëv), me ç’rast ai bëri edhe rindërtimin e saj, sikurse shihet në mbishkrimin në një nga gurët e fasadës tashmë të rrënuar të kësaj kishe në të cilin lexohet: «1618 F. I. COLESIVS EPVS ALBANENSIS F.F. », i cili i transkriptuar do të ishte: Fra Ioannes Collesius Episcopus Albanensis. (Fra Gjon Kolesi Ipeshkvi i Arbënit). Pra, duket qartazi titullari i ipeshkvisë së Arbënit.

Në fakt vendosja e kësaj selie korrespondon me shugurimin e këtij ipeshkvi, çfarë ne mendojmë se ai qe vendosur që më parë aty, sepse Farlati thekson se kur ky Imzot Kolesi u emërua me 31 gusht 1615 ipeshkëv i Arbënisë, “shtëpinë ipeshkvore në fshatin e Kurbinit, jo fort larg qytetit të Krujës, e gjeti të shkatërruar nga turqit”, por gjithsesi ai këtu u vendos pas vitit 1605, vit kur Kolesi rezulton në Laç, si Epror në Kuvendin Françeskan të Shën Mërisë, (sot Shën Antonit), sikurse na e tregon këtë mbishkrimi në ballin e kësaj të fundit. Nëse do të ndjekim relacionet e Imzot Mark Skurës, Selia Ipeshkvnore e Arbënisë, që asokohe gjendej në Shën Prende (në atë kohë famulli e dioqezës së Krujës), ishte “…në kishën e Shën Pjetrit të vendosun pranë fshatit të Mamëlit të Kërrabës, ku e kishte selinë Imzot Fra Nikollë Mejkashi.., dhe paraardhësi dhe ishte Imzot Gjon Kolesi që e transferoi nga ky fshat gjendet sot në zonën e Elbasanit, sikurse e përforcon më pas edhe Shtjefën Gaspari në vitin 1672. Kur vdiq Ipeshkvi i Arbënisë, Nikollë Mejkashi, pasardhësi i tij Imzot Gjon Kolesi, duke parë se ato krahina ishin islamizuar pothuajse krejt, e zhvendosi selinë e vet ndër male të Kurbinit, ku sikurse na e thotë vetë ai, ishin “rreth njëqind katunde me nga 20-30 shtëpi secili, të gjithë të krishtenë shumë të mirë e shumë besnikë”, dhe e përsërit Imzot Mark Skura në vitin 1644 “të gjithë të krishtenë e katolikë shumë të mirë, sikurse janë ata t’Italisë”. Imzot Mark Skura, në relacionet e viteve 1641 dhe 1644, pohon se Ipeshkvi i Arbënisë “banonte tash në nji vend, tash në një tjetër”, i mbrojtur prej popullit katolik që ishte i mirë e besnik. Se ka qenë pikërisht Imzot Kolesi ai që e ka transferuar Selinë Ipeshkvore të Arbënit nga Mamli në Shna Prende të Kurbinit këtë na e pohon në vitin 1702 edhe vizitatori apostolik Shtjefën Gaspari.

Po pse u zhvendos Selia Arqipeshkvore e Durrësit në Kurbin?

Ajo që mund të theksojmë në këtë argument është fakti se, vendosja e Selisë Ipeshkvore në Shën Prende të Kurbinit, nuk ishte një vendim rastësor, por një vendim i peshuar mirë, i cili justifikohej plotësisht me gjasë për disa arsye:

Së pari sepse atje ishte selia e vjetër e Ipeshvisë së Arbërit e cila ishte e lidhur me emrin e Shën Prenës që sikurse dihet është një emër shumë i vjetër[1] sikurse ishte shumë i vjetër identiteti i dioqezës sëArbënit e cila kishte dhe ka për pajtore pikërisht Shën Prenën, dinjitet që  me sa duket ishte përvetësuar sipas Injac Zamputit nga Dhimitri e Progoni, për t‘u zhvendosur nga Kurbini në shekujt XII-XIII, pa mundur dot t’i rezistojë shumë gjatë, mbasi dinjiteti ipeshkvor ngjan të jetë rikthyer menjëherë, por në mënyrë të fisshme na rishfaqet në shekullin XVII e më pas. me këtë unifikimin me Arqipeshkvinë e Durrësit, selia e së cilës zhvendoset këtu, duke qenë se ishte dioqesë sufragane e kësaj të fundit, shuhet. Pra me vendosjen aty të Selisë Arqipeshkvore të Durrësit në vitin 1640, shuhet nga pikëpamja juridiksionale Ipeshkvia e Arbërit.

Së dyti, ipeshkvitë mesjetare shtriheshin zakonisht në një krahinë të rëndësishme, gjë e cila nuk vihej në dyshim për Kurbinin, mjafton të kujtojmë se Imzot Gjon Kolesi në relacionin e tij të vitit 1625 thekson se në Shën Prende qëndronte pjesën më të madhe të kohës princi Skandërbe.

Së treti, famullia në fjalë kishte të ardhura deri diku të mjaftueshme në krahasim me famullitë e tjera kandidate edhe pse relatorët ipeshkvinj të saj ankohen për mungesën e tyre për shkak të taksave dhe kushteve të tjera të vëna nga pushtuesit turq.

Së katërti, selia u zhvendos këtu, sepse ishte një vend i mbrojtur prej sulmeve të shpejta e të befta të turqve. Shën Prendja rrethohej nga katër kështjella që gjenden përkatësisht, një në Daul, (lagje e Selitës), një në Laç e njohur si kalaja e Sebastes, një tjetër ajo e Pervizit në Ferrë – Shkopet, dhe e fundit një tjetër kështjellë që gjendet edhe ajo në Shkopet, të cilat paraqesin jo pak interes nga pikëpamja historike dhe ndërtimore. Arsyeja e katërt është se populli i kësaj zone ishte i mirë dhe besnik, sikurse e theksojnë dy ipeshkvinjtë, Imzot Gjon Kolesi dhe Imzot Mark Skura.

Në relacionin e vizitës së parë baritore që i bën Arkidioqezës së Durrësit në vitin 1640, kur sapo ishte emëruar në krye të saj, Imzot Mark Skura na jep këto të dhëna. “Ipeshkvi i shërben Kishës Katedrale të Shën Venerandës Parashqvisë, 8 milje larg nga qyteti i Krujës dhe është e madhe sa Shën Kryqi i Jeruzalemit në Romë, e zbuluar, në gur të gjallë, thuajse e rrënuar nga vjetërsia, dhe do të ishte e rëndësishme të rindërtohej nga Kongregata e Shenjtë për ta shpëtuar, ka kompanelin dhe një kambanë të madhe, nuk ka sakristi në kishën e përmendur e janë 3 altarë të Shën Venerandës Parashqevisë, të Zojës dhe të Shën Nikollës dhe i paguan çdo vit detyrimet turqve 20 skudë e ndonjëherë edhe 30.

2015-10-16 15.05

Një vit më pas këto të dhëna përforcohen dhe plotësohen: „Kisha katedrale, që sot me breve apostolik gjendet në Kurbin, asht nën titullin dhe në pajtimin e Shna Prendes. Motit ka qenë abaci e mitrueme, ecila [kishë] asht e gjitha në gur të gjallë. Pranë kishës janë vorrezat e saja. [Kisha] ka tre altarë, N’altarin e madh, arqipeshkvi i sipërthanun ka vendosë më 1640 një tabernakull të bukur prej bakri krejt të praruem dhe të stolisun me gurë të ndryshëm kristali; përmbi tabernakull ka bame të vendosej një kuadër i madh e shumë i bukur me suaza të prarueme dhe me fytyrën e të shënjtënueshmes Virgjin Nanës së Zotit. N’altarin e dytë, n’anë t’epistullës, një kuadër tjetër të ngjashëm me të sipërthanunin me fytyrën e Shna Prendes. Në të tretin, një kryq dhe pranë tij faldistorin e vet. Që të tre altarët ka bamë që të kyçen n’atë mënyrë si disa kishë t’Italisë. Ka kumbanoren me nji kumbonë të madhe. Kisha nuk ka sakresti as relike veçse ato t’altarëve të lëvizshëm, dhe veshjet mbahen në dhomën e arqipeshkvit”, për t’u përsëritur sërish pa thuajse asnjë ndryshim edhe në vitin 1644/1650 teksa raportn: “Kisha asht e gjitha në gur të gjallë, por shumë e vjetër, dhe gjysma e saj asht tue ra për tokë, gjysma tjetër asht meremetue prej imzotit të thanun me ndihmën që vinte prej Kongregacionit të Prop. Fide. Ajo asht e mbulueme me tjegulla. Pranë kishës janë vorrezat e saja; ajo ka tre altarë, N’altarin e madh, arqipeshkvi i sipërthanun ka vendosë një tabernakull të vogël prej bakri krejt të praruem dhe të stolisun me gurë të ndryshëm kristali; përmbi tabernakull ka bame të vendosej një kuadër i madh shumë i bukur, me suaza të prarueme dhe me fytyrën e Virgjinës së Shënjtënueshme. N’altarin e dytë, n’anë t’epistullës, një kuadër tjetër të ngjashëm me të, me fytyrën e Shna Prendes; dhe në të tretin, fytyra të tjera dhe pranë tij një faldistor. Dhe që të tre altarët ka bamë që të kyçen sipas zakonit italian. Kisha nuk ka sakresti as relike, veçse vargonin që i venin në qafë Shën Aleksandrit dhe ato [relike] t’altarëve të bajtshëm. Ato pak veshje që ka, mbahen mbahen në dhomën e arqipeshkvit. Ka kumbanore dhe një kumbonë.”

Ajo që bie në sy në të tre relacionet e Mark Skurës të viteve 1640, 1641 dhe 1644/1650 është fakti se ai shënon se motit ka qenë abaci e mitrueme me rendë të madhe,gjë të cilën e konfirmon edhe P. Fulvio Cordignano teksa thekson se: “Kisha Kathedrale e Kurbinit me titull e Shën Prendes, dikur Abaci e vjetër”. Po ashtu kisha ka qenë e zbukuruar me dy piktura, njëra e Shën Mërisë dhe tjera e Shën, Prendes të cilat sot konsiderohen të humbura.

Është ky fakt konstant dhe mjaft domethënës që tregon vjetërsinë e kësaj kishe. Gjithsesi, kisha është meremetuar para vitit 1645, sepse Ipeshkvi Mark Skura në një letër të tij të datës 12 janar të vitit 1643 do të shkruajë se: “katedralja ime asht në nevojë” dhe përsëri një vit më pas na ka thënë qartazi se “Kisha asht e gjitha në gur të gjallë, por shumë e vjetër, dhe gjysma e saj asht tu ra për tokë, gjysma tjetër asht meremetue prej imzotit të thanun me ndihmën që vinte prej Kongregacionit të Prop. Fide”,pra ajo është ndërtuar së paku 1 shekull më parë, përndryshe nuk mund të quhej e vjetër, dhe se i është bërë meremetim i pjesshëm.

Më 28 Shkurt 1686 Imzot Gerard Gallata i shkruan nga Selia Propaganda Fide në Romë se pasojat e luftës turko-veneciane dhe sidomos nga kryengritja e Arqipeshkvit ët Durrësit me 14 mijë luftëtarë të zgjedhur nga malësia e Veriut, kanë bërë që Krerët turq të Krujës i kanë shkuar në Shna Prende i kanë shkuar 30 veta i kërkuar 200 zekinë që nuk i ka pasur pastaj në darkë janë bërë 100 i kanë marrë gjithçka dhe kanë dashur ta marrin peng por e kanë lëshuar më në fund dhe ai përmes shiut ka qëndruar 4 netë në mal zbathur e çveshur pa ngrënë me temperaturë dhe kur ëshët kthyer fshehurazi pas disa ditësh gjysë i vdekur gjysëm i gjallë saqë askush nuk e besonte se do të shtynte edhe një ditë të vetme duku u lutur që më mirë të vdiste e ta dërgonin në pyll, sepse e sheh si të pamundur të kthehej të jetonte aty. Në fund shkruan se po i shkruan këto me sytë plot me lot e gjak me me fytyrë për tokë.

Për më tepër informacion të mëvonshëm mbi këtë kishë mund të merret nga relacioni i vizitës pesë mujore pastorale të Vizitatorit Apostolik Vinçenc Zmajeviçit, që u miratua nga Papa Klementi XI, me një letër që mban datën 8 qershor 1702, vizitë e cila më pas përgatiti Kuvendin e Arbënit në vitin 1703.

“Në mesin e gjithë këtyre fshatrave është Kisha e Shna Prendes, ish abaci e ipeshkvisë së Krujës, dhe tani katedrale e kryeipeshkvit të Durrësit, rreth 20 hapa e gjatë bashkë me hajatin, dhe gjashtë e gjërë, me dy varreza të mbuluara dhe këmbanore të ndërtuar në trajtë të mirë. Të gjitha pjesët (anët) janë të dëmtuara prej tërmetit dhe kanë nevojë për restaurim (meremetim). Kryeipeshkvi kishte grumbulluar materialin për të ndërtuar pullazin (çatinë) e kishës me ndihmën e 50 skudëve që kishte dhënë Kongregacioni i Shenjtë për këtë punë, dhe do të kishte kryer veprën sikur të mos ia kishin ndalur sundimtarët turq të Krujës prej të cilëve shpresohet të nxirret leja, por me mjetin e zakonshëm të dhuratave për të cilat, meqë kryeipeshkvi s’kishte mundësi, ka menduar vizitatori”. Famullia e Shna Prendes/Kurbini kishte gjithsej këtë vit 59 familje katolike me 368 shpirt.Kisha është konceptuar si një ndërtim me tiparet e një bazilike e që, sipas përshkrimit, jo krejt profesionist, por me mjaft rëndësi të bërë nga Theodor Ippen: “Ka një madhësi të pazakontë ndër kishat katolike të Shqipërisë, me një këmbanore që ngrihet e izoluar me një anë, katërkëndëshe e të rëndë; nuk ka asnjë pikë referimi që do të mund të përcaktonte moshën e kishës, megjithatë përshtypja e përgjithshme thotë se është ngritur mbas pushtimit turk dhe nuk është më tepër se ndoshta dyqind vjeçare; ndërtimi nuk tregon asnjë lloj stili të spikatur dhe është krejt pa zbukurime. Ndër pajisjet e kishës vlen të përmendet një kryq altari, i cili është gatitur me argjent të praruar dhe është stolisur me relieve figurash; kjo është një punë zejtari që ka karakterin e sendeve kishtare të prodhuara dikur nga argjendarët e Raguzës; nuk ka asnjë mbishkrim e as vit.

Përshkrimi i monumentit

Kompleksi arqipeshkvor i Shën Prendes është një ndërtim filestar i shekullit XI-XIV, sikurse shumica e komplekseve të tjera monastike të Shqipërisë Veriore, i cili së bashku me shtesat dhe ndryshimet e realizuara në shekujt pasues dëshmon ecurinë e zhvillimit dhe larminë tipologjike të ndërtimeve monastike të arkitekturës romanike. Kompleksi kuvendor përbëhet nga kisha dhe konakët, që e rrethojnë atë, kryesisht nga ana verilindore. Nga këto ndërtime ruhet në gjendje relativisht të mirë kumbanorja ndërsa kisha dhe konakët janë thuajse në gjendje të rrënuar. Kisha e Shën Prendes në brendësi rezulton të jetë një bazilikë trinefëshe (tri navatash, anijesh) me hyrje në anën perëndimore, në të cilën nuk ruhet asnjë shenjë muri mbi tokë. Bazilikat nga ana e planimetrisë vëllimore ishin ndërtime të mëdha me qëllim që të nxinin një numër sa më të madh besimtarësh. Ndërtoheshin lehtësisht dhe kishin arkitekturë të thjeshtëzuar bazuar kryesisht në traditën vendase. Kisha e manastirit, në organizimin hapësiror të brendshëm u bindet kritereve të ndërtimit karakteristik të kishave bazilikale trenefëshe, por me një apsidë jo në formë rrethore por drejtkëndëshe dhe mjaft të vogë në krahasim me përmasat që ka kisha. Teknika e ndërtimit është e një cilësie deri diku të mirë, veçanërisht kumbanorja e cila është gjallëruar me elemente dekorative të punuara në gur shtufi. Gjykuar nga elementët e rrënojës si dhe mbi bazën e një fotografie të bërë nga Theodor Ippen në fund të shekullit XVIII, kisha e Shën Prendes kishte edhe një portik në trajtën e një hajati, i cili shtrihej në të gjithë gjatësinë fasadës. Sikurse shihet nga fotografia duket qartë se kishës i janë zgjeruar mjediset, kështu që mendojmë se ndërtimi i saj ka kaluar në disa faza.

Në anën veriore gjendet qela me mjediset famullitare, ose selia rezidenciale e ipeshkvinjve, e cila u dogj më 28 shkurt të vitit 1989 nga një zjarr që ra aty, e bashkë me të edhe ajo pasuri skulpturore e ikonografike, si dhe një pjesë të bibliotekës që kishte tepruar nga bastisja e bërë aty në vitin 1967. Urrejtja e ideologjisë së kuqe nuk kishte gjetur sfidë më të madhe sa profanimin e vendit të shenjtë me plehun e bagëtive, i cili do të çonte në hi shkollimin shqip, por jo gjuhën e bukur shqipe, jo besimin perëndimor të shqiptarëve, që në atë kodër piktoreske na ftojnë sot e gjithë ditën për refleksion jo të vogël.Qela dykatëshe, tashmë e rrënuar, gjendet rreth 14 metra larg kishës e cila duket se nuk është ndërtuar njëherësh, pasi pjesa jugore është më e vjetër, ndërsa ajo veriore është shtuar më vonë. Datimi i pjesë së parë shkon krahas me kishën, ndërsa ai i pjesës veriore mendojmë se i përket shekullit XVII, kur edhe u themelua seminari dioqezan realizuar ky nga Gjon Kolesi. Ajo kishte 16 dhoma, përmes të cilave kalonin katër korridore të vegjël një ahur, mbuluar me çati me tjegulla. Muret janë ndërtuar përgjithësisht me gurë të zez dhe tek-tuk edhe me gurë gëlqerorë të lidhur me llaç gëlqereje me rërë shtufi. Pjesa jugore është e vjetër, ndërsa ajo lindore duket qartë se është shtuar më vonë. Përmirësimi i fundit që iu bë ndërtesës ishte ai i vitit 1932, kur seminari i atyshëm u caktua si qendër verimore për seminaristët e Seminarit Papnor të Shkodrës. Në anën veriore ka qenë kulla e zaptijve, që tani është zhdukur krejtësisht. Rreth 15 metra në veri të qelës, gjendet një pus jo i mirëmbajtur që mban ende ujë. Në rrënojat e kishës gjenden 3 gurë, ku në secilin prej tyre gjenden 3 mbishkrime. Në mbishkrimin e parë lexohet:«1618 F. I. COLESIVS EPVS ALBANENSIS F.F. », i cili në formë të plotësuar do të ishte: Fra Ioannes Collesius Episcopus Albanensis.

në të dytin: PA.GAL ÆDI. 1819 dhe në të tretin; « PA. GA. AR. F. 1824 » = PAULUS GALLATA ARCHIEPISCOPUS FECIT 1824. (PAL GALLATA ARQIPESHKVI I DURRËSIT NDËRTOI 1824).Kisha përveç kësaj zotëronte edhe Mullinin Fall. Pra titullin e tillë e justifikonte në njëfarë mënyre autonomia ekonomike. Zotërimi i këtij pushteti publik e përjashtonte famullinë, seli ipeshkvore, nga detyrimet e taksave zyrtare osmane, çfarë Imzot Kolesi dhe Imzot Skura kishin vuajtur aq shumë.

Më në fund Këshilli Shkencor pranë Institutit të Monumenteve të Kulturëska shpallur Monument Kulture tëi kategorisë së I-rë me vendimin nr. 241, dt. 19. 07.2016, Katedralen e Shën Prendes në fshatin Gallatë të bashkisë së Kurbinit, dikur seli ipeshkvnore e dioqezës së Arbënit (1615-1640) dhe seli e Arqipeshkvisë së Durrësit (1640-1653).Këtë status e kishte merituar me kohë ky ansambël historiko-kulturor, tashmë monument kulture, një ndër kuvendet më të rëndësishme benediktine të Shqipërisë veriore që më pas u administrua prej etërve françeskanë, ku edhe u themelua një ndër shkollat e para të gjuhës shqipe (1632), e financuar nga Kongregata e Shenjtë e Propagandës Fide. Historia shqiptare, kultura shqiptare, shkolla, arsimi, gjuha, libri dhe letërsia shqipe kanë tashmë mes tyre një dëshmi më shumë deri më tash të munguar; një “scriptorium” të kujtesës sonë kombëtare në altarin e identitetit kombëtar shqiptar. Bazilika e Shën Prenës që kishte shenjtëruar përmes dorës së Imzot Gjon Kolesit, Imzot Mark Skurës, Imzot Gerard Gallatës, Imzot Nikollë Radovanit, Imzot Pal Gallatës e Imzot Rafaelo D’Ambrosio-s një univers më vete të botës shqiptare e që u dhunua dhe u përdhos prej regjimit komunist (1945-1990), më në fund ka marrë mbrojtjen formale të shtetit shqiptar. Urojmë që kjo mbrojtje të mos mjaftohet vetëm me një tabelë/pllakat njoftues, por të shoqërohet me projekte konkrete konservimi dhe restaurimi.

Reklame

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: