Nga Edmond Brozi
Ura e Zogut (e quajtur kështu sepse u ngrit në kohën e qeverisjes së Ahmet Zogut).

Ura u ndërtua mbi lumin Mat në Milot, në harkun kohor të një viti nga Kompania Mazorana & Co. e përfaqësuar nga inxhinieri i vet zbatues Z. Erwin Schnitter dhe u inaugurua me 26 maj të vitit 1927. Projekti u realizua nga inxhinieri Gjovalin Gjadri (1899-1974), i cili u diplomua në Vjenë (Austri) në vitet 1912-1917. E ndërtuar me 6 (gjashtë) harqe, secili nga 54 m i gjatë, kjo urë e humbi njerin hark të saj më 20 nëntor 1944, kur ai u hodh në erë nga forcat gjermane që po tërhiqeshin nga Shqiperia për të ndërprerë komunikimin me forcat çlirimtare shqiptare. U shpall monument kulture i mbrojtur nga shteti me Vendim të Keshillit te Ministrave të Republikës së Shqipërisë në vitin 1999.
Por pas një rikonstruksioni që ju bë në ato vite dhe deri më sot askush nuk është kujtuar më për këtë urë. Ajo është lëne në harresë të plotë si nga ana e drejtorise së përgjithshme të rrugëve (pasi tani nuk është më dhe funksionale për kalimin e mjeteve me ndertimin e rruges se kombit) ashtu dhe nga ajo e monumenteve.

Ushtria barbare e hajdutëve të skrapit nuk ka kursyer as këte urë!
Ata shkatërrojne dhe vjedhin si pa gjë të keq a thua është prona e tyre në mes të dites, dhe mu nën hundët e policisë së shtetit… Pikërisht në atë vend policia rrugore kontrollon automjetet për tejkalim të shpejtësisë apo mungesen e dokumentave por jo dhe ata që shpesh dhe me fresibla apo mjete të tjera presin hekurat e kësaj ure. MBASE nuk është në kopetencen e tyre!
Disa herë kjo problematikë është trajtuar dhe në disa media lokale dhe kombëtare por asnjë reagim nga ana e institucioneve përgjegjëse.
Nuk don shumë koment , është vërtetë e trishtueshme që kjo urë unike në vendin tonë dhe me modernet per kohen ne Ballkan e cila për gati një shekull lidhi gjithë zonën e veriut me pjesën tjetër të Shqipërisë , e cila dhe siç dhe e thamë i shpëtoi ushtrise naziste duke humbur një hark,( thuhet që ushtria gjermane e kishte minuar të gjithë urën por një ushtar italian i strehuar në Milot shkon fshehurazi dhe pret fitilat duke shpëtuar pese harqet e tjerë.Ai diktohet nga gjermanet dhe vritet) në vend që te ishte pjesë e guidave turistike është katandisur në këtë gjendje duke u shkatërruar e tëra. Pamjet e sotme të kësaj ure tregojne pa dyshim se c’njerëz jemi dhe çfarë shteti kemi që monumentet e kultures lihen në mëshire të fatit.
