Me 3 shkurt Kisha katolike përkujton Shën Vlashin, mrekullibërës, ipeshkëv i Sebastes, Pajtor i Raguzës, që kremtohet edhe në Sicili me Festën e bukëve, e jo më pak në krahinën e Kurbinit, sidomos ne Skuraj dhe në Laç ku, pikërisht nën Shenjtnoren e Shën Ndout, ruhet edhe sot e kësaj dite shpella në të cilën thuhet se qe fshehur Shenjti gjatë persekutimeve fetare kundër të krishterëve nën Dioklecianin perandor.
Aty edhe u kap e iu dorëzua gjyqit, si bari i të krishterëve e kundërshtar i Perandorit. Pas shumë mundimesh që iu bënë, me qëllim që ta shtrëngonin të mohonte fenë, iu pre koka, me urdhër të Agrikolaut, sundimtar i Capadocies, më 3 shkurt të vitit 316 pas Krishtit.
Është shkruar shumë për Shën Vlashin e për vendlindjen e tij. Atë Shtjefën Gjeçovi e pas tij edhe studiues të tjerë si Atë Vinçenc Malaj kanë sjellë argumente për të vërtetuar se Shenjti nuk ka lindur në Armeni – siç besohet, por në Arbëni e se emri i vendlindjes është i shkruar gabim. Shumë të dhëna vërtetojnë se Shëna Vlashi, në mos ka lindur, sigurisht ka jetuar në trevat e Shqipërisë së sotme.
Për nder të Shëna Vlashit janë ngritur një sërë kishash kudo në botë. Kisha e toponime me emrin e Shëna Vlashit gjejmë në vise të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar nga shpella e Shëna Vlashit në Laç tek kisha e Sh’na Vlashit në Skuraj, Durres e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë.
Kujtojmë se besimtarët i luten Shëna Vlashit, posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepse, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur një halë në fyt, që po i merrte frymën.Prandaj ne fund te meshës , të gjithë të pranishmeve ndër kremtime, ju behet edhe kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: “Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore”.


Një mendim mbi “Shën Vlashi, ipeshkëv e martir, nga Sebastia e Shqipërisë ”