Advertisements
Telegrafikisht

Historia e kishes se shen Ndoit ne Laç,Sebaste sipas At Zef Pllumit

Nga At Zef Pllumi

Prej disa shekuj kjo Shejtnore konsiderohet si vendi ma i shejt në tokën e Shqipnisë, i frekuentuem prej besimtarve të gjitha religjioneve. at_zef_pllumiKy vend thirret “Shejt” sepse Zoti u flet këtu shpirtënve e zemrave të besimtarëve, ndigjon lutjet e tyne dhe shpesh herë me mënyra të jashtëzakonshme i plotson dishiret e tyne. Gjatë shekujsh besimtarët këtu kanë pasë dy pika takimi: 1) – Shpellën e Shna Vlashit, 2) – Shejtnoren e Shna Ndout. Përballë vendit shejt në majë të malit shifen rrenojet e nji kalaje të vjetër. Aty ishte qyteza e Sebastes, ku ishte Ipeshkëv Shna Vlashi, i cili kishte ikë prej qytezet dhe ishte mshefë në atë shpellë në shkamb të gjallë. Paganët e kapën dhe e mbytën. Dita e martirizimit të tij përkujtohet më 3 shkurt. Në nji relacjon te vj.1641 që Mark Skura dërgon në Romë thohet: “Aty asht edhe shpella e Shna Vlashit Martir, i cili kje kapë aty prej njerzve të Agrikolaut, larg nji të tretë mili larg nga qyteza e Sebastës”. Françeskanët erdhën në Shqipni në vj. 1240 e përhapën edhe divocjonin e Shna Ndout. Që nga vjeti 1349 dokumentat e përmendin si Kuvend Novicjatit, ku fretënt fillojn jetën shpirtnore tue kalue me uratë, pendesë e dishir me u shejtnue në atë vetmi malore. Historiani i Provincës Françeskane të Dalmacisë P. Fabianich, kur shkruen për Kuvendin e Fretenve të Sebastes thotë: “Kisha e vjetër, mbahet e çmohet me divocjon si Shejtnore, si prej të krishtenve ashtu edhe prej myslimanëve, të cilët dynden aty me shumicë për me kremtue festën e Shna Ndout. Provinçja Françeskane e Shqipnisë e mbajti gjithmonë si Kuvend ma me randsi sepse vizitohet nga shtegarët prej të gjitha anëve të Shqipnisë”. Në murin e kishës mbrenda ishin dy mbishkrime: në gjuhën latinë: I pari: HOC TEMPLUM CONSECRAVIT R.D. IOANNES BRUNNUS ARCHIEPISCOPUS ANTIBARENSIS ANNO INCARNATIONIS DNI MDLVII. D2 DIMB, që shqip don me thanë: Kjo Kishë u shugurue prej Shum të Ndertit Gjon Brunit, Arqipeshkëv i Tivarit në vjetin e lindjes së Zotit 1557 datën 2 Dhetor. Ndërsa i dyti thonte se në vj. 1605 i pari i fretenve Fra Gjon Kolleshi e riparoi këtë kishë. Njaty nga viti 1832 fretënt shqiptarë u shuen si Provinçë, por nuk u shkim divocjoni i Shna Ndout, i cili u mbajt për disa kohë prej misjonarëve të huej italjanë, ndër ma të përmndunit janë: 1. P. Gjon a Carpo, frat i Provinçës së Bolonjës, i cili muer në dorzim edhe famullinë e Laçit në vj, 1866, ku edhe vdiq e u vorros në vj. 1869. Në rrasën e vorrit të tij ishte ky mbishkrim: D.O.M HIC IACENT OSSA R P IOANNIS A CARPO QUI IN CURSU MISSIONIS ANIMAM DEO REDIDIT IN HOC HOSPITIO LACI-SEBASTE DIE XXVII OCTOBRIS 1869.2. P. Gjon Catellani, edhe ky frat i Provinçës së Bolonjës, Prefekt i Misionit të Epirit, vdiq më 29.04.1879. Në fillim të ktij shekullit këtu bani shërbim P. Shtjefën Gjeçovi dhe me radhë të gjithë tjerët fretën shqiptarë.Në vitet 30 P. Tom Bicaj e P. Klement Miraj projektuen e filluen punimet për nji rrugë automobilistike; u ndërtue pranë Shejtnores nji hajat për strehimin e shtegtarvet, u ndërtue edhe nji ringierë (parmakët) rreth oborrit të Shejtnores. Në tetor të vitit 1944, ndërsa ishte famullitar P. Marjan Prelaj, hospici u dogj prej gjermanve, por shpejt u rindërtue përsri prej tij e prej P. Engjëll Sopaj (Paliq).

Shejtnorja nën pushtetin komunist

Për shum do kohë Shejtnorja e Shna Ndout gjatë regjimit komunist nuk pat shqetsime. Kështu gjatë provinçjalatit të P. David Picit (1952-1955) u banë përpjekje për ndamjen e administratës së Famullisë së Laçit prej asaj të Shejtnores së Sebastës. Ndërsa kjo u vendos vetëm kur ishte Provinçial P. Konstantin Pistulli. Gjatë ksaj kohe u ndërtue banesa e madhe për shtegtarët, dykatëshe (30×8 m) ndërsa famullitar ishte P. Filip Mazrekaj. Në vitin 1965 Provinçjal ishte P. Agostin Ashiku dhe famullitar P. Mark Pepaj filluen të bahen disa riparime të randësishme në Shejtnore. Qeveria tue pa frekuentimin e pandalshëm të popullsisë në këte vend Shejt, që edhe pse nën komunizmin, po vinte tue e shtue besimin në të Naltin Zot, kah shifte punët e mdha e të çuditshme që përditë ndodhshin në këte shejtnore, vendosi me e shpallë “zonë ushtarake” në Qershorin e vj, 1966. Kshtu nëpërmjet forcave ushtarake e policore, me dhunë e kamxhik u përpoq të ndalonte besimin në Zotin. Ky Vend Shejt në Sebaste kje i pari që u mbyll prej Pushtetit komunist. Gadi nji vit mbrapa, në Shkurtin e 1967, tue u mshefë mbas “Rinisë Studentore Revolucjonare” që filloi me përdhunimin e Kishës së Shën Vlashit të Durrësit, “Shtabi Revolucjonar për zhdukien e bestytnive fetare dhe zakoneve prapanike”, simbas modelit kinez të Lin Biaos-s, organizoi sulmin satanik, ma shkatrrimtar që njef historia, kundra të gjitha objekteve fetare, pa marrë parasysh as vlerat historike, as kulturale, as artistike. Nuk u kursyen as kryqat e vorrezave e dhunii i kockave të dekunve. Ma e mbramja Kishë në Shkodër u mbyll më 19 Mars 1967, ajo e Zojës Ruzare. Udhëheqsat Shtetit komunist me mburrje e shpallën Shqipninë “I pari Shtet ateist në botë” dhe për ta ishte Lavdì. I kishte verbue inati kundra Zotit. Kështu nuk kaloi shum kohë dhe Vendin Shejt në Sebastë të Laçit e hodhën në erë me eksploziv, si Shejtnoren e Shna Ndout, ashtu edhe Shpellen e Shna Vlashit. Me gjithë terrorin e madh që ushtrohej kundra besimtarëve, kjo Shejtnore e Shëna Ndout kje e vetmja shpresë e njerëzve plot halle që me lot ndër sy, me sakrifica e rrezik përshkojshin tinzë shkurret e shkrepat e ktij mali për me kërkue ndihmën veç prej të Naltit Zot, nëpër ndërmjetsinë e Shejtit Shna Ndue. Kjo gjendie frige e terrori vazhdoi deri në nji ditë.

Ringjallja fillon

cimg7470Më dt. 13 Qershor 1990 nga të gjitha anët e Shqipnisë vershuen besimtarët e të gjitha feve për me lutë të Madhin Zot e Shejtin Shna Ndue.Atë ditë nuk pat fuqi me i pengue as policia as organizatat e rinise komuniste. Mali i Shna Ndout në Sebaste u mbush plot me njerz, aq sa udhëheqja e partisë u shqetsue, dhe urdhnoi njerzit e vet që të vejshin në dispozicjon të gjitha mjetet e komunikacjonit, jashta çdo orari, mjaft që populli i mbledhun aty të shpërndahej sa ma parë. – Radio Tirana nuk mund e mshefte këte ngjarje të jashtëzakonshme në Shqipni dhe dha lajmin gënjeshtar: “Në malin e Laçit, dje, u organizue nji piknik i madh popullor nga të gjitha anët e Shqipnisë, ku muerën pjesë mbi gjashtëdhetëmij veta”. Ndërsa P. Leon Kabashi, plak 86 vjeçar, i cili shkoi aty i përcjellun prej shumë shtegtarve shkodranë, i lutun prej popullit që të tregonte nji mrekulli të Shna Ndout ai u tha:”Po pse? Cka kërkoni ju ma tepër? A nuk asht kjo nji mrekulli e madhe që unë , plak 84 vjeçar, me ju të gjithë të gjindemi sot këtu të bashkuem për me lutë Zotin e Shejtin Shna Ndue?” – P. Leoni, mbasi i bani nji lutje Shejtit Shna Ndue u suell e bekoi të gjithë popullin; mandej u tha:”Zoti e Shejti Shna Ndue ua plotsoftë dishirin!”. Dishiri i të gjithve ishte liria. Me të vërtetë, mbas aq vitesh të kalueme nën zgjedhën e robnisë ma poshtnuese të ndërgjegjes, kjo kje e para ditë që populli guxoi me kërkue së paku aq liri sa me lutë Zotin. Prandej për ne shqiptarët, pa dallim besimesh, ky vend e kjo datë e 13 Qershorit, janë edhe ma të shejta: Në krye të gjashtë muejve populli shqiptar hyni në rrugën e lirisë.

Rindërtimi i shejtnores

Fillimi i vitit 1991 kje i ringjalljes shpirtnore. Mbi gërmadhat e kishave populli blidhej me lutë Zotin e me zhvillue ceremonitë fetare. Inati i komunizmit kundra Zotit këtu në kete Vend Shejt nuk kishte lanë kurrgja përmbi tokë. Për rindertimin e Shejtnores duhej nji mrekulli. Dhe ja:

Në vitin 1991 P. Ernesto Caroli, Drejtor i ANTONIANUM të Bolonjës erdh për nji vizitë në Shqipni, mbasi gjatë luftës së dytë botnore ai kishte ardhë këtu si Kapelan (Prift) i ushtrisë dhe kishte fitue nji simpati të madhe për popullsinë shqiptare. Ky u njoft me vendin Shejt. Që në atë rast ANTONIANUM i Bolonjës muer mbi vedi ndërtimin e Shejtnores së re, po mbi ato themele të Shejtnores së vjetër. Në Marsin e v. 1992 u ba inagurimi i punimeve të cilat përfshijshin ketoobjekte:

1) Sjellja e ujit me tubacion 2 km, largësi.

2) Central i vogël për energji elektrike.

3) Rruga automobilistike prej qytetit të Laçit e në Sebaste, 4 km e gjatë, në shkamb, e cila do të shërbejë për ndërtimin e veprave në Shejtnore, dhe jo si rrugë trafiku.

4) Shejtnorja

5) Ndërtesë për shtegtarët.

Gjatë vitit 1992 deri më 13 Qershor u realizuen:

1) Marrja e ujit.Mark Frrok Pali e fali ujin vetëm për Shejtnoren e Shna Ndout sa të mbushen rezervuarët nga dy dit në javë. U ba kaptazhi i ujit, u shtrue tubacioni 2 km gjatë dhe u ndërtue rezervuari 1. Me dt. 11 Qershor 1992.

2) Motori i energjisë elektrike u bajt me ndihmën e Rep. Usharak italian “PELLICANO” me nji lelikopter të madh përmbi Malin e Shna Ndout aty u ndërtue edhe strehimi i motorit.

3) Gjate vitit 1992 u projektue nga Ing.Faruk Kaba rruga automobilistike 4 km e gjatë, e gjitha në shkamb të gjallë. Punimet e saja u kryen me vështirësi të mëdha nga Ndërmarrja e Hekurudhave, deri në Maj të v. 1993.

4) SHEJTNORJA E SHNA NDOUT filloi me u punue nga fundi i muejit Korrik 1993 dhe përfundon në fund të Majit 1994.

5) STREHIMI I SHTEGTARVE.Asht nji ndërtesë komplekse e cila vlen si për zgjanimin e sheshit të Shejtnores, ashtu edhe për strehimin e shtegtarëve dhe ambientet higjienike.

Kjo ndërtesë fillon në Maj të 1994 dhe simbas kontratës duhet të mbarojë në fund të Gushtit 1994, vetëm si karabina, pa suvatime e punime hidrosanitare.

CIMG5918

 

 

 

 

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: