Advertisements
Telegrafikisht

Kurbini

Historia
Emrin Kurbin (Curbino) në dokumentacionin historik na del në vitin 1457.
Në lashtësi krahina e Kurbinit nuk ka qenë njësi administrative më vete e dallueshme. Në periudhën e Mesjetës Kurbini është përfshirë në Principatën e Arbrit, që njihet si formacioni i parë shtetëror feudal i shqiptarëve qysh nga fundi i shekullit Xll, me sundimtarët Progoni, në vitet 1190-1199 dhe të bijtë, Gjini që sundoi në vitet 1199-1208, Dhimitri 1208-1216, periudhë që njohu fuqizimin më të madh të kësaj Principate. Në këtë periudhë në grykëderdhjet e lumenjve u ngritën skela të vogla detare që shërbenin për transportimin e mallrave në rrugë detare brenda vendit dhe me vende të tjera. Në grykëderdhjen e lumit Mat funksionoi Skela e Shufadasë. Me krijimin e principatave feudale ne fundin e shekulit XlV, Kurbini dhe fshatrat përreth u përfshinë në Principatën e Topiajve dhe më vonë në atë të Kastriotëve. Qyteti Milot dhe fshatrat janë historikisht baza e krahinës së Kurbinit që është dalluar si mbështetëse e luftrave të Skënderbeut edhe të luftrave të mëvonshme për liri dhe pavarësi. Është për tu përmendur mbledhja e Kuvendit Krahinor të Kurbinit në fshatin Delbnisht “ku kanunet e Flamurit e të Kurbinit me 5, 6 e 7 gusht 1906 u bënë shtesë në kanunin e Lekë Dukagjinit. Kryengritja e Kurbinit e viteve 1905 – 1907 është padyshim fakti më i gjallë historik i rezistencës me armë në dorë të patriotëve kurbinas që e detyruan Qeverinë Osmane të falte taksat mbi gjënë e gjallë, të lejonte Kurbinin të gëzonte të drejtën e të vepronte sipas venomeve të veta, të shpallte amnisti për të gjitha fajet e kryera nga banorët e zonës, të paguante dëmshpërblimet për dëmet që kishte shkaktuar ushtria turke gjatë ekspeditave ndëshkimore në Kurbin. Lëvizjet e vazhdueshme të rezistencës, të organizuara nga patriotët vendas ne lidhje te vazhdueshme me Imzot Nikolle Kacorrin (nenkryetar i qeverise se Vlores), Prend Bardhit, (arqipeshkvi i Durresit nga Delbnishti) dhe At Shtjefen Gjecovi OFM, asokohe famullitar i Lacit, bënë që më 28 nëntor 1912 edhe në Milot, ashtu si në Vlorë, në të njëjtën ditë dhe orë, të ngrihej flamuri i pavarësisë nga patrioti Gjin Pjetri dhe përfaqësues të tjerë të Milotit dhe të gjithe krahinës. Në vitet 1916 – 1917 do të nisë funksionin pazari i Milotit si treg rajonal për shitjen e produkteve bujqësore, blegtorale dhe artizanale. Ky Pazar, në një periudhë shumë të shkurtër kohe,do të bëhej i njohur në të gjithë Shqipërinë. Në këtë periudhë, në vitet 1934 – 1936 është ndërtuar aksi rrugor Delbnisht – Selitë – Mafsheq, 18 km i gjatë, i shtruar me kalldrëm dhe me të gjitha veprat e artit. Në vitin 1927 mbreti Zog do të financonte ndërtimin e urës mbi lumin Mat, sipas projektit të arkitektëve europianë e të zbatuar nga arkitekti shkodran Gjovalin Gjadri. Në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ-it) partizanët nga krahinat e Kurbinit u inkuadruan në brigadën e XXIII sulmuese. Kurbini u çlirua me 22 nëntor 1944. Gjatë viteve 1945 – 1990 Kurbini u shndërrua në një qendër bujqësore – industriale. U ngrit një fabrikë për prodhimin e verës e të rakisë, tre sektorë për prodhimin e parafabrikateve, një bazë për prodhimin e asfalto – betonit,ndërsa vepra më e madhe njihet uzina e Superfosfatit e ndërtuar në hyrje të qytetit të Lacit, uzina e bakrit se bashku me fabrikat e cidit 1,2,3, kombinati i drurit etj.
Gjeografia
Krahina e Kurbinit shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë së Mesme në zonën midis lumenjve Mat në veri dhe Drojë në jug. Nga veriu kufizohet me rrethet e Lezhës dhe të Mirditës, në lindje me rrethin e Matit, në jug me rrethet Krujë dhe Durrës dhe në perëndim me detin Adriatik. Rrethi i Kurbinit ka një sipërfaqe prej 269.3 km 2. dhe një popullsi prej 72 000 banorësh. Deri ne vitin 2015 kishte 4 njësi vendore prej të cilave 2 bashki; Laçi dhe Mamurrasi dhe dy janë komuna, Miloti dhe Fushëkuqja, te cilat jane bashkuar ne nje bashki te vetme. Pjesa lindore e kësaj krahine është pothuajse krejt male në të cilën dallohen dy vargmale të cilat ecin pothuajse paralel me njëri tjetrin, njëri prej të cilëve ai lindor është vargmali i Skënderbeut (22 km gjatësi), ndërsa tjetri vargmali perëndimor është vargmali Krujë – Dajt. Dy vargmalet i ndan në mes lumi i Hurdhazës që buron nga Mali i Skënderbeut në Vinjollë, kurse pjesa perëndimore është fushë. Mali i Skënderbeut nis nga Shkopeti kalon në majën e Mëllezës (1123 m) e vijon me Majën e Hithit 1316 m, duke mbërritur pikën më të lartë në majën e liqenit (1724 m). Vargmali perëndimor ka pikën me të lartë në majën e Kunorës sipër Milotit (745 m) e ndjekuar afër saj nga maja e Sukës (675 m).
Kurbini ndodhet 45 km larg kryeqytetit, 65 km nga porti i Durrësit,20 km nga porti i Shëngjinit dhe 40 km larg aeroportit Kombëtar Nënë Tereza. Qyteti i Milotit është nyja lidhëse me të gjithë krahinat e Shqipërisë së Veriut e Verilindjes si kryqëzim i rrugëve kombëtare. Në territorin e sajë ka edhe një bregdet që mbetet ende i pashfrytëzuar, ku ofrohen resurse mjaft të përshtatshme për zhvillimin e turizmit ,por edhe një vend ku mund të kalohen pushime të këndshme(Plazhi dhe luguna e Patokut dhe Plazhi i Adriatikut).
Relievi
Kurbini ka një reliev të larmishëm, me fusha në pjesën perendimore,në pjesën lindore me male dhe në veri lugina e Matit. Zona përshkohet nga lumi Mat, i cili ka një gjatësi 115 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 2441 km2 dhe lartësi mesatare 746 m dhe buron në Kaptinën e Martaneshit. Prurja mesatare shumëvjeçare e lumit Mat është 103 m3 në sekondë. Sasia e lëndëve inerte pezull është 2.000.000 m3 në vit,duke u shfrytëzuar si një nga ekonomitë më produktive të zonës. Ujrat e lumit Mat kanë mineralizim të ulët dhe një temperaturë mesatare që lëkundet nga 5,3 gradë celcius në Janar deri në 19,9 gradë celcius në Gusht.
Klima
Në territorin e rrethit të Kurbinit mbizotëron klima mesdhetare, me bregdet, fusha pjellore, kodrina të ulëta, vargmale me lartësi mbi 700 m mbi nivelin e detit dhe pyje të dendur. Klima mesdhetare me verë të nxehtë e të thatë e dimër të butë e të freskët, është tipike për zonën fushore e kodrinore, ndërsa në zonën malore bie dëborë në dimër.Trashësia mesatare e dëborës shkon mesatarisht deri në 50 cm. Karakteristike për çdo stinë të vitit janë erërat e forta që fryjnë nga verilindja dhe lindja e drejtohen nga korridoret natyrore, shpatet e maleve, që si rezultat i ngritjes së nivelit të shtratit të lumit Mat nga ndërtimi i baseneve të hidrocentraleve ku shpejtësia e tyre arrin deri në 100 km/h sidomos në periudhën e dimrit. Nga pikëpamja e temperaturave vërehen amplituda të mëdha midis dimrit dhe verës. Temperatura mesatare vjetore është 15.6 gradë celcius, kurse amplituda mesatare është 18 gradë celcius. Reshjet në territorin e Komunës kanë një shpërndarje të pabarabartë. Sasia mesatare e reshjeve është 1350mm në vit. Në zonën malore, kryesisht aty ku bie dëborë në dimër, reshjet janë të pranishme edhe gjatë verës, kurse në zonën kodrinore dhe fushore vera është e thatë. Ditët me diell variojnë nga 220-240 dite, ku mesatarisht gjatë vitit ka deri 3000 orë diell.
Flora dhe Fauna.
Bimësia është e shpërndarë sipas kushteve klimatike, duke formuar zona bimësie si zona e shkurreve mesdhetare (zhvillohen shkurret, kryesisht shqopa e mareja), e dushqeve (lisi, gështenja), e ahishteve (ahu) dhe e halorëve (pisha). Duke u nisur sipas vetive të përdorimit në zonë rriten edhe bimët mjeksore e aromatike që përmbajnë lëndë aktive dhe esenca. Bimët mjekësore që rriten në këtë zonë janë: sherbela, trumza, kamomili, lulebliri, çaj mali, luleshtrydha, lulëkuqja, mullaga. Në zonën tonë rriten edhe bimët spontane foragjere me vlera ushqimore për bagëtinë. Fauna është zhvilluar në vartësi të mjedisit. Kështu dallohen fauna tokësore, fauna e ujrave të ëmbla dhe fauna e egër.Pozita e favorshme gjeografike, klima mesdhetare, relievi që varion nga fushor e deri në reliev të thyer malor, dalja e afërt në det (grykëderdhja e lumit Mat) kanë bërë që fauna të jetë e pasur. Në ujrat e ëmbla rriten peshq si ballëgjëri, krapi, qefulli etj.Shpendë të gjuetisë janë rosa e pata e egër, thëllënxa, karabullakët, çapkat etj.Kafshë të egra që rriten në këtë zonë janë dhelpra, lepuri, ujku, ariu dhe derri i egër.
Demografia

Në organizimin e vjetër administrativ Kurbini kishte 16 fshatra. Skuraj, Nuajë, Vinjollë, Milot, Malbardhë, Selitë, Gjonë, Laç, Daulë, Mafsheq, Shëmri, Gallatë, Shkretë, Delbnisht, Zhejë, më pas disa prej tyre kanë ardhur duke u pakësuar nga popullsia e për rrjedhojë i janë bashkangjitur qendës së tyre apo fshtrave fqinjë sikurse ka ndodhur me Daulën, Logapaqin, Logorecin, Prodanin e Shkjezin, që sot ruhen si lagje të fshatit Selitë, por edhe janë shtuar fshatra të tjerë. Popullsia: Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Kurbin ka 46,291 banorë, ndërsa sipas regjistrit civil (2015), ka 72,987 banorë. Me një sipërfaqe prej 269.03 kilometrash katrorë, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të Censusit 2011 është 172 banorë km2, ndërsa sipas Regjistrit Civil, densiteti është 271 banorë km2 (2015). Krahina ndahet në katër njësi administrative brenda të cilave gjenden 3 qytete dhe 27 fshatra sipas kësaj ndarjeje: LAÇ. 1. Qyteti Laç, Fshatrat: 2. Laç (Sanxhak). MAMURRAS. 3. Qyteti Mamurras, Fshatrat: 4. Fushë- Mamurras, 5. Shpërthet, 6. Shëmri, 7. Zhejë, 8. Katund i Ri, 9. Gjorm, 10. Drojë. MILOT. 11. Qyteti Milot, Fshatrat: 12. Skuraj, 13. Mal Milot, 14. Fush Milot, 15. Mal Bardhë, 16. Mal Bardhe i siperm, 17. Gallatë, 18. Selitë, 19. Gernac, 20. Vinjoll, 21. Shullaz, 22. Prozhmë, 23. Delbnisht, 24. Ferr-Shkopet, 25. Shkopet. FUSHË-KUQE. Fshatrat: 26. Fushë – Kuqe, 27. Adriatik, 28. Patok, 29. Gorre, 30. Gurëz.

Advertisements

Publicitet

kontakt : kurbinalbania@hotmail.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: